Enveri: Kulakët dhe të deklasuarit, pa triska Fronti

1694
Sigal

Leonard Veizi

Letra e KQ, dërguar KP të rretheve mbi shpërndarjen e triskave dhe zgjedhjen e kryesive të Frontit

(Vijon nga numri i kaluar)

Pse shpërndarja e triskave cilësohej si një çështje shumë e rëndësishme që shërbente për të diferencuar elementin armik

Fronti Demokratik ishte e vetmja organizatë, e cila mblidhte në vetvete pjesën dërrmuese të popullit. Por dukej se dhe aty lufta e klasave zhvillohej po aq e ashpër, sa dhe në një organizatë me profil politik. Vërtet nuk kishte sekretar partie, por dhe kryetari i Frontit nuk ishte më pak i rëndësishëm. Për më tepër që për vite me radhë në krye të saj ka qenë Enver Hoxha. Në këtë mënyrë, vetëm pak vite pasi Partia Komuniste e Shqipërisë legjitimoi pushtetin e saj të pasluftës, pakkush mendonte se Fronti Demokratik ishte një organizatë e mirëfilltë dhe liberale masash. Ajo kishte pasur kohën e duhur për t’u kthyer në një krah të partisë në pushtet, e cila kontrollohej imtësisht nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror. Të qenit apo jo anëtar i kësaj organizate, më e madhja në vend, ishte dhe fillimi i mbijetesës për këdo në vitet e regjimit komunist. Për këtë bën fjalë edhe materiali i mëposhtëm, të cilin gazeta “Telegraf” po e publikon të plotë, ku ndihet qartë ndarja e roleve brenda organizatës më të madhe të masave në vend dhe ndikimi i partisë-shtet në zgjedhjen e kryesive të Frontit në lagje dhe në fshatra. Vendimi nr.109 i Byrosë Politike “Mbi aprovimin e letrës për shpërndarjen e triskave të Frontit dhe zgjedhjet e kryesive të Frontit në fshat” i është drejtuar Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe është firmosur nga sekretari i Partisë për Kuadrot, Tuk Jakova. Fillimisht në këtë letër thuhet: “Në mbledhjen e saj të datës 17 shkurt 1951, Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH mori në shqyrtim letrën udhëzuese të paraqitur nga Drejtoria e Organizimit mbi shpërndarjen e triskave të Frontit dhe zgjedhjet e kryesive të Frontit në fshat e lagje dhe vendosi të aprovojë këtë letër sipas tekstit që i bashkëngjitet këtij vendimi”.

 

Fushata e shpërndarjes së triskave

Pak ditë më vonë dhe pikërisht në 3 mars 1951 Komiteti Qendror në një material të tijin me numër protokolli 0.154, u dërgon gjithë Komiteteve të Partisë në rrethe një udhëzim të firmosur nga sekretari i Komitetit Qendror Spiro Pano. Në të thuhet: “Këshilli i Përgjithshëm i Frontit Demokratik ka udhëzuar Kryesitë e Frontit në rrethe për fushatën e shpërndarjes së triskave të Frontit, si dhe për zgjedhjet e Kryesive të Frontit në fshat e në lagje që do të bëhen njëkohësisht. Por këto çështje janë udhëzuar dhe sekretarët profesionistë të Kryesive të Frontit. Puna përgatitore teknike duhet të mbarojë më 31 mars dhe pastaj do të procedohet në shpërndarjen e triskave dhe në zgjedhjen e Kryesive të Këshillave të Frontit të fshatrave e lagjeve. Kjo punë duhet të fillojë më 20 prill dhe do të përfundojë deri më 20 maj 1951”.

Lufta kundër armiqve

Më tej në letrën e Komitetit Qendror të firmosur nga Spiro Pano, jepen disa udhëzime të tjera ndër të cilat thuhet: “Në këto fushata të rëndësishme politike, organizatave të Partisë u dalin këto detyra:

-Të shtohet mobilizimi i të gjitha shtresave të popullit për problemet politike aktuale, siç është lufta për mbrojtjen e paqes, kundër nxitësve amerikano-anglezë, forcimi i unitetit moralo-politik të popullit tonë, mbrojtja dhe forcimi i Republikës.

-Ashpërsimi i luftës kundër armiqve të jashtëm dhe të brendshëm, kundër kulakëve, agjentëve të imperializmit dhe këlyshëve të tyre të Beogradit, Romës, Athinës, kundër të gjithë atyre që hodhën parulla kundër pushtetit dhe me çdo formë luftojnë kundër nesh, duhet të jetë një nga çështjet më të rëndësishme gjatë kësaj fushate.

-Puna politike të lidhet ngushtë me problemet ekonomike aktuale siç janë mbjelljet pranverore, realizimi i planit të shtetit etj.

-Puna politike duhet të shërbejë kundër armiqve, për zhvillimin e kritikës e të kontrollit të masave mbi organet e pushtetit etj.

-Për të goditur sjelljet e këqija kundrejt popullit, favorizimit për vjedhjet etj.

-Puna politike duhet të shërbejë gjithashtu për të sqaruar sa më shumë rolin dhe rëndësinë e kësaj organizate dhe për të aktivizuar këto për detyrat që caktoi Kongresi II i Frontit Demokratik”.

 

Diferencimi i elementit armik

Për të përforcuar udhëzimet e mësipërme, Komiteti Qendror nën firmën e Panos, shton edhe më tej klauzolat, të cilat do të siguronin jetën e gjatë të pushtetit komunist. Dhe kështu materiali do ta vazhdonte: “Shpërndarja e triskave të anëtarësisë është një çështje shumë e rëndësishme që do të shërbejnë në radhë të parë për të bërë diferencimin e elementit armik. Prandaj organizatat e partisë të tregojnë kujdes të madh që të mos bëhen gabime:

  1. a) Të mos mbetet asnjë qytetar i Republikës pa e marrë triskën, qoftë dhe për arsye se mund të jetë bërë gabim (mund të jetë harruar), qoftë për arsye se mund të jetë konsideruar padrejtësisht si armik dhe
  2. b) Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që triskën e Frontit ta marrë elementi armik. Si në rastin e parë, edhe të dytin, gabimet do ta na kushtojnë humbje politike”.

Përjashtimet nga Fronti

Dhe normalisht që ashtu si dhe në hallkat e tjera dhe për ata që ishin kundër Frontit Demokratik, kishte masa ekstreme, përjashtohej nga organizata. Kështu udhëzimi në fjalë do të vazhdonte më tej: “Në shpërndarjen e triskave duhet të keni parasysh Nenin 1 të Statutit të Frontit, që thotë: ‘Anëtar i Frontit Demokratik mund të jetë çdo shtetas dhe shtetase e Republikës Popullore që ka mbushur moshën 16 vjeç, pa dallim kombësie dhe feje, që pranon programin dhe Statutin e organizatës dhe punon për realizimin e qëllimeve të Frontit’, si dhe Neni 4 i Statutit që thotë: ‘Anëtari i Frontit Demokratik që punon në kundërshtim me qëllimet e Frontit përjashtohet nga Fronti Demokratik’”.

Kulakët pa triska

Por edhe pse tepër masive si organizatë, edhe Fronti Demokratik nuk pranonte në “gjirin: e saj, një shtresë të caktuar, të cilët ishin të persekutuar nga të gjitha format e tjera të edukimit komunist. Këta ishin ata që regjimi u kishte vënë një emër: kulakë: Dhe ja si thuhet në materialin e Komitetit Qendror të shpërndarë për Komitetet e Partive nëpër rrethe: “Për ata që nuk do t’u jepet triska e Frontit, këtu poshtë po japim disa kritere të përgjithshëm, Po ju kujtojmë se nuk mund të ketë një formulë, e cila mund të përdoret në të gjitha rastet. Secili person do të gjykohet individualisht. Në fshat nuk do t’u jepet triska e Frontit kulakëve të deklasuar si të tillë në bazë të letrës së KQ të PPSH mbi luftën kundër kulakut, nuk do t’u jepet triska edhe atyre që megjithëse s’janë shpallur kulakë, hedhin parulla kundër pushtetit popullor etj”.

Hyrja në Front: Triska, sigurimi i bukës së gojës

Të mos ishe anëtar i Frontit, sidomos në vitet e vështira të pasluftës, nuk ishte e vështirë të mbeteshe dhe pa atë pak ushqim, që qeveria e jepte me liste, ose thënë më saktë me triskë. Dhe nëse triska e Frontit të mungonte, askush nuk mund të mbante përgjegjësi, përveç ndonjë të afërmi, që preferonte ta ndante racionin e vogël, në dy pjesë. Në vazhdim të letrës së Komitetit Qendror të Partisë për Komitetet e Partive në Rrethe, të firmosur nga sekretari i KQ, Spiro Pano, jepen disa udhëzime të tjera, me të cilën mbyllet dhe materiali i përgatitur në emër të Komitetit Qendror të PPSH-së. Në të thuhet: “Anëtarët e partisë duhet të përgatiten vetë për diskutim dhe të ndihmojnë dhe elementët e ndryshëm pa parti që dhe ata të diskutojnë. Veçanërisht anëtarët e partisë duhet të bëjnë autokritikë mbi dobësitë dhe të metat tyre në punën me Frontin. Në këtë mbledhje duhet të sigurohet pjesëmarrja në diskutime e shumë elementëve nga të gjitha shtresat. Gjithashtu kujdes i veçantë duhet të tregohet për pikën e dytë të rendit të mbledhjes d.m.th. për shpërndarjen e triskave ku të theksohet rëndësia e anëtarësimit në Front dhe detyrat e anëtarit të Frontit. Në këtë pikë organizatat e partisë të tregojnë kujdes për demaskimin e elementëve që nuk do ta marrin triskën e Frontit. Për të goditur këto elementë duhet të marrin pjesë anëtarët e partisë dhe kandidatët e tjerë të partisë në radhë të parë, si dhe elementët pa parti. Të nxiten masat që të diskutojnë, të thonë fjalën e tyre, mendimin e tyre të lirë për ata që nuk duhet të marrin triskë dhe të dëgjohet zëri i tyre. Qëllimi është që këta të demaskohen mirë dhe masa të jetë e qartë për arsyet e mosdhënies së triskës këtyre elementëve. Dorëzimi i triskave duhet të bëhet në mënyrë ceremoniale. Fushata për shpërndarjen e triskave të Frontit dhe për zgjedhjet e Kryesive të Frontit në fshat e lagje duhet të shërbejë, përveç të tjerave, dhe për forcimin e vetë Organizatës së Frontit. Por këtu është e domosdoshme që organizatave të partisë t’u theksohet në mënyrë të veçantë çështja e forcimit dhe aktivizimit të Frontit dhe të kujdesit që ata duhet të tregojnë për këtë problem. Në radhë të parë ky interesim duhet të fillojë nga Komitetet e Partisë, nga Byrotë. Për këtë duhet që Byrotë deri në datën 10 prill të kenë analizuar gjendjen e Organizatës së Frontit dhe punën e organizatave të partisë me këto organizata dhe të caktojnë masat konkrete për punën e mëpastajme. Në analizën që do t’i bëni Organizatës së Frontit duhet të keni parasysh dhe udhëzimet që u janë dhënë nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit, sekretarëve profesionistë të Frontit në rrethe”.