Gazeta Telegraf/Rrëfimi i kinoregjisorit Kujtim Gjonaj

706
Sigal

Ju tregoj takimet sekrete me disidentin Bilal Xhaferri


Kam njohur nga afër dhe kam pirë kafe apo konsultuar sa e sa herë me
shkrimtarin disident çam, Bilal Xhaferrin

-Ju
tregoj takimet sekrete me këtë shkrimtar që më befasonte me dijet dhe
patriotizmin

– Me
filmimin e këngës së Çelo Mezanit do të nisja një cikël filmimesh për Çamërinë

 Filmi
“Ëndrra e Çamërisë” u xhirua nën vazhdimin e rreptë të policisë greke

 Nuk
kishte ndodhur që një film dokumentar të kthehej tre herë me duartrokitje dhe
me lotë të nxehtë të spektatorëve.

Portret
i regjisorit Kujtim Gjonaj, regjisori që gdhend shpirtin e Çamërisë

– Ka
qenë një propozim i të madhit Mit’hat Frashëri që t’i vihej në Tiranë një rruge
emri i Hasan Tahsinit


Si gjeta një libër të madh që Sami Frashëri e kishte shkruar për
ish-mësuesin e tij dhe të të gjithë rilindësve, Hasan Tahsini


Dhimbje e madhe kur pashë Shtëpinë Muze të Tahsinit (Ninat) të rrënuar dhe nuk
dihet se kur do të ringrihet

 Në
vitin 1991 kjo shtëpi u bë strehë e turmave që mërgonin drejt shtetit fqinj,
Greqisë, ku gjetën strehë edhe hajdutët e vandalët


Ja grabitën objektet dhe orenditë me vlerë, duke “e zhveshur” këtë dëshmi të
gjallë të jetës dhe aktivitetit të dijetarit, filozofit, astrologut, filozofit
dhe politologut të madh


“Shtëpia e tij ishte djegur në ’97-n dhe për fat të keq nuk kishte akoma shenja
për restaurimin e saj”,

– Përherë
e kam quajtur Çamërinë si një Palestinë të harruar të Ballkanit

– Muharrem
Skënderi i kishte thënë me guxim pasi kishte lexuar librin e Bilalit “ Krasta
Kraus’ se proza e tij e sfidonte edhe atë të Kadaresë

 

Namik Selmani

Disa
hapa me këmbë të zbathura në rërën e bregut të një deti është pa dyshim një
etyd shumë jetësor artistik. Një detaj poetik që kërkon dhe shumë profesionistë
që ta realizojnë në një xhirim. Pa dyshim dhe ta ideojnë. Kërkon një sfond
muzikor të denjë për këtë udhëtim sa të prekshëm dhe aq ëndërror. Pa dyshim dhe
shumë simbolik. Është jeta që në të merr një Kod të veçantë tërë mister dhe
dritë. Është dhe fati i Çamërisë sonë së dritëzuar në këto hapa me një këngë me
një oi çame. Me një bulurimë, me një sokëllimë që zgjohet thellë varreve të
mbetur shkretë me një zgjim shpirtërash të atyre që kanë mbetur pas krahëve të
disa brezave që kanë kaq shumë mall e dhimbje. Më tej dy fëmijë në një rrugë që
shohin një bust njerëzor të një Mësuesi të Rilindasve. Hasan Tahsini. E dua
historinë si një shpirt të madh si deti, si breg ku vijnë e shkojnë detarë,
gjemi, pamporë, si kuaj të palodhur detesh, tragete apo dhe pelikanë të bukur,
zgalemë, herë herë si korba që çukisnin trupat e të vdekurve që ecin drejt
ëndrrës, pse jo dhe ëndrra sfinksiane, e rizgjuar here pas here që fluturon më
larg e më shpejt se avionët që bredhin qiejve të botës. Me frikën se një ditë
dikush mund t’i rrëzojë nga toka. Dhe më në fund një skenë, një detaj që do ta
kishin zili regjisorët e mëdhenj të botës shqiptare e më gjërë për
natyrshmërinë dhe naivitetin e moshës që do të ishte motivi më i madh i jetës
së tij artistike qoftë ajo e shkruar në libra, në skenarë apo edhe në filmat e
që, më vonë do ta ngjisnin në shkallët më të larta të nderit të një kombi në
vitin kur Presidenti i Republikës do i jepte titullin më të lartë “Mjeshtër i
Madh” ….Dikur kur ai ishte vërtet i vogël, në klasë të tretë fillore bëri një
bisedë me ish mësuesen e tij që do të ishte tharmi i një të ardhmeje të ndritur
dhe i një drame që ai nuk e kishte lexuar që atëherë. Emri i Hasan Tahsinit e
ngacmonte si personzh natyrisht në botën e tij fëminore dhe e pyet një ditë
mësuesen:

-Mësuese,
kush ka qenë Hasan Tahsini?

-Ka
qenë një patriot, -i tha mësuesja dhe asnjë fjalë më tepër. Asgjë më shumë nuk dinte
ajo e bekuar.

Dhe
ky mister që u shfaq në sytë qelqorë të këtij fëmije, këtij regjisori të
ardhshëm do të bëhej jo vetëm tharmi për një film për të parë dhe për mbarë
Çamërinë. Duhet thënë që në fillim dhe me zë të lartë. Nëse do të kishte një
garë sa miqësore aq dhe zyrtare në fiksimin e historisë së Çamërisë në filma
artistikë e dokumentarë asnjë veç tij nuk e ka trajtuar kaq shumë kaq
artistikisht e, mbi të gjitha, me kaq dashuri temën çame. Me këtë mbresë lirie
i mençuri, shqiptardashësi dhe regjisor i përmasave kombëtare, fitues i mjaft
Çmimeve Kujtim Gjonaj ka të paktën 50 vjet që jeton. Jo vetëm si kureshtje po,
mbi të gjitha, si artist qytetar. Më vjen mirë që Çamëria ka zgjedhur këtë
Ambasador të jashtëzakonshëm të shpirtit të saj në ekran. Me figura të tilla e
ke më të lehtë për të fituar sa më mirë Betejën e Kujtesës me historinë e
Shqipërisë që shpesh e ka gjymtuar dhe e ka goditur këtë krahinë..

“Jam
jugor”,-e nis rrëfimin Kujtimi, kurse Çamëria dhe çamët më kanë hyrë në zemër

Para
se të isha gazetar, regjisor, unë isha dhe mbetem njeri, mbetem shqiptar që me
çamët jemi një gjak, kemi motive të njëjta këngësh, vallesh. Kemi fëshfëritjen
e ullinjve, vajin e shijshëm të ullirit, kemi urimet, përrallat, kemi dasmat,
kemi odat, kemi butësinë njerëzore që dallohet në të gjithë jetët njerëzore të
këtyre viseve. Dhe kjo “Çamëri” e përbashkët pak nga pak e shumë natyrshëm
erdhi brenda meje, brenda nesh. Duhet të më besoni se ndër shokët më të mirë që
kam patur dhe kam ende, kanë qenë dhe janë çamë. Jam rritur në rrugën “Hasan
Tahsini” Një emër rruge dhe shkolle që çuditërisht kishte ardhur që nga koha e
Zogut. Ka qenë një propozim i të madhit Mithat Frashëri që t’i vihej në Tiranë
një rruge emrin e Hasan Tahsinit. Është gati një shekull që nga viti 1930 që
kur u bë ky propozim dhe nuk ka ndërruar as dhe tani. Me emrin e këtij dijetari
u rritën dhe ikën nga jeta sa e sa njerëz. Po aty njohu Fatmir Mingën, djalin e
të paharruarit fisnikut Hasan Minga. Ka njohur Nazmi Kapolin dhe familjen e tij
ka njohur Mërgjyshët, mes të cilëve Ibrahimin dhe Nexhatin. Ishte një kat më
poshtë me familjen e Mingajve dhe Kujtimi-djalë që po rritej që i vogël në atë
shtëpi, në atë pallat, gëzonte me sukseset e tij edhe atë familje çame. Madje
ai kujton se kur u martua dhe u fëmilua nënë Fajkaja u gëzua si ta kishte
djalin e saj dhe i tha me shumë gëzim: “Shuqur more djalë, se të kam si djalin
tim, Shuqur që u shumove more Kujtim! Mos u mundo që të bësh atë pyetje të
çuditshme nëse ai është zënë një ditë me ndonjë djalë çam. Harmonia e ka bërë
atë bashkim loje mbresash, emocionesh që do të ishin “fabrika” ku ai më vonë do
të investonte artin e tij të filmit.

Njohja
me Bilal Xhaferrin

Ka
njohur nga afër e ka pirë kafe është konsultuar sa e sa herë edhe një shkrimtar
disident çam Bilal Xhaferrin. Aso kohe ai ishte një djalë i ri dhe me shumë
talent. Dikur do të kisha edhe unë një djep në fshatin ku lindi ai. Takimet e
me Bilalin ishin impresionuese por edhe te frikshme. Ai ndiqej kudo, por të
befasonte në bisedë, thekson Kujtimi. “Doja dhe nuk doja ta takoja atë”. Pas
vitit 1992 u bënë shumë shkrime, shumë skenarë, studime, poezi, romane, tregime
edhe me temën çame. Duke parë si në një film të bukur artistik të gjithë
këtë kontribut, të shkon mendja dhe ata ajo që nuk është bërë ende për ekranin
filmik për Çamërinë. Ende ne nuk kemi një film artistik për Çamërinë të
metrazhit të gjatë me aktorë të Kosovës Shqipërisë dhe të Maqedonisë. Nuk është
vështirë që të bëhet dhe skenari. Tashmë pas 25 viteve problem çam ka më
shumë dritë historike. Duhet të kujtojmë të gjithë se si një film me
metrazh të shkurtër artistik në Kosovë si filmi “SHOK” u ngjit deri në majat e
OSKARIT. Një gjë e tillë mund të ishte po me kaq art edhe për temën çame. Tema çame
me regjisorë të talentuar me aktorë që nuk i mungojnë këtij kombi, dhe me
shpenzime që nuk beson se i kanë munguar këtij lloji filmi.

Janë
150 filma artistikë, dokumentarë e vizatimorë

Janë
150 filma artistikë, dokumentarë e vizatimorë ku Kujtim Gjonaj është ndër të
tjera edhe regjisor, skenarist ose producent që të jep të drejtën të thuash
“NJË JETË ME FILMIN DHE PËR FILMIN”. E kjo plotësohet edhe më shumë me punën si
studiues, si pedagog, duke qenë për disa vite edhe si pedagog pranë kurseve të
Kinostudios “Shqipëria e re”, për disa vite si drejtor i AlbaFilm Studio.
Brenda këtyre viteve që asnjëherë nuk mund të futen në kornizat e vërteta e të
sakta të një shkrimi apo të një filmi ka qenë dhe mbetet edhe Çamëria.


Me
filmimin e këngës së Çelo Mezanit do të niste një cikël filmimesh për Çamërinë

 

Përtej
genocidit që do të shprehej në filimin e bukur më të gjatin “Ëndrra e
Çamërisë”. Përherë e ka quajtur Çamërinë si një Palestinë të harruar të
Ballkanit. Një term që dhe sot i rrëfen për dhimbjen, por dhe krenarinë për
historinë e lavdishme të saj. Vite e largëta të moshës i kujtojnë se pas
rrugicës ku kishte shtëpinë e ku kaloi fëmijërinë kishte dhe “shkollën” e
Çamërisë që e bëri atë përjetësisht një Mik të nderuar të Çamërisë. Vinte miqësia
më e madhe që ai ka patur ka qenë ajo me çamët edhe pse nuk kishte asnjë arsye
që të harronte vendlindjen e tij sa epike aq dhe lirike si Tepelena. . Një
miqësi që ishte test i pagabuar i një të ardhmeje që nuk ishte thjesht një
tavolinë kafeje apo dhe menjë gotë të vogël pijeje përpara, por një art i
pavdekshëm kombëtar, një art që do të futej në pasurinë më të madhe të shpirtit
të një kombi si kombi shqiptar që vazhdon ta ketë këtë krahinë si pengun më të
madh. Pas miqësisë me Bilal Xhaferrin njohu dikur dhe një poet të njohur të
persekutuar në burgjet e komunizmit si Bedri Myftari që, për disa vite ishte
dhe kryetar i Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”. Poeti Bilal Xhaferri u fut
në sa e sa biseda në shumë tekste të skenareve të filmave të tij. Pa dyshimm
dhe të pjesëve filmike si detaje. Dikur miku i tij Muharrem Skënderi i kishte
thënë me guxim pasi kishte lexuar librin e tij “ Krasta Kraus’ se proza e tij e
sfidonte edhe atë të Kadaresë. Dhe filloi që në rini një lloj “ borxhi” që ai
po ia jepte vetes dhe që do ta shlyente për një jetë të tërë. Borxhi i
Çamërisë. Një tepelenas që i rrihte zemra fort dhe për të do të fillonte
gjurmimin artistik që në vitin 1973 kur për herë të parë shpërtheu me të gjithë
ngjyrat e botës çame, dolën te këngën e mrekullueshme e Çelo Mezanit të
këndruar nga dhe me vallen e pavdekshme të Osman Takës të interpretuar nga Taip
Madani. Në vitin 2000 me një projekt shtetëror xhiron në Greqi një film
për Ali Pashë Tepelenën, por që ai e shfrytëzoi që të bënte shumë xhirime për
një film të ardhshëm për Çamërinë. I bukur filmi. Natyrisht që Ali Pashë
Tepelena mbetet një figurë e rëndëshme edhe për çamët. Edhe pse nuk e ishte në
skenar në ato ditë të ngjeshura ai i thotë operatorit: “Eja të hidhemi në
Thesproti!” 

 

Po,
duhej xhiruar një “Çamëri “ e ardhshme e filmit “Ëndrra e Çamërisë”

 

Kështu
xhiroi plane nga Filati, Suli, Gumenica, Parga. Në Dodonë pa tërë ato vlera që
ka krijuar kombi ynë. Piu kafe në breg të lumit, Akeron për të cilin flet miti
i lashtësisë. Këtë e bëri edhe kur xhironte filmin për Faik Konicën. Atë kohë
ai mban mend dhe një incident që i ndodhi me policinë greke që natyrisht edhe e
vëzhgonte për atë që po bënin. Për fat policja ishte me origjinë shqiptare dhe
mjaftoi vetëm me një tërheqje vemendje: “Kujdes, kur të xhironi!” E kaloi butë
situatën. Kujton me nderim ato ditë të viti 2010 ku u promovua në Tiranë, në
Durrës në Vlorë e në Sarandë filmi i tij si regjisor “Ëndrra e Çamërisë” që do
të xhirohej në disa shtete deri në Amerikë. Nuk kishte ndodhur që një film
dokumentar të kthehej tre herë me duartrokitje dhe me lotë të nxehtë të
spektatorëve. Kam patur rastin ta shoh këtë emocion edhe kur e kam pare filmin
vete në trojet etnike si në Ferizaj, në Gjilan, në Preshevë, në Tetovë etj Na
thotë se marrja e titullit të lartë “Mjeshtër i Madh“ përveç propozimit nga QKK
dhe një grupi artistësh të shquar, ishte edhe si propozim nga miqtë e tij të
Shoqatës “Çamëria” me të cilët ai ka mjaft vite që bashkëpunon.


Filmi
me titull “Përse”

Para
se të bënte filmin dokumentar me metrazh të gjatë për Çamërinë, bëri një film
me titull “Përse”. Ishin shumë “përse” që viheshin në film dhe që kishin lidhje
me historinë e Çamërisë. Ishte një film-protestë për atë tragjedi makabre dhe
dhune të egër ndaj mijëra burrave grave dhe fëmijëve të përzënë forcërisht nga
trojet e tyre. Në mes të miqve artistë që ka patur si bashkëpunëtorë veçon
skenaristin e shkrimtarin Enver Kushi me të cilin ka patur bashkëpunimet më të
rëndësishme në filmat e tij. Këtë lidhje artistësh ai e ka edhe tek filmi i
fundit që ka përgatitur dhe që pret që të zgjidhet problemi financiar. Është
filmi për Dinejtë që kanë lënë gjurmë të mëdha në jetën politike, diplomatike e
artistike të Shqipërisë, Perandorisë osmane, Greqisë, Francës etj,te cilit i ka
vene titullin simbolik”Saga e Dinejve”

Ngjarja
e fëmijërisë i vjen në kohë në kujtesë

Si
tani kujton ditën kur pyeti mësuesen për Hasan Tahsinin. E vazhdoi këtë
kureshtje në vitet e fundit me një veprim që ai e bëri në Stamboll. Kishte
gjetur një libër të madh që Sami Frashëri e kishte shkruar për ish-mësuesin e
tij dhe të të gjithë rilindasve të tjerë Hasan Tahsini. E dërgoi dhe për ta
përkthyer në shqip, pasi ishte në gjuhën turke. Para se të bënte filmin për
Hasan Tahsinin ishin botuar disa libra madje me vëllime të tëra për të. Ibrahim
Hoxha, Laurant Bica, Manushaqe Halili, pa folur për mjaft shkrime të veçanta
dhe këngë popullore që i janë kushtuar atij. Veç gëzimit dhe krenarisë që po
bënte këtë mision kujtese ai jetoi dhe dhimbjen e madhe kur pa në fshatin Ninat
ku ka lindur ky rilindas, Shtëpia Muze ishte ende e rrënuar dhe nuk dihet se
kur do të ringrihet. Të paktën pas 20 viteve që kur ajo është prishur. 
Shtëpia
dykatëshe e atdhetarit Hasan Tahsini, në fshatin Ninat, afër kufirit me shtetin
grek, është pjesë e Çamërisë. Ajo u shpall dhe u përurua si muze në vitin 1985.
Pas viteve ’90 nisi shkatërrimi gradual i saj. Në vitin 1991 kjo shtëpi u bë
strehë e turmave që mërgonin drejt shtetit fqinj, Greqisë, ku gjetën strehë
edhe hajdutët e vandalët, të cilët dalngadalë ia grabitën objektet dhe orenditë
me vlerë, duke “e zhveshur” këtë dëshmi të gjallë të jetës dhe aktivitetit të
dijetarit, filozofit, astrologut, filozofit dhe politologut të madh. “Shtëpia e
tij ishte djegur në ’97-n dhe për fat të keq nuk kishte akoma shenja për
restaurimin e saj”, thotë regjisori Kujtim Gjonaj që ka bërë sa e sa filma për
njerëzit e shquar të këtij kombi, po që është vetë një patriot i sërës së parë,
dhe për ato që ka krijuar është një çam më shumë se çamët. Përtesj detajit të
këmbëve të zbathura në një breg deti apo dhe i një dialogu të një fëmije që
pyet me këmbëngulje për një njeri të rrallë të Çamërisë si Hasan Tahsini
përherë kam parë nga larg e nga afër sytë e mbushur me një të nesërme të
Çamërisë, por dhe të mbarë kombit. Janë sytë e ndezur të Kujtim Gjonajt që e
nis dhe e mbaron ditën e tij me sa e sa plane të afërta e të largëta për të
gdhendur Monumentin artistik të kombit.