Kujtimet e Todo Bojanit: Dreka në një tavolinë me oficerin gjerman, dhe roli i ndërlidhjes në çlirimin e Tiranës

282

Realizimi i ndërlidhjes me Brigadën e IV – suksesi i dytë i Njësisë së Ndërlidhjes

Sigal

Në datën 28 dhjetor 1943, realizohet suksesi i dytë i Njësisë së Ndërlidhjes, realizohet ndërlidhja e Shtabit të Përgjithshëm me Brigadën e IV-S. Një radist, së bashku me një radiostacion, i shoqëruar nga disa partizanë nisen nga Bakulli për në Voskopjë, ku ishte e dislokuar komanda e Brigadës së IV, komandant i së cilës ishte Nexhip Vinçani dhe komisar Pëllumb Dishnica. Ndërlidhja me radio me këtë Brigadë ka qenë e qëndrueshme që nga ai moment dhe gjatë të gjithë kohës deri në çlirimin e vendit. Roli i Brigadës së IV ishte i madh sidomos në Operacionin e Dimrit ku ajo shoqëroi Shtabin e Përgjithshëm gjatë çarjes së rrethimit.

Enver Hoxha : Anglezët të shikojnë punën e tyre.

Më 29 korrik 1944, në brigjet detare të Jugut të Shqipërisë, u dukën forca të shumta angleze, me qëllimin për të zbarkuar në Shqipëri. Konkretisht ata donin të zbarkonin në Spile, Himarë. Kjo mbahej sekret, por lajmi u hap më parë se ta dinte Enver Hoxha (sipas shënimit të Todos). Më vonë, sipas radiotelegrafistit Myfit Topore, formulohet fonogrami që Enveri ia jep Todos për transmetim dhe ky, në çast, ia dorëzon Myfit Topores, i cili e transmetoi. Sipas Astrit Omerit, i cili kishte punuar si operator në TV Shqiptar, dhe kishte qenë pjesë e grupit intervistues të Myfit Topores, teksti ishte:“Nuk duhet të përsëritet më 7 prilli! Anglezët të shikojnë punën e tyre. Hidhini në det. Enver!”

Todo me teknikët e rinj në Radio-Tirana gjatë trajnimit për radioteknik

Episode të jetës ilegale.

I armatosur, drekë në restorantin “Dodona”në një tavolinë me oficerin gjerman.

Gjatë kohës së pritjes, Todo vazhdonte të lëvizte e të takonte shokët e Tiranës, i maskuar me veshjen e fshatarit tiranas, ku brenda “xhokës” mbante revolen, dhe kur vinte koha për të ngrënë bukë, ai shkonte tek restorant “Dodona”, ku ishte pronar patrioti Todo Terpo. Si e kemi shpjeguar më përpara, edhe Todo Terpo ishte nga Drenova e Korçës, ndaj ata njiheshin shumë mirë me njëri-tjetrin, ishin miq edhe pse Todo Bojdani ishte në moshë më të re. Ai e dinte që Todo fshihej kinse si fshatar tiranas, pasi ishte në kërkim nga gjermanët. Todo Terpo tregonte këtë histori:

“Një ditë, ndërsa Todo ishte ulur në restorant duke ngrënë bukë, i veshur si fshatar Tirane, vjen një oficer gjerman që po kërkonte vend për t’u ulur. Restoranti ishte plot me njerëz. Nuk kishte asnjë tavolinë bosh. E vetmja tavolinë me një person, ishte ajo ku ishte ulur Todo. Todo Terpo i doli përpara gjermanit gjasme për ta sajdisur, por në fakt për ta drejtuar të ulej në një tavolinë tjetër, jo te ajo ku ishte ulur Todo. Oficeri gjerman, për dreq, u ul pikërisht te tavolina ku ishte Todo. Kështu dy “miq”, në të njëjtën tavolinë, të dy të armatosur, rrinin përballë njëri-tjetrit. Todo me natyrën e tij shumë të përmbajtur e gjakftohtë, e“sodiste me kujdes vizitorin”. Oficeri gjerman bëri dhe porosinë dhe sapo erdhi ushqimi, filloi të hajë.

Gjermani s’mund ta merrte me mënd se kë kishte përballë, s’mund ta dinte se ai që ishte pranë tij, kishte rrëmbyer radiostacionin e Korçës dhe se kërkohej gjithandej për ta kapur të gjallë, ose të vdekur! Gjermani po hante për qejf, por edhe Todo gjakftohtë, mjeshtër për të përmbajtur dhe fshehur emocionet, rrinte i gatshëm, i vëmendshëm për çdo të papritur. Hante ngadalë, në mënyrë që gjermani të ngrihej para tij. Çdo gjë kaloi pa u krijuar ndonjë dyshim. Gjermani përfundoi drekën, bëri pagesën, thjesht një salutim“fshatarit” që hante tmerrësisht ngadalë dhe largohet. Pak minuta më vonë edhe “fshatari” çohet nga tavolina, bën pagesën, i lëshon një buzëqeshje mikut të tij, Todo Terpos, dhe del nga lokali”.

Urdhëri për çlirimin e Tiranës.

Në datën 30 tetor 1944, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare urdhëron Shtabin e Korparmatës të fillojë përgatitjet për çlirimin e Tiranës. Detyra të rëndësishme dilnin përpara të gjithë brigadave, që ishin të dislokuara përreth Tiranës. Detyra të rëndësishme dilnin edhe përpara seksionit të ndërlidhjes pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe Korpit të I-rë.

Shokët e kompanisë së ndërlidhjes me komandant Kadri Brahimaj, punonin pa pushim. Ndërlidhja telefonike dhe ajo me radio ishin shtrirë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Në fund të tetorit 1944, arratiset nga kampi i Prishtinës radisti Myfit Poçari dhe inkuadrohet, në fillim në shtabin partizan të Kosovës, dhe më pas në Shtabin e Divizionit të V-të të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare. Nën drejtimin e Todos ishin shtruar linjat telefonike ndërmjet Shtabit të Korpit të I-rë dhe shumë zonave përreth Tiranës, si edhe ishin pajisur me radiostacione dhe radiotelegrafistët e brigadave. Në prag të betejës për çlirimin e Tiranës ishte siguruar një radiondërlidhje, që bënte të mundur komandim të shpejtë dhe bashkëveprim ndërmjet forcave.

Roli i ndërlidhjes në çlirimin e Tiranës.

Rëndësia që kishte ndërlidhja me radio duket në komunikimet ndërmjet drejtuesve të korpuseve dhe brigadave. Më 2 nëntor, nga komanda e Korpusit të I-rë, në Tiranë, u dha urdhri:

“Ndërlidhja me Shtabin e Korpusit do të bëhet me anën e radios dhe me korrier në katundin Tufinë.

Hysni Kapo, Dali Ndreu”.

Më 10 nëntor 1944, urdhër operacioni Brigadës VIII-të: “Për të komunikuar me Shtabin e Përgjithshëm, përderisa  radio- transmetuesi i saj do të përdoret nga Brigada X, do të përdorë radion e Divizionit I, ose të Korpusit.

Qazim Kondi, Zija Kambo, Mehmet Shehu”.

Më 11 nëntor 1944, Mehmet Shehu, komandant i Brigadës I-rë, i dërgon një radiogram Shtabit të Korpusit të I-rë:

“Duke qenë se radiotransmetuesi i jonë nuk ka një marrës të fortë, nuk mund të marrë natën, vetëm mund të japë natën. Kur është kohë e keqe, nuk merr as ditën. Faji nuk është i Loni Plumbit, prandaj na dërgoni një marrës tjetër potent, ose një aparat komplet…”

Ndërkohë Mehmeti, po në këtë ditë, lajmëron forcat partizane se sulmi i përgjithshëm mbi Tiranën do të fillojë sot më këtë datë, në ora 16.00. Më 13 nëntor 1944, u lëshua një urdhërveprim nga gjeneral-major Spiro Moisiu, komandës së Divizionit të III-të, mbi organizimin e radiondërlidhjes:

“Po ju dërgojmë një aparat radio për nevojat tuaja për me u ndërlidhë me këtë komandë dhe 4 ndërlidhësa, çdo krye 24 orëve, qoftë edhe kur nuk ka të reja, duhet të na lajmëroni. Në qoftë se keni marrë radion e Brigadës XIX, duhet menjëherë t’ua ktheni.

Spiro!”

Gjatë gjithë operacionit për çlirimin e Tiranës, radiotelegrafistët transmetonin komunikata operative të Sh.P. drejtuar njësive. Radiotelegrafistët e Korpusit të I-rë, punonin me përkushtim. Radiotelegrafisti kryesor ishte Isak Lilaj dhe në seksionin e ndërlidhjes bënin pjesë radiotelegrafistët Fejzo Kasimati, Selami Kardhashi, Muhedin Bakiri, etj.

Todo Bojdani ka dhënë një kontribut tepër të rëndësishëm gjatë çlirimit të Tiranës, pasi falë angazhimit dhe aftësive të tij teknike u arrit që të sigurohej gjërësisht ndërlidhja me tel dhe me radio. Duhet të mos harrojmë se para komunikimit me linja telefonike dhe me radio, ai bëhej nëpërmjet letrave, të cilat dërgoheshin me korrierë. Kështu që realizimet e komunikimeve me telefona apo me radiostacione, ishin ngjarje të jashtëzakonshme. Rol të madh luajti kompania e ndërlidhjes që drejtohej nga Kadri Brahimaj si dhe Isak Lile, radiotelegrafisti i Korpusit të I-rë.

“Radio- Tirana në duart tona!”

Shtabi i Përgjithshëm filloi të mendonte për ditët pas çlirimit të vendit, kur qeveria e zgjedhur në Përmet të fillonte aktivitetin e saj. Marrja e institucioneve me sa më pak dëmtime, ishte një nga piksynimet.

Në këtë kuadër, Radio-Tirana, si i vetmi institucion i propagandës me radio, kishte një prioritet absolut. Pikërisht, në këtë kohë, Todo Bojdani takohet me Dali Ndreun dhe merr një detyrë tjetër të rëndësishme: mbikqyrjen e luftimeve dhe veprimeve luftarake, që do bënin forcat partizane në mënyrë që Radio-Tirana të merrej me sa më pak dëmtime!

Nga ana tjetër, një nga punonjësit e vjetër të Radio-Tiranës, Islam Poseku, kujton se ato ditë ishte përhapur lajmi që gjermanët, në prag të largimit, do të hidhnin në erë Radio-Tiranën. Nëse do të ndodhte kjo, do të shkatërrohej mjeti i vetëm i propagandës që ekzistonte në atë kohë. Ky lajm solli si detyrë që në momentin që Radio-Tirana do të çlirohej, duhej të kontrollohej me përgjegjësi dhe me shumë kujdes.

Në datën 8 nëntor 1944 Todo pajiset me një leje për të qarkulluar lirshëm në qytetin e Tiranës. Ky dokument është i lidhur si me detyrën për të shkuar kudo që do  të lipsej për të siguruar ndërlidhjen, por, përmendja e “xhenjos” nënkupton që Todo kishte marrë edhe detyra xheniere qysh në datën 8 nëntor.

Leja është e firmosur nga Dhimitër Kotini, pranë Shtabit të Korparmatës. Teksti është si më poshtë:

Ushtria P.V.N/C.SH.                               Vdekje Fashizmit

Zonë e Lirë 8/XI/1944                                   Liri Popullit

Letër- Leje

Shoku Todo Bojdani, radioteknik i Korpit, është i lirë të qarkullojë në qytet si dhe për hyrje e dalje në xhenjo për punë teknike Pranë Shtabit të Korparmatës

Dhimtër Kotini

Punonjësit e Radio-Tiranës, të cilët e kishin dëgjuar lajmin që Radio-Tirana do të hidhej në erë nga gjermanët, morën 2500 disqe të fondit të vyer muzikor dhe i shpërndanë nëpër shtëpitë afër godinës së radios, si dhe te shtëpia e familjes Zoraqi. Sipas shkrimeve të Todos, këtë detyrë e kryen Mihal Ciko, Evanthi Zoraqi (Ciko), Spiro Qirko dhe Islam Proseku.

Për marrjen e Radio-Tiranës u ngarkua një kompani partizane me komandant Mane Sevranin. Partizanët nën komandën e tij, luftuan me trimëri për disa ditë radhazi. Radio-Tirana ruhej nga

9 xhandarë dhe 7 ushtarë gjermanë. Urdhëri që kishte marrë komandanti Mane ishte i prerë: -Radio Tirana do të mbahej e rrethuar, do të përdoreshin vetëm pushkë dhe automatikë, por nuk do përdorej asnjë armë e rëndë në mënyrë që ajo të mos dëmtohej. Kjo ishte arsyeja që rrethimi zgjati disa ditë duke shpresuar që gjermanët dhe xhandarët shqiptarë të dorëzoheshin.

Todo Bojdani, në datën 17 nëntor 1944, merr në ngarkim

Radio-Tiranën me urdhër të Dali Ndreut.

Enver Hoxha, në 17 nëntor, i dërgon urdhër Shtabit të Korparmatës së I-rë për rregullimin e Radiostacionit dhe të Centralit El- ektrik të Tiranës:“Të  merren masa për rregullimin e Radiostacionit e të Centralit Elektrik. Këto të jenë gati për ditën e 28 nëntorit. Asnjë emision nuk do të bëni në Radio-Tirana pa urdhrin tonë! Kur stacioni të jetë gati, lejohet vetëm të jepni në mënyrë të vazhdueshme të tria mesazhet që po ju dërgojmë dhe asgjë tjetër! Të na lajmëroni kur të jetë gati stacioni. Enver ” Më 17 nëntor Todo Bojdani u autorizua zyrtarisht të merrte në dorëzim Radio-Tiranën dhe Centralin Elektrik S.I.T.A dhe t’i vinte ato në punë. Dokumenti është firmosur nga gjeneral – major Dali Ndreu, Komandanti i Shtabit të Korparmatës së I-rë, dhe ia ka dorëzuar këtë dokument personalisht Todos. Dalja në dritë e këtij fakti tregon që ishte Dali Ndreu, komandant i Korpit të I-rë, që ka drejtuar jo vetëm operacionin ushtarak të çlirimit të Tiranës, por edhe fillimin e aktivitetit të administratës shtetërore. Kështu, paraditen e datës 17 nëntor 1944, Todo mori në ngarkim Radio-Tiranën dhe Centralin Elektrik SITA, institucione që kishin rëndësi jetike. Gjithashtu, në godinë ishin dëmtuar dhe nuk funksiononin disa pjesë të rëndësishme të radio-transmetuesit me valë të shkurtra, ndërsa atij me valë të mesme i ishin thyer e hequr një sërë llambash.