Hyqmet Zane: Mat’hausen, Kampi më i rrezikshëm i gjermanëve. Nazizmi dhe komunizmi – si dy binjakë çnjerëzorë

243
Sigal

Nga Hyqmet Zane

Kush i ka provuar dhe vuajtur në kurriz, e beson të keqen. Kjo më shumë për ata që vuajtën në kampet e shfarosjes në masë gjatë Luftës II Botërore në Gjermani. Ishin shumë kampe të tillë që përdorën gjermanët si modeli i urrejtjes njerëzore ndaj të gjithë atyre që ishin kundër luftës së padrejtë të Gjermanisë ndaj popujve të Europës e më tej. Dhe në mesin e atyre kampeve shfarosës, veçohet Mat’hausen

1945, Mynih, Nuri Zane & Osman Zeneli, pas internimit Gjermani

Pak histori

Ky kamp ishte në tokën austriake ishte më i tmerrshmi sa në të mund të kujdesej për 200 mijë të burgosur. Emri nuk ishte aq i zakonshëm sa për shembull Dachau.

Në Mat’hausen të burgosurit duhej të bënin punën më të vështirë dhe, nëse dobësoheshin shumë, futeshin në makinën e zakonshme të vrasjes dhe në krematoriume. Pikërisht këtë kamp gjermanët e quajtën këtë vend Mord’hausen se Mord do të thotë vrasje.

Në fotot e asaj kohe mund të shihen shkallët e vdekjes,    që ndodhej midis gurores dhe kampit të përqëndrimit.

Të burgosurve të komandës së punës së guroreve iu desh të tërhiqnin blloqe graniti, që peshonin të paktën 50 kg në 186 shkallët e pjerrta 31 metra disa herë në ditë.

Kampi i Mathausenit ne Austri

Ka qenë vendi i disa vrasjeve.

Hapat ishin të rreshtuar në mënyrë arbitrare, gurë të pabarabartë të formave të ndryshme. Gurët shpesh gjysmë metri të lartë kërkonin përpjekje maksimale gjatë ngjitjes.

Ndër të tjera SS u argëtuan duke bërë që rreshtat e fundit të një kolone të rrëshqisnin poshtë përmes goditjeve të këmbëve dhe pistonit në mënyrë që të rrëzonin punëtorët në një grumbull, që secili të rrëzonte fqinjin e tij.

Në fund të një dite pune, kur marshimi për në kamp filloi me një gur në shpatull, anëtarët SS i përzunë të ardhurit e vonuar me grushte dhe shkelma. Ata që nuk ia dolën i dhanë fund jetës së tyre në këtë ngjitje vdekjeje. Ose në “murin e parashautizmit” siç quhej në zhargonin e kampit. Kjo nënkuptonte murin e pjerrët të gurores midis rrugës hyrëse dhe ngjitjes së vdekjes. Ndodhte vazhdimisht që rojet i shtynin të burgosurit në buzë të gurores. Të burgosurit e vrarë në këtë mënyrë quheshin me cinizëm “parashutistë”.

Nga rreth 190 mijë të burgosur të kampit të përqëndrimit të Mat’hausen dhe nënkampeve të tij, të paktën 90 mijë vdiqën në 7 vjet.

Kampi i perqendrimit te Mat’hausen

Një histori e përjetuar

I kam ende në vesh dhe në mendje fjalët e tim eti kur më tregonte me një rrëfim të dhimbshëm se si e provoi kampin famëkeq të Mat’hausen në moshën 33 vjeçare. Ato dy muaj, para se të shkonte në Dakao, ishin ferri i vërtetë i çmendurisë njerëzore. Shpesh thuhet dhe propogandohet se ishin hebrejtë të ekzekutuarit, por në fakt ata ishin njeri nga objektivët e ideologjisë naziste, se pjesa tjetër, që nuk ishte hebreje, vuante po të njejtat mundime deri në shfarosje.

“Unë, – tregonte im atë (Nuri Emin Zane nga fisi Zenelatëve të Filatit) – isha i lidhur me zinxhirë tek këmbët me një shok hebre nga Janina, të cilit i thashë më vonë që të shënonte emrin si musliman. Ngjiteshim malit me kosha në kurriz që na i mbushnin me qymyr dhe zbrisnim poshtë. Ruheshim të mos rrëzoheshim se pastaj përfundonim në krematorium. Ishim të rinj dhe kishim energji, por vuajtjet ishin të mëdha, rraskapitëse dhe tmerruese deri në çmenduri, por i lutesha Zotit të më jepte forcën ta përballoja sakrificën. Ishte një tmerr që veç varrit mund t’ia tregoj se çfarë më ka vuajtur shpirti. Na mblidhnin në rresht dhe na cilësonin me numra, mjerë kujt i binte fati që të digjej në krematorium. Fati e desh që me ndihmën e një shqiptari të quajtur Etem Çako, u caktova të shkoja në Dakao ku vuajta pjesën tjetër derisa u çliruam. Na pyesnin se nga cili vend vinim, çfarë kobësie kishim dhe çfarë feje besonim. Thoshim të vërtetën se gënjeshtra ndëshkohej rëndë. Rasti e deshi që të komunikoja turqisht me një ushtar të kampit që ishte turk dhe m’u krijua lehtësia që të punoja në punë më të lehta se nuk isha komunist. Por Mat’hauseni la gjurmë në kujtesën time. Nuk e besoja që kisha shpëtuar nga ferri i kampit më të tmerrshëm. Para se të na dërgonin në vendet nga vinim, u takova me kushëririn e gruas sime Osman Zenel Taka po nga Filati që jetoi në Lushnje dhe që ishte internuar në Itali fillimisht dhe më pas në Dakao. Por ai u lirua më përpara se ne dhe ai nuk donte të kthehej në Greqi, sepse ishte lidhur me një grua franceze, edhe ajo ish internuar në Gjermnai dhe kishte një fëmijë të vogël me të. Ndikova tek ai që të kthehej në Çamëri se kishte lënë prindërit dhe vëllezërit, ta merrnin vesh që ishte gjallë. Ai u kthye nga Italia në Greqi dhe madje në Shqipëri se në atë kohë Çamëria ishte shkatërruar”.

Mat’hausen

Dhe më tej im atë që me qetësinë që e karakterizonte dhe si njeri, që besonte në Zot, vazhdoi të më rrëfente se “kur hypëm në avion në Hamburg, atëherë e besova që isha i lirë dhe po kthehesha në shtëpinë time. Edhe pse kisha pak muaj që kisha filluar punë si këpucar me ndihmën e një gjermani që e vlerësonin zanatin e këpucarit, duhej të kthehesha në shtëpinë time që të qetësoja veten dhe familjen se, më pas, do kthehesha në Gjermani se kisha lënë punën në mirëbesim me gjermanin që ma krijoi këtë mundësi dhe do të merrja edhe gruan, Nailen me të cilën isha i martuar që nga shtatori 1942, se ajo ishte jetime pa vëllezër dhe vetëm me një motër që nuk e dinte se ku kishte përfunduar me familjen e burrit të saj në Shqipëri. Por çdo ëndërr u shkatërrua me futjen në Shqipëri që më kushtoi shumë”.

Im atë më përmendëte shumë emra të tjerë shqiptarësh që ishin në kampin e Mat’hausen dhe më pas në Dakao si Sotir Kosta Moçi nga fshati Mursi i Sarandës të cilin dhe unë e kam takuar e biseduar. Më përmendëte Met Guberja nga fshati Muriqan i Cërrikut, por edhe Risto Calja nga Stërmeni dhe Jasni Doka nga Elbasani, si dhe Et’hem Çakon nga Durrësi të cilët gjithashtu i kam takuar të gjithë me ndihmën e babait tim.

Mat’hausen – 186 shkallet e vdekjes

Pak paralelizëm realitetesh

Vuajtjet e babait tim, sot i sjell në mendje se çdo informacion për kampet e Gjermanisë, më fut në mendime dhe kujtesa nga bisedat me babain, më sjellin trishtim. Kur sot marr info për pushkatimet e bëra dhe burgjet e tmerrshme të diktaturës dhe internimet si ai në kampin e Tepelenës, bëjnë që të krahasoj ato me kampet e Gjermanisë. Veç shpirti i çdo njeriu që vuajti bugjet dhe internimet e diktaturës, mund të besojë se sa të tmershëm kanë qenë kampet e internimit të Gjermanisë, aq më shumë Mat’hauseni në Austri.

Dy ideologji, nazizmi dhe komunizmi, që kishin të njejtat vepra, por me një ndryshim se Gjermanët burgosën dhe keqtratuan në kampet famëkëqinj popujt e tjerë, ideologjia komuniste burgosi, internoi dhe pushkatoi shtetasit e vet, edhe ata që i kishin shërbyer sistemit gjatë luftës botërore dhe më pas. Vetëm të lexohen shënimet nëArkivin e Ministrisë së Brendshme dhe në tregimet e të burgosurve dhe internuarve, kupton se kjo ideologji komuniste ishte dyfish fatkeqësi për popujt që besuan tek ajo.

Te burgosurit e Mat’hausen

Stalini në Rusi vrau dhe internoi deri në vdekje në vitet ’30 dhe në luftën dhe pas luftës derisa vdiq, vrau miliona e miliona njerëz më shumë se nazizmi e fashizmi të marrë së bashku. Për numrin e  popullsisë ne mbajmë vendin e parë në botë për këtë aspekt.

Nëse themi Mat’hausen, nënkruptojmë pasojat kriminale të ideologjisë së tmerrshme naziste. Dhe protagonistëve të krimeve çnjerëzore të nazizmit iu bë gjyqi i Nyrenbergut. Ende sot e kësaj dite ideologjisë dhe pasojave të komunizmit nuk i është bërë një model Nyrenbergu, veç rrëzimit të tij në disa vende.

Im atë më thoshte “Nazizmi dhe komunizmi janë si dy binjakë për krimet çnjerëzore, që kanë bërë. Por nazizmi ra pas Luftës II Botërore, ndërsa Komunizmi vazhdon të veprojë në kohë dhe në hapësirë si asnjë ideologji tjetër”.