Kujtimet e “Artistit të Popullit”, Luftar Paja: Si më propozuan të bëhesha deputet i Libofshës në vitin 1978

365

-Në tërmetin e vitit 1985 komisioni kishte vendosur dëme fiktive për shtëpinë time, unë i anullova ndihmat

-Deputeti i atëhershëm nuk kishte asnjë privilegj si sot.

– Si debatova me drejtorin e SMT-së, pasi nuk i jepte shtëpi një mekaniku me cen në biografi?

Sigal

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

E kam njohur aktorin e madh Luftar Paja (personalisht) në vitin 1993, kur jetoja në Greqi. Aty realizova dhe intervistën e parë me të cilën mbeti shumë i kënaqur. Që nga ajo, kohë me të dhe familjen e tij, u bëmë miq. Edhe me dy djemtë e tij, Sokolin dhe Gazin, kam mbajtur lidhje të vazhdueshme, pa diskutuar për gruan e tij, Qamilen, e cila ka qenë dhe mbetet një nga gratë më aktive të emigracionit shqiptar në Greqi.

Por ju konfidoj se gjeta belanë. E para, sepse figura e tij me një galeri të pafund karakteresh e kishin bërë mjaft popullor. Sa herë lëvizje me të ishte e pamundur të rrije i qetë. Takime, përqafime, biseda në çdo hap. Të lëvizje nga një vend në tjetrin duheshin të paktën dy orë.

Luftari si Luftari, s’ia prishte askujt. Linte punët e tij, apo harronte shumë porosi kur takonte miqtë e tij të shumtë. Edhe ndonjë gotë nuk e kursente. Më linte të prisja, me orë të tëra. Takimet i shtynte. Kur më takonte e më gjente të mërzitur, më shihte me ato sytë e tij të kaltër, imitonte një nga personazhet e tij të dashur, një batutë dhe ja, ku plaste e qeshura dhe mërzia arratisej si retë pas furtunës. Por ka pasur dhe çaste tensioni. “Me femrat e popullit nuk të rri gjuha! Ndërsa për biografinë tënde goja të bën mëk-mëk!” Ishte shprehja më e përdorur prej meje, kur nxehesha. Si ta gjeje ndryshe me Luftarin! Më duhet të kuptoja që ai ishte njeri dhe kishte hallet e tij, ndoshta ishte i detyruar t’i përshtatej takimeve me njerëzit, sepse kjo është detyra e njeriut publik. Fansat e donin vetëm të qeshur, si në skenë. “Eh, të gjithë mendojnë se unë s’kam halle”, përsëriste ai shpesh. Por nuk bën përjashtim as ai nga shqiptarët e tjerë për më tepër nga artistët, që në Shqipëri bëjnë pjesë në shtresën e intelektualëve, që jo rrallë nuk e kanë fjollë me qeveritë dhe institucionet. Djali i tij, Gazi, sa herë që e takoj më thotë : “Mos e lër të qetë! Ka zemër të madhe, por nuk njeh disiplinë. Për të, të gjithë njerëzit janë njëlloj.”Historitë e Luftarit janë të pafundme…Në vitin 1978 e propozuan si kandidat për deputet në Libofshë. Kur mori haberin ndodhej në festivalin e Gjirokastrës me organizimin e grupeve artistike të Fierit. Ja si e tregon ai këtë moment

– Lajmin ma dha Hasan Deliu, që punonte si polic rrugor në Fier.

– Rregulli i atëhershëm kërkonte që kandidati për debutet të bënte takim fshat më fshat me zgjedhësit.

– Populli i Libofshës vuante për ujë dhe unë u mundova me shumë përpjekje për të çuar ujin në destinacion.

-Të jesh deputet është një ngjarje e shënuar në jetën e njeriut. Si e kujtoni ju atë moment? Kush jua dha lajmin dhe si reaguat?

Ishte viti 1978 kur më propozuan si kandidat për deputet në Libofshë. Isha ftuar në festivalin e Gjirokastrës nga organizatorët, duke qenë artist i njohur. Nga mesi i festivalit erdhi dhe më gjeti shoku im i ngushtë, Hasan Deliu, që punonte si polic rrugor në Fier dhe më tha se duhet ta lija festivalin në mes dhe të kthehesha në Fier se më kishin propozuar për deputet. Ai kish sjellë me vete dhe një zarf ku deshifrova urdhrin se më duhet të paraqitesha në Komitetin Ekzekutiv të Fierit. Lajmi qe një e papritur e madhe, zarfi gjithashtu! Të kandidohesha unë për deputet? Ishte e çuditshme, duke menduar faktin se unë nuk isha ndonjë intelektual që kisha studiuar për ekonomik ose juridik. Unë isha një artist që kisha ardhur nga klasa punëtore. M’u duk e pabesueshme, por gjithsesi u binda. Drejtuesit e partisë më pritën me gjithë formalitetet, bënë foton dhe më dhanë një deklaratë për të firmosur nëse e pranoja ose jo këtë propozim. Nëse jam menduar ndonjë grimë ishte për faktin nëse e meritoja unë apo jo gjithë këtë nder. Sepse për ta pranuar duhej medoemos. Ishte rregull, që kur vendoste masa dhe ishte marrë miratimi në instanca, nuk mund të refuzoje. Nga e papritura, propozimi i kandidaturës m’u bë diçka e njohur dhe normal që më pas m’u duk vetja deputet me të vërtet. Dhe nisa ta bëja punën me mish e me shpirt. Siç di unë. Fillimisht u prezantova me popullin e zonës së Libofshës. Rregulli i atëhershëm kërkonte takim fshat më fshat me zgjedhësit dhe mbasi u miratuan të gjitha procedurat vazhdova punën konkrete me kërkesat dhe ankesat që kishin fshatarët. Dy janë çastet që kam fiksuar gjatë asaj kohe. Populli i Libofshës vuante për ujë dhe unë u mundova me shumë përpjekje për të luftuar burokracinë e për të siguruar bazën materiale për të çuar ujin në destinacion. Pra, për të ngritur atë që rëndom në kohët e sotme quhet infrastrukturë. Fshatçe të çonim tubat e ujit. Siç ndodh shpesh, në punët ekzekutive nuk mbretëron vullneti për t’i çuar punët deri në fund. Pasi u njoha me problemin pashë se tubat ndodheshin të shkarkuara në stacionin e trenit dhe Sekretarja e Komitetit Ekzekutiv, për një neglizhencë të sajën, nuk e zgjidhte punën, sepse nuk firmoste për një makinë. U zura me të, duke e akuzuar “fajtore” që linte popullin pa ujë dhe i hyra vetë zgjidhjes së asaj pune. Shkova në parkun e Fierit dhe: pak se në atë vend kisha kredi me drejtuesit për shkak të shumë viteve të punës, e pak prej mënyrës si e shtrova problemin arrita t’i merrja drejtorit një maune dhe mora tubat dhe i shkarkova te një shtëpi në Libofshë, përkatësisht ia lashë Gori Gjergos t’i ruante. Pastaj me maune shkova te Sekretarja e Komitetit Ekzekutiv dhe i raportova ushtarakisht:

– Shoqja Sekretare! Tubat u çuan. Tani hapni kanalet.

Ajo u habit dhe më kujtohet edhe tani ngjyra e fytyrës së saj. Limoni e thartuar!

Më vonë mora pjesë në zgjidhjen e një kontradikte që kishin punëtorët me drejtorin e SMT-së, për ndarjen e shtëpive. Një mekaniku nuk i jepnin shtëpi dhe e neglizhonin. Gjithashtu më ishin ankuar dhe nja dy punëtorë, që ishin mekanikë se shefi i kishte pushuar nga puna për të futur njerëzit e tij. Pra, për nepotizëm. Për këto probleme më vinin gjithnjë letra që unë i ballafaqoja. Edhe në këtë rast ashtu bëra. Ballafaqimi më ka rezultuar shumë pozitiv, sepse t’i kundroje se kush kishte të drejtë dhe kush kish shkelur rregullat. Pastaj kur hiqnin një punëtor me kategori të gjashtë dhe fusnin një me të tretë arsyeja pse ndodhte nuk donte kallauz. Gjithsesi mund të them se përballja funksiononte dhe mua më ka dhënë rezultate shumë të mira në këtë punë ekzekutive.

-Kandidatura e dytë ishte në zonën e Cakranit ku kisha vendlindjen.

– “Kritika” e vëllait: Luftari ka një vit që më ka thënë për një xhaketë dhe s’ma ka dhënë, prandaj nuk e dua si deputet

-Pas kandidaturës së parë mendove për një mandat të dytë? A kishte punë deputeti në atë kohë dhe a kishte privilegje si sot?

Kandidatura e dytë erdhi me një “kritikë” të vëllait. Në atë kohë deputeti mbetej fshat më fshat gjithë kohën dhe jo njëherë në 4 vjet. Kurrë si kishim këto privilegje. Kur zgjedhësit e Libofshës kërkuan përsëri kandidaturën time, bashkëfshatarët e mi në Mallakastër u bënë xhelozë dhe vendosën që unë të kandidoja për Cakranin. Zonë ku kontribuova për dy legjislatura që përkojnë me vitet: 1982-86-90-në. U transferova kështu nga zona 69 në 77-ën që i takonte Cakranit. Takimet me popullin në këtë vend kanë qenë interesante. Mbaj mend edhe një situatë që krijoi shumë humor. Para se të merrja kandidaturën organizohej një takim me banorët e zonës, në mënyrë që të kuptohej se sa ishte popullariteti yt, dhe a kishte njerëz që e përçmonin emrin dhe figurën tënde si përfaqësues. Në këto mbledhje unë shoqërohesha nga një i deleguar i rëndësishëm i Partisë. Më kujtohet që ai u befasua në fshatin tim të lindjes në Gorishovë, në takimin përkatës. Pas diskutimeve të zjarrta plot lëvdata e mirënjohje një burrë nga mesi i sallës kërkoi leje. Me fytyrë të ngrysur e tërë seriozitet deklaroi:

– Nuk jam dakort për Luftarin!

Të gjithë ia plasën gazit. I deleguari u shtang. Burri vazhdoi: – Luftari ka një vit që më ka thënë për një xhaketë dhe s’ma ka dhënë, prandaj nuk e dua si deputet.

I deleguari u bë kureshtar dhe pyeti se kush ishte ai njeri. Fshatarët i kallëzuan se ishte im vëlla. Fillimisht u tulat dhe pastaj ia plasi të qeshurës. Nuk mbahej më….

-Kur ju ishit deputet në zonën tuaj ndodhi tërmeti i vitit 1985. Si u përblallua? Çfarë dëmesh pati dhe ju si vepruat?

Në vitin 1985 në zonën tonë ra një tërmet. Siç ndodhte atëherë në raste fatkeqësish të gjithë i qëndronin pranë njëri-tjetrit. U morën masat e qeverisë dhe u caktuan komisione për dëmet. Mua si deputet më takoi të shkoja fshat më fshat. Më interesantja ishte kur vete në shtëpinë e babait. I pyes nëse kishte shkaktuar dëme tërmeti. Nëna më kallëzoi se shtëpia ku banonin pjesëtarët e familjes nuk kish pësuar asnjë dëm. Por shtëpia jashtë banesës, ajo që përdorej për gatim, e ndërtuar me mur prej guri, një ngrehinë gati 100 vjeçare kishte marrë një të çarë. Komisioni kishte shkruar në listë se dëmet në shtëpinë time ishin të mëdha. Pra, kishin vendosur dëmtim fiktiv, për të më bërë qejfin mua. E kishin klasifikuar si dëmtim të madh, parësor, kur në të vërtetë kishte banesa, që ishin dëmtuar më shumë dhe e meritonin ndihmën. Në takimin që pata me zgjedhësit u tërhoqa vërejtje dhe u thashë se nëse komisionet në fshat kanë vepruar si në shtëpinë time nuk kishin bërë punë cilësore. Për shtëpinë e tim ati e refuzova vlerësimin, sepse dëmi ishte i vogël dhe mund të rregullohej prej vëllezërve. Nuk kish pse harxhoheshin fondet e qeverisë për diçka aq të vogël. Ato kohë jam angazhuar shumë me çështjen e asfaltimit të rrugës Fier-Cakran. Një çështje imediate, që duhej zgjidhur medoemos. Por ndonëse kërkova disa herë takime me kryeministrin dhe pas shumë përplasje, nuk pata aq forcë sa kjo rrugë të bëhej. Nuk kam pretenduar se kam qenë më katolik se papa, por një gjë mund ta them me siguri dhe nuk ka kush e hedh poshtë: isha një artist që pretendonte për drejtësi dhe nuk e mendoja dot veten duke vepruar ndryshe. Edhe pse kam qenë i zgjedhur, edhe pse kam qenë artist, para së gjithash unë kam qenë një qytetar i ndershëm i Shqipërisë. Kam përjetuar edhe unë hallet e gjithë bashkëqytetarëve të mi si gjithë të tjerët. Nuk ishte e lehtë të zgjoheshe që pa gdhirë dhe të zije radhën e qumështit ose të merrje atë kiloshen e mishit një herë në muaj, e pakot e gjalpit, të cilat gjithnjë ishin me triska. Pazarin e shtëpisë e kam bërë vetë dhe i njoh gjithë rrangallat e kohës. Le më kur kujtoj familjen time në fshat. Unë të shtunën dhe të dielën, nga kushtet që kisha me familjen time të madhe në Gorishovë, transportoja 5 bukë gruri në fshat, sepse atje gatuhej bukë misri, të cilën nuk e hanin as qentë. Dhe ky rit ishte i zakonshëm si kur jetoja në Patos edhe kur u transferova në Fier. Pavarësisht se isha artist unë e dija gjendjen ekonomike të familjes sime, çfarë të ardhurash kishin, çfarë fuqie dhe kapaciteti kishte familja ime për t’u ushqyer. Për të mos përmendur faktin se e mbaja pardesynë ose pantallonat gjashtë muaj dhe pas gjashtë muajve i dërgoja në fshat sepse atje ishin vëllezërit, dhe atëherë nuk kishte me ç’të visheshe.