Ernest Jakova – Hartuesi i studimeve bashkëkohore ushtarake

1277
Nesër (31 Janar 2018) homazhet në nderim të gjeneral Jakovës, në Muzeun e Ministrisë së Mbrojtjes
Nga Halil RAMA*
Familja, të afërmit, miqtë, bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët i japin më (31 janar 2018) lamtumirën e fundit, me të gjitha nderimet që meriton, gjeneral Ernest Jakovës, i cili u nda nga jeta më 26 janar 2018. Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ (OBVL) dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA organizojnë ne ora 11.00-12.00 homazhet në nderim të gjeneralit të mirënjohur, në sallën e Muzeut të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë. Ernest Jakova ka lindur në Shkodër, më 26 janar 1921, megjithëse në të gjitha dokumentet viti i lindjes është 1923. Babai Kola, me profesion marangoz, në vitin 1928 shpërngulet me gjithë familjen nga Shkodra në Tiranë. Në Tiranë ka kryer shkollën fillore (pesë vjeçare) dhe katër vitet e para të gjimnazit (semi-maturën). Në vitin 1937 nis studimet në Shkollën Ushtarake të Milanos. Atje u shqua në grupin e atletëve të shkollës, ku merrte pjesë në garat që zhvilloheshin çdo dy vjet ndërmjet tre shkollave ushtarake të Italisë. Më pas Ernest Jakova studioi në Akademinë Ushtarake të Aviacionit në Kazerta. Në pushimet e vitit të dytë të akademisë, ndërsa ishin në Shqipëri, më 20 Korrik të vitit 1942, bashkë me shokun e shkollës Mahmut Agolli, doli ilegal. Katër ditë pasi kishin dalë në ilegalitet, bashkë me Mahmut Agollin marrin pjesë në grupin e Mihal Durit në aksionin e rëndësishëm të ndërprerjes së ndërlidhjes telefonike në të gjithë Shqipërinë. I kalitur në aksionet e grupeve të ilegalëve, djaloshi që kishte qenë student në Akademinë e Aviacionit dhe kishte braktisur studimet shumë shpejt do të radhitej si partizan në Çetën e Pezës. Gjatë gjithë kohës që ka qëndruar në Çetën e Pezës, si Zv/Komandant i Batalionit III, me Komandant Kajo Karafilin deri në tetor 1943, kur u formua Brigada III Sulmuese në Arbanë, ka marrë pjesë në të gjitha aksionet e saj. Në fund të vitit 1943 transferohet në Brigadën II Sulmuese, me detyrën Zv/Komandant i Batalionit të Dytë me Komandant Nasi Vithkuqi, që ishte i moshuar dhe Komisar Kalo Plaku. Mbas Luftës Ernest Jakova ka kryer dy Akademi Ushtarake në ish-BS. Në vitet 1945-1947 ka kryer dhe është diplomuar në Akademinë Ushtarake “FRUNZE”. Mbas dhjetë vjetësh, në vitet 1957-1959, ka kryer dhe është diplomuar në Akademinë Ushtarake “VOROSHILLOV”, që konsiderohej Akademia më e lartë në botë për kohën. Grada Gjeneral-major iu dha në vitin 1963, në moshën 40-vjeçare, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Petrit Dume, nga Kryeministri Mehmet Shehu me miratimin e Enver Hoxhës. Gradën Gjeneral-major e morën njëkohësisht me të edhe oficerët Abaz Fejzo e Mendu Backa. Gjeneral Ernest Jakova kreu me devotshmëri e përkushtim detyra të rëndësishme në ushtri, si komandant i Divizionit të Tiranës, Zëvendës Drejtor i Drejtorisë Operative pranë Shtabit të Përgjithshëm të FA, zëvendësdrejtori i Institutit të Studimeve Ushtarake, etj. Kudo dhe kurdoherë u dallua për përgatitjen e lartë, kompetencën e profesionalizmin, por edhe për kurajën e guximin në kapërcimin e vështirësive. Por, me gjithë kontributin madhor, edhe ai u listua nga diktatori Hoxha për t’u goditur si pjesëmarrës në të ashtuquajturin “grup armiqësor në Ushtri”. Pasi u cilësua nga diktatori Hoxha si “kalemxhi”, erdhën dhe masat represive ndaj tij. Ernest Jakova u përjashtua nga Partia dhe u lirua nga ushtria, masa këto që ndikuan në persekutimin e tij të mëvonshëm, duke u lënë në “hije” dhe duke u survejuar në çdo hap që hidhte nga i ashtuquajturi Sigurim i Shtetit. Si i tillë ai e priti me gëzim dhe optimizëm ardhjen e demokracisë e të pluralizmit në vendin tonë. Që në fillim mbështeti krijimin e OBVL-së dhe për afro dhjetë vjet kreu me devotshmëri detyrat e ngarkuara për konsolidimin e kësaj organizate. Ernest Jakova është një vlerë në historinë e ushtarakëve shqiptarë. 

*Sekretar i Përgjithshëm i OBVL
Sigal