Ish-ushtaraku Fitim Hamza: Nga “Harkovi i Ukrainës” tek provokimet greke në Pire, për të bashkpunuar me Athinën

581
Sigal

Dorëshkrimet  e ish-ushtarakut Fitim Hamza: Harkovi i Ukrainës ku dje lulëzonte dashuria dhe përgatiteshin oficerët shqiptarë nuk ka asgjë nga e kaluara

  • -Kur në Shqipëri nuk ndaloje një vajzë në rrugë, në Harkov puthjet ishin të zakonshme në takimin e parë
  • -Si u nisëm me vaporin “Bjello Ostrov” për në BS më 3 korrik 1957
  • -Si na provokoi greku në Pire, duke na thënë hidhuni punoni në Athinë
  • – Në ngushticën e Dardaneleve pamë të famshmen ÇaneKalaja
  • – Si shkuam në shkollën e Harkovit që edhe sot quhet “Mali i Ftohtë”
  • – Në Bashkimin Sovjetik, për ne shqiptarët, rezervohej një respekt i veçantë
  • – Pedagogia e gjuhës Ruse znj. Tamara Grigorjevna na nxiste të njiheshim me vajza ruse, sepse mësonim shpejt gjuhën

Albert Z. ZHOLI

Fitim Hamzait, në vitin 1957 ju akordua bursa ushtarake në ish Bashkimin Sovjetik për Teknik R/Lokacioni Aviacioni Ushtarak, i specializuar për avionat reaktiv MIG-19 PM dhe MIG-21…Dorëshkrmet e tij për jetën studentore në Harkov qytet në Ukrainë janë shumë interesante…

-Sigurisht jeta studentore në ish-BS ka apsur shumë surpriza. Në atë kohë ishin me qindra studentë shqiptarë që studionin aty për degë të ndryshme. Ja si shprehet në dorëshkrimet e tij Fitimi për largimin nga atdheu për të studiuar në ish –BS…Do të tregoj me vërtetësi jetën time studentore 4-vjeçare në ish B.R.S.S, në përkushtim të ish gruas dhe vajzës time të dashur dhe të vetme. Ishte 3 korriku 1957. U nisëm si studentë nga Tirana drejt Durrësit me autobus të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore (ashtu quhej në atë kohë), për të vijuar rrugën nëpërmjet detit, drejt Bashkimit Sovjetik. Më ishte dhënë bursë për të studjuar në shkollat ushtarake të asaj kohe. Drejt Durrësit na përcollën prindërit dhe të afërmit. Të gëzuar si dhe ne, që djemtë e tyre, do të studionin në shkollat më të mira ushtarake sovjetike, e ku do të formoheshin si kuadro, më me preferencë ushtarake në të gjitha profilet e ushtrisë, për t’u bërë oficerë të denjë të armës speciale të aviacionit. Natën e po kësaj date e kaluam në kuvertën e vaporit “Bjello Ostrov”.

4 Korrik 1957

– Ishte mëngjes, Dielli ndriçonte madhërishëm. Ne rrinim në kuvertën e vaporit dhe prisnim me padurim sirenën e nisjes. Pas pak, ajo buçiti , spiranca po ngrihej ngadalë. Vapori u shkëput nga bankina e portit për të dalë në det të hapur. Lundronim paralel me bregun shqiptar duke ju drejtuar detit Jon. Dita ishte e kthjellët dhe me diell të nxehtë. Disa nga studentët argëtoheshin me lojra të ndryshme në kuvertë, disa të tjerë bënin banjo dielli. Në anije kishte dhe shumë turistë sovjetikë, që ktheheshin në atdheun e tyre mbas pushimeve verore. Sigurisht ishte shumë e vështirë të bisedoje me ata, sepse nuk dinim të flisnim rusisht. Megjithatë, me aq pak fjalë sa kisha mësuar në shkollë të mesme dhe falë pasionit tim për këtë gjuhë, u miqësova me një nga anëtarët e ekuipazhit. Me keqardhje, emri i tij sot nuk më kujtohet.Ai ishte një burrë babaxhan dhe i këndshëm në bisedë. Asnjëherë nuk u mërzit duke më shpjeguar me durim fjalë dhe shprehje në gjuhën e tij amtare. Me këtë babaxhan lundruam plot 4 ditë e 4 netë deri sa arritëm në portin e madh të Odesës (Ukrainë). Ditën e ndihmoja në punët e tij të zakonshme. Pastroja të gjitha paisjet që ndodheshin në kuvertë. Në mbrëmje, siç e kishin zakon rusët, fillonte vallëzimi. Kërcenim me turistët sovjetikë, kënaqeshim me këtë lloj hareje e gëzimi. Kaluam detin Jon dhe u futëm në detin Egje.

5 Korrik 1957.

Mbërritëm në portin e Pireut (Greqi). Ndenjëm disa orë vetëm për furnizim: ujë e ushqime. Këtu na ndodhi diçka e papritur. Në kuvertë hyri një njeri që fliste shqip dhe na kërkonte që të hidheshim në tokën greke për të jetuar dhe punuar atje. Në atë kohë ne ishim djem të rinj, të rritur e të edukuar me një frymë tjetër. Nuk mund ta tradhëtonin Atdheun. E dëbuam nga kuverta me përbuzje e neveri. Në atë kohë ne nuk mund ta kuptonim ndryshe këtë ndjesi të neveritshme, por edhe tani dhe kurdoherë nuk mund të tradhëtohet Atdheu! Po atë ditë, u shkëputëm (çankovulën) nga Pireu. Lundruam tërë ditën. Po afroheshim e miqësoheshim gjithnjë e më shumë me turistët sovjetikë. 6 Korrik 1957. – Ishte mbrëmje, dielli sapo kishte perënduar. Po futeshim në ngushticën e Dardaneleve dhe po lundronim në detin Marmara, aq afër Stambollit sa dukesh qyteti shumë qartë, madje dallohej mjaft mirë dhe ÇaneKalaja. Mbas disa orësh, kaluam detin Marmara dhe po ftoheshim në ngushticën e Bosforit. Gjatë lundrimit në detin Marmara na shoqëronin anije të vogla ku, prej tyre njerëzit diçka kërkonin nga ne. Nuk iu përgjigjëm. Vazhduam të shijonim bukuritë e natyrës turke. Natën dolëm nga gryka e Bosforit e u futëm në Detin e Zi. Siç ka emrin ashtu është i zi dhe dallgë ka edhe në verë. Nga mesi i ditës mbërritëm në Konstanca (Rumani). Meqënëse ishim të kampit socialist të asaj kohe, na lejuan të dilnim në qytetin e Konstancës, por vetëm me grupe 3 deri 4 veta dhe na këshilluan të bënim shumë kujdes se kishte shumë prostituta dhe grupe vagabondësh. Isha me dy shokë të tjerë, kur na u qepën nja 3 vajza rumune shumë të bukura. Ne mbajtëm parasysh udhëzimin e dhënë. U kthyem përsëri në vaporr. Qyteti ishte shumë i bukur dhe i pastër. Nuk patëm kontakte me asnjë rumun. Veprimet gjatë udhëtimit ishin të njëllojta. Unë vazhdoja të shoqërohesha e të punoja me rusin, nga i cili mësova shumë fjalë të reja, që më vlejtën më vonë në zotërimin e gjuhës ruse. 8 Korrik 1957 – Kjo natë u gdhi duke na gjetur në det të hapur dhe po lundronim drejt Varnës, portit të madh dhe shumë të bukur të Bullgarisë. Në Varna mbërritëm nga dreka. Pasi drekuam, na lejuan të dilnim në qytet. Për habinë tonë, askush nuk na ndoqi! Për çudi nuk na dhanë asnjë porosi për sjelljen tonë. Lundruam tërë ditën. Po afroheshim e miqësoheshim gjithnjë e më shumë me turistët sovjetikë. 8 Korrik 1957 …Mëngjes! Dielli ishte ngritur mbi kupën e qiellit. Në horizont dukesh silueta e një qyteti të madh. Me të vërtetë, mbas disa orësh, para nesh, ngrihej gjigand porti i madh i Odetës (Ukrainë). U ankoruam dhe zbritëm në tokë. të Tankeve. Në këtë shkollë qëndruam 4 ditë. Ishim të lirë të dilnim në qytet me grupe dhe mundësisht të shoqëruar me kursantë sovjetikë, për arsye se, si kudo në porte të mëdhenj detar, ka shumë huliganë dhe hajdutë. Dhe në të vërtetë ashtu ndodhi. Një shokut tim të ngushtë, ditën e parë të daljes në qytet me tramvaj, i vodhën të gjitha paratë, që na i dhanë për llogari të shkollës. Për të ndihmuar këtë shok menduam të gjithë anëtarët e grupit tonë, të mblidhnim të holla madje më shumë se kuota që duhej. Solidariteti dhe ndihma për njëri tjetrin nuk na mungonte. Kaluam këto katër ditë me një farë programi. Mbas kësaj na nisën me tren elektrik në drejtime të ndryshme, sipas Harkov, në shkollën e aviacionit për disa specialitete brenda kësaj arme, ku përfshiheshin avio-teknike, teknik armatimi, teknik r/llokacioni etj. Mbas dy dite mbërritëm në stacionin e trenit të Harkovit, që ishte stacioni qëndror i gjithë jugut të Bashkimit Sovjetik. Një stacion madhështor 6-katësh, me shumë rrugë, ku lum njerëzish dhe trenash, nuk pushonin as natë e as ditë e që lëviznin nëpërmjet këtij stacioni pasagjerësh e mallrash. Në stacionin e trenit na priti një major aviacioni. Kish ardhur me autobuz të tipit “GAZ –51” ushtarak, i njohur atë kohë edhe në Shqipëri. Pritja ishte e ngrohtë dhe e veçantë. Hipëm në autobuz dhe u drejtuam për në shkollën e aviacionit ushtarak (H.V.A .T.U) të Harkovit në rajonin, ku ishte ndërtuar shkolla jonë, që quhet edhe sot “Mali i Ftohtë”.

Në shkollë na priti udhëheqja e këtij instituconi.

Ishte kohë dreke. Na pyetën nëse dëshironim ndonjë ushqim tradicional shqiptar? Kuzhinjerët ishin shumë të specializuar, pa çka se shqiptarët në këtë shkollë vinin për herë të parë. Shkolla jonë quhej “Shkolla Ushtarake Teknike e Aviacionit” e Harkovit ndodhej në rajonin e quajtur “Hollodnaja gora”, që shqip d.m.th. “Mali i ftohtë”. Shkolla qe shumë e madhe dhe ishte e pajisur me të gjitha mjediset mësimore, edukative, studimore, mencave dhe të fjetjes. Ishte i vogël, por shumë i rehatshëm dhe funksional si dhe me mjedise argëtimi dhe pushimi, i pajisur me divane dhe kolltuk lëkure, i shtruar me tapet të bukur, me televizor si dhe një gramafon elektrik në modë aso kohe.Terrene sportive, fushë futbolli, disa fusha volejbolli, basketbolli, e tenisi, si dhe salla pingpongu e shahu madje edhe sallë bilardoje. Duke mos harruar pa përmendur edhe kino-klubin, ku shpesh jepeshin filma sovjetikë dhe shfaqje shumë të bukura nga grupet artistike amatore të shkollës sonë si dhe të shkollave të tjera ushtarake. Para shkollës, shtrihej një park i madh dhe shumë i bukur, që quhej “Parku i Karpovit”. Në ato vite që studiova në Bashkimin Sovjetik, jetova një jetë të vrullshme, me kujtime e mbresa që nuk shlyhen kurrë nga kujtesa dhe shpirti. Do përpiqem të veçoj ato më të bukurat e më të qenësishmet. Në këtë qytet jetuam dhe studiuam dy vjet të plota. Na trajtuan aq mirë sa nuk e prisnim një gjë të tillë, Ishim të parët kursantë të Ushtrisë Shqiptare, që do të studionim në këtë shkollë. Me kalimin e kohës, kuptuam dhe mësuam se në Bashkimin Sovjetik, për ne shqiptarët, rezervohej një respekt i veçantë jo vetëm në qarqet ushtarake, por edhe në popullin e thjeshtë sovjetik (sidomos në atë rus). Në veçanti, për popullin rus, shpreh bindjet dhe nostalgjinë time për atë popull të madh, punëtor, bujar, zemërgjerë, por edhe të ashpër me armikun. Vetë rusët thonë: “Shpirti i madh rus është si Vollga: i gjerë, i thellë, i gjatë, por dhe i ashpër!”. Në rusisht ka rimë kumbuese të veçantë. Nën një regjim të fortë ushtarak, filluam jetën normale në shkollë, një jetë studenteske ushtarake me rregulla të forta , që nga mësimi (teoria) i rregullt i lëndëve profesionale dhe atyre të përgjithshme të asaj kohe, duke përfshirë edhe historinë e Partisë Komuniste Bolshevike të Bashkimit Sovjetik. Në fillim, kryesisht bënim disiplinën e gjuhës ruse, e cila për ne ishte më kryesorja për të vazhduar më tej studimet e lëndëve të tjera të programit të ngjeshur. Kjo disiplinë vazhdoi rreth një muaj. Porosia e parë dhe kryesore e pedagoges sonë të nderuar të gjuhës Ruse znj. Tamara Grigorjevna Keçijan (armene) ishte që të njiheshim me vajza ruse, sepse nëpërmjet tyre në bashkëbisedim, do të mësonim dhe përvetësonim më shpejt gjuhën ruse. Dhe në të vërtetë, porosia e saj ishte e drejtë, dhe ne e bëmë realitet. Gjatë kësaj kohe të shkurtër pata disa njohje të thjeshta dhe të mira, me dy ose tri vajza sovjetike. Nëpërmjet tyre dhe fal vullnetit dhe pasionit tim për gjuhën ruse m’u dha mundësia që, brenda tre muajve të mësoj rusishten me të folur, të shkruar dhe të përkthyer (mos ma merrni për mburrje), por edhe një herë e theksoj, pasioni im i madh, u bë shkaku kryesor i përvetësimit të gjuhës. Po ju trego,j një fakt: Hartimi im i provimit të gjuhës ruse u cilësua nga Tana Grigarnjeva si hartimi më i mirë dhe ajo e bëri shembull jo vetëm në shkollën tonë, por edhe nëpër institutet e larta, ku ajo jepte mësimin e gjuhës ruse. Në hartimin tim të provimit me shkrim, u gjet vetëm një presje gabim dhe asgjë tjetër, të cilën pedagogia jonë e mbajti si kujtim për vete, nuk ma dha. Tema ishte e lirë. Unë zgjodha temën “Shqipëri vendi im!” – Trajtova një histori të shkurtër, por të lavdishme të vendit tim të dashur. Në ato vite, këto lloj temash ishin shumë të kohës, dhe prandaj u vlerësua shumë, jo vetëm nga ana gjuhësore, por dhe nga ana e përmbajtjes, si dhe nga mënyra e përshkrimit.

Do të tregoj për një rast të veçantë

Ishte 2 gushti ku në sheshin kryesor të qytetit që mban ende emrin e të madhit dhe të famshmit Xherxhinski, po kremtohej një festë me madhështi. Sheshi ishte mbushur plot e përplot, sidomos me të rinj e të reja. Unë shoqërohesha nga një kursant sovjetik, quhej Zhenja. Një djalë shtatlartë, i zhdërvjelltë dhe shumë i shkathët. Më thotë se do të më fuste në një lojë rrethore, ku luhej si miu me macen, ashtu siç e kemi ne këtë lojë. Në qoftëse macja është djali, do t’a kap shpejt miun që është vajza, në këtë rast duhet ta puthë në prezencën e të gjithëve. Kështu ndodhi. Unë si një djalë i ri dhe i shkathët e kapa në gjysmën e rrethit. Ajo më futi krahun duke buzëqeshur, putheshim në buzë; Turma brohoriste në gjuhën ruse: Gorka puthe! Atë natë u shoqërova me të, për të mos u takuar më. Ajo më shoqëroi deri tek porta e shkollës, por nuk më la takim. Pra kjo ishte njohja e parë me një vajzë sovjetike. Më vonë patëm njohje të tjera dhe kjo ishte e natyrshme për një djalë të ri dhe sidomos të huaj. Vajzat sovjetike kishin maninë të shoqëroheshin me të huaj dhe sidomos me shqiptarë, për t’u njohur më mirë me vendet e njëri tjetrit dhe veçanërisht me traditat. Ishte një kërshëri e ndjerë si në ethe. vitin e parë, na dërguan me pushime verore në një qytezë të quajtur “Çugujev” buzë lumit Donjec. Ishte një kamp pushimi pilotësh, i vendosur thellë një pylli me pisha të larta. Na shoqëronte i nderuari përgjegjës i ciklit shqiptar kolonel Sokollov. Grupi ynë përbëhej nga 16 kursantë të profesioneve të tjera, si avia-mekanik, armatimi etj. Në këtë kamp të mrekullueshëm kaluam një muaj pushime aktive. Nuk mbaj mend mirë se kush na njoftoi se në këtë pyll të madh kish edhe kampe të tjera me studentë civilë të instituteve të qytetit të Harkovit. Më kujtohet se, një ditë me disa nga shokët tanë, tek lundronim me varka me rrema nëpër lumë, hasëm dhe varka të tjera që lundronin atje. Ne ramë në sy se mbanim në kokë qeleshet karakteristike shqiptare, dhe kjo u bë dhe shkak që disa studentë të këtyre instituteve u bënë kureshtarë për t’u njohur me ne. Ata na ftuan për të kërcyer në mbrëmje në kampin e tyre. Mos gabohem, duhet të ketë qenë dita e 4-të ose 5-të e ardhjes sonë në këtë kamp. Dhe kështu vepruam, të gjithë në grup siç ishim me në krye kolonelin Sokollov, mbasi hëngrëm darkë, u drejtuam për në kampin e tyre. Kur arritëm atje…, çfarë të shihje! Lukuni vajzash të reja dhe të bukura si i doje: bjonde, brune apo kuqalashe, karakteristike ruse. U futëm në sheshin e kërcimit, vallëzuam me to deri në mesnatë. Sipas rregullit të kampit, secili prej nesh ftoi vajzën me të cilën ishte njohur tashmë.Vajzën që unë njoha, e quanin Svetllana (në shqip Drita). I thashë që isha student shqiptar në shkollën ushtarake të aviacionit të Harkovit. Edhe ajo ishte po nga ky qytet. Gjatë muajit që qëndruam në këtë kamp, u miqësuam shumë. Vajzat u larguan nga kampi dy apo tre ditë para nesh. Para se të ndaheshim me të njohurat tona, këmbyem adresat e njëri tjetrit, madje ato na dhanë edhe numrat e telefonit të shtëpive. U ndamë nga kampet e pushimit, për t’u takuar më vonë në Harkov e për të vazhduar më tej miqësinë. Mbas dy ose tre ditësh, u larguam edhe ne nga kampi i pushimit. Në stacionin e trenit të Harkovit na pritën vajzat me të cilat zumë miqësi. Na pritën me lule, përqafime dhe puthje miqësore.

Nesër do lexoni:

  • Si na mblodhi në vitin 1961 atasheu ushtarak Dilaver Poçi
  • -Marrëdhëniet shqiptaro-ruse në krizë, na udhëzuan të kishim kujdes nga provokimet
  • -Marrëdhëniet ndikuan dhe në suhqimin tonë, tashmë na ulën një normë ushqimi
  • -Si ju përgjigjëm me grevë uljes të normës së ushqimit
  • Vajzat ruse na mbështetën si asnëherë në këtë kohë krize