Lelo LELI: Ata ish skënderbegasit që drejtuan raketat

1396
Më 28 mars 2015, bëhen 70 vjet të shkollës ushtarake “Skënderbej”. 70 vjet të një shkolle me emër dhe lavdi të madhe. Për të gjithë ish skënderbegasit, ata që kanë dhënë mësim, punuar e drejtuar. Ajo ka ngelur në zemrat dhe shpirtin e tyre, si një nga mrekullitë e kohës. Sa e sa emra, punë, arritje, vlerësime, janë të lidhura me atë “fidanishte”, filizat e secilës i dhanë më shumë oksigjen e gjelbërim, shkëlqim e ngritje ushtrisë, por dhe sektor të tjerë të jetës të vendit. Në përvetësimin dhe drejtimin e raketave të drejtuara kundërajrore, ish skënderbegasit përbënin bërthamën, drejtuesit dhe specialistët kryesor të atyre armëve me aq shumë kërkesa e vështirësi për njohje e drejtim. Ishin vitet 1959-60, kur në Shqipëri erdhën nga ish BS raketat e para të drejtuara kundërajrore. Armë e re, e kohës, me efektivitet dhe prestigj. Garanci më shumë për fuqizimin e mbrojtjes të Shqipërisë. Pa ardhur raketat kishte filluar zgjedhja dhe përgatitja e kuadrove. Një pjesë u përgatitën në ish BS. Ndërsa të tjerët në vend. Dy toga me ish skënderbegas u përgatitën në shkollën e oficerëve dhe me ndonjë përjashtim të vogël të gjithë shkuan për raketat. Por dhe kuadro të tjera ish skënderbegas u zgjodhën nga repartet. Të gjithë bashkë u organizuan, sipas përbërjes të aparaturave, frekuencave, shtretërve të lëshimit e të tjera specialiteteve. Një grup oficerësh, shumica ish skënderbegas me Bejdo Isufin dhe më pas një grup tjetër me Maqo Zoton, u përgatitën jashtë, posaçërisht për njohjen e raketave. Ata u bënë bërthama për të mësuar e drejtuar. Ishin instruktorët dhe komandantët e parë. Njihet se momentet e para në çdo punë janë të vështira. Aq më shumë kur vihesh para asaj arme shumë komplekse. Sa shpejt e me thellësi i njohën aparaturat dhe pjesët e raketës ata oficerë. Shumë nga të cilët i lexonin skemat, si kur lexonin një libër. Eh, sa shumë shembuj ka! Organizimi i provimeve. Rezultatet e larta treguan se oficerët, të gjithë ish skënderbegas e kishin realizuar programin teorik. Pritej edhe zhvillimi i qitjeve me raketa. Problemi i madh që shtrohej ishte zhvillimi i qitjeve me raketa. Zgjidhja e detyrave praktike. Ato u zhvilluan në mesin e nëntorit të vitit 1960, në Kazakistan. Atje ishin poligonet. Në hapësira të mëdha. U zhvilluan me dy grupe raketash. Oficeri i drejtimit, Zihni Koshi ishte i pari që shtypi butonin. Lëshoi raketën. E drejtoi me kompetencë në asgjësimin e aeroplanit pa pilot. Oficerë e ushtarë i plotësuan detyrat shkëlqyeshëm. Ato treguan aftësi njohëse nga efektivat, por dhe organizim, disiplinë e drejtim të përsosur nga drejtuesit. Mbas qitjeve punët e detyrat e gatishmërisë u shtuan më shumë. Këto i diktonin situatat e kohët. Atëherë, në Luftën e Ftohët dhe të garës të armatimeve në mes të shteteve të mëdha ishin pa mbarim, presionet, bandat, spiunët, diversantët e të tjerë kundër Shqipërisë tonë. Prandaj dhe detyrat e gatishmërisë ishin të motivuara. Ish skënderbegasit u edukuan që fëmijë e në rininë e tyre me ndjenjën e mbrojtjes të popullit e të Shqipërisë. Dhe kështu ngelën besnik dhe të përkushtuar të idealeve atdhetare e patriotike. Pra, motivi ishte liria, atdheu, populli. Është e njohur se në këtë moshën e tretë, përsëriten kujtimet. Ato na çojnë në ato punë të mëdha që kemi kryer. Si në ekran më dalin portretet e ish skënderbegasve, që kompletonin repartin e raketave në Sukth të Durrësit. Kështu, me shumë ngrohtësi e respekt, por dhe me ndjenjën e dhimbjes për ata që nuk jetojnë, po përmend emrat: -Esat Hasa, Mihal Qirjaqi, Avdul Veliaj, Xhemil Sejdiaj, Masar Shero, Zihni Koshi, Fetah Lamaj, Ivan Makëri, Zihni Loloçi, Avdi Xhuveli, Mustafa Çela, Myfit Bega, Halil Lekloti, Agim Qoku, Pandi Sako, Andon Budina, Gjergj Laska dhe të tjerë që kanë kompletuar atë repart më pas. Ata oficerë të mrekullueshëm i dolën zot asaj teknike aq kapriçoze. Kur nuk largoheshin pa e lënë çdo gjë në gatishmëri të plotë. Stërvitja dhe gatishmëria u bënë pjesë e qenies së tyre. Më pas erdhën dy reparte të raketave. Më të manovrueshëm. Oficerët që i morën në drejtim, kryesisht ishin nga ish skënderbegasit. Ishin reparte autonome, me lëvizshmëri e forcë goditëse. Më 1969-ën dhe këto kaluan në përbërje të repartit 3700 Tiranë. Ai repart, në masë kishte oficerë që kishin kaluar nga shkolla ushtarake “Skënderbej”. Ziente puna. Mbështeteshin mendimet e përparuara. Ballafaqoheshin mendimet e kundërta. Inxhinierët e specialistët, të cilët ishin të shumtë, ndërmorën nisma dhe veprime praktike për zgjatjen e kohës të punës për pjesë të ndryshe të raketës dhe karburantet. Repartet mbaheshin në gatishmëri të plotë, si rezultat i punës të kuadrove dhe të ushtarëve. E theksoj se në ato reparte dhe ushtarët ishin, kryesisht me shkollën e mesme. Por, që nga viti 1960, që u zhvilluan qitjet, kishte kaluar shumë kohë. Pjesë të raketës kishin plotësuar ose tejkaluar kohën e punës të tyre. Ishte bërë e domosdoshme që të provohej në praktikë funksionimi i aparaturës dhe aftësitë e efektivit. Dua ta nënvizoj se mbas vitit 1970, reparti i raketave realizoi me sukses të plotë qitjet në kushtet e vendit tonë. I përmenda këto sepse në detyrat kryesore ishin oficerë të rinj. Ish skënderbegas të ditur, të mençur, idealistë e të përkushtuar. Fetah Xhima, i pari në vendin tonë bëri lëshimin e raketës, si oficer drejtimi, duke plotësuar detyrën shkëlqyeshëm. Regjimenti i raketave grumbulloi oficerët më të mirë të AKA. Shumë nga të cilët u bënë komandantë e komisarë, në Grupet e raketave dhe në Regjimentet kundërajrore. Dëshiroj të përmend disa: – Alush Bisha, Metan Ismaili, Namik Shehu, Vangjel Vogëli, Thoma Dunellari, Sokol Baliaj, Dilaver Goxhaj, Ferat Turhani, Pëllumb Gjondedaj Ramadan Ruçi, Bejo Hoxha, Jani Sovjani, Ilirjan Baboçi, Ilia GJimpali, Fatmir Hysi, Jovan Buli, Nasi Pine, Arqile Kokëdhima, Avdo Thanasi, Medi Reso, Mëhill Pertena, Bekim Haxhiu, Kushtrim Haxhija dhe shumë të tjerë. Duke radhitur këta emra, e ndiej se ka dhe shumë të tjerë, me kontribute e vlera, ish skënderbegas, që nuk janë përmendur. Ju kërkoj ndjesë! Kthehemi tek shkolla “Skënderbej”. I kujtoj shokët e klasës. Shumë nga të cilët u bënë drejtues kryesor në llojet e armëve, si në marinë, aviacion, gjitharmësh e të tjera. Kujtoj ata që na jepnin mësime. Sa të mrekullueshëm! Po, po, kujtoj ato kuadrot e zgjedhur të shkollës. Kurrë nuk e harrojmë kujdestar Noken. Ishte si nënat tona. Me merak për t`u larë, për të veshur tesha e këpucë. Për të shkuar mirë me njëri-tjetrin, për fjetje etj. Më është dhënë mundësia ta njihja më mirë kapter Noken. Sepse ai mbante si ndihmës Adem Metën. Djalë i mençur nga Golemi i Kurveleshit. E kisha shok Ademin. Rinim bashkë dhe me kujdestarin. Si mua dhe shumë të tjerëve na ka lënë mbresa të pashlyeshme komisar Xhemal Shehu. Tek ai, Zoti, bashkë me pamjen, veshjen, të ecurit, bukurinë, kishte dhënë dhe oratorinë e ëmbëlsinë e fjalës. Ishte një model i kuadrit të ditur dhe të dashur për efektivat. Dhe për oficerin Qebir Bisha. Ishte një nga oficerët e kompanisë të katërt. Nga andej shkoi me studime në ish BS. U diplomua inxhinier elektronik. Dihet se nxënësit e parë të shkollës ishin partizanët më të rinj, që vinin nga fronti i luftës. Nga radhët e Br. Heroike që luftuan me pushtuesit dhe çliruan Shqipërinë e robëruar e të varfër. Në radhët partizane kam pasur dy vëllezërit, Dervish Leli, që më 1942 dhe më pas Shuko Lelin, 15 vjeç. Shukua ka qenë nga nxënësit e parë të shkollës “Skënderbej”, por për shkaqe shëndetësore nuk vazhdoi gjatë. Më lidhin shumë kujtime me atë shkollë. Shkrova për kohën e shkuar. Për elementë të veçantë, që lidhen me punën e oficerëve në raketat tokë-ajër. Për ish skënderbegasit, që punuan si idealistë, për 20-30 e më shumë vjet. Që gjithë jetën aktive punuan me uniformën e gjelbër. Në atë moshën më të bukur. Me plot dëshira e ëndrra, ata qëndronin në roje të Shqipërisë. Në këtë lartësi të 70 vjetëve i kujtojmë me nderim e mirënjohje dhe ju bëjmë homazh gjithë atyre ish skënderbegasve që nuk jetojnë më. Ashtu si urojmë e lutemi për të tjerët të gëzojnë shëndet të plotë dhe mirësi në familjet e tyre. Oficerët kanë qenë të sakrificës, të thjeshtë e të vuajtur. Ashtu kanë mbetur dhe në këto kushte. Të varfër, por të nderuar e të patër si qelibari. 
***************
TOGA E “POLICËVE” SKËNDERBEGAS
Viti 1955, një grup 14 vjeçarësh nga të gjitha anët e Shqipërisë filluan Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, të cilët erdhën me dokumente nga Ministria e Brendshme si kontingjent i saj me mbarimin e gjimnazit. Ne si “Skënderbegas” të asaj kohe nuk kuptonim shumë se ku do të shkonim, kryesore të mbaronim shkollën. Në klasë kishim edhe “Skënderbegas” të ardhur nga “7 vjeçarja” e asaj shkolle. Që në fillim “Skënderbegasit” e paraleleve të tjera ne na vunë nofkën “toga e policëve” dhe kështu mbetëm deri në përfundimin e gjimnazit. Çdo aktivitet që behej në shkollë, sidomos në aktivitetet sportive, kjo nofkë na shoqëronte dhe herë na lumturonte dhe herë na “zëmëronte”, por sidoqoftë ne ngeleshim “Skënderbegas”. Por plani nuk eci ashtu si e parashikuam. Që në mbarim të vitit të tretë shumë nga shokët e klasës u nisëm për studime në Rusi dhe një vit më vonë edhe shumë të tjerë. Në Ministrinë e Brendshme kaluan 3-4 “Skënderbegas” të cilët u specializuan edhe këta në Rusi për nevoja të asaj Ministrie. Të tillë qenë Abedin Demiri, Jorgo Noçka, Riza Hasko etj. Nga “toga e policëve” dolën mjaft kuadro të talentuar që shërbyen në gjithë armët e ushtrisë si në marinë, aviacion, ndërlidhje dhe mjaft inxhinierë e ekomomistë. Ish skënderbegasit e “togës së policëve” drejtuan reparte e sektorë të rëndësishëm të ushtrisë sonë. Të tilla ishin Dhiogjen Gjergji, Servet Murati, Asqeri Kapaj, Rustem Shabani, Sokrat Pango, Luto Memushi, Sotiraq Gjylameti, Çerçiz Leli, Aleks Mera e mjaft të tjerë. Me respekt kujtojmë ish komandantin e togës tonë, toger Hasan Gjata tregonte kërkesë dhe mirësi në formimin tonë si ushtarak të ardhshëm.
FOTO Aspekt nga Pushimet verore në Malin e Dajtit me komandantin e togës Hasan Gjata.
Ish skënderbegasi i “togës së policëve”
Inxh. Tajar Ramadani
Sigal