Ish-partizani Abaz Hoxha/ 6 qershor 1944 -dy ngjarje historike: Beteja e Qafës së Gjarpërit gjatë operacionit nazist dhe zbarkimi i aleatëve

974
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish-partizani, veteran i luftës Nacionalçlirimtare Abaz Hoxha:

– 6 qershor 1944- dy ngjarje historike, beteja e Qafës  së Gjarprit gjatë operacionit gjerman të Qershorit dhe zbarkimi i trupave aleate

– Takimi i parë me Mehmet Shehun”Vjosën” në Qafën e Gjarprit

– Në Qafën e Gjarprit patëm humbje të mëdha ranë heroikisht 24 partizanë

Si na jepte zemër komisari i batalionit, Kadri Hazbiu, për betejën me gjermanët

– Qafa e Gjarprit dhe Guri i Prerë u bënë simbol i heroizmit ato ishin nga luftimet më të ashpra në historinë luftarake të Brigadës së Pestë.

 Albert Z. ZHOLI

Abaz Hoxha ka lindur në fshatin Tragjas të Vlorës në një familje intelektuale dhe patriotike më 14.04.1930. Veteran i Luftës Antifashiste dhe pjesëmarrës në formacionet e armatosura partizane që në moshën 14 vjeçare, i rreshtuar tek Brigada e V Sulmuese. 1936-1941

 Si vijnë kujtimet tuaja për fillimin e Operacionit të qershorit 1944?

Një nga vendimet kryesore të Kongresit të Përmetit ishte edhe krijimi i formacioneve të mëdha ushtarake dhe marshimi drejt Shqipërisë së Mesme dhe të veriut për të spastruar edhe këto zona nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre që u vunë haptas nën komandën gjermane dhe u përpoqën të pengonin lëvizjen e forcave tona drejt veriut. Në këtë kuadër u krijua dhe Divizioni i I sulmues në përbërjen e të cilit merrnin pjesë Brigada e I, Brigada e IV-të dhe Brigada e V-të. Unë isha ende një fëmijë dhe nuk dija se ç’ishin planet operative dhe strategjike të gjermanëve, as për synimet e tyre, unë isha vetëm një luftëtar në mbrojtje të atdheut. Por do të merrja vesh se synimet e gjermanëve ishin që me veprime të shpejta mësymëse, të asgjësonte Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe pushtetin e ri të krijuara në këto zona dhe kështu të krijonte mundësi për të tërhequr pa pengesa forcat e saj të dislokuara në Shqipëri, të cilat t’i përdorte për të ndaluar përparimin e forcave të Ushtrisë Sovjetike në frontin e Lindjes sikurse edhe t’u krijonte bashkëpunëtorëve të tyre kushtet për të shtrirë sundimin e tyre në të gjithë Shqipërinë.  Në rast se ky qëllim nuk do të arrihej plotësisht, gjermanët parashikonin që, me anën e kësaj ofensive, të paktën të evitonin rrethimin e trupave gjermane në Greqi e Shqipëri dhe t’u siguroheshin atyre rrugët e tërheqjes përmes territorit shqiptar.

-Kush e drejtonte këtë ofensivë gjermane?

Drejtimin e kësaj ofensive gjermanët ia ngarkuan gjeneralit Loher, i cili grumbulloi për këtë qëllim forcat e Korpusit të 21-të dhe 22-të. Edhe bashkëpunëtorët e tij, forcat reaksionare dhe mercenare vendase, grumbulluan për këtë ofensivë disa mijëra mercenarë që vepronin në bashkëveprim me gjermanët. Në marshimin drejt veriut tre brigadave iu caktuan drejtime të ndryshme. Brigadës së 5-të, mbas largimit nga rrethi i Kolonjës iu caktua drejtimi Sulova-Dumre-Qafë Thanë-Kërrabë-Mat ndërsa batalioni ynë i I-rë dhe i III-të i saj mori drejtimin Përmet-Frashër-Staraveckë. Më 5 qershor të gjithë batalionet u grumbulluan në katundin Potom ku u zhvillua edhe mbledhja e gjithë efektivit të brigadës dhe u fol për vendimet e Kongresit të Përmetit dhe detyrave të reja që iu caktuan brigadës sonë. Në emër të shtabit të Përgjithshëm dhe të komandës së divizionit përshëndeti Mehmet Shehu/”Vjosa”/ të cilin unë ende nuk e njihja nga afër as si fytyrë. Ndërkohë gjermanët kishin filluar mësymjen e tyre të madhe për asgjësimin e forcave partizane që u quajt Operacioni i Qershorit 1944. Në këtë kuadër të gjithë brigadave dhe batalioneve iu caktuan zonat e tyre të mbrojtjes dhe kundërmësymjes. Natën e 5 qershorit të gjitha forcat e brigadës sonë marshuan nga Potomi për të zënë pozicionet e caktuara. Batalioni ynë i parë kishte për detyrë të mbulonte rajonin Moglicë-Zarec-Qafë e Gjarprit dhe ishte në qendrën kryesore të sulmit armik në Qafën e Gjarprit. Gjatë rrugës nga Përmeti drejt Qafës së Gjarprit nuk na u nda një avion gjuajtës gjerman dhe mbeti i vrarë një nga shoqëruesit tanë të misionit anglez.

Kur ishte takimi i parë me Mehmet Shehun”Vjosën”?

Duke iu ngjitur kodrës për të zënë Qafën e Gjarprit u ulëm dhe bëmë një pushim në faqen e saj. Ndërkohë po vinin drejt nesh, duke u ngjitur dy kalorës të armatosur. Ata ndaluan para meje dhe duke më parë me dashuri e dhembshuri, njëri prej tyre m’u drejtua: –A do ti mundim gjermanët, more trim?Unë u ngrita pa vetëdije në këmbë mbajta drejtqëndrim, nderova me grusht dhe iu përgjigja:-Do t’i mundim, shoku komandant- Nuk e njihja se kush ishte se nuk e kisha parë kurrë nga afër por fakti që ai ishte mbi kalë mendoja se do ishte ndonjë komandant i rëndësishëm. Ai zbriti nga kali, më përqafoi dhe iu drejtua shokëve të mi partizanë:

Po, do t’i mundim pa tjetër kur në radhët tona veprojnë edhe

fëmijë kaq të vendosur për të mbrojtur Atdheun.

Më përqafoi edhe një herë i hipi kalit dhe vazhduan rrugën duke iu ngjitur kodrës. Kur ata u larguan ynë e pyeta një shokun tim që kisha pranë:  Kush ishte ai që më pyeti?  -Pse nuk e ke njohur ti? – më tha Qemali -Ai është “Vjosa”, Mehmet Shehu. Shtanga në vend. Pse nuk më thatë më parë. Kaq shumë  kisha dëgjuar dhe e pata pranë e nuk munda të bisedoja me të. M.Shehu ishte bërë një legjendë.  Emri i tij i koduar “Vjosa”, ishte bërë tmerr i armikut, ai kish krijuar një personalitet të padiskutueshëm në të gjithë  Zonën  Operative  Vlorë-Gjirokastër,  për vendosmërinë dhe trimërinë e tij. Emri i tij i kishte tmerruar armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Vetë  gjermanët shkruanin për të: “ Mehmet Shehu, një udhëheqës ushtarak i një kualiteti të përsosur.”  Dhe unë papritur,  këtë legjendë të luftës partizane e pata kaq pranë, pa e ditur se kush ishte. Emri dhe prania e tij u jepte kurajë partizanëve për t’u hedhur me devocion në luftë, u jepte guxim dhe i bënte më të vendosur.

Si vazhduan luftimet dhe si ishte gjendja juaj morale?

          Natën e 6 qershorit të gjitha forcat partizane zunë  në luftë e sipër të gjithë sektorët e caktuar. Forcat tona nuk e pritën armikun  të afrohej,  por filluan menjëherë të kundërsulmonin në mënyrë  të befasishme kundër një forcë të madhe gjermane të divizionit 297,  të përforcuar me të gjitha llojet e armëve.  Kjo ishte përleshja më e madhe dhe më e ashpra në historinë e rrugës luftarake  të brigadës  së pestë dhe veçanërisht të batalionit të parë dhe të tretë, që ishin në qendër të sulmit gjerman. Kjo ishte edhe pjesëmarrja ime e parë në luftë kundër trupave pushtuese. Gjermanët bënë një rezistencë  të egër në një terren gjysmë pyjor duke kaluar edhe në përleshje trup me trup në disa sektorë të batalionit të parë, kur partizanët e tij kishin ecur aq përpara sa që ishin përzier me formacionet luftarake të armikut. Në sajë të kësaj rezistence të vendosur gjermanët u detyruan të tërhiqen në drejtim të Moglicës. Më 7 qershor komanda gjermane duke futur në luftim forca të reja të mbështetura edhe nga zjarri i fuqishëm dhe i përqendruar i artilerisë bëri përpjekje të reja për të çarë përpara në drejtim të Qafës së Gjarprit dhe Gurit të Prerë. Më në fund armiku arriti të avancojë me shumë ngadalësi në drejtim të malit të Devries por me humbje shumë të mëdha. Isha ende pa përvojë. Akoma nuk e dija frikën por i tërhequr nga tregimet e trimërisë partizane vrapoja përpara  në këmbë duke shtirë në drejtim të armikut me pushkën time të shkurtër që lëshonte një flakë të madhe. Komisari i kompanisë Vasil Nerënxi më kapi nga mbrapa dhe më uli me forcë për tokë:  -“Ej, ç’farë bën kështu! Ku po shkon në këmbë, në dasmë, se do vritesh. Sa më rrallë qëllo edhe me atë topçiun tënd se bën shumë flakë dhe do të zbulohesh nga armiku” (ishte natë). Kur ai më uli për tokë, një breshëri plumbash goditën  para meje dhe pluhuri e balta më mbuluan fytyrën. Aty fillova ta ndieja frikën dhe nën shembullin e shokëve më të rritur fillova të zvarritesha dhe duke bërë dredha, që t’u shpëtoja plumbave. Në një çast dëgjova pak më poshtë një:  “ Oh!”  Kur u afrova pashë se ishte partizania me trupin lastar ,nga Tragjasi, që ende nuk i kish mbushur të njëzet vjetët, Raime Stepa (Imeraj). Atë e goditi një plumb në ije. Por nuk e dha veten dhe nxori nga brezi një granatë dhe ia hodhi një mitralieri  gjerman që pak më poshtë po qëllonte drejt nesh.  Mitralozi  heshti dhe ajo ashtu e gjakosur u hoq zvarrë dhe mori mitralozin gjerman, dhe filloi të qëllonte kundër tyre.  Kjo nuk vazhdoi gjatë se një oficer  me pistoletë , arriti nga mbrapa dhe e goditi në kokë. Gjermanin e vramë, por edhe Raimeja ra heroikisht në krye të detyrës. Në anën e djathtë tonën, po luftonte Nysret Xhelua, djali i patriotit Halim Xhelo nga Tërbaçi, që në atë kohë kryente detyrën e përgjegjësit të rinisë së kompanisë sonë. Ai ishte futur thellë në radhët e armikut, por një granatë gjermane e rrëzoi për tokë. Ai thirri dhe një partizan rreth 50 -vjeçar (që ne e quanim plak), i vajti në ndihmë e mori në krahë, për ta transportuar lart, drejt kodrës në prapavijë, ku ishin partizanët e rinj që ende nuk kishin armë.  Por kur ai e mori në krahë, një plumb tjetër e goditi në tëmth dhe Nysreti ndërroi jetë.  Pa arritur ende tek kodra, u godit nga një plumb edhe partizani që e kish marrë në krahë,  dhe ai u rrëzua për tokë, pa arritur t’ua dorëzonte shokëve shokun e vrarë. Nuk  më harrohet ajo skenë. Granata gjermane, Nysretit i kishte shkëputur gjithë mishin e kofshës dhe i kish mbetur kocka e gjakosur. Për pantallonat nuk bëhej fjalë….

Cili nga shokët tuaj ra dëshmor në luftime dhe si e kujton?

Më kujtohet vrasja e Qemal Hetemit. Sa kishte rënë nata. Batalioni  u  mblodh  në majën e kodrës  në Qafën e Gjarprit dhe komisari i batalionit, Kadri Hazbiu, po na fliste për betejën e afërt  me  gjermanët. Pas fjalës së tij filloi mbledhja dhe riorganizimi  i kompanive dhe skuadrave. Por ende pa e nisur ne sulmin,  gjermanët na sulmuan të parët. Në skuadrën ku bëja pjesë edhe unë,  ishte edhe Qemal Hetemi, partizani 16 -vjeçar nga Bolena, për të cilin u fol më lart se unë gati e vrava me veprimet e mija axhamie,  duke lozur me pistoletën që kisha marrë. Qemali  disa ditë më parë kishte marrë një pallto të madhe ushtarake nga ato që na kishin hedhur me parashutë anglezët.  Ishte një gëzim i madh të kishe një pallto të tillë,  në kushtet kur shumica e jonë ishin të zhveshur dhe me tesha zhele-zhele,  prandaj kush e kishte atë fat e ruante si një gjë të shenjtë,  njëlloj sikurse edhe armët, dhe  e ndiente veten të privilegjuar dhe të nderuar.  Qemali para se ne të niseshim në sulmin kundër gjermanëve, e hoqi pallton dhe ia dha komandantit të togës, duke i thënë:

-“Shoku komandant merreni këtë pallton dhe ta mbajnë këtu shokët që nuk do marrin pjesë në luftë. Se mos vritem e bëhet me gjak”.

Ishte fjala për partizanët e rinj që do mbeteshin në prapavijë se ende nuk kishin armë. Kjo ishte bërë si rregull, që sendet e rënda gjatë  veprimeve  luftarake  liheshin në  prapavijë për  të qenë sa më të lirë.  Dhe sikur ai e kishte parandjerë. Në atë përleshje,  Qemali u vra. Trupin e tij e prunë në kodër dhe e vendosën pranë  Raimes, Nusretit dhe partizanit tjetër që u përpoq të shpëtonte shokun e tij të plagosur dhe u vra edhe vetë.

 

-Kur dhe si u ndërprenë luftimet?

Aty nga ora tre e mëngjesit luftimet u ndërprenë dhe gjermanët me humbje të mëdha,  u tërhoqën. Gjermanët, zakonisht e kishin shumë të vështirë të luftonin natën, kjo ishte taktika jonë. U kthyem në majën e kodrës,  ku fillimisht ishin pozicionet e mitralozëve tanë para sulmit. Të lodhur mbasi kishim udhëtuar gjithë ditën dhe përleshur në betejë gjatë gjithë natës,  unë shkova me komisarin Idai  Bejo në pozicionin  e  mitralozit ku ishte edhe mitralieri partizan. Atje më zuri gjumi me kokën e mbështetur tek këmba e Idaiut. Edhe ata i zuri gjumi. Kur papritur, ende pa u zbardhur dita, u dëgjuan të shtëna të pandërprera të pushkëve automatikëve, mitralozëve dhe predha të pandërprera artilerie. U ngritëm nën tmerr.  Për herën e parë në luftën partizane shikoja gjermanët të rreshtuar, të bërë gardh, që marshonin përpara drejt nesh, sup më sup. Ishte një sulm i befasishëm. Ne ndodheshim  në majë të kodrës,  por marrja e kodrës nga ana e tyre, do të ishte një katastrofë e vërtetë,  mbasi mbas nesh ishte një e tatëpjetë e madhe që shkonte poshtë, deri tek një fshat në rrëzë të saj. Po të merrnin ata kodrën,  do të na shuanin të gjithëve. U krijua  një panik nga sulmi i befasishëm gjerman. Shumë partizanë  ikën në panik në drejtime të ndryshme, kush të shpëtonte, mitralozët e rëndë shkoi trekëmbëshi në një anë, tyta në anën tjetër, dhe municioni në tjetrën anë. Ishte situatë e vështirë,  por që pengoi asgjësimin e plotë veprimi i shpejtë i Idaiut, i cili i rrëmbeu mitralozin mitraljerit, u ngrit në këmbë dhe filloi të qëllonte me breshëri në drejtim të gjermanëve,  për të frenuar marshimin e tyre. Po kështu ishte heroizmi i mitralierit tjetër, Kalem Dushani,  i cili mori mitralozin e tij që ishte rreth 15 metra në krahun tonë të djathtë, hipi në një gorricë që ndodhesh atje, dhe qëlloi me zjarr  të pa ndërprerë  në drejtim të gjermanëve. Por e pashë atë që pas pak sekondash u godit nga një automatik gjerman dhe ra për tokë nga pema. Të dy këto akte heroike vonuan sulmin gjerman dhe u dhanë mundësinë partizanëve të zbrisnin me shpejtësi kodrën dhe të kalojnë lumin e Osumit dhe të fillonim ngjitjen drejt majës së malit të Tomorrit. Ndërkohë gjermanët kapën kodrën  ku ndodheshim ne,  vendosën atje artilerinë dhe filluan të na qëllonin, kur ne po i ngjiteshim Tomorrit,  derisa arritëm të merrnim veten,  dhe të zinim pozicione pas disa shkëmbinjve,  dhe t’i kundërvepronim sulmit gjerman.  Kur ne po përpiqeshim  t’i ngjiteshim malit  thikë  të Tomorrit, forcat gjermane,  filluan të na qëllonin me artileri të dendur,  para se ne të zinim pozicionet mbrojtëse. Ishte një mrekulli  kur skuadra jonë, ku në këtë kohë së bashku me ne ishte edhe Zonja Çurre, po i ngjitej një faqeje zallishte,  një predhë ra midis nesh,  por çuditërisht nuk vrau ose plagosi asnjërin,  por vetëm se na tronditi dhe na bllokoi veshët nga shpërthimi i saj. Ata u përpoqën të kalonin Osumin për të na ndjekur,  por tashmë forcat tona ishin grumbulluar dhe u bëmë një rezistencë të fortë. Shumë gjermanë që u përpoqën të kapërcenin lumin gjetën vdekjen duke  u  rrëmbyer nga valët e lumit.  Deri sa u errësua ata nuk mundën ta kapërcenin lumin për të na ndjekur dhe ne iu ngjitëm lart,  drejt majës malit të Tomorrit. Kur filloi të zbardhte dita,  ne ende nuk e kishim arritur majën dhe ata filluan të na qëllonin me artileri,  por pa na shkaktuar humbje. Kur u ngjitëm në majë,  gjetëm atje disa çobenë  skraparlljotë  të cilët na dhanë qumësht dhe djathë  të  njomë nape. Mbasi u qetësuam tek stanet e çobenëve skraparlljotë,  u nisëm në kërkim të forcave të tjera të brigadës  nga të cilat ishim shkëputur.  Pa pritur u gjendëm para forcave të Brigadës së Parë,  të cilat duke menduar se nuk kishte të tjera forca partizane prapa, qenë gati duke na sulmuar. Fatmirësisht u morëm vesh duke përdorur emrat e komandantëve dhe të komisarëve të batalionit tonë.

-Si do ta komentonit këtë betejë?

Qafa e Gjarprit dhe Guri i Prerë u bënë simbol i heroizmit,  ato ishin nga luftimet më të ashpra në historinë luftarake të Brigadës së  Pestë. Vërtet  që në Qafën e Gjarprit,  ne patëm humbje të mëdha,  ku ranë heroikisht 24 partizanë,  duke përfshirë edhe komandantin trim të kompanisë Vasil Gjiknuri,  si dhe rreth 20 të plagosur, por edhe gjermanëve kjo ofensivë u kushtoi akoma më shtrenjtë,  se lanë rreth 120 të vrarë dhe shumë të plagosur.  Vetëm gjatë përpjekjeve të tyre për kalimin e lumit Osum u vranë mbi 15 ushtarë dhe oficerë,  trupat e të cilëve i rrëmbente lumi i Osumit. Nga analiza që u bë më vonë për këtë veprimtari luftarake,  doli se humbjet tona të rënda ishin kryesisht pasojë e taktikës së gabuar,  duke u angazhuar drejt për drejtë në luftë frontale me armikun,  dhe duke iu shmangur taktikës së luftës partizane të befasisë dhe marrjes së shpinës së armikut.