Halil Rama: Dali Ndreu, strategu që udhëhoqi luftën për Çlirimin e Tiranës, Lezhës dhe Shkodrës

1415
Sigal

Dali Ndreu, strategu që udhëhoqi luftën për Çlirimin e Tiranës, Lezhës dhe Shkodrës. Zenel Merja: Letrat sekrete të Mehmet Shehut dhe historia me oficerin e SS.

 

Nga 18 gusht 1944, drejtoi Korparmatën e I-rë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, i pari dhe më i madhi i formacioneve ushtarake deri atëherë

-GENOCIDI I PASHEMBULLT – LIRI GEGËN E PUSHKATUAN

SHTATZËNË DHE IA DOGJËN ESHTRAT ME ACID

 

Halil RAMA

  • Në krye të Korparmatës së I-rë, general- major Dali Ndreu, drejtoi mjeshtërisht veprimet e njësiteve luftarake të shumta për çlirimin e Tiranës, njëherazi ato për çlirimin e Lezhës dhe të Shkodrës etj, deri në çlirimin e plotë të të gjithë Shqipërisë

 Historiografia e sistemit monist për tri dekada (1960-1990) shtrembëroi të vërtetat e një prej epopeve më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, siç ka qenë beteja për çlirimin e Tiranës. Nën diktatin e nomenklaturës së kohës që synonte zhbërjen e familjeve të mëdha, siç qe ajo e patriotit  Elez Isuf  Ndreu e Sllovës së Dibrës, u fshi qëllimisht nga historiku i asaj lufte heroike emri i gjeneral – major Dali Ndreut, si drejtues i saj.

Një vit më parë, pikërisht në jubileun e 75-vjetorit të çlirimit të Tiranës, qe prof.dr.Paskal Milo ai që pohoi të vërtetën e pamohueshme të drejtimit të betejës legjendare për çlirimin e kryeqytetit shqiptar prej pushtuesit nazifashist nga general-major Dali Ndreu. Pas shtrembërimeve të qëllimshme nga historiografia komuniste, ky është ndoshta rasti më konkret ku hidhet dritë për një akt kaq madhor. Gjatë një interviste televizive, historiani Milo ndër të tjera tha se:Urdhëri për realizuar betejën për çlirimin e Tiranës, u dha në fundit e tetorit të vitit 1944 nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, për t’u zbatuar nga Korparmata e I-rë me komandant Dali Ndreun, ku në përbërjen e saj ishin disa brigada. Lufta për çlirimin e Tiranës ishte pa dyshim një luftë shumë strategjike, se atëherë kur çlirohet qyteti i një vendi është simbol i çlirimit të gjithë vendit”.

Këtë të vërtetë historike e argumenton më së miri historiani i mirënjohur, Milo, i cili e vlerëson luftën për çlirimin e Tiranës si betejën më të madhe të luftës Nacionalçlimtare, që kurorëzoi atë fitore, që 12 ditë më pas do t’i vinte vulën çlirimit përfundimtar të Shqipërisë. Dita kur trupat gjermane tërhiqeshin drejt Tiranës  dhe u zunë në pritë nga forcat partizane, duke ndezur një betejë gjaku e zjarri për 24 orë rresht, përfundoi me bilancin tragjik të humbjes së jetëve të 2000 ushtarëve gjermanë dhe të afërsisht 300 partizanëve.

Sot në 76-vjetorin e çlirimit të Tiranës nga okupatori nazifashist është dita të kujtojmë me nderim e respekt të veçantë ata që ideuan, drejtuan dhe realizuan fitoren e asaj beteje legjendare, heronjtë dhe dëshmorët e saj. Dhe padyshim edhe strategun e kësaj lufte, komandantin legjendar Dali Ndreu.

DALI NDREU, FIGURA NUMËR DY E LUFTËS PARTIZANE

 

Për vëtë postet drejtuese, gjatë Luftës Antifashsiste Nacionalçlirimtare deri zëvendëskomanadant i Shtabit të Përgjithshëm, general- major Dali Ndreu, njihet si numri dy i ushtrisë partizane. Kjo edhe për faktin se ka drejtuar me guxim, trimëri e largpamësi disa beteja duke trimfuar ndaj pushtuesit nazifashist të vendit.

Ai  ka lindur në Sllovë të Dibrës më 10 mars 1912, në mesin e familjes  madhe të patriotëve Elez Isufi e Sufë Xhelili, të njohur si prijësit legjendarë të luftës 9-vjeçare (1913-1921) të dibranëve kundër shovinistëve serbë.

I biri i Isufit dhe Xhevrijes, i lindur,  rritur dhe edukuar në këtë mjedis atdhetarësh do të krijonte një karrierë të shkëlqyer intelektuale e akademike.

Më 1931, pasi kreu studimet në Shkollën Ushtarake të Plotësimit si oficer artilerie u gradua nëntoger. Fillimisht shërbeu në degën e rekrutimit në Përmet, më pas në artilierinë e divizionit “Kosova” deri më 1933.

Pasi kishte rënë në kontakt  me lëvizjen komuniste të asaj kohe, u anëtarësua në Grupin e Tiranës të themeluar dhe drejtuar nga arsimtari  Hasan Reçi, ku merrnin pjesë shumë oficerë. Ai është në radhën e atyre përparimtarëve të asaj kohe që u dënuan si organizatorë dhe përkrahës të Kryengritjes së Fierit më 1935. Pikërisht atëhere u shkarkua si oficer.

Pinjolli i familjes së ndritur të Elez Isufit, i zellshëm për të rritur nivelin arsimor, pas daljes nga burgu, vijoi studimet për Shkenca Ekonomike në Firence.

Në vitet 1940-1941 inkuadrohet në radhët e formacioneve partizane.  Ai  dha  kontribut të veçantë në ngritjen e strukturave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, pasi kishte aftësi të spiktatura drejtuese dhe organizuese. Siç shkruan dr.Vangjel Kasapi:“Në prill të 1942-shit, para Konferencës  historike të Pezës, në Sllovë të Dibrës formohet njësiti luftarak, që u rrit në çetë me komandant Dali Ndreun. Kudo në aksione shquhet për trimëri, sidomos për aftësi drejtuese ushtarake. Falë origjinës së familjes, për kontribute të spikatura atdhetare-luftarake, dije profesionale, trimëri, drejtësi, gjakftohtësi dhe komunikim të mirë me njerëzit, prej nga gëzonte ndikim të ndjeshëm në popull, në mbledhjen për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ-së, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar e zgjedh Daliun anëtar dhe zëvendëskomandant të këtij institucioni strategjik ushtarak. Pas major Spiro Moisiut (komandant), Dali Ndreu vinte figura numër dy ushtarake në Shtabin e Përgjithshëm të Luftës dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kjo u vlerësua si një ngjitje e madhe e dibranit 31-vjeçar. Gjatë përzgjedhjes u vlerësuan aftësitë e shumanshme ushtarake, karakteri i paepur, maturia dhe pjekuria për gjykimin e situatave, në përpunimin dhe marrjen e vendimeve”.

Për meritat e tij, bazuar edhe te kontributi historik i familjes, me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare caktohet zëvendëskomandant i Shtabit, pra figura numër dy e luftës partizane. Por njëherësh shquhet si një komandant i zoti me aftësi dhe reputacion.

Brigada e III-të Sulmuese ishte formacioni ushtarak që ai drejtoi në fillimet e Luftës Nacionalçlirimtare.

Pas 24 Majit 1944 drejtoi Divizionin e I-rë Sulmues. Me vendimin nr.11, të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, propozuar me shkresën nr.226, datë 16.8.1944, Dali Ndreu gradohet nga “kolonel” në “gjeneral-major”.

Nga 18 gusht 1944,  drejtoi Korparmatën e I-rë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, i pari dhe më i madhi i formacioneve ushtarake deri atëherë.

Në krye të Korparmatës I-rë, ai drejtoi mjeshtërisht veprimet e njësiteve luftarake të shumta për çlirimin e Tiranës, njëherazi ato për çlirimin e Lezhës dhe të Shkodrës  etj, deri në çlirimin e plotë të të gjithë Shqipërisë.

Si udhëheqës i lartë ushtarak, një nga personalitetet e Luftës e të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ai zgjodhi e mbajti një qëndrim shumë të arsyeshëm në marrëveshjet me aleatët ushtarakë të Koalicioni Antifashist Botëror. Anëtari dhe zëvendës i Shtatmadhorisë, komandanti strategjik dhe gjeneral, Dali Ndreu mund të konsiderohet në historiografinë ushtarake të LANÇ-it e të UNÇSh-së, autori i parë i përgjithësimit shkencor dhe i botimit në shtypin ushtarak (gazeta “Luftëtari”, 1945-‘47, sidomos i tri operacioneve më të mëdha operative-strategjike: thyerja e mësymjeve të përgjithshme naziste të dimrit (1943-44) e të verës (1944) dhe të operacionit mësymës për çlirimin e kryeqytetit – Tiranës, kur autorë të tjerë, gjeneralë e studiues nuk ishin shfaqur në mënyrë kaq sintetizuese në opinion publik, ndonëse më vonë ata i zgjeruan e i thelluan ato operacione madhështore të historisë moderne ushtarake të popullit dhe ushtrisë shqiptare.

Por kuçedra që menjëherë pas çlirimit filloj të hajë bijtë e vetë, do t’i vërsulej pabesisht dhe egërsisht edhe drejtuesit të luftës partizane Dali Ndreu. Strategu që kishte shërbyer në formacionet e Dibrës dhe të Tiranës, ish- anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇL dhe numri dy i saj; ish komandant i Brigadës së Parë, komandant i Divizionit të Parë dhe komandant i Korpusit të Parë deri në çlirimin e vendit dhe pas çlirimit Komandant i Prapavijës në Ushtri, ish- deputeti i parë i Dibrës në legjislaturën e vitit 1945, ndërsa në administratën shtetërore të pasçlirimit zëvendësministër – njëri nga tre gjeneralët e asaj kohe (përveç E.Hoxhës dhe Spiro Moisut), pikërisht Ai, që në korrik të vitit 1945, ishte  dekoruar me medaljen më të lartë të asaj kohe, “Ylli Partizan” të Klasit I-rë, dhjetë vjet më vonë, në vitin 1956 arrestohet në bahçen e tij në Sllovë, për t’u dënuar dhe pushkatuar pas një procesi të montuar politik më 25 dhjetor 1956, sëbashku me Liri Gegën, bashkëshorten e tij.

 

 

GENOCIDI I PASHEMBULLT – LIRI GEGËN E PUSHKATUAN

SHTATZËNË DHE IA DOGJËN ESHTRAT ME ACID

 

Kanë kaluar  64 vite që nga dita më e kobshme e jetës së saj, por Lavdie Merlika-Ndreu, vajza e vetme e Dali Ndreut e Liri Gegës, që aktualisht jeton në Laprakë, e ka të ngulitur në memorie ndarjen tragjike me prindërit e saj: çastin e arrestimit, lajmin për vdekjen e tyre dhe pushkatimin e nënës shtatzënë. E rritur me brengën dhe dhimbjen e tyre, kujton se ka qenë vetëm tetë vjeçe atëherë, por i mban mend me detaje rrethanat e tragjedisë dyfishe.

“Sa kishim shkuar te xhaxhai në Sllovë, kur erdhën dhe i arrestuan papritur. Thanë se i kapën në kufi duke u arratisur. Pas tre muajsh mbërriti lajmi se i dënuan me vdekje si armiq të popullit”, kujton ajo.

Ndërsa në dokumentet e Sigurimit rezulton se prindërit e saj, dy nga personazhet e njohura të lidershipit komunist, janë pushkatuar në të njejtën ditë, me akuzën për tradhti ndaj atdheut dhe tentativë arratisjeje për të kaluar kufirin për në Maqedoni, Lavdia thotë se ky është një mashtrim i paskrupullt. “Ata janë arrestuar në oborrin e shtëpisë së xhaxhait, në Sllovë të Peshkopisë. A mund t’i thuash kufi shtetëror portës së gjyshit ku kishim shkuar për të qëndruar disa ditë?! Marrëzi, marrëzi pa fund…  Atë skenë e kam parë nga afër. Atëherë isha tetë vjeçe. Arsyeja që kishim shkuar në vendlindjen e prindërve në Sllovë lidhej me shëndetin e vëllait, Sokolit. Ai ishte dy vjeç dhe vuante nga një sëmundje kronike. Ishte kuruar për të disatën herë në spitalin e Tiranës. Mjekët më në fund kishin rekomanduar  të frekuentonte klimë malore. Pas konsultës me ta, prindërit vendosën të shkonim në Sllovë. Aty kemi mbërritur një natë para se t’i arrestonin”, kujton Lavdia me sytë e përlotur. Sot ajo është bërë gjyshe dhe kujton gjithë genocidin që kaloi familja e saj dhe gjithë fisi emërndritur Ndreu i Sllovës.

Me prindërit është ndarë kur ishte tetë vjeçe. Asokohe jetonin në katin e dytë të një shtëpie private te Rruga e Kavajës. Dali Ndreu e Liri Gega kishin ardhur aty fill pas luftës. “Babai, me sa mbaj mend, ishte drejtor i ndërmarrjes së ndërtimit, po shpesh i flisnin gjeneral. Mamaja punonte mësuese në shkollën pedagogjike te Rruga e Elbasanit. Unë vazhdoja shkollën te ‘Hasan Vogli’. Si fëmijë, kuptohet nuk kisha si t’i dija peripecitë që kishin kaluar prindërit deri atëherë. Ajo që ndieja ishte rrallimi i vizitave të miqve dhe shokëve të tyre, të cilët dikur hynin e dilnin shpesh”,-kujton Lavdia. Por gjithsesi, nga memoria e saj nuk shqitet momenti i arrestimti të prindërve. “Teksa rrija e shtangur para gruas së xhaxhait, dëgjova zërin e mamasë që i thoshte: Amanet djalin, Sokolin! Sakaq, u hodh babai qortueshëm: Amanet Lavdijen, se ajo do t’i mbajë mend të gjitha! Kaq ishte gjithçka. Ku ta dija se ai do të ishte komunikimi i fundit me ta. Tek u ndamë, i ndoqa me sy derisa i futën forcërisht në makinë. Deri në fund mamaja nuk i shkëputi sytë nga unë…”.

Rrëfim vërtetë tronditës i vajsës së një prej gjeneralëve më të shquar të LANÇ-it. Dali Ndreu dhe bashkëshortja e tij Liri Gega u eleminua nga diktatori E.Hoxha me skenarin ogurzi të tradhtisë ndaj atdheut. Diktatori shihte ëndërra me skenarë të sajuar për rrëzimin e tij nga froni, ndaj dhe nuk nguroi të shpallë armiq e të eleminojë një nga një ish – gjeneralët që organizuan dhe udhëhoqën Luftën e lavdishme nacionalçlirimtare. Vetëm një mendje e çmendur mund të shpallte  “agjent të Beogradit” dhe me këtë akuzë absurde të ekzekutonte një gjeneral të shquar si Dali Ndreu, pinjoll i një fisi të madh dhe të njohur për tradita patriotike. Dhe për më tej të arrinte deri na aktin makabër të ekzekutimit të nënës shtatzënë (me fëmijë në bark) Liri Gega dhe të djegies së eshtrave të saj me acid…

 

DALI NDREU, NGA “ARMIK I DIKTATURËS”

SOT “NDERI I KOMBIT”

 

 

Trembëdhjetë vjet më parë, më 15 gusht 2007, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë Tiranë (ish-SHQUP), u organizua ceremonia e dekorimit të Gjeneral Dali Isuf Ndreu, me Urdhërin e lartë “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), akorduar nga ish-Presidenti i Republikës, SHT Z. Alfred Moisiu, me dekret Nr 5403, datë 17.07.2007. Ceremonia u organizua nga Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ-it. Në këtë ceremoni ku morën pjesë personalitete të larta politike të asaj kohe, deputetë e oficerë madhorë, miq dhe të afërm të familjes Ndreu, mbi jetën dhe aktivitetin e gjeneral Dali Ndreut, foli Heroi i Popullit, gjeneral-lejtënant Rrahman Parllaku. Mbi të gjitha, Parllaku evidentoi rolin determinant të gjeneral-major Dali Ndreut në luftën për çlirimin e Tiranës.

“Drejtimi i Operacionit iu ngarkua komandës së Korparmatës së Parë me komandant gjeneral Dali Ndreun, e cila krijoi një grup operativ për drejtimin e luftimeve në kryeqytet. Për zhvillimin me sukses të operacionit, Komanda e Përgjithshme i dha në vartësi Korparmatës së Parë, përveç tri brigadave: I, IV dhe III, edhe brigadat e XV dhe XXIII.”, -tha ndër të tjera gjeneral Parllaku në atë ceremoni mbresëlënëse, ku me propozimin e tij, Dali Ndreu, i dënuar dhe ekzekutuar tragjikisht nga diktatura komuniste, tashmë do të shpallej “Nderi i kombit”. Dhe duke rrëfyer të vërtetat e LANÇ-it Parllaku vijoi: “Kush e ka drejtuar këtë luftë?! Mos vallë “jashtëtokësorët”, pasi nuk ka asnjë emër komandanti nga Korparmata, grupi i drejtimit direkt të luftës në qytet dhe të asnjë komandanti të 11 brigadave!!!! Për mua nuk përbën ndonjë çudi, por ndonjë i ri ose persona që e dinë se njësitë e repartet në luftë komandohen, duan të dinë se kush ka qenë në krye të këtyre reparteve. Prandaj nuk përmenden emrat e gjeneral Dali Ndreut – komandant i Korparmatës I-rë, që drejtoi operacionin për çlirimin e Tiranës, Mehmet Shehut –komandant i divizionit dhe drejtues i shtabit të këtij operacioni, si dhe emrat e drejtuesve të tri brigadave që vepruan direkt dhe drejtuan me mençuri, largpamësi, guxim e heroizëm luftimet e kryeqytetit, si: Muhamet Prodani, Arif Hasko, Nexhip Vinçani, Pëllumb Dishnica, Qazim Kondi e Bajram Sinojmeri. Të tillë kanë qenë edhe drejtuesit e 8 brigadave të tjera, po edhe emrat e tyre nuk përmenden.”

Do të duhej kjo dëshmi e legjendarit në kufirin e dy kohëve, Rr.Parllaku (i cili fatmirësisht jetoi një shekull dhe la të shkruar të vërtetat e pamohueshme të LANÇ-it), për të hedhur dritë mbi të vërtetën e organizimit e të drejtimit të betejës për çlirimin e Tiranës dhe për vlerësimin e komandantit të kësaj beteje Dali Ndreu, duke i dhënë atij dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Dali Ndreu ishte një yll që shkëlqeu në vargun e personaliteteve ushtarake shqiptare, por që, për fat të keq, u fik shpejt, atëherë kur mund të ndriçonte më tepër.