Familjet fisnike voskopojare që bënë emër brenda dhe jashtë vendit, në shekujt XVIII-XIX

2112
Jovan Bizhyti

Dihet tashmë nga historia lulëzimi ekonomik, arsimorë e kulturor i Voskopojës në shekujt XVII- XVIII. Ajo u bë qendra e vëmendjes të dijetarëve dhe tregtarëve të kohës, qyteti më i pasur dhe me një tregti të zhvilluar fuqishëm. “Voskopoja ishte një fenomen për kohën, një copëz Evropë në mes të obskurantizmit aziatik që kishte pushtuar gjithë Ballkanin”, shkruajnë historianët. Ky zhvillim e qytetërim, i dedikohej punës dhe inteligjencës së atij komuniteti, kryesisht shqiptar e armen (vlleh), që u ndodhën në ato mjedise, intelektualëve të shkolluar që u kthyen në trojet e tyre pas rënies së Bizantit me qendër në Kostandinopojë, i dedikohet kryqëzimit të rrugëve, ku Voskopoja dhe e gjithë Shqipëria ishin nyje lidhëse midis Lindjes e Perëndimit, si dhe lidhjeve që ky qytet krijoi me botën e jashtme, i cili kish nisur zhvillimin nga Rilindja e qytetërimit perëndimor. Zhvillimi ekonomik e kryesisht i tregtisë, krijoi lidhje njerëzore, miqësore e kulturore me shumë vende të Ballkanit e të Evropës lindore e perëndimore, si me Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Italinë, Austrinë e tjera, ku shumë familje voskopojare dërguan fëmijët e tyre me studime në këto vende të zhvilluara. Erdhën në Voskopojë intelektualë, ekonomistë e pedagogë që kishin studiuar në vendet e Evropës, një pjesë e mirë e tyre qëndruan aty të nxitur nga mjedisi e kushtet e favorshme materiale e shpirtërore. Këta dijetarë sollën me vete dhe mendime të reja në mjedisin ekonomik tregtar, në fe, në art e kulturë, në filozofi, e në mendimin pedagogjik arsimor, si përvojë nga vendet ku kishin studiuar, si në Francë, Venedik, Padova të Italisë, në Bukuresht, në Janinë e gjetkë. Kjo atmosferë e re zhvillimi ekonomik e kulturor, nxori në pah shumë familje voskopojare, pinjollët e të cilëve u shquan, jo vetëm si tregtarë të zotë, por dhe si pedagogë e filozofë të shquar të kohës që bënë emër brenda dhe jashtë vendit. 

Familja Kavalioti. 
Njëra prej tyre ishte familja Kavalioti, që u shqua në atmosferën kulturore, e cila u krijua në mjedisin Janinë-Moskopolis (Voskopojë), me pinjollin e saj të shquar, Teodor Kavalioti, i cili sintetizoi dhe përhapi ide të reja iluministe të përparimit të arsyes dhe diturisë, kryesisht në fushën e pedagogjisë arsimore. Teodor Kavalioti u farkëtua në kolegjin Maruzian të Janinës, nën ndikimin e një personaliteti me famë ballkanike, Eugjen Vulgaris 1716-1806, arbëresh nga Greqia, përkrahës i flaktë i ideve iluministe dhe i pikëpamjeve të reja filozofike të filozofëve të shquar të kohës si, Volterit, Volfit, Lokut e të tjerë. Ai nguliti në nxënësit e tij koncepte filozofike të reja, duke nxitur mendimin liberal, tolerant e kritik. Ngjarje e rëndësishme në jetën kulturore të Voskopojës në fillimet e shekullit XVIII, ishte ngritja e “Akademisë së Re”, në të cilën u përfshinë pedagogë të shquar. Një ndikim të dukshëm në këtë aspekt, pati dhe Patriarku voskopojar i Ohrit, Joasafi, që u përfshi së bashku me një grup intelektualësh voskopojarë për të kontribuar për qytetin e tyre, deri dhe me kontribute ekonomike e financiare në fushën e arsimit. Rektori i parë i kësaj Akademie në vitin 1744, ishte Sevans Leontiadhi, ndërsa Teodor Kavalioti ishte pedagog, edhe pse në moshë shumë të re. Në vitin 1748, kur ishte 30 vjeç, Teodor Kavalioti u bë rektor i Akademisë dhe shumë shpejt u vu në krye të lëvizjes kulturore iluministe në Voskopojë, e në krahinat e tjera të Shqipërisë së mesme e të jugut. Ai, në fillimet e tij, u mbështet dhe nga një personalitet i dëgjuar i Voskopojës në fushën e dijeve, Grigor Voskopojari, i njohur më pas si, Grigori i Durrësit, pasi u bë i shquar dhe në këtë qytet të lashtë bregdetar. Teodor Kavalioti u shqua kryesisht në fushën e dijeve arsimore e kulturore. Veprat e shkruara prej tij ishin kryesisht tekste shkollore si: “Logjika”, shkruar në vitin 1743, “Fizika”, në vitin 1752 dhe ”Metafizika”, në vitin 1767. Ai jepte leksione dhe në filozofi, logjistikë, matematikë, fizikë, e filologji. Kavalioti hodhi bazat racionaliste të një kulture të re, kundër skolastikës mesjetare. Përktheu gjithashtu dhe “Dhiatën e Re” në gjuhën shqipe dhe botoi në Venecia të Italisë në vitin 1770, fjalorin e parë tri-gjuhësh, greqisht – vllahisht – shqip me 1070 fjalë, të cilin e ribotoi dhe në Leipzig të Gjermanisë vite më pas. Teodor Kavalioti u orvat që dhe kishës sonë ortodokse t’i jepte karakter kombëtar, duke dëshiruar të fuste gjuhën shqipe në predikimet fetare. Jeta akademike e tij është e pasqyruar në kodikët e Manastirit të Shën Prodhomit, ndër kishat më të vjetra të Voskopojës në fillimet e shkëlqimit të saj në shekullin XVII. Për prejardhjen e kësaj familjeje të dëgjuar fisnike, në vitin 1808, studiuesi voskopojar Gjergji Roza, shkruan se, “Kavaliotët janë me origjinë nga Gopeshi i Oparit”. Këtë të dhënë e ka marrë nga i biri i dijetarit, Anastas Kavalioti, ato kohë prift dhe mësues në Mishkole të Hungarisë. Këtë të dhënë për prejardhjen nga Opari të Kavaliotëve, e përforcon dhe studiuesi e shkrimtari ynë, Dhimitër Shuteriqi. 

Familja voskopojare Sina. 
Një tjetër familje fisnike voskopojare, që u shqua në fushën tregtare të biznesit, ishte familja, Sina, e përfaqësuar nga Simon Gjergji Sina. Kjo ndodhi në periudhën e lulëzimit të Voskopojës në fillimet e shekullit XVIII, ku i ati, Gjergj Sina ishte ndër tregtarët e shquar të Voskopojës. Sipas studiuesit, Stilian Adhami në librin e tij, “Voskopoja dhe monumentet e saj”, kjo familje ishte nga më të shquarat, që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin tregtar të Voskopojës. Pas tragjedisë që përfshiu këtë qytetërim, trazirat, plaçkitja e djegia që përjetoi Voskopoja në shtatorin e vitit 1769, por dhe më pas, bëri që të largohen shumë familje të dëgjuara fisnike, veçanërisht për pasurinë e tyre. Njëra nga ato ishte dhe familja Sina, e drejtuar tashmë nga i biri i Gjergjit të vjetër, Simon Sina. Në vitin 1782, kjo familje braktis Voskopojën e djegur e të shkatërruar dhe u vendos në Nish të Serbisë. Simon Sina pas një kohe u martua me Irena Czippe me origjinë sllave dhe lindi me të një djalë që i vuri emrin e të atit, Gjergj Sina. Gjergji ishte 10 vjeç kur i vdiq e ëma dhe i ati Simoni pas kësaj fatkeqësie, u vendos në Vjenë të Austrisë. Aty erdhën dhe familje të tjera nga Voskopoja dhe iu bashkëngjitën një komuniteti grek, që ndodhej aty prej vitesh. Familjet e ardhura nga Voskopoja, shiheshin nga vendasit si greke dhe jo si banorë të ardhur nga një krahinë e Perandorisë Osmane, siç njihej atëherë Shqipëria. Simon Sina u përfshi si bashkëpronar në disa shoqëri tregtare të mallrave me shumicë që zhvillonin veprimtari në Vjenë. Në vitin 1798, ai krijoi biznesin e tij të mallrave me shumicë, si dhe një bankë tregtare. Kjo periudhë u quajt si “kohë e artë” e rritjes së pasurisë dhe rreshtimin e familjes voskopojare, Sina, në sërën e patricëve të qytetit të Vjenës. Në vitin 1802, Simon Sina martohet për herë të dytë me Katharina de Gyra, një katolike hungareze nga një familje fisnike, me të cilën i lind një djalë në vitin 1804, që i vunë emrin Johan Sina. Tregtinë në Vjenë Simon Sina e zgjeroi edhe në importin e pambukut me shumicë për furnizimin e fabrikave të konfeksioneve në Austri e gjetkë, ku lëndën e parë e merrte nga Maqedonia, që kultivonte sasi të mëdha pambuku. Pasuria e madhe që arriti, i dha famë dhe në vitin 1818, familja Sina mori statusin e aristokracisë Austro-Hungareze, si një Perandori ekonomike me shtrirje të gjerë dhe të fuqishme. Në vitin 1822, Simon Sina vdiq në moshën 69 vjeçare, duke lënë pas një pasuri të madhe dhe një karrierë me emër. Këtë famë e pasuri e trashëguan dy djemtë e tij, ku djali i madh, Gjergj Sina, e çoi më tej këtë sukses, duke e shtrirë jo vetëm në tregtinë me shumicë, por dhe në infrastrukturën rrugore e hekurudhore, në ndërtimin e banesave e tjera. Në sajë të kësaj pasurie, të dy djemtë e Simon Sinës, morën dhe titullin e lartë aristokratik, “Baron”. Gjergj Sina në tregtinë e pambukut nga Maqedonia, lidhi dhe një kontratë marrëveshje me Ali Pashë Tepelenën që zotëronte ato territore, duke siguruar fitime të mëdha. Pas ekzekutimit të Ali Pashës nga Porta e Lartë, fitimet e këtij biznesi kaluan totalisht në favor të Gjergjit. Kur tregtia e pambukut u konkurrua nga prodhimi amerikan që furnizonte Evropën, Gjergj Sina nisi biznesin e duhanit me Hungarinë. Njëkohësisht ai pati sukses edhe në fushën bankare, ku u zgjodh dhe drejtor i Bankës Kombëtare të Perandorisë dhe deri sa vdiq në vitin 1856, ai ishte zv/guvernator i kësaj banke. Ai ishte shumë inteligjent dhe punonte me shumë përkushtim edhe deri pas moshës 70 vjeçare. Familja Sina në Austri kishte në pronësi disa fabrika të stofrave të pambukta. Gjergj Sina ishte njëkohësisht dhe themelues i Bankës Kombëtare të Austrisë. Në fushën e ndërtimeve infrastrukturore, njihet investimi i kësaj familjeje për ndërtimin e urave siç ishte, “Ura e varur e Budapestit” në Hungari, që kushtoi rreth 500 mijë sterlina angleze, si dhe ndërtesa e “Akademisë së Athinës” në Greqi, fillimet e ndërtimit të së cilës nisën në vitin 1834, dhe përfunduan pas vdekjes së tij, nën kujdesin e së shoqes, Efigjeni Sina dhe dy vajzave të tij. Të dyja këto investime ishin si dhuratë nga familja e Baronëve, Sina. Njëkohësisht, kjo familje ndihmoi dhe shumë bashkëkombës shqiptarë, duke u akorduar bursa fëmijëve të tyre në shkollat e Evropës. Ekzistonte një listë e tërë objektesh e biznesesh në pronësi të familjes Sina në Vjenë, e cila përmbante midis të tjerave dhe 12 pallate dhe një sërë trojesh në qendër të Vjenës, ku bënte ndërtime. Territori i këtyre ndërtimeve quhej, “Zona greke”, që ndodhej pranë kishës ortodokse “Trinia e Shenjtë”, që ishte e stilit grek dhe ishte ndërtuar me financimet e familjes Sina. Në përgjithësi për historinë e kësaj familjeje fisnike voskopojare, ka shkruar dhe studiuesi shqiptar, Pjetër Logoreci. 

Familja Dumba. 
Një tjetër familje e shquar voskopojare në Vjenë të Austrisë, ishte dhe familja e Sterio Dumbës. Ajo u shqua veçanërisht në kohën e pasardhësit të saj, Nikola Dumba, i cili lindi në Vjenë në vitin 1830. Ai shumë shpejt u bë një biznesmen i fuqishëm, që financoi dhe mbrojti vlerat e artit botëror në Vjenë. Nikola mbante kontakte me shumë artistë të mëdhenj të asaj kohe, siç ishin kompozitorët: Wagner, Shtraus, Shubert, Herbeck e të tjerë, si dhe me njerëz të shquar të financave. Ai ishte voskopojari që shpëtoi pasurinë artistike të kompozitorit të famshëm austriak, Shubertit. Nikola Dumba, ishte politikani liberal, industrialist i njohur dhe largpamës, një mbledhës i njohur i veprave të artit dhe mbështetës i fuqishëm i artit bashkëkohor. Nikola Dumba arriti të zgjidhej deri dhe anëtar i parlamentit të Landit të Austrisë së ulët dhe nënkryetar i komisionit të financave. Dhe në vitet 1870-85, u zgjodh deputet i parlamentit austriak. Ai u mor shumë dhe me ruajtjen e restaurimin e objekteve të artit në Vjenë. Nikola Dumba me origjinë shqiptare nga Voskopoja, është financuesi i ndërtimit të sallës së koncerteve të Vitit të Ri të Vjenës, si dhe i godinës së Parlamentit Austriak. Voskopoja ka nxjerrë shumë figura të dëgjuara të rangut ndërkombëtar, njerëz e familje që u bënë të famshme me kontributin e tyre në vende të ndryshme evropiane ku jetuan e punuan, shumë prej tyre u shquan veçanërisht në fushën financiare. Nikola Dumba, vdiq pa pritur nga zemra në 23 mars 1900. Eshtrat e tij prehen në varrezat qendrore të Vjenës, ku prehen dhe shumë personalitete të politikës, artit dhe shkencës. Ai prehet në parcelën ku janë varrosur, Beethoven, Brahms, Makart, Mozart, Shubert e tjerë. Aty ai prehet në krah të djathtë të varrit të arkitektit me famë botërore, bashkatdhetarit të tij me origjinë shqiptare, Karl Gega. 

Miqësia e Gjergj Sinës me inxhinierin me origjinë shqiptare, Karl Gega. 
Gjergj Sina kishte miqësi të ngushtë me inxhinierin me origjinë shqiptare me famë botërore, Karl Gega, që ishte projektues i famshëm i hekurudhave në Austro-Hungari, e në shtete të tjera të Evropës. Në këtë bashkëpunim, inxhinier Gega ishte konstruktor, ndërsa Baroni Sina ishte financues. Inxhinieri me origjinë shqiptare, Karl Gega, ekziston midis legjendës e realitetit! Ai është bërë “mit” i historisë së ndërtimit të hekurudhave austriake, simbol i futjes së një dimensioni të ri të mobilitetit dhe komunikimit. Hekurudha e Semmeringut, hekurudha më e famshme malore në botë, e projektuar dhe e zbatuar prej inxhinier Karl Gegës, hodhi poshtë një nga dogmat e shkencës inxhinierike angleze, mbi pamundësinë e ndërtimit të hekurudhave malore dhe bëri të mundur kalimin e një lartësie të pa arritur më parë, rreth 1000 metra mbi nivelin e detit, duke u futur në librin e artë të ndërtuesve më të shquar botëror. Në një nga pallatet e Gjergj Sinës në qendër të Vjenës, inxhinieri Karl Gega kishte një apartament që banonte në katin e parë. Ai në momente depresioni dhe mërzie, në pritje të bashkimit të tunelit malor që po ndërtohej me projektin e tij, në moment krize nervore, u hodh nga dritarja e pallatit, duke i dhënë fund jetës së tij me vetëvrasje, Poshtë kësaj dritareje ekziston një tabelë përkujtimore, që tregon vendin dhe kohën kur vdiq burri i famshëm, strategu i ndërtimeve të hekurudhave të dëgjuara të Austrisë dhe të Evropës, inxhinieri me origjinë shqiptare, Karl Gega.


Sigal