Fejzi Rrokaj/ 70 vjetori i çlirimit të atdheut, trimi i trimave Hajredin Bylyshi

1186
Sigal

Më 19 tetor 1942, që në mëngjes, mbi tavolinën e marshallit italian Lombardo, u gjendën katër këmisha të lara me gjak, tri kobure, njëmbëdhjetë bomba dore dhe disa fotografi të sapo filmuara. Gjithashtu përpara tij, në këmbë, qëndronin disa nxënës të shkollës tregtare të Vlorës. Dhe Lombardo, duke u krekosur si gjeli majë plehut, iu drejtua atyre: I shihni këto fotografi? Janë të shokëve tuaj. Unë i kam vrarë, që të katër, ja me këto duar- i kërcënonte fashisti Lombardo shokët e Hajredin Bylyshit, Mumin Selamit, Barjam Tushit dhe më të voglit, 15 vjeçarit Hiqmet Buzi. Më shumë se 72 vjet më parë, në lagjen e varfër Tophana në Vlorë, në shtëpinë e Murat Lamçes u mblodhën katër trimat ilegalë, për të diskutuar në lidhje me detyrën e ngarkuar nga Qarkori i Partisë Komuniste për Vlorën, për kryerjen e një aksioni në Myzeqe. Spiuni i regjur, armiku i popullit Azem Spolata i spiunoi ilegalët dhe sa kaq mbi 400 milicë dhe karabinierë, rrethuan shtëpinë me kallamba, ku mbas një beteje të vërtetë, për jetë a vdekje, duke luftuar me 400, ranë për të mos vdekur kurrë, katër heronjtë e Tophanasë në Vlorë. Shumë a pakë në mënyrë të përmbledhur, kjo është historia e ngjarjes së 18 tetorit 1942, por në këtë shkrim, unë do të flas për më të madhin, komandantin e njësitit, 22 vjeçarin Hajredin Nuro Bylyshaj nga Tërbaçi, dëshmorin e parë të këtij fshati dhe Heroin e Popullit, në Luftën e Madhe NAÇL. Po kush është Hajredin Nuro Bylyshi? Ka njerëz të cilët i përkushtohen atdheut të vetë dhe pa e kuptuar as vetë, ata bëhen pjesë e historisë së tij, të vendi ku lindën dhe u rritën. I tillë ishte dhe mbeti edhe djali trim nga Tërbaçi, Hajredin Bylyshi. Ai lindi atje lart rrëzë Tranajoit legjendar, ku shtrihet Tërbaçi ynë kreshnik. Ai lindi atje midis gërxheve dhe shkëmbinjve të sertë, ku gjeti gjithmonë stremi liria. Dhe djali i porsa lindur ndjeu erën e barutit. Shqipëria lëngonte. Ajo ishte në luftë. Italia fashiste kishte zaptuar Vlorën dhe rrethinat e saj. Xha Nurua luftonte bashkë me shokët të hidhte italianët në Det. Vitet kalonin duke u rrokullisur njëri pas tjetrit dhe Hajredini i vogël po rritej e burrërohej. Ashtu midis fukarallëkut, ai mbaroi shkëlqyer 5 klasë të shkollës fillore, në Tërbaç. Me mundime e me ndihmën e miqve të familjes, u regjistrua në Shkollën Tregtare në Vlorë, e vetmja shkollë e mesme në atë kohë. Prindërit e pajtuan hyzmeqar në familjen e pasur të Mezinajve, në Tophana, ku punonte shumë punë të ndryshme, mbante fëmijët, mbushte gjymat me ujë në çezmën e lagjes, priste drutë , bënte pazarin e zonjës dhe mësonte natën , duke vazhduar shkollën me shumë sakrifica si shumë të tjerë shokë të tij . Lëvizja NAÇL po merrte përmasa të mëdha. Në këtë lëvizje u përfshi dhe Hajredini. Kontaktet e vazhdueshme dhe këshillat e Shokut Hysni Kapo, e brumosën Hajredin me ide revolucionare dhe e ndërgjegjësuan atë se lufta donte sakrifica, vendosmëri, trimëri e gjakftohtësi. Ai u pranua në Rininë Komuniste qysh më 14 mars 1942, me krijimin e kësaj organizate. Ai u takua me Qemal Stafën, kur ai erdhi në Vlorë. Hajredini u përfshi në grupin edukativ me shumë shokë si Hito Cako, Filat Muço, Shyqyri Alimerko, Nuri Arapi, Dhimitër Mandro, Jeta Abazi, Irfan Celkupa, Pupo Shyti e shumë të tjerë. Më 9 mars 1942, ai gjendet përkrah shokut Hysni Kapo me gjithë nxënësit e Shkollës Tregtare, në grevën e madhe të bukës, organizuar nga Partia komuniste. Në gusht të vitit 1942, Hajredinin e gjejmë bashkë me shokun Arif Hasko dhe Naun Hondro, duke punuar me teknikën e Partisë në qytet. Bazat e para për strehimin dhe punën me teknikën, ishin shtëpia e Hava Xhelos në lagjen e Re dhe shtëpia e Sulo Harrëmit, ku banonte Hajredini në Budak. Por Hajredini me teknikën e partisë punoi edhe ne Qishbardhë, në shtëpinë Ismail Bonjakut, në Kallafet, në kasollen e varfë r të bujkut vranishnjot Bejko Shyti, si dhe në shtëpinë e Muhamet Bedinit, në Skrapar-Panaja. Në gjysmën e dytë të vitit 1942, në të gjithë fshatrat e Qarkut të Vlorës, filluan të ngrihen organizatat e rinisë. Tashme komunisti Hajredin Bylyshi, së bashku me Vllas Arapin dhe Jonuz Mersinin, u ngarkuan për krijimin e organizatës se rinisë në krahinën e Mesaplikut, ku themeluan organizatat e Rinisë Komuniste në Gjorm, Velçë, Smokthinë, Brataj, Tërbaç e Vranisht, duke dhënë kështu një kontribut të madh dhe një shembull të shkëlqyer në favor të Luftës Antifashiste NAÇL. Kur u krijuan aktivet e rinisë, Hajredinin e shohim midis të rinjve student siç quheshin atëherë nxënësit e shkollave të mesme. Mbledhjet e para të aktivit të rinisë, ai i bëri me Qemal Stafën në shtëpinë e Petrit Bishës që ishte me origjinë nga Tërbaçi, kurse me të rinjtë punëtorë, në shtëpinë e Shemsi Totozanit. Hajredini ishte i pranishëm në këto aktive. Si anëtar i Qarkorit të Rinisë, ai mori pjesë në takimin e 23 prillit 1942, në Babicë, ku mblodh rinia vlonjate. Për aktivitetin e dendur revolucionar të luftës, Hajredini u përjashtua nga shkolla. Ai shkoi në Kuçovë dhe punoi punëtor në puset e naftës. Komiteti Qarkor i Vlorës, komunistit Hajredin Bylyshi i ngarkoi detyra më të mëdha. Ai mori porosi që në zonën e Myzeqesë, duhej organizuar një aksion. Ai mblodhi shokët e tij atje ku dhe ranë përjetësisht për të mos vdekur kurrë. Por shokët e tij, atyre ua morën hakën. Spiuni Azem Spolata, u kap dhe e pagoi me lëkurën e tij spiunllëkun dhe bashkë punimin me pushtuesit italianë. Edhe “trimi” Lombardo, nuk e mendonte se një ditë të bukur janari do t’i vinte edhe atij dita dhe atentatorët Ismet Cakërri dhe Koço Kllapi ia numëruan në lule të ballit, Edhe ky vajti, jo për mish, por për lëkurë. Megjithatë fashistët u hakmorën prapë rëndë. Ata pushkatuan shokët e Hajredinit që mbaheshin në burg. Mitaq Sallatën, Pavllo Kafinë, Astrit Kokoshin dhe Todi Bitrin. Por dihet nga të gjithë se liria nuk dhurohet dhe ajo nuk vjen pa gjak. Dhe Nuro e Merushe Bylyshi, përveç Hajtredinit, ata e paguan edhe me djalin tjetër, trimin e tërbuar, partizanin e çetës “Plakë”, komunistin e paepur, Zv/ komandantin e batalionit dytë, të brigadës V-S. “Heroin e Popullit” Haki Nuro Bylyshin, “BLLOKUN” legjendar siç e thërrisnin shokët e luftës, që më 31 mars 1944, në Luftimet e ashpra të Mavrovës, u plagos rëndë nga një plumb në kokë, i cili mbeti invalid përsa jetoi, me gjithë përpjekjet e bëra, nuk u riaftësua as një ditë të vetme deri sa vdiq po nga kjo plagë, më 1949. Në betejën e Mavrovës lindi edhe kënga: Ç’u kish rritur nëna për një Botë të Re,/ Lule more trima që ratë për atdhe./ Por bashkë me xha Nuron dhe nënë Merushen edhe Tërbaçi e pagoi shumë shtrenjtë lirinë e atdheut tonë të dashur. Ai dha kurban për Shqipërinë 60 bij e bija nga më të mirët. Ne pasardhësit e tjerë, jemi krenarë për ata që me gjakun e tyre që derdhën në themelet e lirisë atdheut, u bënë të pavdekshëm. O Ju trima që s’përtuat,/ Ju bijtë e Tërbaçit plak,/gjakun tuaj e dhuruat,/ E mbajtët fjalën që dhatë.