Intervista Gjergji Velo/ Organizata e Dëshmorëve të Atdheut kremton 25-vjetorin e krijimit. Vlerat e LANÇ dhe partizanët e Myzeqesë

1140
Sigal

Nga Kozma Gjini

-Intervistë me z. GJERGJI VELO, kryetar i OKDA-

 Çlirimi i Shqipërisë nga okupatorët nazifshistë dhe bashkëpunëtorët e tyre ishte ngjarja kulmore e përpjekjeve të popullit tonë për liri e pavarësi, si pjesë e koalicionit botëror antifashist. Si shumë kombe të tjerë edhe Shqipëria sakrifikoi jetën e mijëra dëshmorëve në luftë për liri. “Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut” është mbrojtësja legjitime e vlerave dhe simboleve të Luftës Nacionalçlirimtare.

  1. Gjergji Velo, kryetar i OKDA, në intervistën e tij ekskluzive për gazetën “Telegraf”, na tregon disa nga prioritetet e punës së organizatës dhe ambicien e këtij grupimi për të ardhmen.

Z. Gjergji, më lejoni që fillimisht  t’u bëj një pyetje  për të shuar kureshtjen e lexuesve dhe jo vetëm: Cila është lidhja juaj personale e familjare me dëshmorët e LANÇ-it?

-Z. Gjergji Velo: Në Statutin e Organizatës së Dëshmorëve të Kombit  kemi një kërkesë fikse: Personat që drejtojnë Organizatën e Dëshmorëve: kryetari, sekretari apo sekretari përgjithshëm dhe të zgjedhurit në  kryesinë kombëtare e në Këshillin e Përgjithshëm, patjetër duhet të kenë nga familja e tyre të paktën një dëshmor. Familja ime lidhet ngushtësisht me dëshmorët. Gjyshi im Todi Velo, xhaxhai Vasil Velo dhe dajua Prof.  Boçi, janë dëshmorë të LANÇ-it. Prof  Boçi është një ndër katër dëshmorët që mban emrin shkolla e qytetit të Lushnjës.

-Cila është strategjia e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve?

-Z.Gjergji  Velo: “Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut” është e shtrirë në të gjitha bashkitë  e vendit tonë. Ajo funksionon mbi bazën e statutit. Qëllimi i saj është që të mbrojë vlerat dhe veprën e të rënëve për liri gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe të dëshmorëve të rënë para edhe pas LDB, në përpjekje kundër bandave diversioniste për rrëzimin e pushtetit popullor. Si mund t’i anashkalojmë motrat e vëllezërit tanë të atyre viteve që sakrifikuan jetën për: liri,  gjuhë, arsim,  pavarësi, për konsolidimin e pushtetit dhe të demokracisë? Që nga viti1847 e këtej, kemi ngjarje që tregojnë rezistencën e popullit ndaj okupatorit dhe ne jemi duke ndriçuar çka ka lënë në hije historia. Këto janë mesazhet që ne duam të përcjellim. Nuk duhet t’i harrojmë apo t’i përdhosim realitetet e shkruara me gjakun e dëshmorëve, përndryshe mohojmë veten , mohojmë nga kemi ardhur e s’dimë se ku do të shkojmë. Lufta ANÇ-re nuk mund të errësohet. Ata i dolën për zot atdheut në ato vite të zjarrta dhe dhanë jetën për Shqipërinë në lulen e rinisë me  thirrjen “Roftë Shqipëria e lirë!” Mendoni se po të mos ishin luftrat e parreshtura të popullit, po të mos kishim këta të rënë për liri, nuk do ta kishim sot Shqipërinë që kemi: me emër, me prestigj, me miq të mëdhenjë, euroatllantik dhe krenare në Europë e në botë.

-Z.Gjergji, meqënëse ndodhemi në Lushnje, doja t’u pyesja: Cilat janë disa nga ngjarjet pikante që e kanë bërë të dalluar luftën e djemëve dhe vajzave të kësaj treve?

-Z.Gjergji Velo: Është e vërtetë se çdo qytet a rreth i vendit ka ngjarjet e veta më të spikatura të luftës që janë dëshmia më e fortë për të treguar se për çlirimin e atdheut, u deshën jetët e mijëra djemëve dhe vajzave të Shqipërisë.Kështu, edhe Lushnja, ka disa ngjarje më të spikatura gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore.  Lushnjën e shkelën pushtuesit italianë edhe ata gjermanë, vranë njerëz të pafajshëm e dogjën fshatra. Pushtuesit kishin makineri luftarake të blinduara, xhandarmëri dhe bashkëpunëtorë të stacionuar në shërbim të qëllimit të tyre. Populli kishte filluar organizimin, rezistencën dhe luftën në njësite, çeta e grupime luftarake që do të shtoheshin e forcoheshin brenda një kohe të shkurtër dhe do të luftonin heroikisht kundër pushtuesve. Në krye të kësaj rezistence  dhe aksioneve të këtyre formacioneve  ishin militantët: Loni Dhamo, Xhorxhi Robo, Miti Bozo, Spiro Moisiu,  Llazar Bozo, Spiro Bakalli, Hasan Gina, Feridun Xhindoli, Rahman Ruçi, Papa Ilia Zagali, Xhevdet Nepravishta, Hirakli Bozo, Sheh Karbunara e të tjerë.Kolonja dhe Karbunara ishin dy fshatrat që i dogji armiku.
Janë një varg ngjarjesh me peshë gjatë periudhës së luftës për çlirim në Lushnjë. Secila ka vlerën dhe rëndësinë e vet të cilën koha e ka ngjitur në piedestal.Të tilla janë:-20 nëntor 1942. Në shtëpinë e Xhevdet Nepravishtës, u formua Këshilli i parë Antifashist NÇL, i qytetit të Lushnjes.- 26 dhjetor 1942.  Në Kolonjë të Lushnjës, në shtëpinë e Kostë e Taq Robos, krijohet Çeta e Parë Partizane e Myzeqesë, -20 mars 1943, në fshatin Krutje e Sipërme, u formua Këshilli Antifashist NÇL i nënprefekturës, me kryetar Spiro Moisiu, dhe n/kryetar Xh.Nepravishta.-25 prill 1943,  në fshatin Mërtish u formua batalioni i parë partizan i Myzeqesë.-19 shtator 1943.  Në fshatin Ngurrëz e Madhe, u formua Grupi partizan i Myzeqesë.-29 tetor 1944. Në fshatin Karbunarë u formua Brigada X partizane.-13 shtator 1943. Forcat partizane të Myzeqesë bënë përpjekjen e parë me forcat pushtuese gjermane, ku u kapën mjaft materiale dhe mbetën të vrarë gjashtë armiq. Nga radhët e partizanëve mbetën dy dëshmorë. -6 tetor 1944, në fshatin Çukas, u zhvilluan luftime të ashpra kundër forcave gjermane, nga batalioni i IV, i Brigadës së XVI S. Armiku la mbi 30 të vrarë, mjaft materiale luftarake u dëmtuan ose dolën jashtë përdorimit, u shkatërruan 60 makina ushtarake. Nga radhët partizane ranë 14 dëshmorë.
Ushtria gjermane e armatosur gjer në dhëmbë, në fundverën e 1944, demonstroi terror në popullsinë e fshatrave buzë rrugës nacionale veri-jug. Forcat partizane të brig.XVI S e sulmuan në pika kyçe armikun, si: në Ardenicë e në Bishqethëm, ku lanë 15 makina të djegura. Në këtë betejë ranë 4 dëshmorë. Por, e theksuam,  beteja më e ashpër ishte ajo që u bë në Çukas, në rrugën që lidh Lushnjën me Beratin. Autokolona gjermane kishte mbi 100 makina me ushtarë, karburant e materiale luftarake. Partizanët qëlluan në befasi me mitraloza e pushkë, duke mbuluar në flakë mjaft makina, tanke e autoblinda. Gjatë mbi dy orë luftime, nga armiqtë mbetën 30 viktima dhe 14 makina të djegura. Beteja e Çukasit mori 14 jetë nga trimat partizanë, mes të cilëve: Liri Gero, Diogjen Vito, Ibrahim Dauti, Gani Isufi, Axhem Sula, Rrapo Luçi, Nako Bozo, Andon Basha, Elmaz Çela, Dalip Beqiri, Shaban Çela, Sali Çela, mes tyre dhe një partizan italian, Xhuzeppe…(it).

-Edhe gratë e vajzat myzeqare iu bashkuan LANÇ-it. Çfarë mund të na thoni për kontributin e tyre?

-Z.Gjergji Velo: Historia e luftës për liri është shkruar me gjakun e bijve dhe të bijave më të mirë të atdheut kështu që atë nuk mund ta zhbëjnë forca të caktuara që kanë qëllim errësimin apo zbehjen e përpjekjeve të popullit për liri. Doemos, vajzat dhe gratë e trevës së Myzeqesë iu bashkuan lëvizjes ncl dhe dhanë kontributin dhe jetën e tyre. Si modelin e patriotizmit të vajzave myzeqare do të përmendja aktin heroik të trimëreshës Liri Gero  (Heroinë e Popullit), inkuadruar në brigadën e XVI S, e cila luftoi dhe ra për atdheun në Betejën e Çukasit.

Objektivi i zgjerimit të rrezes së punës bindëse ishin edhe të rejat, të cilat do t’u bashkoheshin me ndërgjegje forcave partizane. Të tilla mund të përmenden: Sila Gjeçi, Lute Haxhiu, Nedime Gjebrea, Fato Ahmeti,  Fete Gina,  Fatbardha Libohova, Donika Kuçi, Lumturi Kokona, Mukadez Gina, Hasibe Bezhani, Ervehe Toshkëzi, Antigoni Kënuti, Nabile Sheqi, Nije Puka, Merjeme Kurti etj. Puna edukative për shtimin e radhëve partizane, marrja e pushkës, prerja e gërshetit dhe vendosja e kapeles së partizanit, e shndërroi rezistencën e popullit të Myzeqesë në një uragan të fuqishëm që u bë tmerr për pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre.

-Si do t’ ju përgjigjeshit tymnajave që e molepsin LANÇ-in  me elementë të luftës civile?

-z.Gjergji Velo: Janë elementë keqdashës që i shërbejnë njollosjes së Shqipërisë. E bëjnë qëllimisht për të ulur vlerat e Luftës për liri.  Shqipëria u bë pjesë e koalicionit të madh anglo-sovjeto-amerikan. Doja t’u kujtoja teoricienëve grafomanë që u ka mbetur ora pas, le t’i referohen pak deklaratave të shkrimtarit të madh  Dritero Agolli për të ndarë shapin nga sheqeri i cili theksonte: “Në vendin tonë nuk kishte luftë civile, por kishte luftë kundër fashizmit. Luftëra civile nuk bëhen në pushtim, por bëhen pasi ikën pushtuesi, ku palët kërkojnë të marrin pushtetin. Ka plot luftëra civile: u bë në Spanjë apo në Amerikë, ku luftoi Jugu kundër Veriut, por në atë kohë atje nuk kishte pushtues. Jugu ishte pro skllavërisë së njerëzve me ngjyrë, ndërsa Veriu ishte me Linkolnin dhe, më parë, me Xhorxh Uashingtonin që luftoi për heqjen e skllavërisë. Ajo ishte luftë civile. Në Greqi, pasi iku pushtuesi, ata donin të ndanin pushtetin. Po kështu në Rusi, midis Ushtrisë së Kuqe dhe Bjellogardistëve, u bë luftë civile. Kurse në Shqipëri nuk kishte luftë civile”.

-Cili është qëndrimi i kryesisë së OKDA-së  për viktimat e ngjarjes së Golemit?

Z.Gjergji Velo: Ngjarja e Golemit është pa dyshim një rast i pariparueshëm i luftës që ka marrë mes të tjerëve edhe jetë njerëzish të pafajshëm. Historia për këtë ngjarje ka shkruar dhe e ka vënë pikën mbi i, gjithësesi, unë e njoh mirë edhe problemin edhe pjestarët e këtyre viktimave të cilët gjatë luftës në përpjekje me forcat e brigadës së parë, patën atë fat që e dimë. Ajo ngjarje u kritikua menjëherë që në atë kohë dhe vazhdon të kritikohet deri në ditët e sotme. Këta qenë të organizuar me forcat e Ballit Kombëtar dhe njerëzit, ushtarët që ai kishte, jo të gjithë ishin të bindur, por i kishin marrë sipas thirrjes që bënte komandanti i ballit, “një pushkë për shtëpi” dhe shumica e tyre të tillë ishin. Lanë shtëpinë, familjen, ekonominë, punën dhe u mobilizuan, disa edhe me forcë. Disa ishin edhe me ditë. Pati të vrarë, të plagosur dhe të zënë rob. Pjesa që ne po flasim sot është për ata që u kapën rob, të cilët u pyetën dhe u ekzekutuan me një vendim, pa u bërë seleksionimi i tyre që drejtësia të vihej sipas fajit. Si çdo luftë që ka viktimat e saj edhe këta janë viktima të luftës.

-Në cilat formacione luftarake kanë marrë pjesë djemtë e Myzeqesë?

-Z.Gjergji Velo: Janë të shpërndarë pothuajse në të gjitha brigadat e batalionet e ngritura në Shqipëri dhe mjaft prej tyre, 186,  ranë heroikisht  në Lushnjë, Berat, Elbasan, Skrapar, Korçë,

Vlorë, Durrës, Tiranë, Kukës, Tropojë, Kosovë, Shkodër e deri në Bosnjë, Jugosllavi… etj.

Vlerësimin për ta e ka dhënë populli. Ishin, janë dhe do të mbeten emblema madhështore e traditave të popullit për liri e pavarësi. Të rënët e trevës së Myzeqesë, si të gjithë të rënët e tjerë të Atdheut, janë shquar për trimëri, guxim e patriotizëm. Nuk ka ngjarje, betejë e operacion luftarak që të mos kenë qënë prezent edhe trimat  burrat, gratë e vajzat e Myzeqesë, të cilët luftuan për një ideal, pa dallim feje, krahine, ideje. Familjet lushnjare kishin dëshmorët e tyre në luftë për liri. Kishte familje që kishin nga 2, 3, 5 dëshmorë, si “Çelët” në Karbunarë, “Velot” në Eskaj dhe 7 dëshmorë, si familja “Kurti” në Ngurrëz.

-A jeni i kënaqur me gjendjen e varrezave të dëshmorëve në shkallë kombëtare dhe a ka ndonjë plan organizata juaj për përmirësimin e kushteve në të cilat ata prehen?

-Z.Gjergji Velo: Dëshmorët janë pasuri kombëtare. Përkujdesja për varret e të rënëve për liri dhe mbrojtja e simboleve të LANÇ-it janë detyrë shtetërore. Ato ruhen e mirëmbahen nga shteti.

Pas viteve ’90, tek ne ndodhën çudira dhe pati grupe forcash të errta që urrejtjen ndaj regjimit të kaluar ua zbrazën dëshmorëve duke prishur e shkatërruar simbolet e luftës. Vunë dorë edhe mbi varrezat, lapidarët, monumentet, shtëpitë dhe pavijonet e muzeve që pasqyronin luftrat në etapa të ndryshme të historisë. Me ndërhyrjet që kemi bërë herëpashere dhe me aprovimin e ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe  me VKM, sanksionohet mbrojtja ligjore dhe vënia para përgjegjësisë e të gjithë atyre që baltosin figurat e simbolet e lanc.

-Mund të përmendni konkretisht disa qytete që kanë një përkujdesje më të mirë ndaj simboleve të luftës?

-Përgjigje: Në këtë drejtim është bërë një punë e kujdesshme nga disa bashki si: Fieri, Lushnja, Vlora, Berati, Gjirokastra, Saranda etj. Mund të them se edhe ato bashki që unë nuk i përmenda, kanë bërë përpjekje për bashkëpunim me pushtetin lokal  dhe kanë zgjidhur disa probleme. Me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve, ne kemi insistuar dhe vazhdojmë të kërkojmë në shkallë vendi, që atje ku ka varreza të prishura, të rindërtohen, atje ku është hequr një pllakë apo bazë e luftës, të rivendoset. I kemi kërkuar me shkresa të veçanta pushtetit vendor që të sjellin në gjendjen normale objektet përkujtimore të luftës. A ka zvarritje dhe shmangie?  Po, ka. Më shumë duhet të bëjë Tropoja, Kukësi, Shkodra etj. Bashkia e Shkodrës nuk u kujdes në fillim, por prefektura e rivendosi monumentin e “5 Heronjve të Vigut” atje ku kishte qenë dhe kjo ka miratimin e opinionit dhe përshëndetjen tonë. Gjithashtu, u gjend e u restaurua monumenti i partizanit që kishte disa vjet i “humbur “ dhe u vendos në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës. Pra, atje ku ka interesim të pushtetit lokal, atje ku ndërhyn shteti, atje ku luftohet për zbatimin e vendimeve të qeverisë, atje edhe varrezat janë model. Atje ku pushteti vendor dhe drejtuesit nuk e ndiejnë përgjegjësinë për gjakun e tyre, ne i kemi në objekt të kritikës. Nuk ndalemi këtu dhe kjo do të jetë objekt  i punës sonë të  përhershme.

-Z.Gjergji,  ju jeni në prag të botimit të një libri për vlerat e LANÇ-it dhe për dëshmorët e kombit. Ç’mund të na thoni më tepër rreth kësaj nisme?

-Z.Gjergji Velo: Me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut, ne duam t’u japim të gjitha familjeve të dëshmorëve,  opinionit shqiptar dhe jo vetëm, një dhuratë, një libër me vlera historike, me kujtime e mbresa, ku shkruhet që nga viti 1840 dhe deri në ditët e sotme për të rënët, për aspiratat që kanë dashur të realizojnë shqiptarët ndër shekuj. Është një libër unikal, ku shkruajnë pena serioze, për përpjekjet e mëdha të popullit shqiptar në luftë kundër pushtuesve osmanë, shovinistëve fqinjë, fashistëve italianë e nazistëve gjermanë e bashkëpunëtorëve të tyre. Do të jetë një libër voluminoz dhe përmbajtja e tij do të jetë interesante, jo vetëm për familjet e dëshmorëve, por edhe për tërë opinionin shqiptar. Këtu dua të falenderoj në radhë të parë major Zaho Golemin i cili ka punuar me përkushtim si në përgatitjen e librit dhe në cilësinë e vet shkrimeve që pasqyrohen në të.

-Z.Gjergji, kam një pyetje shoqërore që lidhet me personalitetin tuaj në vitet kur  keni qenë në krye të ekzekutivit të rrethit të Lushnjës. Cilat vepra kujtoni që mbajnë firmën tuaj?

-Z.Gjergji Velo: Faleminderit për këtë, po firma ime ishte në emër të vullnetit të popullit lushnjarë. Që në atë kohë, ky qytet e meritonte të kishte një frymëmarrje më të gjerë urbanistike (qyteti dhe fshati), me institucione bashkëkohore si: posta, arkivi, klinika dentare, poliklinika, shëtitorja, lulishtet, varrezat e dëshmorëve etj. Kujtimet janë të shumta, sa mund të flas me ditë të tëra për punën e madhe që bënte tërë Lushnja, me burra, gra e djemë që ishin në drejtim. Lushnja që shikojmë sot, i ka themelet tek puna dhe përkushtimi i specialistëve të qytetit dhe fshatit. Pra Lushnja u bë nga populli i Lushnjës. Jemi krenar për kuadrot, specialistët dhe  artistët që ka nxjerrë Lushnja, por dhe për faktin që këtu ndodhen burime të mëdha kombëtare për bujqësinë, blegtorinë, gazin, verën, pasuritë ujore etj.

-Kjo tregon se ju keni patur një ekip të mirë punonjësish të aftë dhe njerëz punëtorë të të gjitha specialiteteve?

-Përgjigje: Lushnja në aparatin e Komitetit Ekzekutiv dhe në drejtimin e qytetit kishte stafe të zgjedhur, burra dhe gra nga më të mirët e qytetit e rrethit.

Lushnja në drejtimin e saj për: bujqësinë, arsimin, kulturën, shëndetësinë, industrinë, tregtinë dhe administratën,  kishte kuadrot më të aftë e të palodhur, që ndjenin përgjegjësi për punën. Për punën e mirë gjej rastin të falenderoj drejtuesit si: Albert Pisku, Rrapi Myzeqari, i palodhuri Skënder Hajdari, Faslli Korreshi, Aleks Nashi, Gjoni Çuko, Arif Sanxhaku, Kostandin  Mone, Maksim Çuko, Adriatik Skënderi, Illo Foto, Vait Petani, Sherif  Lusho, Polo Çakalli, Todi Bozo, Ulo Abazi, Jorgjie Bello, Dhora Talo, Naje Allkanjari, Qirjako Lesho, Asllan Haxhiu, Vasil Kuli, Prenjo Ymeri, Arben Xhoxhi, Qerim Karame,  Kristaq Billo, Petraq Dhana, Edip Hajdari, Luto Mustafaj, Ristan Gorreja, Isuf Çela, Mustafa Çela, Gjoni Çuko, Loni Çuko, Gëzim Xhumari, Alim Çela, Petraq Bardho, Rexhep Shima, Xhevat Shima, Thanas Rrudha, Mërgim Korça, Dhimitër Papa, Hasan Sharka, Ramazan Gjyshja, Mersin Shabani, Vasil Marini, Llazar Veliu, Fatos Sinani, Andon dhe Lili Liko, Selim Molla, Përparim Hoxha dhe i papërtuari me zemër të madhe Ibrahim H Toshkëzi etj. Në sektorët ku ata kanë punuar, kanë lënë gjurmë në kohë, ndaj populli i kujton dhe i respekton edhe sot. Këtu ku ndodhemi, pranë qendrës së qytetit, është Shtëpia e Kongresit Historik Kombëtar të Lushnjës e cila mbart rrugëtimin e themeleve të shtetit e të kombit dhe kjo është një krenari e ligjshme për ne si pasardhës të dëshmorëve. Kjo shtëpi e të gjithëve mbart  historinë e burrave të kombit dhe të lushnjarëve. Të falenderoj z. Kozma , sepse nëpërmjet kësaj interviste unë gjeta rastin të thërres kujtimet e mia për shokët e punës dhe e uroj me gjithë zemër stafin pasardhës dhe atë që kemi sot, i cili ia ka ndryshuar pamjen qytetit në shumë aspekte. Të mos lodhen së punuari për qytetin për ta kthyer atë në një qendër atraktive, turistike, prodhimi, estetike, urbanistike dhe ashtu siç kemi nxjerrë artistë të kalibrit kombëtar, siç kemi nxjerrë drejtues mjaft të mirë, deri në kupolën më të lartë të shtetit, t’u lemë brezave vepra që të krenohen me paraardhësit e tyre.

-Ju faleminderit!

  1. Varrezat e dëshmorëve, Lushnje
  2. Z.Gjergji Velo, kryetar i OKDA-së
  3. Lule për dëshmorët
  4. Qendra e qytetit.