Gëzim Loka: 9 maj, dita e fitores mbi fashizmin

608
Sigal

Pala shqiptare u rreshtua përballë kësaj lufte kundër nazi-fashizmit me rreth 70 mijë luftëtarë.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, një faqe e ndritur e historisë së kombit shqiptar

  Gëzim LOKA

Tani që po afrohet përvjetori i 76 i mbarimit të Luftës II Botërore dhe triumfit të koalicionit antifashist botëror (9 maj 1945 -9 maj 2021), inkuadrohet dhe  fitorja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar mbi pushtuesit nazifashistë dhe tradhtarët e popullit.

Sa më shumë del në pah qëndresa e shqiptarëve në analet e kësaj lufte titanike, aq më e fortë bëhet rezistenca e pinjollëve të kolabaracionistëve për të denigruar dhe mohuar këtë luftë.

Epopeja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është një nga faqet më të ndritura të historisë së popullit shqiptar në shekullin e njëzetë, ku më tepër se kurrë, u manifestua shpirti qëndrestar dhe liridashës i një populli martir, të etur për liri e drejtësi shoqërore, që në asnjë rast të historisë së tij të vjetër dhe të re nuk është pajtuar me mizoritë e pushtimit dhe aneksimit.

Si e tillë, kjo luftë e madhe titanike është një ngjarje e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, për të cilën kemi të drejtë legjitime të krenohemi ne dhe brezat e ardhshëm, për peshën që mbajtën paraardhësit tanë fisnikë e kësaj lufte triumfale. Jemi ndër popujt që mbajti peshën e pushtimit më të gjatë në Evropë, vite sakrifikimi dhe flijimi, vite qëndrese dhe shprese, përballje me makinën më të rëndë e më të përçudnuar të krimit kolektiv në Evropë dhe në botë, me makinën nazifashiste dhe falangat e tyre. Shqiptarët deri më sot e kanë njohur atë si një luftë Çlirimtare, duke e renditur Shqipërinë si pjesë e koalicionit të madh Antifashist, krahas vendeve më me peshë që u radhitën në Frontin e Lirisë, siç janë Bashkimi Sovjetik, Franca, Anglia dhe SHBA, të cilat jo vetëm e vlerësojnë këtë luftë, por i kanë ndjekur kriminelët nazistë deri në vrimë të miut për t’i ndëshkuar, edhe kur ata kanë qenë në moshën e thyer, nëntëdhjetë apo më shumë vjeç. Pala shqiptare u rreshtua përballë kësaj lufte me rreth 70 mijë luftëtarë. Të gjithë dolën në mal me vullnet të lirë, sepse organizimi i tyre nuk u bë nga institucionet shtetërore, por me frymën qëndrestare që ushqeu në popull PKSH, roli i së cilës nuk mund të mohohet në organizimin dhe fitoren e kësaj lufte. Tipari i kësaj lufte u përcaktua nga pjesëmarrësit e saj, me vullnet të lirë, për një Shqipëri të lirë, ku veçori e kësaj Lufte është pjesëmarrja masive e shqiptarëve. Për një Shqipëri që në fund të Luftës numëronte 800 mijë banorë, ne renditemi ndër vendet më antifashistë të Evropës. Po ajo që ne na i shton më tepër lavdinë dhe krenarinë është se ne i dhamë kësaj lufte, 28 mijë dëshmorë. Edhe nga numri i flijimeve, në raport me popullsinë, ne renditemi ndër ato vende që janë krenaria e Luftës Antifashiste. Për nga rëndësia e madhështia që pati Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, është pika më e shndritshme në historinë e Shqipërisë, është një faqe e ndritur në historinë e kombit shqiptar, me të cilën do të krenohen të gjithë brezat e shqiptarisë, dje, sot dhe nesër. Çdo përpjekje për të zgjeruar kufijtë kohorë të kësaj Lufte, duke argumentuar se çfarë ndodhi pas saj, gjë që dhe kjo duhet diskutuar, por nuk është temë e këtij shkrimi, apo për të shtuar si pjesë të saj grupime njerëzish që nuk u përfshinë në të, pra që nuk u përballën në beteja me pushtuesit, është e dështuar. Kjo Luftë ka vendin e saj në histori, një histori betejash dhe sakrificash që shkuan deri në vetëflijime. Ajo është një luftë që u bë për lirinë e Shqipërisë dhe shërben si simbol për të gjithë shqiptarët. Por në qarqet shkencore të historisë shqiptare, ndër historianët shqiptarë dhe mendimtare e publicist që merren me historinë apo që u intereson kjo pjesë e historisë, ka tridhjetë vjet, por veçanërisht, këto vitet e fundit, ka një tendencë për ta minimizuar Luftën Nacionalçlirimtare, në rastin më të mirë dhe për ta mohuar atë, në rastin më të keq. Mjaft historinë, përveç tiparit të saj çlirimtar, kërkojnë të nënvizojnë se ajo Luftë kishte dhe tiparet e një lufte që u bë për pushtet, duke e zbehur kështu tiparin e saj kryesor çlirimtar e liridashës. Në mbështetje të tezës së tyre sjellin shembuj se si Ushtria Nacionalçlirimtare nuk bashkëpunoi me “Ballin Kombëtar” e “Legalitetin” apo egërsinë e atyre që erdhën në pushtet dhe i luftuan po aq egërsisht përfaqësuesit e këtyre dy grupimeve.

Lufta e madhe ishte një kapitull i hapur

Për të dhënë një ide të qartë se cili duhet të jetë qëndrimi ndaj kësaj Lufte, duhet të bazohemi mbi realitetin shqiptar në atë periudhë. Lufta e madhe ishte një kapitull i hapur, një ftesë e shpallur në ndërgjegjen e çdo qytetari shqiptar dhe të çdo grupimi politik, ndaj ata që u radhitën me Frontin e të Keqes, kolaboracionistët dhe tradhtarët nuk do të kenë kurrë vend në analet e kësaj lufte të shenjtë. Stuhia e bojës së zezë të ekstremistëve, sharjet dhe fyerjet, denigrimet cinike ndaj figurave të Luftës, ndaj dëshmorëve dhe heronjve që derdhën gjakun në altarin e lirisë, gatishmëria patologjike e atyre që gjithmonë janë të gatshëm në llogoren e përbaltjes, për të shpifur dhe denigruar gjithçka në historinë shqiptare, është pjesë e strategjisë së pinjollëve të kolabaracionistëve dhe tradhëtarëve në atë kohë furtunë, për të mohuar luftën dhe denigruar gjithçka të kësaj lufte. Këta mohues dhe falsifikues të historisë, duhet të ecin kokëulur dhe të kërkojnë falje për krimet e etërve dhe gjyshërve të tyre, t’iu kërkojnë falje shqiptarëve që paraardhësit e tyre, në orën historike të kombit qenë në anën e gabuar dhe bënë veprime të gabuara, të fajshme e të dënueshme, jo vetëm për kohën kur i kryen, por për të gjitha kohët.

Gjithë kjo zulmë çakenjsh, nuk është gjë tjetër veçse përvijimi i bijve të kolaboracionizmit dhe tradhëtisë, që ashtu sikurse etërit e tyre iu bashkëngjitën fashizmit dhe nazizmit, sot i bashkëngjiten përbaltjes e njollosjes së luftës dhe emblemave të saj. Fanatikët ekstremistë antiluftë janë hedhur me tërbim rishtas kundër figurës së Enver Hoxhës, që ishte kryefigura e asaj lufte, lideri supreme i saj, personi që me një inuitë dhe karizëm gjenilaiteti arriti të zgjojë energjitë e një populli qëndrestar për ti bërë ballë një agresioni të egër dhe të pashpirt.

Të sulmosh figurat e Luftës, dëshmorët dhe heronjtë e saj, do të thotë të sulmosh jo vetëm Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku roli i tyre ka qenë emblematik, por dhe trashëgiminë e vlerave të trashëguara, me rrënjë të ngulitura thellë në truallin e qëndresës shqiptare kundër të huajve. Epoka e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri është një epokë lavdimadhe; lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare, heronjtë dhe luftëtarët e saj, janë monumente epike të historisë shqiptare dhe do të mbeten përjetë të tilla. Në Shqipëri përgjatë historisë së saj kanë kaluar dhe qëndruar një numër pushtuesish të huaj, të cilët kanë menduar, që të rrudhin territorin shqiptar dhe t’i asimilojnë ata si popull edhe si komb. Vepra monumentale e Skënderbeut, luftëtarët për liri dhe principatat e pavarur, lufta e Zenel Gjolekës, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit, Abdyl Frashërit dhe të heronjve të tjerë, të Lidhjes së Prizrenit, të Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, të Ded Gjon Lulit dhe të Isa Boletinit, Bajram Currit dhe të Avni Rustemit etj., kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, janë gur themeli të Shqipërisë, shtetit të pavarur dhe sovran. Këtyre luftërave iu shtohet me madhështi dhe kulmon mbi të gjitha luftërat e tjera, Lufta e Madhe Nacionaçlirimtare, me Komandant të Përgjithshëm Enver Hoxhën, me strategë guximtarë si Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi e të tjerë, me heronjë e martirë si Gjokë Doçi, Nazmi Rushiti, Hibe Palikuqi, Makbule Naipi, Persefoni Kokëdhima, etj, etj. Pa luftën dhe përpjekjet e tyre, Shqipëria sot nuk do të ekzistonte më vete, por do të ishte një shtet i copëtuar midis vendeve fqinje. Përveç disa të marrëve dhe antishqiptarëve patologjikë, askush nuk e vë në dyshim veprën e tyre kombëtare të ngritur me gjakun e tyre. E si mundet që të gjykohen ndryshe sot partizanët shqiptarë, komunistë apo jo, me mijëra gra dhe të reja, që dhanë jetën e tyre për Shqipërinë dhe lirinë nga pushtuesi më i egër, që ka njohur deri më sot historia botërore?

Nuk mund të ketë dy kritere vlerësimi për heronjtë dhe luftëtarët e vërtetë të lirisë, një përjetësues e vlerësues, me të drejtë, për ata që ranë dëshmorë para vitit 1939 dhe një tjetër, denigrues e mohues, siç bëjnë sot bijtë e kolaboracionistëve të djeshëm, për ata që u sakrifikuan kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore! Vetëm mendjet e sëmura dhe delirante, vetëm njerëz ekstremistë që nuk kanë formim dhe edukatë atdhetare, mundet që të mohojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, gjakun dhe veprën e pavdekshme të shqiptarëve, të dëshmorëve dhe të heronjve të lirisë dhe të pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë. Lufta e Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare lindi dhe pagëzoi në zjarrin e saj të furishëm ushtrinë nacionalçlirimtare, e cila nën udhëheqjen e PKSH dhe Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha, u bë shtylla më e fortë e qëndresës së shqiptarëve drejt lirisë dhe dinjitetit shoqëror. Nuk mund të hidhet baltë mbi një pjesë të historisë, mbi pjesën më të ndritshme dhe më krenare të saj, nuk mund të mohohet e kaluara e shqiptarëve në një nga kthesat më të forta historike, ku me radhitjen në Bllokun Antifashist të Lirisë, ne morëm anën e duhur dhe korrëm fitoren e shumëpritur dhe për të cilën u derdh aq gjak e sakrifica, njerëzore deri në sublime. Lufta ishte e shenjtë dhe kujtesa kolektive shqiptare për atë luftë, që ndriçoi faqet e historisë sonë krenare do të jetë e pashlyeshme dhe e pavdekshme, si një testament i të gjallëve dhe të vdekurve, të rënëve dhe martirëve, një monument i përjetshëm brezash në rrugëtimin drejt lirisë dhe progresit shoqëror.