Ja pse erdhën në vendin, ku u vra Telini Aleks Buda dhe Dritëro Agolli

565
  • Flet ish-oficeri kufirit dhe publicisti Sefer Pasha:Ditën që u vra Gjeneral Telini ka qënë i veshur me kostum Kombëtar Shqiptar
Sigal

 

-Kaq shumë kujtime ke për atë lapidar? Kaq shumë e urrenin grekët atë figurë të madhe?

 

I kujtoj ato kohë kur tek lapidari i shembur mbaja shënime. Kakavija mbi një hektar vend më ngjante me “Bllokun” e udhëheqjes në Tiranë. Tek shtëpia e Enver Hoxhës e pata filluar karrierën.  Sa herë që nuselalet e bukura të lumit të Drinos e kapërcenin lapidarian e gjeneral Telinit, mua më kujtoheshin nuselalet e “Bllokut”. Në të gjitha bahçet e vilave të “Bllokut” vallëzonin nuselalet, kunadhet dhe ketrat. Një çift me nuselale qe futur dhe tek bahçja e vilës ku banonte Enver Hoxha. Komandanti i Gardës Çelo Arrëza, kishte kërkuar takim urgjent me mjekun e Enver Hoxhës,  Fejzi Hoxhën. Ai i kishte thënë doktorit se kishte dëgjuar në Arrëz të Tepelenës, se fryma e nuselales është helmuese. Nuselalja me gjuhën e saj e përcjell helmin tre – katër metra larg nga goja e saj. Ky “helm” e linte të vdekur njeriun. Fejzi Hoxha qe habitur. Kamandanti i Gardës kishte vendosur që nuselalet të kapeshin me çark, ose të vriteshin me pushkë pa zë. Doktor Fejzi Hoxha në një bisedë të lirë ja thotë këtë gjë Enver Hoxhës. Ai kishte vënë buzën në gaz. Edhe unë në Palorto kam dëgjuar legjenda për nuselalet. Ato kanë mbytur në arë të dy qetë dhe të zotin. T’i lëmë legjendat, kishte thënë Enver Hoxha. Nuselalet e “Bllokut” dhe ato që janë në vilën e Ujit të Ftohtë në Vlorë të mos i ngasë Garda. Kështu i thoni komandantit, Çelo Arrzës.

Të gjithë ata që merrnin lejë dhe vinin për vizitë në Kakavijë, pyesnin se ku ishte vrarë gjenerali italian Telini.

-Po Dritëro Agolli a ka ardhur në atë vend?

Erdhi dhe poeti Dritëro Agolli. Zhvillohej festivali folkorik i Gjirokastrës. Edhe Dritëro Agolli donte të dinte se në cilin vend qe vrarë nga grekërit gjenerali. Ja shpjegova me pikë dhe me presje. Dritëro Agolli vështronte nga një kënd i vdekur me dylbitë e shërbimit. Ruheshim se mos na vrojtonte roja i grekut, që ishte i përpiktë ballë për ballë me kufitarin shqiptar. Dritëroi vrojtonte dhe unë në heshtje, me dinakëri e vështroja nga dhëmbët. Dy ditë më parë kishte qenë në Kakavijë, Shefqet Peçi. Ai brenda në zyrë, na tregoi se Dritëro Agolli në dolli e sipër, pasi e kishte pirë një gotë qelqi plot e për plot me raki, gotën e kishte përtypur me dhëmbë dhe pasi e kishte bërë miell e kishte kapërcyer.  Pas një lavazhi në spitalin e Gjirokastrës, mbasdite kishte ndjekur festivalin, duke bërë shaka me atë që i kishte ndodhur në odën e Shefqet Peçit, në Picar. Më kishte çuditur ajo që na tregoi Shefqet Peçi. Prandaj kur erdhi Dritëroi për vizitë unë nuk doja të dija kureshtjen e tij për gjeneral Telinin. Doja t’i shikoja dhëmbët e bërë copa nga përtypja e qelqit. Poeti Dritëro Agolli e kuptoi se përse unë po e vëzhgoja, sikur ai të ishte plagosur dhe pasi vuri buzën në gaz, më kërkoi që t’i thoja ndonjë gjë të bukur nga ato që në ato mote botoja në revistën “Në Shërbim të Popullit”. Dhe unë iu përgjigja se, pikërisht dy orë më parë, njësiti grek i dehur, afër vijës së kufirit, ku punonin vajzat e Kakavijës, njëri nga ushtarët grek që nga larg, i qe drejtuar një vajze të bukur duke i thënë ca vargje. Vajza e bukur mbante mend dy prej tyre:- / Iku vera moj Kakaviote/ /Dhe një stratot s’gjete zotërote!/. E bukur, tha Dritëro Agolli.

Qindra dhe mijëra vizitorë të cilët vinin në doganën greke nga e gjithë Greqia, me doemos do të pyesnin dhe për gjeneral Telinin. Bënin debat me zë të lartë. Mozaikun e fjalëve e trazonte era e Janinës.  26 fshtarat e Dropullit i la jashtë Greqisë, pikërisht gjenerali fashist Telini. Dhe pyetjet nuk kishin mbarim. Po ku u vra? Vështrojeni, thoshte ciceroni. Ja atje, ku është ai guri i ndarë në disa copra. Shqiptarët i ngritën një lapidar dhe po vetë ata, e minuan. Ditën që u vra gjeneral Telini, ka qenë i veshur me kostum kombëtar shqiptar. Ja kishte blerë në Leskovik përkthyesi shqiptar, i cili ishte me origjinë nga Leskoviku. Përkthyesi që u vra në pritë bashkë me gjeneralin i sillte vazhdimisht verë të kuqe Leskoviku. Pastaj debati bëhej dhe më i stuhishëm. Po të mos kishte qenë gjenerali italian Telini, thoshte ciceroni me duar e me këmbë, ne tani do ta pinim kafen në Ujin e Ftohtë të Tepelenës. Urrejtja nuk kishte të sosur. Në çdo autobus  kishte shoqërues që ishin të përgatitur për të vjellë helm ndaj gjeneral Telinit. Idhulli i gjeneralit ka qenë Ali Pashë Tepelena. Ditën që u vra më 27 gusht të vitit 1923, ai kishte të palosur në çantë dhe një hartë, ku ishin të vizuar kufijtë e shtetit të Vezirit të Janinës. Gjenerali i mallkuar këndonte dhe këngë për Ali Pashë Tepelenën. Dhe kështu vizitat e qytetarëve grekë ktheheshin në shfaqje teatri. Në këto vizita qytetarët kishin parë me sytë e tyre dhe një skenë dramatike që i kishte lënë pa mend. Vizitorët vështronin me dylbi. Por dhe nxitonin, se në rradhë ishte autobusi tjetër. Dëgjohet një krisëm arme. Dikush qëlloi me armë. Një nga oficerët grekë qëlloi me çifte dy dallëndyshe, të cilat që të dyja mbetën të ngordhura që në ajër. Qytetarët grekë të cilëve u erdhi keq, pyetën se përse i vranë dallëndyshet? Përgjigjen e dha ciceroni. Dallëndyshet e kishin ngritur folenë në sqetullën e kafenesë së doganës greke. Por ato kishin ditë që po ndërtonin dhe një fole tjetër, mbi lapidarin e gjeneral Telinit në territorin shqiptar. Prandaj oficeri grek i dënoi dallëndyshet. Ato s’duhet të ndërtonin fole tek vrasësi i grekërve.

Qëndrimi përpara doganës shqiptare bëhet i dyshimtë me gjithë vegjitimin tim spontan. Edhe pse nuk po ma thonë, punonjësit e policisë kufitare, unë e ndjej. E prapseprapë shtysa e brendshme më bën të lëviz mes lumit të njerëzve, që venë ku kanë punët e tyre. Nuk e kuptoj, por disa qytetarë sikur me dinakëri më zënë udhën, ngatërrohem me ta, pengohem, dikush më shtyn, një tjetër me sheh me inat. Këto nuk ishin hiç gjë. Një i panjohur që hijezonte nga mbrapa, m’i mbylli të dy sytë dhe më tha në rrëzë të veshit. – “Gjëje se kush jam?”.

-Kush ishte dhe çfarë të lidhte me të?

Kur ktheva kokën i habitur njeriu me kostum jeshil u zhduk mes lumit të qytetarëve. Ç’po ndodh i them vetes?. Unë as shkoj dhe as kthehem për në Shqipëri. Kush po më pengon të lëviz i lirë?. Cili më “ngacmon”?. E mbledh veten. Është fantazma e gjeneral Telinit. M’u shfaq pak sekonda si e babait të Hamletit. Gjeneral Telini kishte mbetur i ri, kurse unë isha thinjur si zejet e lumit të Drinos. Sigurisht që Gjenerali më “përplas”. Po nuk është “aksident”. Është një përqafim miqsh. Gjeneral Telini shetit në Kakavijën që e ndau vetë. Piramidat i vendosi sipas ligjit të kohës me drejtësi. Pikërisht pse bëri “drejtësi” në emër të komisionit të ngritur nga Konferenca e Ambasadorëve, i ngarkuar me përshkrimin e kufijëve, qarqet greke e vranë. Por sa shumë që gabuan vrasësit. Gjeneral Telini është zotëria që hyn e del në Greqi e Shqipëri e askush nuk ja kontrollon dot pasaportën. Ai që kishte farë e gjak hynish është shndrruar në engjëll, në erë e në libër. Vrasësit janë shuar, kurse ai kujtohet.

I studiova 50 dosje në Arkivin e Shtetit mbi jetën dhe veprën e Gjeneral Telinit.

-A gjete diçka të veçantë që s’e dije?

Punonjësja e arkivit më tha se ato dosje i kanë shfletuar dhe studiues të tjerë. Asgjë të panjohur nuk ka në ato dosje. E me çfarë mballomash do ta mbush librin, i thoja vetes. Nuk kishte udhë tjetër. Nisa të shfletoj kujtesën. Përcolla Aleks Budën për në Athinë. Ishte i ftuar nga historianët grekë. Para se të kalonte portën me tela, me profesorin folëm dhe për tragjedinë e mikut të shqiptarëve gjeneral Enriko Telini. Kur u kthye pas disa ditësh dhe pimë kafe me profesorin, ai më tha një gjë të bukur, të cilën unë e shënova në ditarin tim. Kur Aleks Buda qe larguar nga dogana greke e kishte ndaluar makinën tek vendi i quajtur Zharovinë, ku qe vrarë gjeneral Telini. Pasi kishte zbritur nga makina, qe ngjitur mbi udhën me lisa dhe kishte kontrolluar vendin milimetër më milimetër. Në pyllin me dru e driza Aleks Buda, kishte grisur xhaketën, të cilën e kishte veshur për herë të parë. Në Ambasadën tonë në Athinë xhaketën historianit ia kishte qepur një nga punonjëset e ambasdaës,  Fatbardha Bilaj. Fatbardha ishte gruaja e diplomatit Sulo Bilaj. Këtë detaj që ma ka treguar Aleks Buda do ta shtoj në një nga kaptujt e librit.

Kisha botuar një reportazh për Çamërinë para disa kohësh dhe më mundonte një makth se, në doganën greke, nuk do t’më lejonin të kaloja për në Greqi. Por jo. Asgjë nuk ndodhi. E kalova sportelin pa problem. Në sheshin përpara doganës greke, takova një ish kolegun tim të vjetër, i cili është emigrant në Greqi. Ja thashë shqetësimin. Ai vuri buzën në gaz. Ke mbetur ore mik, në motet kur Kakavija, ishte në gjendje lufte me grekërit. Gjërat kanë rrjedhur për mirë. Sot në Greqi, emigranti shqiptar konkuron për në Parlamentin grek. Pasi i dëgjova fjalët e ëmbëla për grekërit e kohës moderne, për ta ngacmuar kolegun e dikurshëm, i kujtova atij legjendën e Laokoontit të famshëm. Laokoonti ishte personalitet trojan. Legjenda thotë se ishte kundër pranimit të kalit të drunjtë të grekërve dhe si ndëshkim për këtë, hyjnitë progreke, e mbytën me anë të gjarpërinjëve. Një skulpturë e rrallë e Rilindjes e paraqet në çastin e mbytjes. Ka të ngjarë që vdekja ose më mirë vrasja e tij, të ketë qenë një vrasje politike, fill pas së cilës Troja ra me anë të tradhëtisë. Legjendës së Laokoontit i ka dal boja, më tha i pakënaqur nga përgjigja, miku im. Sot Kakavija është si pjesë e Parisit, apo e Nju Jorkut. Bota është një fshat. Mos e kundërshto legjendën e Laokoontit, e kundërshtova. Tani që kufijtë detarë po ndahen në Hagë, mbaje mend, kur grekërit të na e fusin sa krahu. Biseduam gjatë. Tema e preferuar e kolegut të dikurshëm ishte ajo që ma kishte thënë me qindra herë.

Cila ishte kjo temë?

Kur të dy shërbenim në Gardë, ai qe me shërbim në ish vilën e Enver Hoxhës në malin e Dajtit. Miku im ma thoshte me bindje. Ramiz Alia nuk ka qenë në burg. Ai e kishte parë Ramiz Alinë në një dhomë luksoze në vilën e Dajtit. Skenari se ai ka qenë në burg është grotesk. Lëri këto broçkulla, i thashë. Ramiz Alia ka ngordhur në burg, si qen. E di që nuk më beson, tha ai. Ti e ke mendjen tek gjeneral Telini. Por krimin e madh ndaj tij, duhet edhe sot ta ndjekë e zbulojë shteti Italian. Më duket se po lufton me mullinjtë e erës. Në këto kohë, Zharovina ku u vra Telini, është një mulli me erë. Mos u end si Don Kishoti.

Kakavija ku u vra gjenerali ishte “kryeqyteti” i dy shteteve. Pa bulevard, pa pazar, pa reklama e pa varreza. Nuk njihej as malli dhe as paraja. I vetmi “mall” ishin armët. Paçka se armët nuk tregëtoheshin, ato ishin pasuri. Ne i kishim të gjitha llojet e armëve. Na mungonte vetëm raketa. Kurse grekërit në fshatin Mavropull, e kishin instaluar dhe një raketë të prodhimit të fundit. Por shteti shqiptar i kishte bërë mirë llogaritë. Fortifikimi i Kakavijës ishte i paprekshëm. Mes këtyre armëve lëvizte hija e gjeneral Telinit. As grekërit nuk e ndalonin dot gjeneralin që t’i kontrollonte dhe “armët” që i morën jetën tek Zharovina. Në të dy gjysmat e “sofrës” flitej pambarim për gjeneralin. Sa shumë ngjarje ndryshojnë në jetë. Kënga e udhëtarit nga Gjirokastra bashkë me arapaxhinë është krijuar ndofta në hanin e Kakavijës. Vargjet e fundit të këngës thonë: – /Hanxhi hape derën -o/ /Hape se këndoi bilbili/ /Çeli lule trëndafili/. Krijuesi anonim që nuk e dhuron kot detajin e përmend këngën e bilbilit. Me siguri që në pranverën e vitit 1923 kur u vra Enriko Telini ja thoshin këngës bilbilat e Zharrovinës. Domosdo nga breshëritë e armëve, bilbilat e pushuan këngën. Por në motet e luftës me grekërit në atë një hektar vend, unë nuk e dëgjova ndonjëherë këngën e bilbilave. Pyeta: M’u përgjigjën kakaviotët. Bilbili nuk këndon aty ku ka armë. S’ndërton fole dhe nuk e duron dot erën e barotit dhe të grasos. Për nëntë vjet, kokërr më kokërr i mbështetur mbi copën e lapidarit, përgjoja në fillim të prillit se mos e fillonte këngën bilbili. Por jo. Zogu profetik nuk qasej. E çuditëshme është se nëpër lisat, poshtë lapidarit, ia thoshte këngës vetëm qyqja. Mbase zogu i moçëm vinte nga viset e Garfagnanës së Italisë ku Telini kishte lindur në vitin1871. Kushedi ndofta qyqja e ardhur nga Italia kërkonte vëllain që ja vranë padrejtësisht grekërit. Përpara lapidarit të Telinit tek mbaja vesh këngën e qyqes recitoja vargjet e Gëtes:  -/Thirrma jote ku – ku – ku – ku/ /Dhe gjithnjë ku – ku – ku -ku!/.

I shfletova blloqet e mbjella me shënime për heroin Enriko Telini. Parrullat: “Telini ishte mik i madh i shqiptarëve”, “Partia e vlerëson figurën e tij” e të tjera kur i lexova pas kaq motesh, më vinte për të vjellë. Por nëpër ledhet e blloqeve gjeta dhe ndonjë motiv që duke tarrur egjrën i jep jetë veprës së gjeneralit. Ja vlen t’i shtroj rreshtat në ugarin për ndonjë ngjarje të pabotuar që ma kanë treguar në rininë time, sidomos kakaviotët, të cilët e kanë takuar në kafenetë e Kakavijës gjeneralin italian. Kështu ata ma patën përshkruar se i pari që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka qenë një bari grek nga fshati Aranistë. Stani i bariut grek ka qenë afër Zharrovinës. Bariu me të dëgjur krismat e armëve ka marë me vete të katër qentë dhe me të dalë në xhaden automoblistike e shikon me sytë e tij se çfarë kishte ndodhur. I prek të gjashtë kufomat me shpresën se mos gjente ndonjë të gjallë, por që të gjashtë kishin ndërruar jetë. Pa humbur kohë, dy qen i vendos në një krah të xhades, e dy të tjerë në krahun tjetër. Qentë e dëgjonin  bariun si të ishin njerëz.  Dhe bariu niset i hipur në kalë për të njoftuar policinë në afërsi të fshatit Aranistë. Bariu iku dhe mbërritën udhëtarët e parë. Qentë e fuqishëm i ndalonin në të dy krahët. Karvani i gjatë i udhëtarëve e njohu makinën me të cilën lëvizte gjenerali. Qentë e bariut bënin roje. Vetëm kur u kthye bariu, qentë e hapën udhën. Dhe grekërit e mirë thërrisnin me zërin në kupë të qiellit: – “Kanë vrarë gjeneral Telinin!”.                                                                                                                                            Tek ne vlerësoheshe nëse je i ditur po të jepje “provim” jetën e gjeneralit. Më erdhi një ekip kontrolli nga Komiteti Qendror. E kryesonte Asllan Musai. Ai qëndroi një javë. Ishte kuruar nga një sëmundje e rëndë në një klinikë të dëgjur në Romë të Italisë me porosi të Enver Hoxhës. Gjatë pushimeve më kërkoi që ta çoja tek vendi, ku ishte vrarë gjeneral Telini. Kjo është e pamundur, iu përgjigja. Zharovina është në tokën greke. Që nga vija e kufirit e fshatit Kakavijë, duhet kaluar nëpër një pyll të egër. Mban njëzetë minuta me këmbë. Unë nuk i trembem pyllit më tha njeriu i Komitetit Qendror. Më foli për vendlindjen e tij. Bënte shaka. Por unë që po kontrollohesha, e besova. Ai në bisedat e lira më foli mirë për Xhevair Spahiun. E vlerësonte si poet. Unë heshtja. Çfarë thotë ky njeri, thashë me vete. Xhevair Spahiun e kishte kritikuar Enver Hoxha. Ne kishim porosi në kufi që të kishim kujdes në Kakavijë. Në Gjirokastër po vinte rrotull “Sartri”. “Sartri” ishte nofka që i kishte vënë Xhevair Spahiut, Sigurimi i Shtetit. Xhevairi akuzohej se imitonte poetët francezë e, në mënyrë të veçantë, Zhan Pol Sartrin. Vargu i Xhevair Spahiut “Unë jam ai që s’do të jem” ishte komentuar në Pleniumin e Komitetit Qëndror nga vetë Enver Hoxha. Asllan Musai gjatë kohës që kishte qenë në Itali, kishte bërë shumë vizita i shoqëruar nga ambasadori ynë në Romë. Kishte vizituar dhe qytetin e Firences. Në varrezat Trespiano kishte parë dhe mauzeleumin e ndërtuar pasaçërisht për të nderuar kujtimin e gjeneralit Enriko Telini. Kur unë i thashë se në Gjirokastër nuk ka një obelisk të ngritur për gjeneralin ai më qortoi. Shteti shqiptar bënte një politikë të hollë me grekërit, tha ai prerë. Nuk i ngasim urat e zjarrit, kjo është situata.

Në Kakavijë jeta lëviz si lumi i Vjosës në dimër. Qarkullon mall dhe para e madhe. Bosët lëvizin si vargmale. Drejtuesit e tanishëm të doganës greke  e kalojnë kthesën e Zharrovinës me mjete luksoze dhe me helikopter privat. E megjthatë kur kalojnë tek vendi ku është vrarë gjeneral Telini, e kthejnë kokën nga ai krah. Nuk ndihen mirë. I ruhen ndonjë lisi se mos u zërë rrugën.