Gjeneral-Majori Ernest Jakova: Student aviacioni në Itali, ilegal në Tiranë, lidhja me Babë Myslymin

821
Rrëfim për “Telegraf”/Historia ashtu siç është e përcjellë nga një dëshmitar që e ka jetuar, flet për jetën, shkollimin në Itali, karrierën, shokët e Luftës dhe të pas Luftës
Flet Gjeneral-Majori Ernest Jakova: Student aviacioni në Itali, ilegal në Tiranë, lidhja me Babë Myslymin dhe përballja në Malin e Dajtit me profesor-togerin italian 
Në çfarë moshe e keni marrë Gradën Gjeneral?
Grada Gjeneral-major më është dhënë në vitin 1963, në moshën 40-vjeçare, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, nga Kryeministri Mehmet Shehu me miratimin e Enver Hoxhës. Gradën Gjeneral-Major e morën njëkohësisht me mua edhe oficerët Abaz Fejzo e Mendu Backa.
Si i kujtoni vitet e vegjëlisë?
Kam lindur në Shkodër, më 26 janar 1921, megjithëse në të gjitha dokumentet e mia viti i lindjes është 1923. Babai im Kola, me profesion marangoz, në vitin 1928 shpërngulet me gjithë familjen nga Shkodra në Tiranë. Në Tiranë kam kryer shkollën fillore (pesë vjeçare) dhe katër vitet e para të gjimnazit (semi-maturën). Është për t’u përmendur këtu që unë fizikisht në këtë moshë kam qenë shumë i dobët dhe sëmuresha shpesh. Kur isha në klasën e tretë të gjimnazit, në moshën 14 vjeçare, rasti e solli që unë të gjej një fletore me ushtrime gjimnastikore force të vëllait tim më të madh, Toninit. Ushtrimet ishin përgatitur nga një profesor anglez i fizkulturës, njëkohësisht edhe doktor, me emrin Lionel Stebing, i cili ndër udhëzimet që jepte, nënvizonte që kryerja me seriozitet e këtyre ushtrimeve të forcës, në seanca gjysmë ore, çdo ditë (mundësisht në mëngjes) për një muaj resht, e përgatisin trupin dhe e bëjnë të aftë për të marrë pjesë në çdo sport. Për një muaj e gjysmë unë i bëra këto ushtrime me dëshirë të madhe dhe duke i zbatuar me përpikëri të gjitha kërkesat. Rezultati ishte me të vërtetë mbresëlënës. Këto ushtrime çudibërëse e ndryshuan përgjithnjë jetën time. Nga një fëmijë shëndetlig gradualisht unë u bëra një atlet i dalluar. Më vonë këto ushtrime ua kam rekomanduar edhe djemve të mi, të fisit dhe shumëkujt tjetër. Një pjesë të këtyre ushtrimeve unë vazhdoj t’i aplikoj edhe sot në moshën 95 vjeçare.
Përse zgjodhët Shkollën Ushtarake në Itali?
Shkollën Ushtarake në Itali, nuk e zgjodha unë, por babai im. Për të lehtësuar shpenzimet e familjes me shumë fëmijë, prindërit preferonin që një nga djemtë të shkonte në shkollë për oficer. Ne Familjen tonë, radha më ra mua për të shkuar në një shkollë ushtarake në Itali, në vitin 1937. Në Italinë e asaj kohe, kishte tre shkolla ushtarake: ajo e Romës, e Napolit dhe e Milanos. Sipas një marrëveshjeje shtetërore me Italinë, çdo vit në njërën nga këto shkolla shkonin 30 nxënës nga Shqipëria. Në vitin 1937 nxënësve nga Shqipëria iu ra radha për në Shkollën Ushtarake të Milanos. Modeli i shkollës ishte i ngjashëm me Shkollën “Skënderbej”, që u ngrit më vonë në Shqipëri. Shkolla ishte tre vjeçare me tre kurse, ku kryheshin tre vitet e fundit të gjimnazit (matura) dhe stërvitje e jetë ushtarake. Ndërtesa e shkollës ishte e madhe, tre katëshe dhe e pajisur më së miri dhe me profesorë dhe oficerë të zgjedhur për të gjitha lëndët. Komandant i Shkollës Ushtarake Milano ishte Koloneli Munjaj, Komandanti i Kompanisë sonë ishte Kapiteni Taralo dhe Komandanti i Togës sonë me shqiptarë, ishte Toger Kualia. Nuk mund të mos përmend dy ngjarje të veçanta që kanë lidhje me këtë shkollë: 
– Kishin kaluar tre muaj nga fillimi i vitit të parë të shkollës. Kompania jonë e përbërë nga tre toga me nxënës italianë dhe toga jonë me shqiptarë, gjithsej 120 vetë, kishte shkuar për të bërë qitjen e parë në një poligon, në veri të Milanos. Ngjitur me poligonin ishte një stadium i madh ushtarak. Mbasi mbaroi qitja, Kapiten Taralo, i cili dikur kishte qenë edhe atlet, urdhëroi: ”Të gjithë të dalin me mbathje dhe të vihen në start. Fiton ai që bën më shumë xhiro rreth stadiumit”. Të gjithë u zhveshëm dhe u vumë në start. Pasi Kapiten Taralo dha komandën, të gjithë u nisëm me shpejtësi. Pas 200 metrave të para shumë nga nxënësit u shtrinë në tokë dhe nuk mund të vraponin më tutje. Mbas xhiros së parë(800metra), në garë kisha mbetur vetëm unë dhe desha të ndaloj, por Kapiten Taralo bërtiti: “Mos ndalo, vazhdo sa të mundesh, mos na shiko ne”. Unë e ndjeja veten të freskët dhe mund të vrapoja edhe shumë xhiro të tjera. Mbasi kisha bërë edhe tre xhiro e gjysmë, 400 metrat e fundit e rrita shpejtësinë dhe ndalova. Ishin 119 nxënës dhe 10 oficerë që po pritnin që unë të ndaloja. Të nesërmen në shkollë gjithandej dëgjoja zëra: “Jakova atleta”. Menjëherë më futën në grupin e atletëve të shkollës, për të marrë pjesë në garat që zhvilloheshin çdo dy vjet ndërmjet tre shkollave ushtarake të Italisë.
– Në Tetor të vitit 1943, unë dhe Mahmut Agolli, dikur studentë në Shkollën Ushtarake të Milanos dhe tani partizanë të Brigadës III Sulmuese, ndodheshim në grykën e Erzenit, pas malit të Dajtit. Papritur na del përpara Toger Kualia, komandanti i togës sonë në shkollën ushtarake në Milano. Ai na njohu, u drejtua nga ne dhe tha “Unë ju kam mësuar ta doni atdheun” . Pastaj nxori nga çanta një kulaç, e ndau tresh dhe e hëngrëm sëbashku. Pas shumë vështirësish, Toger Kualia arriti të kthehet në Itali.
Përse zgjodhët Akademinë Ushtarake të Aviacionit në Kazerta?
Arsyeja ishte se në Akademinë Ushtarake të Aviacionit në Kazerta, leksionet që bëheshin në dy vitet e para ishin të njëjta me ato të Fakultetit të Inxhinierisë dhe unë kisha synimin që më pas të përfundoja Fakultetin e Inxhinierisë. Akademia ishte tre vjeçare. Në leksione unë përgatitesha mirë. Më kujtohet që në provimet e matematikës unë nuk tërhiqja tezën për tu përgatitur, por përgjigjesha direkt për pyetjet që më bënte komisioni dhe merrja notën më të mirë. Fluturimet me avion zhvilloheshin tre muajt e verës të vitit të dytë me aeroplanin “Breda-25” dy vendesh dhe dopio-komandë dhe gjithë vitin e tretë me aeroplanin RO-41 dy vendesh dhe dopio komandë. Fluturimet me aeroplanin Breda-25 zhvilloheshin një ditë po një ditë jo, 20 minuta në ditë. Më kujtohet që në skuadrën time prej 10 vetësh, unë isha i dyti që jam lejuar të fluturoj vetëm, pa instruktor, pas 5 orëve fluturimi me dopio komandë. E kishim të ndaluar të bënim akrobaci para kohe dhe pa instruktor, por kurioziteti dhe dëshira ishin aq të forta sa që e thyenim këtë rregull. Unë kisha dëgjuar me vëmendje nga një student italian për mënyrën e realizimit të “Rrethit Vertikal” ose “Tonon” si e quanin në akademi dhe një ditë gjatë fluturimit me aeroplanin Breda-25, mbasi u largova nga fusha e fluturimit fshehurazi e realizova edhe këtë figurë. Në pushimet e vitit të dytë të akademisë, ndërsa ishim në Shqipëri, më 20 Korrik të vitit 1942, bashkë me shokun e shkollës Mahmut Agolli, dolëm ilegalë. Fillimisht kemi shkuar në shtëpinë e Munir Kokalarit, në rrugën e Elbasanit, ku kemi banuar katër ditë.
Çfarë aktiviteti keni kryer në ilegalitet?
Katër ditë pasi kishim dalë në ilegalitet, bashkë me Mahmut Agollin morëm pjesë në aksionin e rëndësishëm të ndërprerjes së ndërlidhjes telefonike në të gjithë Shqipërinë. Unë isha caktuar në grupin e Mihal Durit. Në këtë grup bënin pjesë Mihal Duri, Xhikë Sina, një djalë i ri që nuk ia kujtoj emrin dhe unë. Grupi ynë kishte për detyrë prerjen e telave telefonikë në Farkë, në mesnatën e datës 24 korrik 1942. Nisjen e bëmë herët në mëngjes nga shtëpia e Xhikë Sinës, në Rrugën e Bamit. Ndoqëm itinerarin rrëzë malit të Dajtit. Sapo kishim mbërritur në Farkë, me ne u bashkua edhe një fshatar që na kishte përgatitur një sharrë dhe dy sëpata. Pasi premë shumë shtylla dhe tela, në errësirë morëm rrugën për t’u kthyer në Tiranë nga kishim ardhur. Rrugës vura re se silueta e malit të Dajtit dukej më larg se sa kur kishim ardhur për në Farkë dhe mendova mos kishim devijuar nga rruga. Këtë dyshim ia them Mihalit, por ai insistoi se ishte po ajo rrugë nga kishim ardhur. Në fakt ne po ecnim paralel me rrugën e Elbasanit, shumë afër saj dhe përfunduam pranë Kazermës së Milicisë, që më pas u bë Sanatoriumi. Aty qëndruam nën një pemë për të pushuar dhe Mihali vuri detyrë të flinim një orë, duke bërë secili 15 minuta roje. Mua më ra radha të bëja roje i fundit. Sa kishte filluar të zbardhte dita, kur një milic me pushkë krahaqafë që zbriti nga një pemë, jo më shumë se 40 metra larg nesh dhe u fut në kazermën që ndodhej fare pranë. Unë shpejt zgjoj Mihalin dhe dy të tjerët dhe u tregoj se çfarë kisha parë. Të katër nisemi menjëherë në drejtimin të një pylli të vogël që kishim përpara dhe më pas dalim në një vend të hapur. Në këtë moment papritur shoh siluetat e tetë milicëve që me armë në dorë, në formacion, vinin në drejtimin tonë. Nuk ishin më shumë se 70 metra larg nesh, kur unë bërtita:”Milicët” dhe të katër u shtrimë barkas. Milicët filluan të qëllonin drejt nesh me breshëri. Me shpejtësi ngrihemi dhe drejtohemi nga pylli nga ku sapo kishim dalë. Mbasi kalova pyllin dola i vetëm në një rrugicë. Revolen që kisha në dorë e vura në brez dhe vazhdova rrugën për t’u futur në Tiranë sipas planit. Duke ecur, rreth 20 metra anës rrugës shoh një mitraloz kundra-ajror në pozicion zjarri dhe një ushtar italian me pushkë krahëqafë, pranë tij. Unë vazhdova rrugën duke qenë i gatshëm për ta qëlluar, por ai nuk lëvizi fare. Mbas pesë minutash u gjenda rastësisht pranë hyrjes së shtëpisë së Munir Kokalarit, ku ishim strehur prej katër ditësh. Aty gjeta Mahmutin, që sapo ishte kthyer nga aksioni i prerjes së telave në Rrugën e Durrësit. Pas dy orësh unë dhe Mahmuti, të shoqëruar nga Isuf Keçi, me një pajton marrim rrugën Tiranë-Ndroq dhe nga dreka mbërrijmë në Pezën e Madhe. Ishte data 25 korrik 1942. Me Mihalin u takuam pas një muaji në Pezë dhe më tregoi se ata të tre të ndjekur nga milicët nuk hynë atë ditë në Tiranë.
Takimi i parë me Pezën dhe Çeta e Pezës?
Sa mbërrijmë në Pezën e Madhe, unë dhe Mahmuti të parin që takuam ishte vetë Myslym Peza, shtruar në një shilte përpara shtëpisë së tij, duke biseduar me disa shokë. Ky ishte takimi i parë dhe shumë i përzemërt me komandantin heroik Myslym Peza, i cili ishte në moshën 45 vjeçare. Çeta e Pezës ishte e para që kishte filluar luftën kundër pushtuesve fashistë italian dhe ishte bazë për krijimin e çetave të tjera në Shqipëri. Çeta e Pezës përbëhej nga 40 veta të përhershëm dhe në kohë lufte arrinte mbi dyfishin e luftëtarëve. Beteja e parë e Çetës ka ndodhur në vitin 1941, mbasi sulmohet në befasi nga 200 karabinierë italianë, në Pezën e Madhe. Çeta menjëherë çan rrethimin duke vrarë shumicën e karabinierëve italianë. Në këtë betejë dallohet në mënyrë të veçantë Xha Kasemi nga Maknori i Pezës së Madhe. Ai me një pushkë të shkurtër me gjashtë fishekë, arriti të vrasë njërin pas tjetrit, brenda një minute, gjashtë Karabinierë italianë. Të tillë ishin të gjithë luftëtarët e Çetës së Pezës. Pasi pësoi këtë disfatë, Komanda Italiane nuk e sulmoi më Pezën, deri mbas zhvillimit të Konferencës së Pezës. Ndërsa Çeta e Pezës nuk i kanë ndërprerë asnjëherë veprimet luftarake kundër pushtuesve italianë. Terreni krahinës së Pezës ishte kodrinor shumë thyer, i mbuluar me shkurre e mare, shumë i përshtatshëm për luftë partizane. Populli i Pezës ishte shumë i varfër. Prodhonte pak bereqet, pak zarzavate dhe pak duhan. E vetmja pasuri e vendit ishin ullinjtë e trashëguar dhe pak bagëti e imët, të cilën e mbanin brenda në shtëpi, në një ndarje të veçantë. Për të siguruar jetesën ishin të detyruar të shisnin në Tiranë dru dhe qymyr. Nuk mund të lë pa përmendur dy episode me Myslym Pezën dhe njohjen me Kajo Karafilin:
– I ftuar në një dasmë në Pezë, që zgjati tre ditë, ai më mori edhe mua me vete. Në drekën e parë të dasmës më uli pranë tij dhe kur i vunë përpara bishtin e dashit, ai e mori dhe ma vuri përpara mua. Unë kisha qenë student në Akademinë e Aviacionit, kisha braktisur studimet dhe kisha dalë partizan në Çetën e Pezës dhe ai më vlerësonte shumë për këtë.
– Një herë tjetër, Myslym Peza organizoi një qitje mësimore me partizanët e Çetës. Kushtet e qitjes ishin: me tre fishekë me pushkë të gjatë, në këmbë pa mbështetje, nga lart poshtë në distancën 400 metra. Qitja zhvillohej një pas një, në një tabelë. Në përfundim rezultoi që shumica dolën me një goditje në shenjë, pak vetë me dy goditje dhe vetëm unë me tre goditje pranë njëra tjetrës. Rezultati im në këtë qitje u vlerësua shumë nga Myslymi dhe pezakët.
– Kajo Karafili ishte një djalë në moshën time, nga Pogradeci. Ai ishte i zgjuar, kishte shumë të zhvilluar intuitën dhe nuhatjen dhe i shpejtë në veprimet që i llogariste mirë, ecte shumë dhe shumë shpejt. Nuk pinte raki por hante mirë. Duke qenë se kishte shumë dëshirë për të mësuar shkrim e këndin unë u bëra mësuesi i tij i parë. Gjatë kohës që rrinim bashkë më ka treguar për jetën e tij. Babai i kishte vdekur në burg, i kallëzuar nga i vëllai për t’i marrë pasurinë. Kajo në moshë të vogël, shumë i zëmëruar me xhaxhanë, gjen një pushkë dhe fillon të stërvitet me të. Ai stërvitej në një vend që të mos dëgjoheshin krismat dhe kur u sigurua që qëllonte në shenjë, i zuri pritë dhe e vrau. Kur dyshoi se mund të zbulohej, emigroi në Jugosllavi ku u njoh me Myslym Pezën, me të cilin u kthye në Shqipëri dhe formuan Çetën e Pezës. Kajo Karafili, njëri nga atentatorët më të mirë të Luftë Nacional-Çlirimtare, u vra nga gjermanët në luftën e Lis-Patrosit të Kavajës më 10 janar 1944. E fejuara e tij, Myrvete Peza, që luftonte për krah tij, kur e pa Kajon të vrarë, vrau veten.
Cili ishte aksioni i parë ku keni marrë pjesë me Çetën e Pezës?
Gjatë gjithë kohës që kam qëndruar në Çetën e Pezës, deri në tetor 1943, kur u formua Brigada III Sulmuese në Arbanë, unë kam marrë pjesë në të gjitha aksionet e saj. Aksioni i parë ku kam marrë pjesë ishte prita në Qafë-Kërrabë. Më pas prita në Marikaj, beteja me italianët që sulmuan Pezën mbas përfundimit të Konferencës së Pezës, sulmi kundër Postës së Policisë në Rrogozhinë, etj. Këto aksione, ndonëse ishin aksione me pak forca, përfunduan të gjitha me sukses dhe patën jehonë të madhe në popullatë dhe ndikuan në rritjen luftë kundër okupatorit. Në pranverën e vitit 1943 Çeta e Pezës organizohet në Batalion, ndërsa në vjeshtën e po atij viti formohet Grupi i Pezës me katër batalione. Unë isha Zv/Komandant i Batalionit III, me Komandant Kajo Karafilin. 
Çfarë kujton nga zhvillimi i Konferencës së Pezës?
Konferenca e Pezës u mbajt në Pezën e Madhe, më 16 Shtator 1942. Partizanët Çetës së Pezës ishin organizuar në grupe, të vendosur në fshatrat rreth Pezës për sigurimin e zhvillimit normal të konferencës. Unë me Mahmut Agollin dhe dy partizanë të tjerë ishim në fshatin Kolaj. Konferenca ishte organizuar në mënyrë të fshehtë. Gjatë gjithë zhvillimit të konferencës nuk ndodhi asnjë e papritur. Mbasi konferenca mbaroi punimet dhe të gjithë delegatët u shpërndanë, forcat italiane e sulmuan Pezën dhe e dogjën atë. Autori i organizimit të Konferencës së Pezës, e cila hodhi bazat e luftës dhe krijoi ushtrinë nacional-çlirimtare ishte pa asnjë dyshim, Mustafa Gjinishi. Duke qenë komisar i Çetës së Pezës, në kushtet kur në Shqipëri vepronin vetëm tre çeta të vogla, Çeta e Myslym Pezës, Çeta e Ismail Petrelës dhe Çeta e Mestan Ujanikut, Mustafa Gjinishi me mençuri, durim dhe këmbëngulje, ngriti çështjen e luftës dhe arriti t’i bindë nacionalistët dhe komunistët shqiptarë, që për interesat e kombëtare t’i linin mënjanë rezervat që kishin për njëri tjetrin dhe të mblidheshin në një konferencë të përbashkët, për të vendosur për fatin e atdheut. Për momentin vendi i përshtatshëm u zgjodh Peza e Madhe, që ishte e lirë dhe afër Tiranës. Konferenca, që u mbajt më 16 Shtator 1942 dhe që nga pjesëmarrja dhe mënyra si u zhvillua ishte një konferencë pluraliste, u quajt Konferenca e Pezës. Në Konferencën e Pezës morën pjesë delegatë përfaqësues nga të gjitha rrymat politike te kohës:
– Nga Partia Komuniste:Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Tuk Jakova, Enver Hoxha, Nako Spiru, Nexhmije Xhuglini;
– Nga Nacionalistët: Ndoc Çoba, i cili drejtoi punimet e konferencës, Abaz Kupi(i njohur si Bazi i Canes) përfaqësues zogist, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani(i njohur si Baba Faja), Ismail Petrela, Halim Begeja, Muharrem Butka, Ramazan Jarani, Naim Starova, Ramadan Çitaku, Mustafa Kaçaçi si dëgjues, si dhe Skënder Muço e Azis Çami. Ishin të ftuar por nuk morën pjesë Musa Puka dhe Kamber Qafëmolla.
Konferenca i zhvilloi normalisht punimet. Ajo hodhi bazat e Luftës për Çlirimin e Shqipërisë dhe vendosi:
– Drejtimin e përbashkët të veprimeve luftarake të forcave të të gjitha palëve
– Formimin e këshillave të përbashkët të fshatrave dhe krahinave, si baza e pushtetit popullor të luftës;
– Pas çlirimit, formimin i një qeverie të përbashkët demokratike.
Konferenca i drejtoi popullit shqiptar thirrjen: “Të gjithë në luftë kundra fashizmit, pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Thirrja pati jehonë në gjithë Shqipërinë. Populli ju përgjigj menjëherë kësaj thirrjeje, por ai preferoi më tepër të bashkohej me çetat partizane, që po luftonin me pushtuesin dhe shumë më pak me çetat balliste dhe të legalitetit, që nuk po luftonin me pushtuesin me parrudhën: “S’ka ardhur koha”.
Brenda dhjetë muajve, çetat partizane u shtuan dhe u rritën në batalione e grupe territoriale në bazë krahine, me përbërje 4-5 batalione secili. Më 10 Korrik 1943 krijohet Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe formohet Brigada e Parë Sulmuese, me zonë veprimi të gjithë Shqipërisë. Brenda një viti deri në Kongresin e Përmetit, më 24 Maj1944, numri i brigadave sulmuese të ushtrisë së rregullt nacional-çlirimtare arriti në njëzet e pesë. Këto brigada u inkuadruan në gjashtë divizione dhe këto në tre korparmata, që çliruan gjithë Shqipërinë. Dua të theksoj edhe një herë që Mustafa Gjinishi është jo vetëm “autori” i Konferencës së Pezës, por edhe krijuesi i ushtrisë nacional-çlirimtare. Ai është figura e parë e shquar e Luftës Nacional-Çlirimtare dhe meriton të përkujtohet edhe me ngritjen e një përmendoreje pranë shtëpisë ku u zhvillua Konferenca e Pezës dhe në qytetin e tij të lindjes, në Peqin. Për rëndësinë e saj të madhe, Konferenca Pluraliste e Pezës festohet me madhështi çdo vit më 16 Shtator në Pezën e Madhe. Por shpesh ka ndodhur që, mbas fjalimit të përfaqësuesit të qeverisë ta marrin fjalën, pa qenë të autorizuar, edhe personazhe si P. M. që kërkojnë ta paraqesin Enver Hoxhën si autorin e Konferencës së Pezës, kur ai në fakt i sabotoi vendimet e saj. Si u sabotuan vendimet e Konferencës së Pezës?
(Vijon)
Sigal