FLET KREU I KOMITETIT TË VETERANËVE TË LANÇ, RUSTEM PEÇI

832
Rustem Peçi*

“Skënderbegasit ndër vite…”, një libër monument kujtese dhe krenarie
Doli nga shtypi volumi i tretë i librit “Skënderbegasit ndër vite….”. Promovimi në kuadër të “Vitit të Skënderbeut” dhe 28 marsi. 73-vjetorit të hapjes së shkollës “Skënderbej”
(Vijon nga numri i kaluar)
Një libër i plotë në disa vëllime që sjellë dokumente origjinale të kohës dhe dëshmi të brezave të bashkëkohësve, një monument kujtese dhe krenarie për historinë e shkollës ushtarake “Skënderbej”, një nga shkollat më elitare në Ballkan e më gjerë për kohën, një dokument me vlerë për historianë e lexues të thjeshtë, një gurë i fuqishëm mbijetese e lavdie që bën krenar jo vetëm 36 mijë skënderbegas që mësuan e u përgatitën në këtë vatër, familjet e tyre, por edhe dhjetëra mijë ushtarakë të tjerë që si idealistë e atdhetarë, ruajtën e ruajnë të shenjtë betimin për flamur e atdheun! Kështu do ta përmblidhja në pak fjalë esencën e librit disa volume, “Skënderbegit ndër vite…”, të dy ish-skënderbegasve, studentëve të mijë, Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla.

Ky që kemi në duar, është volumi i tretë i këtij libri që do të pasohet dhe me të tjerë në vazhdim. Për mendimin tim, ky volum, në të njëjtën linjë si dhe dy të parët, në kompozicion e ndërthurje (dokumente-dëshmi-kujtime), ku reflektohet përgjegjësia dhe profesionalizmi, është i kompletuar e sjellë për lexuesin materiale interesante dhe me vlera të shumta në të mirë të historisë së kësaj shkolle e të historisë së ushtrisë shqiptare në dekada. Në këtë aspekt, ka shumë për të thënë e veçuar nga mbi 800 faqet e këtij libri të radhës, por unë do të veçoja shkarazi disa prej tyre…

Pavarësisht paraqitjes së dokumentit, dëshmisë, kujtimeve apo fotove, autorët ja kanë arritur të gjejnë një mënyrë elegante komunikimi me lexuesin, pavarësisht nivelit kulturor apo moshës qoftë ai. Kushdo që e shfleton libri, nga faqja e parë deri tek ajo e fundit, bindet për një të vërtetë të pakundërshtueshme se: Skënderbegasit dhe ushtarakët shqiptarë, kanë qenë e mbeten shtresa më vitale e shoqërisë, njerëzit më të aftë e më të përkushtuar për flamurin dhe interesat e atdheut; se kudo ka kanë qenë e drejtues skënderbegasit, në çdo detyrë e në çdo front, kanë qenë e mbeten shembuj të zgjuarsisë, guximit e trimërisë, duke qenë në çdo kohë në anën e së mirës, pozitives, të interesit të shoqërisë. E për këtë që sapo citoj, autorët kanë sjellë në libër dokumente e dëshmi që ‘flasin’ vetë. 

Nuk është rastësi fakti që në hyrje të librit, radha është për kadetët e parë që u ulën në bankat e shkollës, duke ardhur nga formacionet partizane më 25 mars 1945, ditën që kjo shkollë u çel. Flitet me dokumente për këtë fakt, por flasin dhe vetë ata djelmosha dikur të rinj që nuk pranonin të ndaheshin nga pushka, por flinin bashkë me ‘të, ndonëse nuk ishin më përballë pushtuesve e tradhtarëve vendas në frontin e luftës, por në bankat e shkollës për t’u bërë oficerët e parë të pasluftës të ushtrisë që po ngrihej mbi bazën e njësive partizane. Janë këta 300 kadetë të parë, djem e vajza, që në vitet e dekadat në vazhdim, u pasuan me qindra e mijëra të tjerë, që u bënë kuadro të aftë të ushtrisë shqiptare, e cila përmbushi me sukses të plotë misionin e saj fisnik, qenien në gatishmëri të përhershme dhe mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë. 

Pikërisht, vlerësimi fund e krye në këtë libër i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, i partizanëve trima, nga ai më i thjeshti e deri tek Komandanti i Luftës, na bën ne veteranëve e brezin pasardhës të tyre krenarë për historinë tonë e lavdishme. E për këtë, si kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës, unë personalisht dua ti falënderoj autorët për këtë libër. Por dua tu them vetëm se: Ju lumtë, keni bërë detyrën si skënderbegas e si ushtarakë të Shqipërisë!

Skënderbegasit dhe ushtarakët e kohës kanë bërë histori. E jo vetëm në përmbushjen më së miri të misionit dhe betimit ushtarak, por dhe në ndihmë të shoqërisë. Ata që nuk e dinë, por dhe ata që duan ta harrojnë, do ta mësojnë dhe në këtë libër se dora, djersa por dhe gjaku i skënderbegasve është dhe në: Gjelbërimin e parë të kryeqytetit, Tiranës; në ndërtimin e digës së Liqenit Artificial; në ndërtimin e hekurudhës së parë të vendit; në ndërtimin e fortifikimit të vendit duke e mbajtur Shqipërinë kala të pamposhtur; në ndërtimin e hidrocentraleve të Shkopetit, Komanit, Fierzës; në ndërtimin e rrugës së Malësisë së Madhe, rrugës Kukës-Peshkopi; në ndërtimin e hekurudhës Elbasan-Pogradec, asaj Milot-Rrëshen-Klos; në ndërtimin e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit; në tarracimin e kodrave të Ksamilit në Sarandë; në ndërtimin e ujësjellësit të Bovillës e në dhjetëra aksione të tjera lokale e kombëtare.

Për të evidentuar diçka tjetër për vlerat e këtij libri që po marrim në duar, unë dua të përmend diçka që e kam nga eksperienca ime personale. Së pari, kam qenë vetë skënderbegas dhe e di se si mësohej atje, si stërviteshim, si rrinim dhe pa gjumë për të mësuar sa më shumë, si ndihmonim njeri tjetrin si vëllezër të një nëne, si ishim të gatshëm të zbatonim në kohë e me cilësi çdo urdhër, duke e ditur se mund të kishim dhe kosto të rënda. Gjimnazistë të tillë, kompaktë, me unitet të fortë, atëherë nuk gjeje në asnjë shkollë të vendit. Sot, në këto kohë të vështira, po as që bëhet fjalë. Më pas, shkollimi i, lartë në degë e specialitete të tjera në vend e jashtë Shqipërisë, këto cilësi të vyera që ata i kishin fituar, i përforcuan më shumë. Ndërsa dalja në jetë, materializimi i atyre cilësive të fituara gjatë shkollimit, ishte ‘guri i provës’ që skënderbegasit e kanë përballuar me tepër sukses. Kam qenë ndër kohë komandant i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” për shumë vite si dhe komandant në njësitë më kryesore të ushtrisë dhe e pohoj pa as më të voglën mëdyshje: Oficerët skënderbegasi shkëlqenin, ishin më të mirët, si ushtarakë, intelektualë dhe si njerëz! E evidentova këtë, për tu thënë se në libër, krahas të tjerave, do e shikoni me ngjarje e shembuj konkretë këtë të vërtetë. 

Por kjo shkollë, nuk ishte vetëm institucioni i pazëvendësueshëm bazë që formonte kuadrot e ardhshëm të ushtrisë si komandantë e komisarë, por dhe një qendër e rëndësishme që ‘prodhonte’ sportistë cilësorë që i dhanë emër ekipit “Partizani” në të gjitha sportet si edhe ekipit kombëtar. Janë me dhjetëra apo qindra ikona sportive që kanë qene skënderbegas, duke u bërë kampionë e rekordmenë e duke e çuar më tej lavdinë e kësaj shkolle. Teksa lexon në faqet e librit “Skënderbegasit ndër vite…”, për sportistët e saj elitarë, teksa freskon kujtesën me ngjarje sportive ku ata janë protagonistë, gjithkush nga ne ndjehet krenarë. Është krenari e ligjshme të cilës vetëm ne që kemi qenë skënderbegas, e ndjejmë, e ‘prekim’ më shumë se kushdo. Për të vazhduar më tej… Në të gjitha fushat e jetës, skënderbegasit kanë qenë e janë në ballë. Në libër do të gjeni portrete, eksperienca e rrëfime për e nga skënderbegasit që janë bërë shkencëtarë në mjekësi, sikundër dhe në fushën ushtarake; që janë bërë diplomatë e kanë përfaqësuar me dinjitet vendin kudo ku janë dërguar; që janë bërë ministra, deputetë, biznesmenë, shkencëtarë të arkeologjisë etj… Krahas tyre, në faqet e këtij libri gjen dhe punën e madhe që kanë bërë oficerët, kuadrot komandues, mësuesit e palodhur për edukimin, stërvitjen dhe shkollimin e skënderbegasve. Ata ishin nga më të mirët e përzgjidheshin në shkallë vendi. Po përkrah, gjen dhe vlerësimet e respektin që kishin e ruajnë skënderbegasit për edukatorët e tyre.

Ndërsa një vlerë më vete në libër, janë dhe fotografitë. Ato janë të shumta e sjellin personazhe, ngjarje e data të dekadave më parë , duke u përcjellë brezave copëza të vyera të historisë së kësaj shkolle ushtrisë së lavdishme shqiptare. 

Ka shumë gjëra që sjellë ky libër i mrekullueshëm, por unë nuk dua të ndalem dhe në vlerat që ai ka në publicistikë apo dhe në historinë dokumentare, pasi nuk jam i fushës. Por pa përsëritur ata që kam thënë dhe në fillim, vlera kryesore që ka ky libër është evidentimi i atdhetarisë, trimërisë, sakrificës së brezit të ushtarakëve që kanë bërë si askush tjetër detyrën si qytetarë të këtij vendi. Veçanërisht në këtë kohën e sotme, këto vlera duhet të njihen e çohen më para nga brezat.

Ajo shkollë ka histori, ka lavdi e nuk duhej mbyllur. Por dhe kështu, ata nuk e lenë në harresë historinë dhe lavdinë e saj, përkundrazi. Shumë shpejt koha do çojë në vend shumë gjëra dhe e vërteta do të ketë shkëlqimin që ka, pa pluhur dashakeq e interesa meskinësh.

*Rustem Peçi, ish-skënderbegas i viteve 1946-1952, është një nga kuadrot madhorë të Shqipërisë, ku krahas të tjerave, ka qenë për 11 vite rresht edhe komandant i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë. Aktualisht është kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës. Jetëshkrimi i plotë i Rustem Peçit është përfshirë në volumin e parë të librit “Skënderbegasit ndër vite…”.
“Nuk është rastësi fakti që në hyrje të librit, radha është për kadetët e parë që u ulën në bankat e shkollës, duke ardhur nga formacionet partizane më 25 mars 1945, ditën që kjo shkollë u çel. Flitet me dokumente për këtë fakt, por flasin dhe vetë ata djelmosha dikur të rinj që nuk pranonin të ndaheshin nga pushka, por flinin bashkë me të.. Janë këta 300 kadetë të parë, djem e vajza, që në vitet e dekadat në vazhdim, u pasuan me qindra e mijëra të tjerë, që u bënë kuadro të aftë të ushtrisë shqiptare, e cila përmbushi me sukses të plotë misionin e saj fisnik, qenien në gatishmëri të përhershme dhe mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë” 
Rustem Peçi: Së pari, kam qenë vetë skënderbegas dhe e di se si mësohej atje, si stërviteshim, si rrinim dhe pa gjumë për të mësuar sa më shumë, si ndihmonim njeri tjetrin si vëllezër të një nëne, si ishim të gatshëm të zbatonim në kohë e me cilësi çdo urdhër, duke e ditur se mund të kishim dhe kosto të rënda. Gjimnazistë të tillë, kompaktë, me unitet të fortë, atëherë nuk gjeje në asnjë shkollë të vendit. Sot, në këto kohë të vështira, po as që bëhet fjalë. Më pas, shkollimi i, lartë në degë e specialitete të tjera në vend e jashtë Shqipërisë, këto cilësi të vyera që ata i kishin fituar, i përforcuan më shumë. Ndërsa dalja në jetë, materializimi i atyre cilësive të fituara gjatë shkollimit, ishte ‘guri i provës’ që skënderbegasit e kanë përballuar me tepër sukses”
DETAJ 1
Falënderim
Përgatitja e pjesë së tretë të librit “Skënderbegasit ndër vite…”, përveçse një punë voluminoze në arkiva, kërkoi dhe kontakte të shumta me ish-drejtues të kësaj shkolle, protagonistë të ngjarjeve të kohës, brenda e jashtë Shqipërisë. Në këtë ndërmarrje të vështirë, me synimin e përgatitjes sa më dinjitoz të materialeve, u angazhuan një grup i madh kolegësh dhe bashkëpunëtorësh. Kështu, falënderojmë kontribuesit Arben Duka, Rustem Peçi, Ilir Kulla, Pirro Lutaj, Arta Raveli, Thoma

Konduri, Zyhdi Kroj, Dhanil Raveli, Tomorr Lamçe, Bardhyl Hoxha, Agim Bedini, Torez Çiraku, Anastas Gurma, Ferit Fixha, Sali Frangu, Muharrem Dardha, Shpend Topollaj, Kadri Dauti, Përparim Celibashi, Adem Ajdini, Kujtim Drizari, Avenir Kalaja, Suzana Jahollari, Dr. Luan Nikollari, Kudret Salija, Ylli Themeli, Maliq Kullolli, Gjergj Çela, Agim Gjini, Zabit Çuku etj… Pa ndihmën e tyre, nuk mund të kishim arritur në përgatitjen e këtij libri që kemi në duar. Njëkohësisht, shpresojmë që edhe në pjesën e katërt të librit, ky bashkëpunim të vazhdojë.

Një falënderim i veçantë dhe për drejtuesit e gazetës Telegraf, zotërinjtë Agim Çiraku dhe Engjëll Musai për vlerësimin dhe hapësirën që i kanë kushtuar vëllimeve të librit “Skënderbegasit ndër vite…”

Autorët e librit
Maksim Fejzulla
Kujtim Boriçi

DETAJ 2
Për lexuesit
Në historikun e Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, përveç dokumenteve të shumta arkivorë që gjenden në Arkivin Qendror të Ushtrisë dhe në Arkivin Qendror të Shtetit, që janë shfrytëzuar dhe do të shfrytëzohen nga autorët e librit “Skënderbegasit ndër vite….”, një rol të rëndësishëm kanë dhe kujtimet e protagonistëve, brezave të skënderbegasve, mësuesve, komanduesve e punonjësve që punuan disa dekada në këtë institucion. Por krahas tyre, kjo shkollë elitare, ka dhe një historik zyrtar të shkruar, që hedh dritë në këtë periudhë të ekzistencës së saj. Pas vitit 1992, kohë në të cilën u mbyll ky institucion, në disa shkrime, kujtime apo botime informuese, janë përdorur diku dhe fragmente të shkëputura nga ky historik i shkruar. Por ky historik zyrtar voluminoz i shkruar, i kësaj shkolle, sigurisht i hartuar sipas metodologjisë së politizuar të kohës, nuk është publikuar asnjëherë i plotë. Pas dilemash dhe disa konsultave me specialistë të fushës, historianë e intelektualë të njohur, ramë në një mëndje dhe vendosëm që në pjesën e tretë të “Skënderbegasit ndër vite….”, ta botojmë të plotë, ashtu siç është në dosjen përkatëse të Arkivit Qendror të Ushtrisë. Nga ky material, ndonëse ne thelb i politizuar si të gjithë dokumentet e monizmit, sigurisht që ka dhe vlera njohëse për atë kohë dhe për kohën e stome dhe atë që do të vijë… Në këtë historik, ka ngjarje reale të dokumentuara në kohë, ka emra mësuesish, pedagogësh që kanë kontribuar me punën e dijet e tyre në edukimin e brezave të skënderbegasve, ka dëshmi nga aksionet që kanë bërë skënderbegasit në ndërtimin e veprave madhore të vendit, ka dokumentim në kohë të arritjeve, por dhe të tragjedive të ndodhura… E të gjitha këto kanë lënë gjurmë e janë pjesë e historisë së shkollës. Mendojmë se duke ‘mënjanuar’ politizimin, historiku sjellë diçka me vlerë që duhet të njihet nga të interesuarit. Duke falënderuar të gjithë ata që kontribuan në këtë aspekt, përfshi drejtuesit dhe punonjësit e Arkivit Qendror të Ushtrisë, në vazhdim po japim të plotë historikun zyrtar të shkollës “Skënderbej”.

Autorët
Nesër do të lexoni:
-Arben Duka: “Skënderbegasit ndër vite…”, monument i pavdekshëm i autorëve Kujtim Boriçi dhe e Maksim Fejzulla
-Arben Duka: Poezia e përgatitur për këtë vëllim, kushtuar shkollës “Skënderbej” me titull: “Jemi skënderbegas!”. Për jetë të gdhendur,/E kemi në ballë,/Jemi skënderbegas,/Sa të jemi gjallë!
Sigal