Ibrahim D. Hoxha*/ Theofan Stilian Noli, Ati i ortodoksisë shqiptare

747
Sigal

Ai ishte dhe mbeti njëri prej të shenjtëruarve më të rrallë të çështjes tërësore shqiptare

Theofan Stilian Noli, veç se qe një nga atdhedashësit më të thekur dhe nga më të diturit e ajkës shqiptare, por ai u bë dhe ati i ortodoksisë shqiptare si dhe themeluesi i faltores (kishës) së veçantë shqiptare.

Para se Fan Noli të pranonte të merrte përsipër detyrën e themelimit dhe të udhëheqjes së kishës së veçantë veturdhëruese të ortodoksisë shqiptare, ortodoksët shqiptarë, dashur pa dashur ishin nën vartësinë dhe drejtimin e Patrikanës së Fanàrit si edhe nën ndikimin e plotë të Sinodhit grek të Athinës. Kjo vartësi dhe ai ndikim ishin vendimtare jo vetëm fetarisht, që po se po, por edhe politikisht e sidomos kombëtarisht. Shkurt ortodoksët shqiptarë si lutjet fetare edhe mësimet shkollore i merrnin detyrimisht në faltoret dhe shkollat greke; pra përpunoheshin grekërisht si të ishin edhe këta grekër, gjë që pashmangërisht dhe detyrimisht –në masë- i bënte kundërvënës të shqiptarëve të besimeve të tjera: islamike dhe katolike. Për shërimin e kësaj lëngate amëshuese iu përveshën punës së pari atdhetarët ortodoksë mërgimtarë në SHBA, në gjirin e të cilëve vepronin edhe Noli, Sotir Peci, Kolë Tromara etj.

Priftërinj shqiptarë që shërbesat fetare në kishë donin –dhe madje tek-tuk edhe guxonin- t’i bënin në gjuhën amtare pati pasur edhe që shumë më parë; po, numerikisht ata ishin të papërfillshëm, aq të vonë e aq të rrallë, saqë s’ngrenë kurrfarë peshe për t’u përmendur. Madje disa prej tyre nga Patrikana e Fanarit dhe Sillogu i Athinës griheshin edhe me sëpata, thika e plumba, siç e pësuan edhe vëllezërit Hristo e Vasil Negovani, atë Stath Melani etj. Që kjo gjëmë kombëtare e veshur me petka fetare të ndërpritej për gjithnjë, duhej me doemos mbyllur prerazi rruga e deriatëhershme e vartësisë së ortodoksëve shqiptarë nga Patrikana e Fanarit e rrjedhimisht edhe ndikimi i Sinodhit të Athinës. Po kjo s’kishte se si të arrihej tjetër soj, veç se me çeljen e një rruge kombëtare; pra me ngritjen e një dege të veçantë vetëvendosëse, shqiptare, e pavarur nga Patrikana e Fanarit dhe ndikimi i Sinodhit grek në Athinë. Së pari, në këtë drejtim iu përveshën punës me vetëmohim shembullor shqiptarët e besimit ortodoks, mërgimtarë në SHBA: këta u pasuan vendosmërisht me guxim të rrallë edhe nga shqiptarët ortodoksë mërgimtarë në Rumanì, Egjipt etj. Po ishte e domosdoshme që në krye të asaj hallke apo unaze me rëndësi të posaçme kombëtare të vihej edhe udhëheqësi i duhur, i përshtatshëm si nga botëkuptimi, hapësira intelektuale si dhe nga aftësia drejtuese. Për tërë këto jo vetëm se doemos duhej matur me shumë kujdes çdo veprim, por kërkohej edhe vetëmohim e përkushtim i tejskajshëm, sepse përballë kësaj veprimtarie qëndronte vendosmërisht Patrikana e Fanarit, Sillogu i Athinës e sidomos bashkësia greke në SHBA, e cila kishte në dorë një fuqi të habitshme në fushën financiare, shoqërore e politike. I përshtatshëm për t’iu besuar e ngarkuar kjo barrë me aq rëndësi kombëtare e fetare dhe i gatshëm për ta marrë përsipër e mbartur atë në brezat vijues, u gjend i pavdekshmi Theofan Stilian Noli. Jeta vërtetoi katërçipërisht se zgjedhja e tij për atë detyrë dhe ushtrimi nga ai i saj ishte kryekëput i përpiktë. Kur nën drejtimin e kur në ndikimin e drejtpërdrejtë të tij në sheshin e burrave për mbrojtjen e pavarësisë dhe veturdhërimit të ortodoksisë shqiptare dolën jo vetëm një varg i pambarim prijësish, por edhe mbarë masa e shqiptarëve  të besimit ortodoks. Me mbështetjen e kësaj mase prijësit e saj morën një varg masash mbrojtëse ndaj këmbëzave dhe kallave të ngritura nga Patrikana e Fanarit dhe Sillogu i Athinës, sa e detyruan edhe Patrikanën kokorroçe ta ulte hundën dhe të pranonte pavarësinë dhe vetëkryesinë e ortodoksisë shqiptare: për të zyrtarizuar botërisht këtë pavarësi e vetëurdhërim, më 1922 u mblodh në Berat kongresi i posaçëm, vendimi kryesor i të cilit ishte: «Asnjë i huaj nuk lejohet të vihet në një detyrë kishtare shqiptare. Me të tilla detyra mund të ngarkohen vetëm ata me gjuhë e përkatësi kombëtare shqiptare». Mbështetur në këtë vendim, xhandarmëria e qarkkomandës së Korçës zboi prej andej dhespotin grek që kryesonte mitropolinë e atij qyteti, i mbetur ende në detyra të tilla brenda shtetit shqiptar.

Mirëpo, pikërisht kur as që mund të merrej fare me mend prej kurrkujt, ortodoksia shqiptare dhe kisha përkatëse të themeluara shqiptarisht nga i përndritshmi THEOFAN STILIAN NOLI, befas –kryekëput padrejtësish- u vunë në duart e grekut, Janullatos, i cili, si grek që është, s’ka sesi të mos vazhdojë të jetë armik amëshues i shqiptarisë.

Vetvetiu lind pyetja: “Kush e dërgoi, kush e pruri dhe kush po e mban ende atë në krye të bashkësisë së shqiptarëve të besimit  ortodoks?”. Ngjarjet e së kaluarës –të cilat po vazhdojnë edhe ditët në vijim me tërë kukudhërinë të përvjelë- s’lë kurrfarë pike mëdyshjeje se vazhdon të jetë “Greqia”, e cila “në Shqipëri e ka dorën shumë të gjatë”.  Në rrethana të tilla veprës madhështore fetare-kombëtare të kryer nga FANOLI me shokë, prej  atij FANOLI, që me aq burrëri, dituri e besnikëri kombëtare guxoi pa kurrfarë ngurrimi të përballej gjatë tërë jetës me përbindëshat e Patrikanës së Stambollit dhe të Sinodhit grek të Athinës, të FANOLIT gjuhëshpatë që luftoi aq përkushtimisht e trimërisht për mbrojtjen e gjithanshme shqiptare nga përpirësit megaliideitë –madje edhe naçertanitë- papritmas iu hoq përsipër një vizë e zezë. Megjithatë një vizë e tillë e vetme greke nuk e nxin e as vë dot në hije faqen me bardhësi tërësisht të shkëlqyer  të veprës madhështore –madje xixëlluese- fanoliane. Xërrnavélët janullatosjaë që krakërijnë rreth kreut të tyre si korbat në misër, do të ngelin për jetë si njolla të pështyra në historinë kombëtare të ortodoksisë shqiptare, po kurrën e kurrës nuk do të munden ta përlyejnë.

Ngjarjet tejet të hidhura antishqiptare të shkaktuara qysh sa mbi kryeortodoksinë shqiptare vuri këmbën greku Janullatos –sot, më shumë se kurrë- kanë bërë tej skajshmërisht të domosdoshëm zbuarjen e menjëhershme prej këndej. Mbi të gjitha këtë veprim e bën tërësisht të detyrueshëm ligjërisht vendimi përkatës i Kongresit  të 1922-së, siç bëri edhe dëbimin e ish-dhespotit grek nga Mitropia e Korçës.

 

Fan Noli: Atdhetar luftarak, prijës, burrë shteti, kryeqeverisës dhe diplomat i stërhollë

Për të pasqyruar dukshëm këto cilësi të tij, mendoj se, përveç atyre që përmenden në “Enciklopedi Jug-shqiptare” II, do të mjaftonin qoftë dhe vetëm këto ndodhi përjetë gjurmëlënëse ndër breza.

1. Kundërpërgjigjet e rrepta me vend e me mend të Fan Nolit ndaj profesorëve aq të shkathët grekë: Aristotel Spiliotopullit, kryeredaktor i fletores “To kratos”*(Shteti), Hristofor Kumarit, Neokli Kazazit, themelues e drejtues i shoqërisë shqipmbytëse, “O elinizmos”(Elinizmi) si dhe Pavllo Karolidhit. Besoj se tanimë kundërpërgjigjet e tij në fjalë njihen prej çdo historian, qoftë ky dhe në fillimet e tij si i tillë.

2. Përplasjet e tij të vazhdueshme me mësuesit e krisur athino-fanaritë, sidomos ata që përmblidheshin në armatën e fuqishme të të mërguarve grekë në SHBA, që para e sidomos pas zgjedhjes në detyrën e dhespotit shqiptar.

3. Zgjedhja e njëzëshme kryeministër i shtetit shqiptar më 1924 dhe ushtrimi prej tij i detyrës në frymë popullore dhe lirie.

3. Përgjigjet me aq zgjuarsi flakë për flakë diplomatëve të huaj synimlig dhe keqdashës të asokohe gjatë mbledhjeve në Këshillin e Lidhjes së Kombeve, që mjerisht po shfaqen shpesh e më shpesh si kërpudhat pas shiut edhe ditët në vijim.

Mbani parasysh zotëri se ata myslimanë që ju po përmendni përfaqësues shtetëror të tyre në këtë kuvend gjithëbotëror më kanë dërguar mua që mbaj këtë kryq dhespoti”, dhe ngriti në pëllëmbë të dorës kryqin e madh prej argjendi që mbante varur mbi kraharor.

4. Siç dihet në dhjetor 1924 shteti shqiptar u mësy nga armata laramane e përbërë prej ish-caristësh, mbeturina të armatave të kryesuara prej  gjeneralëve Judeniç, Vrangel etj., të zbuar prej Rusie nga ushtria sovjetike një numër i madh i tyre ishin strehuar në Jugosllavi. Këta së toku me ushtarakë e paraushtarakë serbë si dhe mjaft shqiptarë të arratisur atje tok me Ahmet bej Zogun, të kryesuar prej këtij iu turrën shtetit shqiptar, qeverinë e të cilit e kryesonte Fanoli. Regjimenti i komanduar nga major Shefqet Korça dhe luftëtarët e kryesuar nga Bajram beg Curri –si edhe repartet e vogla që u dërguan shpejt e shpejt në ndihmë të tyre- nuk e përballën dot gjatë vrullin e asaj armate shumëkombëshe, por me pjesëmarrës tejet të stërvitur dhe me përvojë të gjatë luftarake. Rrjedhimisht qeveria e kryesuar prej Fan Nolit u shtrëngua të mërgohej jashtë shtetit. Po para se të linte edhe Vlorën –krejt ndryshe nga sa kishin vepruar të tjerë krerë- thesarin shtetëror ia dorëzoi kryetarit të bashkisë, atdhetarit të mirënjohur, Ali Asllanit. Ky, sipas urdhrit të Fan Nolit, çdo ministri prej thesarit i pagoi vetëm rrogën për tre muajt vijues.

Jeta dhe veprimtaria e këtij burri veçanërisht të shquar është përshkruar nga intelektualë të ndryshëm në disa vepra; si njëfarë plotësimi të tyre, unë po sjell në këtë shkrim edhe punimin e botuar në zërin: NOLI…, zë i përmbledhur në “Enciklopedi Jugshqiptare” II (I-ZH), T., 2009, fq. 539-540.

NOLI, Theofan Stilian.(1880-1965). Lindi në Qytezë (Ibrik-tepe), në njërin nga të 8 fshatrat shqiptare në rrethin e Edërnesë. Për të është botuar një det i tërë shkrimesh dhe veprash, për të cilat është folur gjerë e gjatë mbi jetën dhe veprën e tij xixëlluese të gati gjithanshme. Për të si shkrimtar në “Enciklopedinë Islamike” thuhet se shkroi shqipen më të pastër. Por duhet theksuar se ai ishte edhe tejet i rrallë në lëmni të tjera: si atdhetar ai ishte yll polàr, si publicist ishte vrungullìmë, si vjershëtar ishte djegore(shkropës), si gjuhëtar ishte i përkryer, si kritik ishte shpatë, si çlirimtar ishte luftëtar, si gojëtar shëmbëllente me bubullìmën, si veprimtar shëmbëllente me vetëtimën. Shkrimet e tij ndaj grekomëdhenjve (megali-ideistëve) çanin si furrusto, përcëllonin si hithër shëmbnin si dhe thithnin si rrùfull. Duke qëndruar përherë përballë kasnécëve megaliideistë, në shkrimet e tij ai i pati emërtuar ata me përpikëri në përshtatje me sa vepronin: “Kukuvajka dritëshkurtëra të helenìzmit”, “ruajtës të stallave të megaliidesë greke”, gagaçë që “mizoritë, hajdutëritë, djegiet, dhunimet e ndërgjegjes dhe turpet e tjera të grekëve i paraqitin si vepra trimërie të imzotëve të kishës: dhespotëve, kryepeshkopëve”. Ata “i dërgojnë valiut të Janinës putanat greke: publike e jo publike, që të ngrohet shpirti i plevitosur grek”. Qeverinë greke, përherë kuçedër ndaj shqiptarëve  Shqipërisë, e quan “të kalbur dhe të pathemeltë”, kurse Greqinë e quan “Kostàqja e zgjebosur”, pra çiflig të mbretit Kostandin. Ai u bë mal i pakapëcyeshëm për ndaljen e vërshimit grek mbi viset shqiptare. Në “Megali Enqiklopedhia «Pyrsos»” thuhet “Shkaktari kryesor i ndaljes së përparimit të Elladhës drejt veriut, u bë një doç prej àti arvanit dhe një nëne greke i veshur me tesha prifti”. Fjalimet e tij në Lidhjen e Kombeve në mbrojtje të Çamërisë dhe krejt Shqipërisë ngjallën kureshtjen e shumëkujt prej diplomatëve të huaj; gjatë një pushimi të shkurtër, kryepërfaqësuesi i Japonisë në Lidhjen e Kombeve, me habi e pyeti: “Sa e Madhe është Shqipëria?!”.(Këtu ishte fjala për shtetin shqiptar –I. D.Hoxha). Noli –si hazërxhevap  që ishte- iu përgjigj: “Një milionë, zotëri, po shqiptarë!”. Ishin fjalët më kuptimplote që mund të thuhen. Kryepërfaqësuesi i qeverisë jugosllave, për të mohuar të drejtën jetike kombëtare të shqiptarëve, gjatë fjalimit të tij para përfaqësuesve të botës, me përçmim tha: “Mos vendosni të krijoni shtet me njerëz që për të fjetur varen me bisht nëpër pisha si majmunët”, Noli qetë-qetë iu përgjigj: “Me të vërtet që shqiptarët janë me bisht, por e kanë nga përpara e jo mbrapa si ju. A dona ta shihni?” dhe bëri lëvizjen e duhur, gjë që bëri të shpërthenin të qeshurat. Mbrojtjen e Çamërisë dhe shpëtimin e saj nga thonjtë e hienës greke Noli e mbajti përherë në qendër të vëmendjes; muajt e pakët të qeverisë së kryesuar prej tij, lëvizja kombëtare në Çamërinë e robëruar prej grekëve pati flakërime veçanërisht të dukshme. At Liolini ka theksuar: “Thonë se sa herë zihej në gojë emri Çamëri, peshkopi, imzot Noli përlotej”. Dhe, duke përfunduar këto pak fjalë për Nolin, bosht qendror të çështjes shqiptare, dua të përmend fjalët e tij kur iu lutën të pranonte kurorëzimin peshkop i kishës shqiptare; ai u përgjigj: “E pranoj me kusht që të mos heq dorë nga mbrojtja e Shqipërisë!”. Dhe ai me të vërtet që këtë zotim e mbajti me vetëmohim: Shkopin e dhespotit kishtar ai e përdori për të gubanisur (shkepur, rrahur) çdo armik të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, kryesisht për goditjen e grekomëdhenjve që shfaqeshin dhe vazhdojnë të paraqiten- më grykës, më të pangopur, më kuçedrakë. Ai ishte dhe mbeti njëri prej të shenjtëruarve më të rrallë të çështjes tërësore shqiptare.

*Historian e Folklorist, Kryetar i shoqatës kulturore “Hasan-Tahsini”

Fan Noli – Anës Lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
rraskapitur dhe kanosur
po vajtonj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
ku e lam’ e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mileti,
anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

se ç’e shempnë derbederët,
mercenarët dhe bejlerët,
se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
nënë thundrën e përdhunës
anës Vjosës, anës Bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
sakatosur, çarmatosur,
as i gjall’, as i varrosur,
pres një shenj’ e pres një dritë,
pres me vjet’ e pres me ditë,
se ç’u tera, se ç’u mpaka,
se ç’u çora, se ç’u mplaka,
lark prej vatrës dhe prej punës,
anës rinit, anës tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

dhe një zë vengon nga lumi,
më buçet, më zgjon nga gjumi,
se mileti po gatitet,
se tirani lebetitet,
se pëlcet, kërcet furtuna,
fryhet Vjosa, derdhet Buna,
skuqet Semani dhe Drini,
dridhet beu dhe zengjini,
se pas vdekjes ndriti jeta
dhe kudo gjëmon trumbeta.
ngrehuni dhe bjeruni,
korini dhe shtypini,
katundar’ e punëtorë,
që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
anës Vjosës, anës Bunës.

Arratisur, syrgjynosur,
raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.