Korça, Prof. Dhimitër Shuteriqi, Migjeni dhe Myfit Poçari

1200
Nga Bujar Poçari
Zenel Anxhaku
Brezi i artë që bëri Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare ishte një radiostacion i përjetshëm i lirisë 
Brezi i artë që bëri Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare ishte një radiostacion i përjetshëm i lirisë, i vlerave universale të njeriu, i progresit , i emancipimit shoqëror dhe shpirtëror. Janë më qindra dhe mijëra zëra që ne i ndjekim në këtë radiostacion frymëzues dhe human, shkollë e heroizmit dhe dashurisë, dhe gjejmë aty frekuencat qiellore të ardhura nga lartë, ku shpirtrat e tyre na ndjekin në rrugën tonë, na ndriçojnë me qartësinë dhe atdhedashurinë e tyre. Asdreni, krijuesi i Himnit tonë kombëtar ka në thesarin e vet krijues dhe këto vargje testamentare: 

Koha kalon
Askush mbi dhe
nuk jeton përgjithmonë
Si trashëgim ju lëmë shpirtin tonë… 

E ndër këto qindra dhe mijëra zëra të lavdishëm dhe të përjetshëm të lirisë, është edhe zëri i Myfit Poçarit, të riut nga Korça i cili në vitet njëzetë-tridhjetë të shekullit të kaluar, mësoi dhe përvetësoi vetitë më të bukura të popullit shqiptar nëpërmjet familjes së tij të mirënjohur qytetare korçare, nëpërmjet shkollës qytetase, nëpërmjet demonstratës së bukës e protestave të tjera të punëtorëve dhe shkollarëve korçarë, nëpërmjet punës si radiotelegrafist në postën e Korçës e pastaj në shkollën e madhe të luftës për liri, ku ai do të ishte nga të parët që themeloi shërbimin e ndërlidhjes në Shqipëri. Në zjarrin e luftës provoi torturat më çnjerëzore në burgjet fashiste dhe deri në kampin famëkeq të Prishtinës, mundi të dalë andej i gjallë duke u arratisur dhe përsëri duke u radhitur në rreshtat partizane, duke marrë pjesë edhe në çlirimin e tokave jashtë kufirit shtetëror. Jeta e Myfit Poçarit është një kronikë e vërtetë e radiostacionit të lirisë. Është një roman jete fisnike dhe gjithëpërfshirës, që të habit me origjinalitetin dhe njëherësh me universalitetin e personazhit tipik të njeriut pjesëmarrës në rreshtat çlirimtare antifashiste nacional-çlirimtare. Sot në kohën e demokracisë, në kohën e lirisë së fjalës, së lirisë së lëvizjes dhe qarkullimit të lirë të mallrave shohim se ishin pikërisht të rinjtë e guximshëm e atdhedashës dhe liridashës, entuziastë dhe human si Myfit Poçari që luftuan në radhët e para të luftës për liri e demokraci, për progres dhe emancipim shpirtëror. Sot, kur bij të kolaboracionistëve të djeshëm apo pronarë të privatizimeve të dyshimta me paratë e grabitura nga djersa e përbashkët, mundohen të hedhin tymnaja dhe plehrat e tyre kundër kësaj epopeje çlirimtare, duke e quajtur atë luftë civile, duke i veshur asaj akte “banditeske” vrastare etj. Kërkohet që historinë e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar ta mbajmë të gjallë e të pa cenuar. Brezi i Myfit Poçarit dhe i qindra dhe mijëra shokëve të tij janë dhe do të mbeten kurdoherë burim frymëzimi dhe inspirimi për brezat e rinj shqiptarë. Ata ditën të orientohen dhe të lidhen me koalicionin kundër fashizmit e nazizmit dhe veglave të tyre, me botën e madhe të civilizuar demokratike antifashiste, duke e radhitur Shqipërinë në radhët e kombeve fitimtare. Konferenca e Paqes në Paris, pas luftës konfirmoi të vërtetën e madhe të drejtësisë të kauzës së luftës dhe fitores së bijve shqiptarë si Myfit Poçari, që luftuan pa kompromis kundër fashistëve, nazistëve dhe veglave të tyre. Ku e gjetën këtë forcë këta bij dhe bija, të cilët dikur në propagandën e shitur të fashizmit dhe veglave të tyre u quajtën “çunakë”, “axhami”, “aguridhe” ?. Ata ishin njerëz të thjeshtë por idealet i kishin madhështore. 

As për mua as për vete
Por për gjithë vilajete
As për mua, as për ti
Por për gjithë Shqipëri… 

-thoshte dikur Rrapo Hekali nëpërmjet këngës së popullit. 

Te Rrapi në Mashkullore
Foli Çeçua me gojë:
“Lëri djemtë e mi të shkojnë!”

Ja ku e gjeti frymëzimin e tij të natyrshëm brezi i artë i Myfit Poçarit dhe i shokëve të tij që bënë epopenë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. E gjeti tek populli, tek historia e tij, tek shpirti i tij i pamposhtur, sepse ata ishin bijë të popullit: “djemtë dhe vajzat si nure, me dyfek dhe sakature, me opingat prej lëkure”

Thërret nëna djem ku jeni
Në mos keni armë gjeni
Ja rrëmbeni atij qeni.

Dhe ata, armët ia rrëmbyen armikut dhe krijuan çeta dhe batalione, brigada dhe divizione të lirisë dhe bënë beteja legjendare në Pezë e në Pojskë, në Qarrishtë dhe Drashovicë, në Mezhgoran, në Tendën e Qypit dhe kudo. Dhe populli i mbajti, i ushqeu, i strehoi, i ruajti si sytë e ballit, i mbështeti me gjithë shpirtin e tij, me gjithë forcën e tij, me gjithë pasurinë e tij, me gjithë dashurinë e tij. Myfit Poçari si specialist i radiostacionit të lirisë bashkë me shokët e tij të lavdishëm të lirisë ishte ura e bashkimit të kësaj force kolosale rebele, nacionale, çlirimtare e njëherësh progresive dhe revolucionare. Dhe kështu, duke ndjekur jetën e Myfit Poçarit, do të mund të ndjekim trajektoren e lavdishme, jetën e një brezi të tërë, zemrën e tij plot magmë vullkanike, shikimin e pastër dhe të qartë si të shqiponjës dhe besimin e patundur në vlerat perëndimore të kombit vital shqiptar. 
Korça e atyre viteve
Janë aktuale edhe sot fjalët e Plakut të Vlorës Ismail Qemali se: “Të rinjtë shqiptarë duhet të dinë se çdo brez gjeneracion shqiptar ka dhënë kontributin e vet në përpunimin e idesë kombëtare sipas kohës dhe sipas mundësive historike që janë paraqitur.” Edhe Fan Noli, në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar do të pranonte se u brumos nga kjo “vegjëli”. Një nga faktet interesante dhe domethënëse është shfaqja e përkthyer dhe nën kujdesin e tij të “Armikut të Popullit” nga shoqëria korçare, tek palestra “Leku i nxënësit”. Një dëshmitar i kohës për shfaqjen e “Armikut të popullit” thekson: “Kur u shfaq premiera me karakter politik “Armiku i Popullit”, censura zogiste kishte hequr mjaft pjesë, sidomos ku prekeshin interesat e padronëve shfrytëzues. Por aktorët i thanë të gjitha gjatë shfaqjes, sepse ato preknin ndjenjat e popullit dhe e orientonin atë kundër shtypjes dhe shfrytëzimit. Gjatë vënies në skenë të kësaj premiere u bë diçka e re, u zhduk rampa, domethënë u unifikua skena me publikun. Kombinimi u bë në mënyrë të tillë që aktorët, që interpretonin masën, ishin radhitur dhe përzier me spektatorët. Në këtë mënyrë revolta mori përpjesëtime të mëdha, veçanërisht kur disa nga spektatorët e sallës thërrisnin “Poshtë spekulatorët”.
Korça gjithmonë ka udhëtuar: Në Francë, në Amerikë, në Kanada, në Argjentinë dhe kudo. Megjithëse, në këto vite që flasim, qeveria zogiste ishte tepër skeptike për udhëtimet e korçarëve jashtë, sepse “ata ishin nën influencën e rebelëve” e, megjithatë në ato vite galopi për jashtë nuk ishte i vogël. Vetëm në një vit, në rrethin e Korçës u lëshuan rreth 1700 pasaporta për në Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Argjentinë. 

Por dhe vetë Korça po zhvillohej nëpërmjet futjes së kapitalit të huaj dhe sidomos atij italian. Për shembull, sipërmarrësi italian Uberto Uberti ngriti fabrikën e birrës në Korçë, duke siguruar një tagër doganor proteksionist prej 20-30 franga ari për hektolitër, u përjashtua nga taksa doganore për lëndën e parë, ambalazhet, makineritë. Paguante vetëm një taksë për konsum për çdo hektolitër. Fabrika e birrës arriti shpejt në 150 punëtorë dhe do të bëhej një nga bazat e lëvizjes punëtore në Korçë. Por kushtet e punëtorëve ishin shumë të rënda. Në kujtimet e një rrobaqepësi të njohur jepen vështirësitë dhe puna e rëndë, sidomos e shegertëve. Ndërsa paria e Korçës ndërkaq pasurohej në mënyrë përrallore. Një revistë e huaj e kohës, jep këtë tablo për një festë të parisë korçare: “Parësia feston. Tarraca e Tenis-Klubit është zbukuruar për Ballon e Madhe, ku janë ftuar posaçërisht aristokratët dhe shumë intelektualë të Korçës. Në orën nëntë “Fordët” dhe “Shevroletet”, limuzinat e Shqipërisë, derdhën përpara klubit, burra dhe gra, djem dhe çupa të veshura elegante. 

Po vegjëlia në Korçë sa fitonte në ditë? 
“Sipas një raporti të kohës, më mirë paraqiteshin pagat e vegjëlisë në minierën e Mborje Drenovës dhe në Birra-Korça. Por dhe këtu në minierë punëtorët merrnin deri në 2 lekë në ditë, kurse në fabrikën e Birra-Korçës 5-6 lekë në ditë. Shumë e rëndësishme ishte ngritja e shoqërisë “Puna” në Korçë. Sipas statutit shoqëria “Puna” kishte për qëllim ruajtjen e dinjitetit, mbrojtjen dhe ndihmën morale dhe materiale të anëtarëve të saj. Shoqëria duhej të këqyrte çdo çështje, që u përkiste interesave të anëtarëve të saj me anë të bisedimeve dhe të bashkëpunimit. Të kujdesej edhe për gjendjen shëndetësore të anëtarëve të saj, me anë të ndihmës morale e materiale. Sipas statutit, të ardhurat e shoqërisë ndaheshin në të zakonshme dhe të jashtëzakonshme”. Shoqëria “Puna” drejtohej prej një këshilli të përbërë nga një kryetar, nga një nënkryetar, një arkëtar dhe shtatë këshilltarë. Më 1 shtator të vitit 1934, u krijua në Korçë edhe shoqëria e punëtorëve rrobaqepës me drejtues të tillë si Petro Papi, Pandysh Civici, Foni Thano, Llambi Kudra etj. 

Po kush ishte në këtë kohë aksioni më i madh ekonomik dhe politik i vegjëlisë korçare? 

… Ishte padyshim Demonstrata e madhe e Bukës 
Më 21 shkurt 1936 u zhvillua kjo demonstratë e shënuar, dhjetë ditë pas grevës së përgjithshme të punëtorëve të naftës në Kuçovë, bashkë me grevën e përgjithshme të këpucarëve. 

Po pse pikërisht me këpucarët? 
Sepse kriza ekonomike i kishte goditur ata më shumë se çdo profesion tjetër, këpucët e huaja me tagër doganor të ulët, po i konkurronin ata me një konkurrencë të pandershme. Të enjten, më 20 shkurt, “punëtorët korçarë u mblodhën në një mbledhje të përgjithshme në zyrat e shoqërisë. Sipas një libri të asaj kohe, po kështu më 20 shkurt, të gjitha organizatat profesionale të punëtorëve të ndërtimit, të këpucarëve, të rrobaqepësve etj, organizuan mbledhje të përgjithshme të anëtarëve”. “Lëvizja punëtore në Shqipëri” shkruar nga Kristaq Misha, një prej bijve të mëdhenj të Korçës, jep dinamikën e kësaj demonstrate të paharruar: “Ditën e premte, më 21 shkurt që në mëngjes të gjithë anëtarët e shoqërive në grevë u grumbulluan ne selitë e shoqërive, me qëllim që të niseshin së bashku në vendin e takimit nga do të fillonte demonstrata… Siç ishin të grumbulluar në rrugë, atyre iu afrua një grup xhandarësh me në krye një mareshall dhe i urdhëroi që të shpërndaheshin. Koha nuk priste. Një nga drejtuesit thirri: “Të ngrihet Flamuri i shoqërisë dhe të ecet përpara!” Flamuri u ngrit dhe punëtorët u nisën. Xhandarët me në krye mareshallin u nisën për të rrëmbyer Flamurin me revole në dorë. “Nuk dalim që këtej përveçse të vdekur”, ishte thirrja e punëtorëve. Këtë demonstratë e përkrahën fuqimisht edhe nxënësit e Liceut, të cilët braktisën mësimet dhe u bashkuan me punëtorët. 

Filloi përleshja… Të shtunën më 22 shkurt, ditë pazari, rrugët u bllokuan nga xhandarët.”
Bashkë më punëtorët ishin edhe Liceistët. Se vetë liceistët dhe profesorët përparimtarë të tij, përpiqeshin të kishin lidhje të vazhdueshme me vegjëlinë korçare. 
Profesor Dhimitër Shuteriqi 
E kush më mirë se Profesor Dhimitër Shuteriqi, do të na fliste më gjerë për Liceun në Korçë? 

Për librin “101 trëndafilat e Korçës”, në vitin 1998, shkuam në shtëpinë e Profesorit dhe e ndjemë veten si në një Tempull. I zoti i shtëpisë, megjithëse në mbrëmjen e jetës ishte plot energji, një punëtor i madh i kulturës sonë. Profesori u përgjigj me pasion të veçantë për Liceun.

“… Liceu i Korçës u krijua në vitin 1917, vitin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur qyteti me gjithë rrethina ishte në duart e ushtrisë franceze. Nuk ishte vetëm ky shkaku, ndikimi i Francës, qe në Korçë, pasi këtu u çel një Lice me gjuhën e saj. Arsimdashësit korçarë e çmuan se një shkollë e mesme me një nga gjuhët e huaja kryesore të botës, do të ishte në dobi të arsimit të mesëm shqiptar si një përvojë shumë e vlefshme, tani që edhe të parën shkollë të mesme shqipe e kishin krijuar në Elbasan, Normalen, në prag të çlirimit nga Turqia e sulltanëve (1909). Liceu ishte frëngjisht, shqipja aty mësohej disa orë në javë, diçka më shumë se anglishtja apo gjermanishtja. 

… Liceu nuk ishte një shkollë e lehtë. Klasa jonë që mbaroi me 19 veta, kishte filluar me tetëdhjetë nxënës në tre paralele. Tekstet mësimorë ishin voluminozë. Ai i historisë i kalonte të pesëqind faqet në klasat e fundit, ai i shkencave të natyrës mbi 1500. Historia e Francës ishte nga më pasionantet e botës, sidomos ajo mbi Revolucionin e madh të vitit 1789, i pasuar nga dy të tjerë të famshëm, ai i vitit 1848 dhe 1871. 

… Kujtoj mbi të gjithë mësuesit, Dekurvilin. Nga zanati ky ishte aktor, aktor i pantonimës, profesion që edhe e vazhdoi deri sa vdiq në Paris, ku kish një teatër të vogël. Por letërsinë e franceze na e mësonte me një aftësi të rrallë… Më 1927 erdhi për provimet e bakolaratit që nga Parisi, universitari i shquar, profesori Andre Mazon. Ai i komunikoi zyrtarisht shkollës se ajo njihej tanimë e barabartë me Licetë e Francës, sepse i dha provat plotësisht.”

Po Migjeni i madh rebelues, ç’lidhje kishte me Korçën? 
Migjeni ishte abonuar tek “Bota e re” e Korçës. Më 26 korrik 1935, ai për herë të parë shkoi në Korçë për t’u nisur në Selanik për të filluar kurimet kundër tuberkulozit. Por më 17 gusht të po atij viti, mori nga legata shqiptare në Athinë vizën e kthimit, për shkak se nuk e pa të udhës të kurohej në Greqi. Tek ”Bota e Re” Migjeni botoi së pari “Zoti të dhashtë” më 15 maj 1936, më 16 qershor “Programi i një reviste” , më 15 korrik 1936 “Qershiat”dhe më 30 korrik “Idhuj pa krena”.

Tek kjo revistë e majtë, që zotërohej në aksione dhe në editoriale nga e majta përparimtare korçare, zëdhënëse e vërtetë e sindikatave dhe intelektualëve me drejtim perëndimor, Migjeni do të botonte krijimtarinë e tij më të mirë përfaqësuese, “majanë” e harpës së tij magjike. Më 15 tetor 1936 “Bota e Re” boton nga Migjeni “Kënga skandaloze”, më dhjetor boton “Bukuria që vret” dhe më 30 dhjetor 1936, në prag të Vitit të Ri, boton skicën e famshme që duket sikur e ka modeluar Rabëleja apo Suifti: “Urime për vitin 1937” 

Më 28 Nëntor 1936, pikërisht Ditën e Flamurit, “Bota e re” në editorialin e saj shkruante: “Duam të rinj që t’ju rrahë zemra për drejtësi, të rinj që revoltohen nga shpërdorimet e të fuqishmëve, të rinj që i ndez kushtrimi dhe i forcon urrejtja. Vetëm të tillë sokola mund t’ju bëjnë ballë problemeve të vështira të popullit shqiptar për t’i zgjidhur. Këto problem janë më aktuale se kurdoherë, sepse kanë të bëjnë me konsolidimin e pavarësisë sonë kombëtare. Duhet t’i japim një drejtim të ri zhvillimit tonë ekonomik, se përndryshe pavarësia jonë politike mund të rrezikohet… Duhet të dimë se një popull që ka vendosur të rrojë, nuk ka vështirësi që e mposht. Por një popull i tillë, duhet të ketë në gjirin e vet djem, që kanë vendosur ose të rrojnë si njerëz, ose të vdesin si burra”

E një nga këta djem të Korçës ishte dhe Myfit Poçari. 
Sigal