Sigal

Më 1973 në Zall-Herr stërvitëm komandot indoneziane, amerikano-latine, afrikane dhe palestineze. Urdhri i Mehmetit, përvoja në Vietnam dhe vlerat e Adhamit, Furxhhiut, Çelës etj

Leonard VEIZI

 (Vijon nga numri i kaluar)

 Nuk ishte e lehtë të stërvisje trupa zbulimi të cilët duhet të ishin të gatshëm në çdo kohë, të bënin qitje me efektshmëri të lartë, të dilnin nga situatat që i kanoseshin gjatë një aksioni dhe të mbijetonin në kushte tepër të vështira të terrenit të panjohur, duke u bërë ballë dhe kapriçove të motit. Nuk ishte vërtet e lehtë, por ushtria jonë, ka siguruar gjithmonë kontigjente të tilla, pesëdhjet vite më parë, ashtu si dhe tani.

Përvoja e ushtrive perendimiore ishte tepër e kufizuar, por literatura e ardhur nga lindja Sovjetike nuk kishte lënë boshllëqe kur flitej për të organizuar një Detashment Zbulimi. Dhe ndërkohë, ushtarakët shqiptarë që pas viteve ’60 kishin hedhur sytë për të marrë përvojën e Lindjes së Largët deri dhe të Vietnamit, ishin të aftë të përgatisnin kontigjente speciale që luftonin në Lindjen e Mesme madje dhe në Amerikën Latine. Gani Elezi, një nga ushtarakët që është marrë drejtpërsëdrejti me stërvitjen e kontigjenteve të veçanta që vinin nga Palestina por dhe nga vende të tjerë të Botës së Tretë, rrëfen se si kursanti që kishte përfunduar studimet me rezultate mjaf të larta, emërohet drejt e në Detashmentin e Zbulimit, si një prej njësive të pakta speciale me vartësi direkt nga Shtabi i Përgjithshëm:

Ku u emëruar pas përfundimit të Shkollës së Bashkuar?

Ndryshe nga pjesa e madhe e shokëve të mi, të cilët u emëruan direkt në njësitë dhe repartet e ushtrisë, në Korpusin e Burrelit, në atë të Shkodrës, të Korçës, të Gjirokastrës, të Tiranës, të Fierit, për të cilët ne kishim dëgjuar në bisedat me oficerë të trupës, unë nuk mora emërim konkret. Më thanë ik bëj lejen, se do të thërrasim më vonë. Fillova lejen pranë familjes sime në Fushëkrujë. Nga disa zëra, jo zyrtarisht, më ishte thënë se mund të emërohesha në shkollën e bashkuar të oficerëve, të cilën sapo e kisha përfunduar, si pedagog, ose në Ministrinë e Mbrojtjes, në drejtorinë politike, në sektorin e rinisë. Po vazhdoja pushimet kur më lajmëruan të paraqitesha në Tiranë, në drejtorinë e Zbulimit të ushtrisë, e cila në atë kohe quhej drejtoria e Dytë dhe ishte vendosur në pallatin e Brigadave, afër Saukut. Aty më thanë të shkoj në Zallherr të Tiranës, në repartin ushtarak 1152, që ishte detashmenti i zbulimit i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Cila ishte situata kur ju u paraqitët në vendin e emërimit?

Në këtë periudhë, në këtë repart, po zhvillohej një stërvitje (zbor) 2 mujore, me pjesëmarrjen e të gjithë oficerëve aktiv të zbulimit me trupa, në kuadrin e të cilës eksperimentohej përvoja e përgatitjes dhe e veprimeve luftarake të reparteve speciale të ushtrisë Vietnameze, që ishte sjellë në vendin tonë nga një grup i oficerëve të zbulimit që kishin qenë në Vietnam, nën drejtimin e Spiro Adhamit, në atë kohë zëvendës drejtor i drejtorisë së zbulimit dhe shef i degës së zbulimit me trupa në këtë drejtori. Kjo përvojë, veçanërisht përgjithësimet e arritura gjatë kësaj stërvitje 2 mujore, do të bëheshin një nxitje e madhe për intensifikimin dhe ngritjen cilësore të përgatitjes luftarake të reparteve të zbulimit me trupa dhe të të gjithë ushtrisë. Në këtë kuadër detashmenti i zbulimit u bë një shkollë e vërtetë përvoje që ndikoi në përmirësimin e nivelit të përgatitjes luftarake të reparteve të zbulimit me trupa, por edhe të të gjithë llojeve të armëve dhe të shërbimeve të tjera të ushtrisë, veçanërisht të reparteve të këmbësorisë, atyre sulmuese, xheniere, të forcave vullnetare, të reparteve të kimisë, të artilerisë tokësore dhe kundërajrore etj.

Cila ishte detyra juaj e parë?

Pas mbarimit të stërvitjes 2 mujore u emërova në detyrën e komandantit të togës në detashment, detyrë të cilën e kam kryer për 2-3 vjet me rradhë. Më vonë, bashkë me disa shokë të tjerë, morëm emërimin në detyrën e komandantit të kompanisë së zbulimit, duke patur në komandë një togë efektive në qendër dhe një kompani rezerviste në rrethe, pra, në fakt, ishim komandantë togash. Unë vetë kisha kompaninë që kompletohej në rrethin e Kukësit. Në vitin 1973, kur detashmenti i zbulimit u riorganizua në rang Regjimenti, unë, Tigër Godo, Rustem Toro e ndonjë tjetër u emëruam komandantë të batalioneve të zbulimit, duke patur në komandë një kompani efektive në qendër dhe 2-3 kompani rezerviste në rrethe. Mua më ra rasti të kem kompaninë e Shkodrës dhe atë të Kukësit.

Detashmenti vetëm mori përvojë të huaj apo edhe trasmentoi…?

Në fillim të vitit 1971, në 6-mujorin e parë, pranë detashmentit u organizua përgatitja ushtarake e një grupi prej 30 të rinjsh palestinezë për një periudhë kohe 6 mujore. Meqenëse unë u ngarkova të drejtoj këtë grup dhe të udhëheq disiplinat kryesore të programit, si përgatitje taktike, përgatitje zjarri etj, e konsideroj këtë rast si një eveniment të veçantë në jeten dhe në karierën time ushtarake. Palestinezët ishin të rinj. Kishin ardhur nga shtete të ndryshme arabe, por edhe nga mjaft vende europiane, për tu përgatitur në interes të luftës së tyre çlirimtare për pavarësi.

Si “e gjetën rrugën” palestinezët deri në Detashment?

Si shkak për organizimin e përgatitjes së këtij grupi, me sa më kujtohet, ka qenë kërkesa e një delegacioni palestinez që kishte ardhur në Shqipëri dhe që kishte ndjekur një stërvitje treguese të detashmentit të zbulimit, për të cilën kam folur edhe më lart. Si duket, duke parë nivelin e përgatitjes dhe të aftësive luftarake të efektivave të zbulimit, ky delegacion kërkoi pranë autoriteteve shqiptare që të dërgonte dhe të përgatiste një grup luftëtarësh, që më vonë do t’i angazhonte në luftën çlirimtare të popullit të tyre. Në atë kohë kam qenë oficer i ri dhe as që mund të interesohesha se si kishin ardhur këta palestinezë tek ne, kush i kish sjellë, kush interesohej për ta dhe kush e sponsorizonte përgatitjen e tyre ushtarake. Por, duke gjykuar nga fakte, që sot janë të njohura nga të gjithë, del se kjo bëhej në kuadrin e përgatitjes së luftëtarëve palestinezë në interes të luftës për çlirimin e tokave të tyre të pushtuara nga Izraeli dhe për krijimin e shtetit të tyre të pavarur palestinez. Gjithashtu, kjo përgatitje bëhej në kuadrin e politikës, që ndiqte në atë kohë PPSH, në mbështetje të lëvizjeve revolucionare, në interes të luftës kundër imperializmit dhe të vetëvendosjes së popujve të shtypur.

Detashmenti, kur drejtohej nga Anton Sheti

Detashmenti i zbulimit ishte krijuar në mesin e viteve 50-të, në kuadrin e masave për të rritur efektivitetin e zbulimit ushtarakKy zbulim në atë periudhë ishte organizuar si një shërbim shumë i rëndësishëm në dorë të Shtabit dhe Komandës së Përgjithshme, për të mbledhur informacion mbi kundërshtarët tanë të mundshëm, si në periudhë paqeje, edhe në luftë. Pavarësisht se nuk ishte në kategorinë e llojit të armës, por të shërbimit, zbulimi ushtarak ishte një strukturë shumë e rëndësishme në kuadrin e aktivitetit të MM dhe të ushtrisë në tërësi. Drejtoria e zbulimit, apo Drejtoria e Dytë, siç quhej ajo në vitet 60-të, ishte me prestigj shumë të madh në aparatin e ministrisë dhe të Shtabit të Përgjithshëm. Ajo kishte një peshë, jo vetëm në kuadrin e aktivitetit të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe në kuadër të bashkëpunimit me ministri dhe dikastere të tjera të shtetit shqiptar, siç ishte Ministria e Jashtme, ajo e Brendshme, disa struktura që kishin aktivitet jashtë vendit etj. Në drejtim të kësaj drejtorie, kishin qenë kuadro të zot, si Teme Sejko, Vehbi Hoxha dhe në kohën për të cilën po flas ishte Andon Sheti. Për periudhën e paqes aktivizoheshin, në mënyrë të veçantë, shërbimi i Radiozbulimit, që mblidhte informacion mbi kundërshtarin me anë të teknikës së radiopërgjimit. Për periudhën që unë punova në detashment këtë shërbim e kanë drejtuar Izet Zaçe dhe, pas largimit të tij, Shefqet Troqi, të dy kuadro shumë të aftë dhe me kontribute të veçanta në rritjen e nivelit dhe të efektivitetit të këtij shërbimi. Izeti ishte shumë i lidhur me kuadrot e shërbimit të radiozbulimit, lidhje që konsistonin më shumë në marrëdhënie shoqërore, sesa në raportet epror- vartës. Me sa mendoj unë, një gjë e tillë është arsyeja se pse Izeti nuk u kritikua shumë, bile u mbrojt nga vartësit e tij, gjatë analizave në kuadër të “dënimit”të grupit armiqësor në ushtri. Shefqeti ishte një natyrë më i veçantë, serioz dhe i përkushtuar në punë. Veç kësaj ishte specialist i shërbimit të radiozbulimit, gjë që i jepte mundësi të kishte një kontroll më të fortë në kuadrin e realizimit të detyrave të këtij shërbimi. Po kështu aktivizohej edhe sektori i Informacionit, i cili shfrytëzonte të gjitha burimet legale dhe jo legale për të marrë informacion për kundërshtarin. Këtë sektor, për kohën për të cilën po shkruaj, e kanë drejtuar dy nga kuadrot më të aftë të zbulimit ushtarak, Ilo Furxhiu dhe, pas largimit të tij nga kjo detyrë, Skënder Çela. Ilo ishte kuadër i vjetër në zbulim, kishte qenë edhe pjesëmarrës në Luftën NAÇl, kishte njohuri të thella dhe rrezatonte një aftësi të veçantë edhe në drejtim të studimit dhe të aplikimit të përvojave të ushtrive të tjera, gjë që e kishte bërë atë një kuadër me emër edhe në shkallë ushtrie. Pas tij, edhe Skënderi tregoi se ishte një kuadër i aftë, që e përmirësoi më tej punën e sektorit të informacionit të drejtorisë së zbulimit. Deri para mesit të viteve 60-të, në kuadrin e Drejtorisë së zbulimit funksiononte edhe sektori i zbulimit të jashtëm, sektor që më vonë shkoi dhe u atashua pranë Ministrisë së Jashtme, si drejtori më vete. Kuadrot e këtij sektori nuk i kam njohur, por kam dëgjuar të flitet me respekt për emra të tillë, si Agron Çomo, Koço Kallço etj. Ndërsa në kohë lufte si struktura që do të mbante nën kontroll dhe do të mblidhte informacione konkrete në çdo situatë dhe në çdo vend të dispozitivit ushtarak ishte parashikuar zbulimi me trupa, i organizuar në nënreparte dhe reparte speciale në çdo njësi ushtarake. Në Brigada fillimisht kishte batalione zbulimi, që më vonë u riorganizuan në kompani zbulimi, ndërsa në Korpuse (Divizione) kishte batalione zbulimi. Shërbimin e zbulimit me trupa e drejtonte dega e zbulimit me trupa, që ishte dega kryesore e Drejtorisë së zbulimit, drejtuesi i së cilës zakonisht merrte detyrën e zëvendësdrejtorit të kësaj drejtorie. Gjatë periudhës që unë kam punuar në detashment në drejtim të kësaj dege kanë qenë Spiro Adhami dhe Xhemil Çela.

STRUKTURA

Në dorë të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm

Në kuadrin e zbulimit ushtarak Detashmenti i zbulimit konsiderohej si reparti që do të luante rolin më të rëndësishëm, meqenëse ishte një strukturë e veçantë në dorë të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm. Bashkë me forcat e zbulimit të njësive të ushtrisë, në kohë lufte, detashmenti angazhohej me veprime konkrete në terren, për zbulimin e forcave dhe të mjeteve të kundërshtarëve tanë të mundshëm (veçanërisht të fqinjëve tanë dhe të shteteve që eventualisht mund të na sulmonin) dhe të qëllimeve imediate të tyre. Si repart në dorë të Shtabit të Përgjithshëm, detashmenti e shtrinte aktivitetin e tij në të gjithë territorin e vendit tonë, kryesisht në front, në prapavijat e armikut, por edhe në prapavijat e forcave tona për zbulimin e veprimeve të grupeve të mundshme të armikut dhe të desantit ajror të tij. Për të mbuluar të gjithë hapësiren e territorit tonë me masa zbulimi, detashmenti i zbulimit, përveç forcave që kishte të organizuara dhe që përgatiteshin në qendër, në Tiranë, kishte edhe nënreparte rezerviste, që organizoheshin dhe përgatiteshin në rrethe të ndryshme të vendit, në drejtimet kryesore të mbrojtjes sonë operative, si në Shkodër, në Kukës, në Peshkopi, në Korçë, në Gjirokastër, në Vlorë, në Fier, në Durrës etj. Në vitet e para, nisur nga përbërja dhe mundësitë luftarake, detashmenti i zbulimit ishte planëzuar të kryente vetëm detyra zbulimi, që konsistonin në mbledhjen e të dhënave mbi dispozitivin dhe karakterin e veprimeve të kundërshtarit, me anë të aktivitetit vrojtues, me anë të kërkimit, me anë të kapjes se efektivave të kundërshtarit në prita dhe me veprime të tjera të karakterit zbulues. Në këtë linjë ishte planëzuar edhe përgatitja luftarake e efektivave të tij. Më vonë, me përsosjen e strukturave të ushtrisë, u përsos dhe u rrit edhe struktura e reparteve të zbulimit me trupa dhe në këtë kuadër edhe e detashmentit.

STËRVITJA

Përgatitja e lartë e efektivit

Programi i stërvitjes ishte mjaft i ngjeshur dhe me një ngarkese të madhe fizike. Ai synonte në dy drejtime kryesore: së pari, të garantonte një përgatitje të lartë të efektivit të zbuluesve dhe së dyti, të garantonte një përgatitje të lartë morale dhe psikologjike. Në këtë kuadër, synohej që zbuluesit të aftësoheshin të kryenin ato detyra dhe në kushte të tilla të situatës, të terrenit dhe të motit, që për efektivat e llojeve të tjera të armëve mund të ishin pothuajse të parealizueshme. Pa arritur në këtë nivel ishte e pamundur që veprimet e reparteve të zbulimit të realizoheshin me sukses. Për këtë qëllim në programin e përgatitjes ushtarake të detashmentit, përfshiheshin disiplina nga më të ndryshmet: përgatitje taktike, kryesisht për detyra zbulimi dhe për veprime luftarake kundër objekteve të rëndësishme të kundërshtarit; përgatitje zjarri e cila synonte në aftësimin e zbuluesve për përdorimin me efektivitet maksimal të armatimit në zotërim në të gjitha kushtet e situatës luftarake; përgatitje xheniere e cila synonte në njohjen dhe përdorimin me mjeshtëri të lëndëve plasëse, sidomos gjatë veprimeve luftarake kundër objekteve të kundërshtarit, në zbulimin, kufizimin dhe kalimin e pengesave të ndryshme prej teli dhe të fushave të minuara; përgatitje topografike që bënte të mundur përgatitjen e zbuluesve për tu orientuar dhe për të lëvizur me sukses në çdo terren e në çdo kohë; përgatitje fizike që synonte përgatitjen e gjithanshme të zbuluesve për të përballuar ngarkesën e madhe gjatë veprimeve luftarake, për tu aftësuar për ndeshjen e afërt me kundershtarin, për të siguruar tempe të larta gjatë manovrimeve nga një detyrë në një tjetër; përgatitje parashutiste që synonte aftësimin e efektivit për tu hedhur me parashutë në prapavija të kundërshtarit dhe në rajone të largëta të detyrave luftarake; përgatitje skiatore dhe alpinistike për tu aftësuar për veprime në kushte dëbore dhe të terrenit tepër malor etj.

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

Urdhëri i Mehmet Shehut për programin e përgatitjes së reparteve të zbulimit

Stërvitja në Zallherr e kontigjenteve nga Indonezia, Amerika Latine e Afrika

– Stërvitjet treguese në disiplinat e veçanta në Detashmentin e Zbulimit