Enver Memishaj/ Osmën HAXHIU një hero i heshtur  (1885 – 1937)

1915
Sigal

Prefekti dhe Kryetari i Bashkisë që u bë prijësi dhe heroi i Vlorës

Osmën Haxhiu u emërua zëvendësprefekt në vitin 1914 dhe më 3 shtator të atij viti ditën, kur Princ Vidi u largua nga Shqipëria u emërua prefekt, detyrë që e mbajti deri në 22 shkurt 1917, kur u pushua nga puna prej italianëve së bashku me Ali Asllanin, Imer Muçon dhe ermenin Enriko Kosmaksi.

 Shih: Bardhosh Gaçes “Rilindësi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”, “Toena”, Tiranë, 2009, f. 130

 Në këtë kohë në Shqipëri u njoh qeveria e Esat Pashë Toptanit, i cili pranoi kushtet e Greqisë për t`i dhuruar Korçën e Gjirokastrën dhe të Serbisë për t`i dhuruar Shkodrën duke marrë prej tyre edhe 60.000 napolona.  Esat Pasha, në turbullirat e jetës shqiptare, pasi ngriti të ashtuquajturën qeveri të tij, në Vlorë emëroi këtë administratë: Prefekt Osmën Haxhiu nga Armeni; drejtor i administratës Ali Asllani nga Vajza, ish nënprefekt i Fierit; drejtor finance Seit Qemali nga Kanina; kryetar i gjykatës Aziz Peshkëpia nga Gjirokastra; komisar policia Shero Agaj (Shero Emini) nga Smokthina; prokuror Haki Mahmuti nga Vlora; hetues Gani Tafili nga Kanina; anëtar të gjykatës: Hysni Xhindi nga Kanina, Mehmet Radhima nga Radhima, Ahmet Aliko nga Kudhësi; drejtor i doganës Mustafa Tragjasi nga Tragjasi.

Pas ngritjes së administratës Esat pashë Toptani zgjodhi një këshill të veçantë të administratës me këtë përbërje: Ali Beqiri, nga Velça, Elmas Xhaferi, nga Kanina, Ibrahim Abdullahu, nga Vlora, Abdurrahman Shaskën, nga Koculi, Alem Mehmetin, nga Tragjasi, avokat Bexhet Shpati, nga Gjirokastra, Qamil bej Risilia, nga Risilia.

Më vonë, vendin e Elmas Xhaferit dhe Bexhet Shpatit të cilët vajtën komisarë në Durrës, e zunë Ibrahim Xhindi dhe Ahmet Durmishi.

Shumica e kësaj administrate kishte qenë kundërshtare e Esat Pashë Toptanit, por pranuan të ishin nëpunës të tij. Esat Pasha pas ngritjes së administratës internoi si kundërshtarë të tij: Zini Hamzarajin, Mahmut Myftiun etj..

 Për më shumë shih: Syrja bej Vlora “Kujtime”, Iceberg, Tiranë 2013, f. 132 – 133.

 Në ato rrethana tepër të vështira por që u përkeqësuan më shumë me ardhjen e muhaxhirëve nga Jugu i Shqipërisë që u përzunë nga vatrat e tyre prej bandave greke, Osmën Haxhiu bëri shumë që t`ua lehtësonte vuajtjet e atyre. Pushimi i tij nga detyra e prefektit erdhi sepse, ai fill i vetëm shkoi në zyrat e xhenios italiane, kërkoi aktin e marrëveshjes për disa punime xheniere që ata duhet të kryenin e që ishin firmosur nga të dy palët dhe nën presionin e parisë së Vlorës e grisi atë përpara autoriteteve italiane.

“Kjo sjellje fisnike e tij e ngriti prefekt Osmanin në zenitin e lavdisë jo vetëm në popullin e Vlorës por edhe në mendimin e gjithë shqiptarëve intelektualë të krahinave të tjera të pushtuara prej Italisë dhe fort gjasëshist edhe të atyre vendeve përtej Vjosës”, shkruan Hasan Dosti.

Cituar nga Ago Agaj “Lufta e Vlorës” Toronto, Kanada, 1968, f. 39

 Gjenerali Ferrari firmosi pushimin e tij nga puna.

Nëpunësit e asaj kohe pra edhe Osmën Haxhiu, duhet të përballonin vështirësi dhe rreziqe të shumta përfshi edhe rebelët e Haxhi Qamilit, të cilët e mbytën Shqipërinë në gjak. Mentalitetet e këtyre rebelëve na i shpjegon Ago Agaj me një fjali të vetme, kur rrëfen se si një komision i qeverisë së Durrësit shkoi dhe u tha rebelëve në Shijak,  që të mos e sulmonin qeverinë e Durrësit sepse mund të ndërhynte Austria e Gjermania, për të mbrojtur Princ Vidin dhe ata iu përgjigjën: “S`ka galje, le të ndërhyjnë se dhe na kemi Kavajën dhe Peqinin me vedi”

Ago Agaj “Lufta e Vlorës”, Toronto, Kanada, 1968, f. 62

 Rebelët hynë në Vlorë më 1 shtator 1914, në rregull e qetësi, siç qenë marrë  vesh me komisionin vlonjat.

Shqipëria mbeti pa qeveri, sepse Princ Vidi u largua më 3 shtator 1914. Vlora mbeti në suazën e qeverisë rebele nën kryesinë e Mustafa Ndroqit.

Më 27 shtator rebelët u larguan nga Vlora, pasi fuqitë greke hynë në Berat. Më 3 tetor 1914, hyri në Durrës trimufalisht Esat Pashë Toptani dhe pasi formoi qeverinë e tij dhe si flamur përdori flamurin kuq e zi por pa shqiponjë, ai ekzekutoi rebelët me në krye Haxhi Qamilin. Vlora u detyrua të njohë qeverinë e tij, hoqi flamurin turk dhe ngriti flamurin kuq e zi pa shqiponjë.

Në kohën e pushtimit italian, funksionet e prefektit i kryente një komision, kryetar i të cilit ishte Osmën Nuri Efendiu.

Në vitet 1915- 1917, Osmën Haxhiu ka meritën se në shumë fshatra të Vlorës janë hapur për herë të parë shkolla shqipe. Pas pushimit nga puna, Osmën Haxhiu, iu përkushtua lëvizjes për çlirimin e Vlorës dhe bashkimin e saj me territoret e thjera shqiptare.

Më 28 nëntor 1919, është njeri nga organizatorët dhe udhëheqësit e demonstratës së madhe antiitaliane që zgjoi popullin dhe i bëri thirrje për të rrëmbyer armët për liri.

Nga populli Vlorës u zgjodh delegat në Kongresin e Lushnjës.

Në Kuvendin e Barçallasë, më 29 maj 1920, ai u zgjodh kryetar i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” me qëllim që të organizonte dhe të udhëhiqte Luftën e Vlorës, kundër pushtuesve italianë.

Këtë detyrë Osmën Haxhiu e kreu me aftësi, atdhetari dhe trimëri, dhe për luftën, për çlirimin e Vlorës ai shkriu edhe  pasurinë e tij, prandaj mbeti një hero dhe personalitet i shquar i historisë sonë kombëtare.

Gjatë viteve 1921-1923, ka qenë zgjedhur deputet i Vlorës.  Në vitin 1924 ishte në krah të Fan Nolit dhe Luigj Gurakuqit, dhe pas rënies së qeverisë së Nolit u tërhoq nga politike dhe u mor me punët e tij private.

Vdiq ende i ri në vitin 1937. Pas atij të Ismail Qemalit, Vlora nuk mban mend një varrim tjetër kaq madhështor, shkruante shtypi i kohës.

Për më gjerë shih:

Bardhosh Gaçe “Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, Tiranë, 2001;

Enver Memishaj – Lepenica “Emblema e një epopeje”, Geer, Tiranë 2010, f. 103 – 115;

Ago Agaj “Lufta e Vlorës”, Toronto, Kanada 1968, f. 63;

“Fjalori enciklopedik shqiptar”, Tiranë 2010, f. 897.

*     *     *

Në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, u vlerësuan dhe dekoruan shumë patriot, ndërmjet të cilëve edhe Osmën Haxhiu: shkolla fillore nr. 3 e qytetit të Vlorës u emërtua “Osmën Haxhiu”.

Gazeta “Jeta e re”, Vlorë, dt. 28.11.1937

Sapo erdhën në fuqi komunistët, ia hoqën emërtimin shkollës, emri Osmën Haxhiut u fshi dhe u harrua. Dy djemtë e tij u arratisën jashtë shtetit si kundërshtarë të komunizmit. Vetëm në vitin 1962 Osmën Muhamet Haxhiu u vlerësua dhe u dekorua me urdhrin “Për veprimtari patriotike” të Klasit të Dytë, me këtë motivacion: “Për merita patriotike dhe kontribut të shquar që ka dhënë, si pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë më 1912, si dhe organizator dhe Kryetar i Komitetit të Luftës së Vlorës, kundër pushtuesve imperialist italianë më 1920, për çlirimin e plotë të popullit dhe të Atdheut”.

 Gazeta “Zëri i Popullit”, Tiranë, dt, 27.11.1962, f, 2

Vlerësimi i vërtetë i veprës atdhetare të Osmën Haxhiut u bë vetëm pas përmbysjes së diktaturës komuniste, në vitet e demokracisë:

Me vendim nr. 62 datë 31.7.2000, të Këshillit Bashkiak Vlorë, iu dha titulli “Nder i Qytetit” së Vlorës.

Me dekret nr. 4628 datë 16.6.2005, Presidenti i Republikës e ka dekoruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”

Me rastin e 100 -vjetorit të themelimit të klubit “Labëria”, në vitin 2008, Shoqata Kulturore dhe Atdhetare “Labëria”, i dha titullin “Mirënjohje e Labërisë”

Më rastin e 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Këshilli i Qarkut të Vlorës e ka dekoruar me titullin e lartë “Nder i Qarkut të Vlorës”

Në portën e shtëpisë është vendos një pllakë përkujtimore prej bronzi, një rrugë në lagjen “Isa Boletini”, ka emrin e tij  dhe lagjja në qendër të qytetit është emërtuar “Osmën Haxhiu”

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe thotë se “megjithëse ai bëri shumë për Vlorën dhe Shqipërinë, Vlora dhe Shqipëria kanë bërë pak për të …”

Bardhosh Gaçe “Osman Haxhiu”, Tiranë 2001, f. 233.