Flet ish-sekretari i Mehmet Shehut/ Hysen Qëndro: E vërteta e fortifikimeve të Ushtrisë, shifrat dhe faktet e pabesueshme. Eksperimenti mbi qendrën e zjarrit që ndodhej 500 metra larg lapidarit

896
Sigal

Ja, historia e fortifikimit të jashtëzakonshëm të Ushtrisë sonë në sitemin monist, shifra dhe fakte të pabesueshme

– Eksperimenti u krye mbi një qendër zjarri, që ndodhej në pjerrësitë e lartësisë 802, pesëqind metra larg lapidarit të partizanit, Tercilo Kardinali,

– Pas qitjeve me breshëri të shkurtra dhe të gjata, me të gjithë fishekët, numri i goditjeve në tabelën e ishte 36, ndërsa brenda qendrës së zjarrit ishin vetëm 6.

– Fortifikimi është pjesë përbërëse e luftimit mbrojtës, veçanërisht për vendet e vogla, siç është vendi ynë

-Fortifikimi i vendit për kohë lufte, i shërben mbrojtjes së forcave dhe mjeteve, veçanërisht gjatë përpunimit që armiku mësymës do t’i bëjë dispozitivit të mbrojtësit,

Hysen Qendro, është një personalitet i njohur nga kuadrot e ushtrisë sonë të asaj kohe.

Karriera e tij ushtarake është brilante, për nga njohuritë e thella në fushën e ushtrisë e të mbrojtjes dhe për dorën e tij të artë. Prania e tij në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë sonë në atë kohë, si kuadër i planizimit luftarak, ka kontribuar në reformimin e ushtrisë, që u krye në vitet 1974-1981, nën drejtimin e ushtarakut dhe strategut  të madh, Mehmet Shehu. Nga ky autor ushtarak, është i dukshëm  fakti që është angazhuar vendosmërisht të shkruajw për temën e ushtrisë e të mbrojtjes, jo vetëm për të kaluarën e ushtrisë, por edhe për çështje që i përkasin të tashmes. Me nivelin e një ushtaraku akademik, në shkrimet e tij ai ka ditur të kap çështje me interes kombëtar, që kanë vlera jo vetëm historike por edhe aktuale, duke bërë vlerësime e nxjerr përfundime të vlefshme. Zotin Hysen Qendro për informacionin e gjerë që na jep në këtë libër, për vlerat ushtarake, historike, arkitekturore dhe aktuale të fortifikimit.

Kol. Ismail Shulku

Ish- ndihmës i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të

Ushtrisë dhe komandant i Frontit verilindor.

Pse në atë sistem, fortifikimi, ishte domosdoshmëri  e mbrojtjes sonë?

Në kohët e sotme, zhvillimi dhe shpërndarja me shpejtësi e informacionit, për të gjitha fushat e jetës së shoqërisë njerëzore dhe të natyrës, është një e mirë e madhe dhe një forcë lëvizëse edhe për fushën e mbrojtjes. Pasja e informacionit nuk vlen pa nxjerrë përfundime dhe detyra, gjë që nuk është e lehtë, përkundrazi, për të arritur përfundime të sakta e shkencore, lypset pjesëmarrja e organeve të specializuara dhe  specialistëve që kanë studiuar dhe punuar për një kohë të gjatë  në fushat përkatëse. Te ne ndodh një dukuri e veçantë: organet e specializuara dhe specialistët heshtin, flasin politikanët, shtetarët dhe mediat, që nuk kanë njohuritë e nevojshme për problemet dhe as që kanë punuar në atë fushë. Kështu, p.sh., për fortifikimin që është ndërtuar në vendin tonë, nuk flasin ushtarakët që e kanë ideuar dhe  ndërtuar atë, por ata që nuk njohin ligjet objektive të luftës dhe as parimet dhe rregullat e veprimeve luftarake, duke përhapur mendime dhe qëndrime të gabuara për këtë çështje. Ndjej keqardhje për politizimin që u bwhet objekteve fortifikuese nga politikanë e shtetarë, dhe të atyre që qëndrojnë indiferentë, por për të ndikuar sadopak në ndryshimin e mendimit dhe qëndrimit ndaj objekteve fortifikuese gjatë kohës në vijim. Vendi ynë i vogël me numër të kufizuar forcash dhe mjetesh, me strategji të qartë për mbrojtjen e vendit të vet, e ka të domosdoshme përgatitjen që në kohë paqeje të çdo elementi të mbrojtjes, ku një ndër  kryesorët është edhe  fortifikimi. Situatat reale ushtarake e diktonin domosdoshmërinë e fortifikimit të pozicioneve, rajoneve dhe brezave tanë të mbrojtjes, si masë shumë e rëndësishme e qëndrueshmërisë së saj. Kur analizojmë dhe gjykojmë për vlerat e fortifikimit të mbrojtjes sonë, t’i shohim e t’i gjykojmë jo me gjendjen  e sotme politiko-ushtarake dhe të sistemit ekonomiko-shoqëror  të sotëm në vendin tonë, por me Shqipërinë e asaj kohe, me gjendjen, kushtet dhe sistemin ekonomiko-shoqëror të saj. Veç kësaj, atëherë dhe sot, lypset të  kuptojmë se Shkenca ushtarake me ligjet e saj kanë vërtetuar se terreni dhe fortifikimi janë aleatë të përhershëm. Ata janë “skena” ku kryhen veprimet luftarake, që përgatiten dhe pajisen me kohë, sipas planëzimit luftarak. Kjo është domosdoshmëri që nuk duhet e nuk mund të mohohet, sidomos për kushtet e vendit dhe ushtrisë sonë të vogël, të pozicionit gjeopolitik të Shqipërisë në Ballkan. Askush nuk na siguron se nuk do të ketë më nevojë për objekte fortifikimi. Ato janë të ndërtuara dhe duhet të ruhen.

Kur dhe si filloi fortifikimi i mbrojtjes sonë?

Fortifikimi i mbrojtjes sonë filloi pas një studimi dhe përnjohjeje të hollësishme të terrenit, nga kuadrot më të larta ushtarake, në bashkëpunim me komandat e njësive, sipas një plani të veçantë. Objektet fortifikuese u vendosën sipas koncepteve taktike, operative dhe strategjike të Artit tonë Ushtarak dhe drejtimeve përkatëse të mbrojtjes. I ndërtuar në atë periudhë, fortifikimi e kreu funksionin e vet duke u treguar kundërshtarëve se ky vend kishte zot; se në rast sulmi ndaj tij armiqtë do të përballeshin me një mbrojtje që nuk mund të kalohej kollaj. Edhe ata e dinin, e merrnin parasysh, dhe i bënin mirë llogaritë, sidomos fqinjët tanë. Ndokush nuk është në një mendje me këtë që them, por ky ishte një realitet që nuk e zhbëri koha. Ishte organizimi ushtarak i përsosur, përgatitja e vijueshme ushtarake e të gjitha strukturave dhe kontigjenteve, fortifikimi i rajoneve dhe brezave tanë të mbrojtjes si dhe gatishmëria e lartë luftarake, të cilat synonin që mbrojtja e vendit të ishte e sigurt dhe e paprekshme. Fortifikimi i vendit për kohë lufte, i shërben mbrojtjes së forcave dhe mjeteve, veçanërisht gjatë përpunimit që armiku mësymës do t’i bëjë dispozitivit të mbrojtësit, që nga vija e parë e në thellësi, duke e goditur me aviacion, artileri dhe raketa, për ta paaftësuar e mbajtur nën goditje të pandërprerë kundërshtarin për një kohë të gjatë, siç vepruan forcat e NATO-s kundër objekteve të forcave serbe në luftën e Kosovës. Fortifikimi i ndërtuar në vendin tonë përballon në një masë të madhe jo vetëm goditjen e kundërshtarit me armët konvecionale, por edhe nga armët e dëmtimit  në masë. Objektet fortifikuese ishin të shumëllojshme. Siç ishin edhe llojet e armëve e të shërbimeve, për të siguruar mbrojtjen vetjake dhe të përbashkët të luftëtarëve dhe të popullatës së paaftë për luftë.

Pse fortifikimi është një masë e rëndësishme e qëndrueshmërisë së mbrojtjes?

Në atë kohë vendi ynë ishte i vetmi vend në Ballkan, por edhe në Europë, me sistem ekonomiko-shoqëror të ndryshëm nga ai i fqinjëve tanë, që jo vetëm urrehej prej tyre, por ata përgatiteshin ushtarakisht të realizonin qëllimet e tyre pushtuese. Prandaj detyra e ushtrisë sonë jo vetëm që kërkonte gatishmëri, stërvitje dhe vigjilencë të lartë, por dhe përgatitje të terrenit për mbrojtje. Për këtë, Komanda e Përgjithshme, së bashku me komandat dhe shtabet e njësive të mëdha të ushtrisë, zbatuan masa të rëndësishme për të përsosur përgatitjen xheniere të mbrojtjes, e ndërmjet tyre fortifikimin e rajoneve dhe të brezave të mbrojtjes, sipas drejtimeve të mësymjes së mundshme të kundërshtarëve, për të rritur qëndrueshmërinë e saj.   Ai është i nevojshëm, sepse, në rast lufte, gjatë plotësimit dhe hapjes së forcave dhe mjeteve, që është periudha më e vështirë dhe delikate, ku do të ketë edhe humbje për mbrojtësin, nëse, në rajone dhe brezat e mbrojtjes, forcat do jenë të zbuluara, të pafortifikuara, dëmtimet do të jenë shumë më të mëdha. Prandaj fortifikimi është domosdoshmëri për të mbrojtur forcat tona, burimet njerëzore e material dhe pasuritë e tjera, që i kemi të mëdha. Fortifikimi është shtesë force për palën mbrojtëse, sepse i mbron forcat dhe mjetet nga zjarri i fuqishëm i palës mësymëse. Bën që kundërshtari të konsumohet vazhdimisht gjatë sulmeve të përsëritura, gjë që ndikon mjaft në baraspeshën e raportit të forcave dhe marrjen e nismës për të kaluar në kundërsulme dhe kundërgoditje.

Ju thoni fortifikimi është pjesë përbërëse e luftimit mbrojtës, veçanërisht për vendet e vogla, siç është vendi ynë, pse?

Që në fillim të luftimeve ne detyrohemi të përdorim si lloj luftimi mbrojtjen, jo vetëm sepse mbrojmë vendin tonë, që nga metri i parë i kufirit shtetëror e në të gjithë thellësinë e tij ndaj mësymësit, por edhe sepse armiqtë tanë kishin epërsi në raportin e forcave, ndaj lypsej për ta konsumuar gjatë luftimit mbrojtës. Si rrjedhojë, luftimi mbrojtës kërkon përgatitje të plotë xheniere që në kohë paqeje, përfshi edhe fortifikimin, të cilin ushtria dhe populli ynë e ndërtuan atë të përhershëm dhe me cilësi të lartë. Fortifikimi kryhet duke shfrytëzuar dhe fuqizuar vetitë mbrojtëse të terrenit. Siç u tha më sipër, mbrojtja jonë kërkonte fortifikim kompleks sipas llojeve të armëve dhe të teknikës, por edhe i ndërthurur mirë me vetitë mbrojtëse të terrenit dhe me formacionet luftarake. Për këtë u bënë studime të veçanta përnjohëse, për të siguruar bashkëveprimin që kërkon luftimi (operacioni) mbrojtës.

Terreni është baza natyrore mbi të cilin ndërtohet fortifikimi.

Prandaj ai, si një dhuratë e natyrës, jo vetëm meriton konsideratat e veçanta, por për ne ushtarakët është i shtrenjtë. Terreni është skena e teatrit të luftës ku të dy palët, si mbrojtësi dhe mësymësi, mbështeten fort duke e përdorur sipas qëllimeve ushtarake të tyre. Prandaj terreni cilësohet një nga tre faktorët objektivë realë të veprimtarive luftarake dhe i luftës në tërësi. Këndvështrimi për terrenin është i ndryshëm. Studiuesit dhe përdoruesit e shohin atë sipas fushave dhe interesave përkatëse: si gjeograf, topograf, gjeolog, botanist, bonifikues etj. Ushtaraku e sheh nga pikëpamja se si e sa ai  lejon të organizojë e të drejtojë veprimet luftarake si: nxënësinë e forcave dhe mjeteve, rendimin luftarak, maskimin e fshehjen e tyre, rrugëkalimet etj. Përveç vetive natyrore, komandat dhe shtabet kryejnë punime xheniere në të mirë të veprimeve luftarake, veçanërisht në brezat e caktuar të mbrojtjes. Këto përnjohje e studime të terrenit janë të domosdoshme për oficerët, komandat dhe shtabet. Prej tyre vërehen përparësitë dhe mangësitë e tij, dhe përcaktohen masat për të zvogëluar anët e padobishme në mbrojtje. Studimet realizohen edhe nëpërmjet stërvitjeve komplekse dyanëshe me trupa. Fortifikimi që iu shtua terrenit tonë, u krye sipas drejtimeve, me breza mbrojtje të njëpasnjëshëm, që nga vija e kufirit shtetëror e deri në thellësi të vendit. Mbrojtja jonë e fortifikuar ishte e kohës dhe tepër e manovrueshme, në të gjitha drejtimet që organizohej. Ajo siguronte një sistem zjarri të planifikuar dhe të përcaktuar saktë, që nga pozicioni i ushtarit, nënreparti, reparti dhe deri te njësia ushtarake. Tërësia e objekteve fillonte shkallë-shkallë me garnizonin, pozicionin, rajonin, vijën e fortifikuar, brezin e mbrojtjes, e deri te brezi i çeliktë, i cili ndërtohej për mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë, siç janë: kryeqyteti, qytetet, aeroportet, portet detare etj. Fortifikimi siguronte ndërtimin e bazave të nisjes për kundërsulme, kundërgoditje e  kundërmësymje të forcave tona. Duke mbajtur parasysh se luftimi mbrojtës, sipas Artit tonë Ushtarak, ishte i përkohshëm, dhe se me krijimin e kushteve, sidomos në raportin e forcave, kalohej në kundërsulm, kundërgoditje e kundërmësymje për asgjësimin e armikut të mundshëm. Vijat e hapjes dhe bazat e nisjes duhej të ishin të fortifikuara e të ndërtuara në disa drejtime e variante të caktuara. Pikërisht këto kushte për veprime mësymëse të njësive luftarake të ushtrisë sonë i siguronte fortifikimi.

Sa ndikon fortifikimi në  gjendjen moralo-psikologjike të luftëtarëve?

Luftëtari duke qenë i strehuar në qendrën e zjarrit, ka të përcaktuar sektorin e qitjes, që lidhet ngushtë me vendosjen saktë të qendrës së zjarrit për të shmangur këndet e vdekura të qitjes  nga frëngjia. Përveç anëve taktike e teknike, qendra e zjarrit ndikon mjaft pozitivisht në psikologjinë e luftëtarit. Ai, duke qenë i mbrojtur në fortifikatë, do të qëndrojë lart moralisht, zjarri i armës së tij do të jetë i saktë dhe shkalla e asgjësimit të mësymësit më e madhe. Edhe në luftimin e afërt dhe trup me trup luftëtari ynë, meqenëse është në pritje të atij që vjen nga sulmi, do të jetë më i favorizuar dhe më pak i dukshëm nga zjarri i armëve në krahasim me kundërshtarin. Përvoja e veprimeve  luftarake në vija të fortifikuara dhe ajo e stërvitjeve me trupa e ushtrisë sonë, tregojnë se probabiliteti i goditjes së ushtarit, që lufton nga qendra e zjarrit, është shumë më i vogël sesa kur lufton në terren të hapur. Për ta vërtetuar këtë, në vitin 1988 në krye të një grupi oficerësh, efektivë të batalionit artmitralier të Çerenecit, në Peshkopi, kam kryer eksperimentin me qitje reale për të xjerrë treguesit konkretë  sesa plumba mund të hynin në frengjinë e qendrës së zjarrit dhe sa goditje mund të merrte ushtari kur lufton brenda saj. Batalioni artmitraljer i Çerenecit ishte i vendosur fare pranë kufirit shtetëror, përballë qytetit të bukur të Dibrës së Madhe, që shtrihet në rrafshnaltën, rrëzë malit të Radikës, 6-8 km larg në vijë ajrore nga ish qendra e batalionit. Ndërtesat me çatitë e tyre të mbuluara me tjegulla të kuqe, duken bukur që këtej. Batalioni ishte vendosur në rajonin e caktuar të mbrojtjes, në bregun perëndimor të Drinit të Zi, pranë kodrave të buta, që shtrihen deri afër malit të Kaptinës së Martaneshit. Ai kishte kushte të plota nga çdo pikëpamje për të jetuar e luftuar edhe në kushte rrethimi. Rajoni i mbrojtjes përfshinte sistemin e lartësive pranë brezit të kufirit, përfshi edhe lartësinë 802 m. Vendvendosja e batalionit ishte një luginë e vogël, e kthyer në një qytezë ushtarake, e lulëzuar nga duart e ushtarëve dhe kuadrove të atij reparti shembullor. Kodrat përreth ishin të mbjella me pemë frutore të zonës, si mollë dhe qershi. Nën ato kodra shtrihet fshati Gjorica e Sipërme dhe e Poshtme, me njerëz shumë të mirë dhe atdhedashës, që e kompletonin atë repart.

-Ku dhe si u krye eksperimenti?

Eksperimenti u krye mbi një qendër zjarri, që ndodhej në pjerrësitë e lartësisë 802, peswqind metra larg lapidarit të partizanit, Tercilo Kardinali, hero i LANÇ-it, efektiv i batalionit partizan “Antonio Gramshi”. Më poshtë paraqiten: qendra e zjarrit dhe kushtet e eksperimentit.

– Qendra e zjarrit ishte me një frëngji, e tipit “M-22”;

– përmasat e hapësirës së jashtme ishin: 120×40 cm;

– përmasat e hapësirës së brendshme ishin, 40×20 cm;

– arma me të cilën u krye qitja, mitraloz “Gorjanv”;

– sasia e fishekëve, 150 copë;

– qitësi, ushtar i vitit të dytë, me përgatitje të mirë si qitës;

– koha, e mirë, në orët e pasdites;

– pozicioni i qendrës së zjarrit dhe i transhesë, ku ishte vendosur mitralozi, pa shumë disnivel;

– distanca e qitjes, 150 metra;

– për të parë numrin e goditjeve, jashtë dhe brenda frëngjisë, në secilën hapësirë u vendos nga një tabelë kompesate, të prera sa hapësirat përkatëse të frëngjisë;

– qendra e zjarrit ishte bosh.

Pas qitjeve me breshëri të shkurtra dhe të gjata, me të gjithë fishekët, numri i goditjeve në tabelën e jashtme ishte 36, ndërsa brenda qendrës së zjarrit ishin vetëm 6. Plumbat u gjetën në dyshemenë e qendrës së zjarrit. Përfundimi: nga gjithë ai vëllim zjarri, plumbat goditnin kupolën dhe vetëm gjashtë prej tyre e rrezikonin ushtarin. Kuptohet, kur luftëtari do të mbrohej në pozicion të fortifikuar, mundësia e asgjësimit është shumë më e vogël se sa  kur luftëtari vepron jashtë qendrës së zjarrit.