Hasan B. Luçi/ LANÇ është ai “Dielli” Antifashist që nuk mbulohet me shoshë. Bashkëpunëtorët e fashizmit dhe pinjollët e tyre prishën lapidarët për të fshirë historinë e Luftës të shkruar me gjak. Ja heronjtë e Kuçit

959
Sigal

Bashkëpunëtorët e fashizmit e pinjollët e tyre demokratë arritën të prishin bustet, pllakat përkujtimore, muzetë, për të fshirë Historinë e Popullit Shqiptar të shkruar me gjak

LANÇ, është ai “Dielli” Antifashist që nuk mbulohet me shoshë.

Nga Hasan B. Luçi

Kam ndjekur me vëmendje debatin historik të antifashistëve me gjarpërinjtë e vjetër e pinjollët e tyre që kërkojnë të bëhen heronj me bashkëpunimin gjakësor me fashistët italianë e nazistët gjermanë, duke përmbysur historinë fitimtare të aleatëve Antifashistë në botë dhe të LANÇ-it në trojet shqiptare. Për ta bërë më të besuar çështjen fashiste ogurzezë ende sot po përdorin dobiçët e tranzicionit kapitalist çmendurak në emër të demokracisë me faqezezë të vendosur në Shqipëri si stani i buburrecëve të Agron Tufës e lukuni ballistësh, legalistësh etj., të kallëpit fashist e fashizmit të ri demokrat të legalizuar tashmë qysh nga fitorja e PD-së me Sali Berishën në krye në 1992, e cila mirëpriti të arratisurit së bashku me pushtuesit fashistë italianë në 1943 dhe gjermanë në 1944 si edhe të tjerët pas çlirimit të vendit si Abaz Ermenjin në vilën e bllokut, terroristin Gjonmarkaj etj. Ngriti përmendore Ahmet Zogut, i ktheu pronat të birit dhe bëri këshilltar të MP Jashtme spurdhjakun princ Leka etj. Ai vijoi dhënien e parave lum si të përndjekur nga taksa paguesit e popullit me demek si fajtorë pa faj. Por S. Berisha nuk u dha pushtetin, por i tërheq zvarrë për hunde për t’i votuar si garniturë mbeturinash fashiste për të thënë se qeveritë nga 1990 deri sot garantojnë lirinë e të drejtat e e popullit, por në fakt ato të parti-klaneve mafioze, me të cilat vijon koalicionin zgjedhor. Në 2010, S. Berisha e plotësoi planin e vet me krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. PS që hiqet si atdhetare me në krye Edi Ramën e njollosi dhe doli hapur si antikomunist i thekur me kohë si socialdemokraci, me organizimin e ceremonisë zyrtare e ngritjen e përmendores së kryebashkëpuntorit të fashistëve, organizatorit e ideologut të Ballit Kombëtar Mith’hat Frashërit në Tiranë, më 14 nëntor 1918 dhe me financimin e rezolutës të një instituti që nuk ka as detyrë të veprojë si i tillë, paçka se Kuvendi e shtyu për ta miratuar pak më me nge, se ka telashet zgjedhore tashmë, pavarësisht reagimit pas pilafit të hipokrizisë së Taulant Ballës për t’i dhënë titullin “Nderi i Kombit” organizatës së veteranëve, një shaka për të qarë e për të qeshur. Por të vijmë si thonë francezët ( veno a no muto) d.m.th., të flasim për hallin tonë që na polli tashmë 30 vjet nga tranzicioni, rrëmujë, demokrat alla shqiptarçe i mehmurëve, që historia i ka dënuar për gjithmonë pa shpresë rikthimi. Jam dëshmitar i ngjarjeve në fshatin tim, Kuçi i Labërisë që nga Lufta Italo-Greke, LANÇ, epoka e Socializmit dhe e këtij tranzicioni të shpifur., Gjatë luftës italo-greke shtëpia jonë u ndodh mes dy fronteve dhe mbijetuam në shpellat e malit të Vetëtimave, ku jane ende dëshmitarë transhetë ushtarake. Bagëtitë tona i rrëmbyen ushtritë e dy palëve pa asnjë shpërblim. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në fshat filloi që me kuvendin e 6 prill 1939, kur populli vendosi dhe nisi çetën atdhetare për t’i pritur me pushkë fashistët italianë, por ishte vonë megjithëse mjaft ushtarakë kuçiotë luftuan në Durrës, Shëngjin, Vlorë etj. Lufta e organizuar nga PKSh nisi me traktet e hedhura para postës së milicisë fashiste e karabinierëve më 31 janar 1941. Pushtuesit italianë, shërbëtorët e spiunët e tyre tashmë kishin filluar luftën e ashpër kundër qëndresës atdhetare në fshat ndaj veprimeve fashiste. Menjëherë u krijuan grupet e para edukative atdhetare dhe më 15 shkurt u krijua KANÇ-i, u ngrit njësiti i parë partizan,pastaj dy të tjerë dhe dolën ilegalët e parë që i pritëm shpesh në shtëpi. Në maj e korrik 1942 u bënë dy mbledhjet e para në Mrezha të Nake, ku u fol mbi gjendjen dhe organizimin e qëndresës antifashiste. Më 25 qershor 1942 u bë kuvendi i popullit “Ja vdekje ja liri”, që është edhe dita e çlirimit që festohet ende. Në gusht 1942 fashistët bënë arrestimet e para, u vra dëshmori i parë, Shate Rrokaj. Më 10 nëntor 1942 kuçiotët sulmuan postat fashiste pasi u arrestuan dy komunistë, u dogj postëkomanda e milicisë, ku u vra brigadieri italian Mete e dy italianë të tjerë, ndërsa rreth 70 karabinierë që nuk luftuan lanë armët dhe u larguan nga fshati. Ranë dëshmorë Sulo Lalaj e Sali Mirtaj nga 250 luftëtarët kuçiotë që sulmuan e çliruan fshatin, ku fashistët nuk u ngulën më deri në çlirim. Më 28 Nëntor 1942 u çlirua nënprefektura e Kurveleshit në Gusmar. Në dhjetor 1942 në fshat u krijuan çetat “Avni Rustemi”, “Hajredin Tremishti”, “Sulo Lalaj”, ndërsa në 1943 çeta “Toto Bolena” e batalioni territorial “Ismail Haki Kuçi”. Kuçi u dogj, më 16 prill 1943 nga fashistët italianë. Gjyshen dhe mua na zunë në befasi se ishim në shtëpi, të cilën e dogjën me bidonë me benzinë, ku i sollën spiunët në çdo anë të fshatit. Në luftë pati dëme të mëdha jo vetëm njerëzore, por edhe ekonomike që janë gjenocide të pastra të fashizmit dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Nazistët gjermanë e dogjën 3 herë Kuçin e Labërisë. Ata dogjën edhe kasollet e bagëtive. Ne kishim harruar ta zgjidhnim qenin, të cilit po i afroheshin flakët e zjarrit dhe unë shkova ta zgjidhja, por një fashist më goditi në shpinë me qytën e pushkës dhe rashë për tokë, ndërsa gjyshja ia dha kujës, por e kërcënuan të heshtte. Pasi vunë zjarrin 4 shtëpive të fisit tonë, fashistët u shtruan në arat e mbjella dhe ikën pasi lanë pas shkretëtirë. Në Kuç qendër, stërgjyshja jonë Gjyslime Luçi (Dervishi) 120 vjeçe u doli para fashistëve që po spërkatnin shtëpinë me benzinë, por një fashist e shtyu në ferra të përroit në buzë të sheshit të shtëpisë dhe u gjet atje pas dy ditësh në gjendje të mjerë. Po në 1943 filluan kurset e analfabetizmit për popullin edhe në kushtet e luftës antifashiste. Në korrik 1943 Kuçi bëri kuvendin për demaskimin e Ballit Kombëtar në fshat e Hysni Lepenicës etj., dhe heqjen e eksponentëve kuislingë si beut të fshatit etj., në krahina nga parësitë e pleqësitë se nuk përkrahnin luftën për liri. Në gusht 1943 u bë kuvendi për mobilizimin e vullnetarëve të rinj në LANÇ. Fashistët gjermanë u shfaqën në malin e Kuçit në Papadhi, më 2 tetor 1943, ku në luftë me ta u vranë 7 partizanë, 6 kuçiotë dhe heroi Themo Vasi nga Zagoria. Në Operacionin e Dimrit sërish na zunë në befasi gjermanët e ballistët në Katund dhe na futën në një birucë të zahireve familjare, ku mezi merrnim frymë njeri mbi tjetrin. Fashistët herrën bagëti, zien mishin në kazanë në vaj ulliri që ia morën të zotit e shtëpisë. Natën vonë ata gjuajtën me mitrolozë të rëndë dhe nga tronditja vdiq djali 3 vjeç i Imer Mëhillit. Fashistët gjermanë e dogjën tre herë Kuçin, i cili pësoi 7 operacione ushtarake fashiste deri në qershor 1944. Ne jetuam nëpër pyje e male duke ngrënë qull me hithra e lakra. Gjermanët masakruan 120 oficerë italianë në Kuç, në tetor 1943, pasi iu dorëzuan atyre, ndërsa pjesa tjetër e ushtarëve e oficerëve që nuk iu dorëzuan u mbrojtën së bashku nga populli deri në çlirim kur u riatdhesuan, një sjellje fisnike e pa dëgjuar gjetkë për trajtimin e armiqve në kapitullim. Më 2 prill 1944 u vra në pritën e tretë heroi poet Memo Meto. Pas 25 qershorit 1944 fashistët hitlerianë nuk shkelën më atje. Në 1943 në Kuç u vendos shtypi i PKSh, shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, komanda e vendit etj. Kuçi u quajt “Republika e kuqe” ose Stalingradi nga armiku gjatë LANC-it. Kuçi pati 235 luftëtarë në brigadat e njësit partizane të vendit, përfshi Veriun. 237 luftëtarë kuçiotë, nga të cilët 29 gra e vajza pati batalioni territorial që luftoi kudo në jug të vendit. Mbi 200 vajza e gra ishin veprimtare të Luftës partizane, 50 luftëtarë në komandën e vendit. U vranë nga fashistët 145 kuçiotë, u shpallën 94 dëshmorë, tre shoqe dëshmore, të tjerët mbetën viktima. Ranë dëshmorë 7 djem të vetëm, që iu mbyll shtëpia. Armiku masakroi 34 vetë, burgosi e internoi 58 vetë, 25 në Greqi, 8 në kampet e shfarosjes në masë, 25 brenda vendit, 150 luftëtarë morën pjesë në çlirimin e ish-Jugosllavisë. Kuçi pati 103 kuadro komanduese në formacionet partizane, 134 anëtarë të PKSh, nga të cilët 13 shoqe. Shumë luftëtarë të vrarë u quajtën viktima, megjithëse u vranë me armë në dorë gjatë operacionit të dimrit 1943-1944, 35 vetë mbetën invalidë, 29 viktima. Në varrezat e Kuçit janë edhe dy dëshmorë të panjohur. Kuçi u shpall “Fshat Martir”nga Unioni Botëror i Vendeve Martire të Paqes në shtator 1999. Pas çlirimit të vendit kanë rënë dëshmorë 6 kuçiotë në përpjekjet me bandat terroriste-diversioniste, veç dy dëshmorëve në provokacionet greke në 1949 dhe dëshmorëve të punës socialiste. Gjatë LANC-it Kuçi u dëmtua edhe më rëndë ekonomikisht. Vlerësimet e bëra në vitet ’80 të shekullit të kaluar janë: Shtëpi të djegura (tërë fshati) me tërë inventarin 4.500.000 lekë; 200 krerë bagëti të trasha 500.000 lekë;10.000 mijë krerë bagëti të imta 2.000.000 lekë;150 kafshë ngarkese 750.000 lekë;5.000 pemë frutore, tërësisht zgjojtë e bletëve 450.000 lekë; shkolla fillore e fshatit e xhamia me tërë pajisjet 250.000 lekë; 10 dyqane e kafene me tërë inventarin 1.200.000 lekë; 10 mullinj e dërstila 100.000 lekë; gjithsej dëme 10.250.000 lekë. Këto dëme barbare fashiste ishin më të rënda se ato nga djegia e fshatit në 1914 nga ushtria shovene greke, që shkretoi jugun e vendit si në planin njerëzor edhe të pronës së banorëve.

Këto dëme njerëzore dhe ekonomike kanë qenë gjenocide të pastra të fashizmit pushtues italian e nazist, por edhe të bashkëpunëtorëve të fashistëve e pinjollët e tyre me kompani as i zënë në gojë se janë turpi e bëmat e tyre. Vepra e rëndësia madhore historike, politike,ushtarake e kulturore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk do të zbehet kurrë asnjëherë dhe do të shkëlqejë në shekuj, duke verbuar pa dyshim humbësit e asaj kohe dhe pinjollët e tyre bëma që i ndjekin nga pas dje, sot, e mot. Kanë tashmë 28 vjet që përpiqen ta baltosin e mohojnë gjakun e derdhur të popullit shqiptar e në radhë të parë nga rinia mbarë kombëtare shqiptare. Gjatë çlirimit vërtetë u luftuan me të drejtën e fitimtarit atdhetar, por sa nisi tranzicioni u gjallëruan si mizat e dheut dhe kërkojnë “liri -demokraci” për faqen e zezë të tyre, duke shfrytëzuar mundësitë që iu dha “demokracia” kapitaliste e “botës së lirë”. Agron Tufa me rezolutën famëkeqe drejtuar Kuvendit të Shqipërisë ka qenë kulmi i përpjekjeve të klikave të djathta fashiste, duke rivrarë edhe njëherë dëshmorët dhe partizanët e luftës çlirimtare.  Rezoluta e famëkeqit Agron Tufa, i zgjedhuri pa din e iman, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë ka qenë kulmi i tërë përpjekjeve të klikave të djathta fashiste e antikomuniste dje dhe sot në tranzicion për t’i rivrarë edhe në varr “Yjet e Pashuar” të LANÇ-it e të çdo kohe, të hedhin baltë, shpifin e gënjejnë për LANÇ-in e veteranët, të fshijnë historinë e shkruar me gjak dhe rindërtimin e arritjet e mëdha të Shqipërisë së Re nga 1945-1990. Bashkëpunëtorët e fashizmit e pinjojtë e tyre dhe dhelparakët demokratë arritën të prishin bustet, pllakat përkujtimore, muzetë, sipas një mendësie vandalizmi primitiv si dorë e zezë anti kombëtare, antinjerëzore e antikulturore, duke mbuluar veten me turp. Mallkimi popullor do t’i ndjekë në histori dhe në varr se synuan e synojnë me anë të shkatërrimit të gjithçkaje të ndërtuar në socializëm të mohojnë historinë, heroizmin, trimërinë e lavdinë e ndritur jo vetëm të “Yjeve të Pashuar”, por edhe të rilindësve e popullit të kombit tonë, të kujtdo të rëni për liri e pavarësi në shekuj. Balli Kombëtar, Legaliteti etj., parti e organizata fantazmë kërkojnë t’u hiqet cilësimi bashkëpunëtorë të fashistëve pushtues, t’u barazohet statusi i “Dëshmorit të Atdheut” me martirët e Ballit, Legalitetit etj., dhe ish-diversantët mish për top, të cilët vranë mbi një mijë luftëtarë të forcave të ndjekjes popullore, vajzat, cuca të maleve, pionierë etj. Ata vranë edhe heroin Nuri Luçi në Krujë në 1949, ndërsa vëllai i tij Jashari ra dëshmor në 1944-n. Kërkojnë të hiqet cilësimi NACIONALÇLIRIMTAR (07.04.1939-29.11.1944), të hiqen dëshmorët e Luftës Antifashiste të Spanjës (1936-1939); të shtohet cilësimi “shtetasit shqiptarë që kanë rënë duke luftuar me armë në dorë gjatë regjimit komunist në periudhën 21.11.1941-22.03.1991 për t’i barazuar me dëshmorët, se paska qenë luftë civile; 5 Maji dita e dëshmorëve të LANÇ-it të zëvendësohet; apo edhe të ndryshohet. 7 prilli dita e pushtimit fashist musolinian, të hiqen cilësimet “vëllezërit e motrat” kur flitet për të afërmit e të rënëve që përfituan shpërblimin familjar etj. Cilësohet kriminel komandanti legjendar Jaho Gjoligu nga Kuçi, ish-komandant çete në luftën e Vlorës më 1920-n kundër pushtuesve italianë dhe gjatë LANÇ-it ranë dëshmorë dy bijtë e tij, e gjithë familja partizane, se kështu ua do qejfi fashistëve të rinj. U arritën ndryshime në statusin e veteranit e të dëshmorëve të LANÇ-it nga qeverisjet PD- me partitë me tituj si bashkëpunëtore të fashizmit. Mjaft ish-fashistë e diversantë u shpërblyen me shuma të majme dollarësh nga SHBA, si Hamit Matjani etj. Të përndjekurit po bëjnë Aushvic edhe kampin e Tepelenës, ku me të drejtë u internuan familjet e fashistëve, por pushteti nuk u soll me ta si në kampet hitleriane shfarosëse, ndërsa “demokracia” shqiptare u jep dëmshpërblime si fashistëve kriminelë lufte dhe pinjollëve të tyre si dhe të dënuarve për krime ordinere. Loja me dosjet e Sigurimit të Shtetit po përdoret si mburojë, por në fakt harrojnë dosjet e kriminelëve fashistë dhe të Luftës mes vetë fashistëve e pinjollëve për të lehtësuar fajet e gabimet e tyre në luftë dhe pas çlirimit. Mund të vijojmë ende me këto njohje të “vlerave fashiste”, por mendoj se janë mjaft të njohura në popullin tonë që i vuajti dhe nuk e meriton të rivuajë sërish nga fashizmi i ri demokrat 24 karatë. Kjo padrejtësi duhet të marrë fund dhe populli duhet të veprojë sa nuk do të jetë tepër vonë për ta zhbërë këtë kolerë politike të tranzicionit shqiptar, çudia e vetme në botën e sotme, që nuk ndodhi në asnjë vend të ngjashëm me Shqipërinë në luftë kundër fashizmit e bashkëpunëtorëve të tyre. Pse i tremb këta ngjyra e kuqe, kjo ngjyrë është në flamur, në kravata, në veshjet e bukura nëpër festa, ngjyrë që të sjell fat dhe bukuri…?

Qëllimi kryesor i kësaj politike miope e armiqësore, tashmë 30 vjeçare, është të zvogëlohen sa më shumë vlerat e LANÇ-it, të ulet sa më shumë numri i dëshmorëve si treguesi madhor i lavdisë e dinjitetit të LANÇ-it, t’u hiqet faqja e zezë bashkëpunëtorëve të ndryshëm vendas të pushtuesve gjatë Luftës dhe të terroriste-diversionistëve të brendshëm e të jashtëm pas çlirimit që synonin përmbysjen e pushtetit popullor. Kërkojnë të mos njihen djegiet masive, masakrat e mëdha, internimet në kampet e vdekjes etj. Ngjyra e kuqe i verbon këto forca të errëta të gëlojnë gjatë këtij tranzicioni djall. Ngjyra e kuqe nuk u përdor vetëm nga komunizmi, e kanë ende në flamuj, në kravata, veshjet e kuqe si fat për Vitin e Ri etj., edhe në kombe të tjerë. Ngjyra e kuqe ka hyrë në zakonet e traditat tona popullore, pasi simbolizon gjakun e derdhur në shekuj për liri e pavarësi. Pra e kuqja i ka tërbuar e i tërbon këta armiq të LANÇ-it si demat e stadiumeve spanjolle. Këta palo studiues e historianë u mbajnë avazin forcave të errëta që luftojnë kundër lirisë e pavarësisë dhe përparimit njerëzor, kundër të drejtave e lirive të njeriut objektiv atdhetar. Vepra dhe ideali i “Yjeve të Pashuar” nuk mund të vdesë, se këta burojnë nga mëkimi i qumështit të nënës dhe frymëzimi i idealit të lirisë e pavarësisë të Atdheut të vet. “Dëshmorët e Atdheut” e veteranët e LANÇ-it kanë lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen kombëtare shqiptare dhe atë të përparimit të botës mbarë kundër çdo padrejtësie e dhune të egër fashiste e raciste hitleriane. Parulla “Vdekje fashizmit- Liri Popullit” është ende sot e kësaj dite thirrje për të dënuar e shkatërruar tranzicionin e tejzgjatur dhe përpjekjet e tij për të ribërë historinë pasi shkatërroi në mënyrë të pakthyeshme gati tërë Shqipërinë, dëmtoi rëndë ekonominë e kulturën e vendit dhe çështjen kombëtare të bashkimit, rrjedhojat e të cilit nuk dihen ende për të ardhmen. Fashizmi dhe kunjat e tij u dënuan rëndë, megjithëse jo të çrrënjosur si duhet, në shumë vende pas luftës nga fitimtarët. Në Francë u vranë bashkëpunëtorët e fashizmit edhe me gjyqe të shkurtuara apo pa gjyq, përfshi edhe prostitutat që shkuan me fashistët gjermanë. Në Shqipëri dënohet Mehmet Shehu se vrau ballistët që luftonin partizanët në Lushnjë, kur siç thonë francezët “në luftë behët si në luftë, jetë a vdekje, jo mëshirë! ” Fashistët e bashkëpunëtorët e tyre në Shqipëri nuk treguan asnjë rast mëshire, qoftë edhe fetare. Kjo luftë e pamjaftueshme kundër fashistëve në çdo vend ndryshoi me njëherë nga taktika e strategjia anglo-amerikane e përkrahjes dhe e ripërdorimit të t’arratisurve fashistë kundër demokracive popullore socialiste. Populli shqiptar në trojet e veta ende nuk po reagon kundër kësaj murtaje të re fashiste që kërkon të baltosë fitimtarët e të mohojë “Dëshmorët e Atdheut” dhe simbolet e tyre. Ky popull ende nuk po reagon ndaj qeverisjeve antikombëtare dhe antipopullore edhe për pronën private të trashëguar që nuk po shkon tek i zoti dhe po përvetësohet nga të fortët e këtyre qeverisjeve. Ky popull nuk po vepron as për të kërkuar minimumin jetik për të mbijetuar, të paktën normalisht. Nuk protestojnë as pensionistët që marrin thërrimet nga qeverisjet, megjithëse kanë derdhur të hollat për pleqëri të bardhë dhe po kërcënohen të mos u jepet as ky pension dreqi, se mungojnë të ardhurat nga papunësia e madhe dhe vjedhjet biblike të vlerave e pasurive kombëtare nga koncesionet e huaja “mike” që pasurojnë edhe oligarkët qeverisës të shtetit pa ligje, të shtetit ende fantazmë, që nxjerr vetëm ligje për hesapet mafioze.

Shkurt, është koha që populli, veteranët e gjallë, familjet e dëshmorëve dhe çdo atdhetar shqiptar në trojet brenda e në diasporë të ngrejë zërin, të demonstrojë e kërkojë ndalimin e dënimin e çdo organizime të fashistizimit të ri në trojet shqiptare, ku u derdh gjaku e mundi i çlirimtarëve e pasardhësve të tyre.

Popull ji vigjilent, nëse do vërtetë të jesh i lirë e i pavarur nga mortajat e kohës së some. T’i jepet fund kësaj politike kobsjellëse sot, ndryshe këto qeverisje do të bëjnë gjëma më të mëdha në të ardhmen. Pa Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pa Frontin Popullor antifashist shqiptar, Shqipëria mëmë do të ishte copëtuar më tragjikisht se në 1913-n.