Enigma e takimit të  Mehmet Shehut me Fan Nolin në Nju Jork në shtator të 1960-s

893
Sigal

Gazetat amerikane: “Nacionalistët dhe antikomunistët shqiptarë në Amerikë për shkak të Shqipërisë “mbrojnë” udhëheqësin komunist”

 

Në këtë pjesë që gazeta “Telegraf” boton nga libri i ri i Ylli Polovinës: “22 DITËT E MEHMET SHEHUT NË NJU JORK”  hidhen dritë mbi prapaskenat politike të “teatrit”  botëror të politikës, në përplasjen e  Luftës së Ftohtë, në Nju York, ku për herë të parë dhe të fundit, ishin të pranishëm të gjithë liderët e shteteve. Por, autori përshkuan me mjeshtëri edhe emocionet, ngjarjet, rrjedhën, ditët e Mehmet Shehut, korrespodencën me Enverin, si përcilleshin ngjarjet që zhvilloheshin, si i pritën shqiptarët  delegacionin shqiptar në OKB, etj. Për herë të parë, në këtë pjesë që boton ekskluzivisht gazeta  “Telegraf”  përshkruhen ngjarje, që  kanë mbetur nëpër analet e arshivave sekrete të shteteve pjesëmarrëse.

 Libri i ri i Ylli Polovinës: “22 DITËT E MEHMET SHEHUT NË NJU JORK”

Kur mbërritën në sallën e madhe të Asamblesë i njoftuan se të gjitha delegacionet qenë sistemuar në vende të tjera. Kjo pat ndodhur thjesht për shkak të futjes të trembëdhjetë anëtarëve të rinj. Mehmet Shehu nuk e fshehu harenë kur pa se rreshti i tyre i ri ndodhej shumë larg sovjetikëve, por kërkoi një çast me sy ku qenë rregulluar jugosllavët. Ndodheshin afër grupit të Hrushovit. Vuri re se mes njerëzve të dërgatës së Beogradit Tito ato çaste nuk qe. Kryeministri tha se nuk ndihej keq që fqinjë tani kishin bullgarët. Ajo prani nuk e trishtonte, edhe pse Zhivkovi vazhdonte të rrinte buzëvarur, mbase enkas i paafrueshëm se mos kryeministri shqiptar i hapte çështjen e ndihmës me drithëra. Por vazhdonin të ishin të çiltër e shumë të sjellshëm ministri i tij i Jashtëm si edhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Bullgarisë në OKB. Në afërsi të rreshtit me tabelën “Albania” gjendeshin edhe delegacionet angleze dhe amerikane, por për ta Mehmet Shehu nuk u shfaq as i bezdisur dhe as i interesuar. Vetëm kur filloi mbajtja e seancës të parë u kuptua se Josip Broz Tito atë paradite nuk do të vinte. Vendi i tij mbeti bosh. Ndoshta kjo ishte mënyra që presidenti jugosllav kishte zgjedhur për të tërhequr vëmendjen e shtypit dhe vazhduar të mbetej lajm. Në krye të ekipit të Beogradit rrinte me vëmendje të mprehtë tek folësit në podium Koça Popoviç. Reis Malile, që herë pas here e mbante nën vëzhgim dyshen jugosllavo-sovjetike në skajin tjetër të sallës, vuri re një çast si nënministri i Jashtëm i Moskës doli nga salla bashkë me kolegun e tij beogradas. Të dy ecnin e bisedonin me mjaft intimitet. Pak më vonë në drejtimin e të larguarve doli edhe Hrushovi bashkë me përfaqësuesin e Përhershëm të Jugosllavisë në OKB. Në të vërtetë ata në fillim biseduan kokë më kokë për pesë minuta dhe vetëm më pas dolën që të dy nga salla. Gjatë seancës Mehmet Shehu, shumicën e kohës i heshtur, shprehu habinë se si ata që flitnin, të gjithë kryetarë shtetesh apo qeverish, nuk kishin një kufi kohor. Mund të mbanin fjalime edhe një apo dy orëshe. Kur u kthyen në rezidencë, ndërsa kryeministri u mbyll në apartamentin e tij, Reis Malile u fundos në leximin e gazetave. “Demonstrata kundër komunizmit që do të mbahet mend në Nju Jork”, kishin zgjedhur si titullin më të pëlqyer shumica e tyre. Prej të gjithë korrespodentëve të pranishëm në ngjarje pjesëmarrja vlerësohej mjaft imponuese: afro dhjetë mijë protestues shumë aktivë, çfarë sipas tyre donte të thoshte një njeri që vepronte sa për dhjetë. Manifestimi kishte zgjatur plot dyzetë minuta, aq sa edhe pati dhënë leje policia lokale. Gazetat po ashtu saktësonin se ndërsa qe korrekt me vendin, orarin dhe kohën e zhvillimit, demonstrata kishte pasur disa momente në të cilat mund të dilte nga kontrolli jo vetëm i organizatorëve, por edhe i trupave të shumta të policisë. Alarmi më i madh u shkaktua jo prej pasionit protestues të antikomunistëve, por prej pranisë së shtuar, aspak të parashikuar më parë, të emigrantëve dhe madje edhe të qytetarëve amerikanë pro qeverive të vendeve të kampit socialist. Kundër antikomunistëve këta jo vetëm patën tundur grushte dhe banderola, por disa nga më zemërakët u qenë vërsulur kundërshtarëve ideologjikë edhe me grushte dhe shkelma. “Pati shumë urrejtje”, shënonte një e përditshme dhe pastaj merrej me këtë zbulim që kishte bërë. Autori i komentit ndihej me të vërtetë i shtangur nga ajo që i patën parë sytë: furia e mllefit të shprehur ndaj njëra-tjetrës. Ngulte këmbë se kjo karakteristikë e dallonte shumë qartë atë turmë të madhe të irrituar ideologjikisht nga çdo grumbullim tjetër demonstrues i qytetarëve amerikanë, përherë i përmbajtur në gjestet e shprehjes së zemërimit. Që të gjitha gazetat, secila sipas mënyrës së vet, bënin të dukshëm edhe një episod: ndërhyrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Dag Hammarskjold. Rrëfenin se ai kishte marrë në duar një altoparlant dhe gjer në lodhje u pat bërë thirrje protestuesve të qenë më të vetkontrolluar, të paktën para syve të kaq shumë delegacioneve të huaja dhe gazetarëve të ardhur nga e gjithë bota. U kishte kërkuar disa herë të manifestonin kulturë demokratike. Pa reshtur së shpjeguari dhe pa e ulur fortafolësin për një gjysmë ore të gjithë dhunën Hammarskjold e pat quajtur të padobishme si për ata që në vendet e tyre të origjinës përkrahnin qeveritë komuniste si edhe për të tjerët, mbështetësit e të kundërtës. Gjithsesi ndërsa me t’u mbushur kohëzgjatja e dyzetë minutave pjesa e qetë e protestuesve ishin shpërndarë, kacafytësit e veçuar u përleshën edhe më, madje për një kohë të gjatë. Policia mezi i ndau. Një pjesë, veçanërisht ata që thyen xhama vitrinash apo përmbysën makina, i ndaluan. Të tronditura nga ajo dëshmi e pazakonshme zemërimi gazetat nuk mungonin të bënin të ditur edhe shifrën e dëmit material. Manifestimi i protestuesve antikomunistë dhe i rivalëve të  tyre pat shkaktuar një humbje prej më shumë se dhjetë mijë dollarësh.

“Shoku Enver, mbrëmë natën, për inat kërkuam të shëtisim në Broduej…”

Dy orë para se të niseshin për në seancën e dytë, përkundruall Misionit, si të qe një lumë që fryhej përherë e më shumë, mbërritën një numër i madh policësh dhe detektivësh. Po ashtu nisi të shtohej nga çasti në çast edhe sasia e automobilave të tyre. U kuptua që pritej ndonjë demonstratë. Megjithatë për ca kohë protestues nuk u panë. Kur këta u shfaqën, masë ato çaste çuditërisht e pa zë, qenë rreth pesëdhjetë vetë. Nga parullat e kartonta dalloheshin që shumica ishin antikomunistë shqiptarë. Reis Malile shkoi menjëherë në apartamentin e kryeministrit dhe e vuri në dijeni për çfarë po ndodhte. Ky e pa ngultas, por nuk tha asnjë fjalë. U duk vagëllimthi sikur kishte dëshirë ta pyeste rreth diçkaje jo të qartë. Kur Malile hyri në zyrën e tij ra telefoni, por në fillim ai vendosi të mos e ngrinte dorezën. Pastaj ktheu mëndje. Në receptor zëri matanë fillit i tha emrin. I shprehte solidaritetin kryeministrit shqiptar. Me zë të lartë, si të bënte një deklaratë solemne, tha “Jam amerikan. Ata që janë mbledhur para Misionit tuaj nuk shprehin ndjenjat e popullit tim, as të emigrantëve shqiptarë. Na vjen keq seriozisht kur shohim veprime të tilla të ulëta në një kohë që në OKB pritet të diskutohen probleme shumë të rëndësishme”. Reis Malile e falënderoi dhe sapo e uli dorezën telefoni tringëlliu përsëri. Qe një shqiptar. Edhe ai ishte në mbështetje të Mehmet Shehut dhe mendimit se protestuesit para Misionit po kryenin një punë të gabuar. Në fund shqiptoi “Mirë u pafshim!”Të dy telefonuesit duhej të ishin fare afër, me siguri në vende prej ku e shihnin çfarë po ndodhte. Ndoshta përdornin ndonjë kabinë rruge. Ndërkohë jashtë demonstruesit vazhdonin të protestonin. Shfaqnin zemërim, por gjithsesi të përmbajtur. Më shumë se gjest i fortë kundërshtimi ajo që po bënin ngjante me një veprim në formë spektakli. Ndoshta të gjithë inatin e patën shkarkuar në manifestimin e parë dhe këtë herë kishin ardhur për të kryer një akt formal, të sigurt se sidoqoftë nuk do të mbetnin duarbosh. Protesta e tyre do të binte në sy të gazetave. Dhjetë minuta më vonë zërat jashtë u fashitën. Reis Malile shkoi sërish tek dritarja dhe pa se grumbulli i demonstruesve po ikte. Morën dalëngadalë drejt Pallatit të Qelqtë. Patjetër do të protestonin edhe atje. Ishte koha kur fillonin të vinin delegacionet. Vorioepirotët u shfaqën shumë shpejt. Dukej sikur kishin qenë fshehur në një nga kthesat dhe me të parë që shqiptarët ikën, hynë në shesh. Nisën të demonstronin, por edhe ata nuk dukeshin se kishin ndonjë mllef të veçantë. Për një gjysmë ore nuk hodhën me zë asnjë thirrje. Mbajtën pllakate nëpër duar dhe vetëm erdhën rrotull në heshtje. Dallohej qartë që i kishin shtuar kartonët me sipër fjalët “Vorio Epiri është tokë  greke”. Pastaj u shpërndanë.  Malile trokiti në derën e apartamentit të Mehmet Shehut për t’i thënë se tashmë mund të niseshin. Ky sapo e pa i zgjati tekstin e një radiogrami për Enver Hoxhën. “Të niset ky”, tha prerë, “Pastaj ne!” Malile shkoi menjëherë tek zyra e shifrës dhe përcolli urdhrin e kryeministrit. Mesazhi nuk ishte shumë i gjatë dhe mund të kodohej brenda dhjetë minutave. Në njërin nga paragrafët e shkurtra, të gjitha të nisura me numra rendorë, Mehmet Shehu shkruante “Mbrëmë natën, për inat kërkuam të shëtisim në Broduej, rruga kryesore. Duallëm me makinë gjysmë ore dhe u tund Nju Jorku nga sirenat shurdhonjëse si edhe karvani prej 10 makinash e shumë motoçikleta me detektivë e policë, që na shoqëronin, e mijëra policë që kishin bllokuar gjithë rrugët prej 15 kilometra nga kaluam. Mileti shikonin të habitur nga karvani policor”. Reis Malile vuri buzën në gaz. Shehu i raportonte çdo gjë Enver Hoxhës, menjëherë sapo ajo të ndodhte. Po të qe për të, si Përfaqësues i Përhershëm pranë OKB-së, ato çaste nuk do t’i jepte rëndësi raportimit për një kalim gjysmë orësh në zonën e të pasurve të Nju Jorkut, në Broduej. Do ta bënte këtë njoftim në një përmbledhje të mëpasshme, kur të raportonte me nge edhe vizitat çlodhëse të kryeministrit. Në momentet që po kalonin, kishin rëndësi informacionet politike dhe analizat e para mbi to. Në një nga paragrafët e atij radiogrami të mesditës së 21 shtatorit Mehmet Shehu ia bënte një të tillë “Atmosfera është e nderë. Sundon policia sikur të ishte ngritur gjithë Nju Jorku për të na vrarë dhe ata të na mbrojnë. Unë ngado që shkoj jam i rrethuar nga 20 policë e detektivë me makina me sirena të vazhdueshme e shurdhonjëse si zjarrfiksa dhe të armatosura etj. Tek porta rrinë vazhdimisht mbi 20 policë, shkallët e korridoret ruhen nga njerëz të tjerë. Atmosferë terrori. Rrugës çdo 10 metra ka policë. Kavaleria, kamionët e armatosur, veturat me detektivë, bllokojnë rrugët e demonstrojnë. Para OKB-së qëndrojnë mbi 1000 policë. Hrushovi është mbyllur në Mision e del vetëm për në OKB. Por, si gjithë herët, bën shakara me këdo që i del përpara e gazetarët e rrethojnë ngado. Çfarë do të ndodhi nuk dihet, vetëm se Ajzenaueri do të flasë e thuhet se do kërkojë që t’i jepet ndihmë Afrikës. Flitet se Tito pas presidentit amerikan do të paraqesë mendim për grupimin e neutralëve rreth tij. Hrushovi do të flasë pas tyre”.Në radiogramin raportues për Enver Hoxhën atë pasdite Mehmet Shehu nuk kishte harruar edhe përleshjen e antikomunistëve me vorioepirotët: “Dje para OKB-së u rrahën shqiptarët me grekët. Nuk dimë çfarë shqiptarë qenë”. Më pas e informonte “Gazetat thonë se Titon e shanë një grup tek porti kur zbriti e gjoja këta qenë shqiptarë simpathizantët tanë, po ne s’dimë gjë”. Reis Malile ishte duke u kthyer në zyrën e tij dhe radiogrami akoma tërësisht i shifruar, kur kryeministri doli nga apartamenti. “Ikim për në OKB!”, i tha. Pak minuta më pas u hipën makinave dhe si përherë të shoqëruar nga policët, detektivët, motoçikletat dhe sirenat e shumta, u nisën për në seancën e dytë. Ndërkohë Reis Maliles i ra në sy se rojet amerikane silleshin disi më kujdesshëm, qenë më të butë. Kur nuk ishin veç njëqind metra larg Pallatit të Xhamtë papritur Mehmet Shehu shqiptoi emrin e Fan Nolit. Pastaj në pak sekonda e bëri të qartë gjithçka. Donte nga Malile që në rastin e parë të mundshëm të pinin së bashku një kafe dhe të bisedonin lirisht për jetën e tij në SHBA.    Kur u futën në sallë fjalimet e përfaqësuesve të shteteve Shehu i ndoqi ulur në vendin e vet, në heshtje dhe duke mbajtur ndonjë shënim. Megjithatë një çast u ngrit e shkoi tek Antonin Novotni. E përshëndeti ngrohtësisht, por edhe ky ia shtrëngoi dorën me dashuri. Kështu ndenjën bashkë për disa çaste, kur seanca e dytë u mbyll dhe delegacionet, para se të iknin nëpër hotelet apo rezidencat e tyre, kishin zakon që në Pallatin e Qelqtë të kryenin kontakte pune. Mehmet Shehu dhe Novotni u takuan në sallon. “Kush e priti Titon në port nga qytetarët amerikanë?”, pyeti një çast presidenti çekosllovak. “Titos as ja kam parë fytyrën e jo të di se kush e priti”, iu përgjigj kryeministri shqiptar. “Po juve cilët ju pritën në port?”, vijoi tjetri me sa duket i shtyrë jo thjesht prej ngasjes së kërshërisë. “Vetëm policia dhe disa të dërguar nga vendet miq”, i tha Shehu. “Sikurse edhe mua”, shtoi Antonin Novotni. Të kthyer në Mision kur nata ishte bërë e thellë në fillim kryeministri hëngri darkë dhe pastaj u mbyll në apartamentin e vet. Kishte pyetur një çast t’i kujtonin orarin e transmetimit në valë të shkurtra të radios të emisionit shqip dhe kur i thanë se për atë ditë ajo mundësi kishte kaluar, u përgjigj se do ta provonte të nesërmen. Ishte edhe mjaft kurioz për forcën e zërit dhe cilësinë e programit. Pastaj u përul mbi tufën e fletëve të fjalimit që do të mbante në 26 shtator. Ndërkohë ai i plotësuar i duhej nisur sa më shpejt Enver Hoxhës në Tiranë.

Mehmet Shehu: “Ata që u rrahën dje me grekët ishin ballista”

Nuk kishte shkuar ende ora 22.30 kur Mehmet Shehu i dha Reis Maliles radiogramin e dytë të asaj dite. Në kthinën e tij sekrete shifruesi i vuri numrin 339: “Shokut Enver, 1)…Do veprojmë sipas porosisë…3) Ata që u rrahën dje me grekët ishin ballista… Sot pas dite disa dhjetëra vorioepirotë demonstruan para Misionit, por ka më shumë policë rreth nesh se sa protestues. Gazetat botojnë fotografi sensansionale me policë duke rrahur e zvarritur demonstrues. Atmosfera e alarmit policor sundon rëndë. Neve nuk na bëhet qejfi qeder… 5) Unë do flas javën që vjen. Merak mos kini, nervat i kemi në rregull, armiqtë na duken si miza e i pështyjmë. 6) Hrushovi do flasë të premten por gjer tani nuk na kanë thënë asgjë mbi çfarë do shtrojnë dhe ne as që kemi për t’i pyetur vetë. Ne jemi të qartë për qëndrimin që duhet mbajtur. Përqafime. Mehmeti”. Tek rikthehej për në zyrën e tij Maliles ende nuk i ishte hequr nga mendja ajo mënyrë të shprehuri e kryeministrit “Merak mos kini, nervat i kemi në rregull”. Edhe tek radiogrami i pasdites kryeministri pati “Merak mos kini. Jemi shumë mirë. Nervat i kemi të qeta”. Ndërkohë nuk qe rikujtuar për atë kafen e përbashkët dhe bisedën e shpenguar rreth Fan Nolit.

Buqetë e madhe me lule nga Komiteti i Partisë Komuniste të Nju Jorkut

22 shtatori ishte dita kur do të fliste presidenti amerikan Duajt Ajzenauer dhe Josip Broz Tito. Ndërkohë që në mëngjes dy të përditshme njujorkeze shkruanin se pasditen e shkuar delegacionin ukrainas si edhe godinën e Misionit jugosllav e kishin qëlluar me domate dhe vezë. Nuk thuhej cilët qenë të zemëruarit, të çfarë kombësie apo bindjeje politike. Para se delegacioni shqiptar të nisej për në sesion mbërriti një buqetë e madhe me lule. E kishin dërguar nga Komiteti i Partisë Komuniste të Nju Jorkut. Në kartëvizitën shoqëruese nuk mungonte edhe një tekst i shkurtër përshëndetës. Mehmet Shehu u emocionua dhe e ngarkoi menjëherë Reis Malilen të hartonte disa radhë falënderimi, veç t’i bënte bukur. Do të qe në emër të tij. E porositi t’u thoshte komunistëve amerikanë se qenë të ftuar për një drekë. Pastaj shtoi nëse do të ishte e mundshme që atë tufë lulesh ta mbante në apartamentin e tij. Në sallën e Asamblesë, tek po uleshin në vendin e tyre, u afrua menjëherë përfaqësuesi i Përhershëm i Bullgarisë dhe i vuri në dijeni se kishin rënë dakord që kur presidenti amerikan të hynte për të mbajtur fjalimin ata të ngriheshin në këmbë, por jo të duartrokitnin. Mehmet Shehu u zbeh nga një zemërim i beftë. “Ne as edhe në këmbë nuk do t’i çohemi”, shqiptoi me fjalë të ngurtësuara si kallëpe akulli. Diplomati bullgar heshti. “Nuk do t’i ngrihemi në këmbë, as Titon nuk do ta duartrokasim”, vijoi kërcitshëm kryeministri. Pastaj vazhdoi: “Do të shkojmë edhe më tej, pra do të dalim demonstrativisht nga salla, në rast se ai agjent i imperialistëve sulmon vendin tonë”. Bullgari vuri buzën në gaz. Tha: “Ju kuptoj” dhe iku për t’u ulur fare pak metra më tej, në vendin e vet. Ndërkohë Ajzenauer me limuzinën e tij gjysmë të zbuluar, i vënë në mes nga makina të tjera dhe motoçiklistë, u shfaq në rrugën që të çonte në hyrjen e pasme të Pallatit të Qelqtë. Me ta parë kalimtarët ndalën në buzëtrotuare. Ai vetë, në këmbë, herë me të dyja duart dhe herë me njërën prej tyre, sepse me tjetrën mbështetej mbi supin e një truproje që rrinte në ndenjësen e parë, i përshëndeste të gjithë, shumë sjellshëm. Menjëherë sapo hyri në godinën e Pallatit të Qelqtë Ajzenaueri në një nga mjediset takoi fillimisht Jawaharlal Nehrunë dhe më pas presidentin Gamal Abdal Nasser. Mes neutralëve India dhe Egjipti nuk ishin vetëm dy vende të mëdhenj, por edhe shtete prijës, mjaft ndikues në grupin e tyre paangazhues. Për t’i rreshtuar në krahun e vet nuk qe përpjekur më pak edhe Nikita Hrushovi. Ai e kishte pritur që një ditë më parë Naserin në vilën me kopsht të madh të rezidencës sovjetike në periferi të Nju Jorkut, në Glen Cove të Long Island. Ndërkohë atë 22 shtator në kontaktin me presidentin egjiptian ishte treguar më i shpejtë Josip Broz Tito. Kur Naseri dhe Tito, që të dy elegantë, zbritën shkallët e tre kateve dhe presidenti jugosllav e shoqëroi kolegun egjiptian deri sa hipi në makinën e tij, kryetari i shtetit federativ jugosllav qe i veshur i gjithë me të bardha. Naseri ishte me një kostum gri shumë të errët dhe një shami të bardhë në xhepin e sipërm të xhaketës. Qe Josip Broz Tito që me pëllëmbën e dorës së majtë i ra dy herë shpatullave presidentit egjiptian, pastaj ia qarkoi krahun rreth mesit. Ishte një gjest intim grishjeje për ta përqafuar. Papritmas Naser u prek dhe para gazetarëve dhe bliceve të fotoreporterëve e ktheu trupin e tij të gjatë nga Tito. Pastaj iu lëshua në krahë. Një sekondë më vonë e rrëzoi kokën e bukur, me flokë të shkurtër kaçurrelë, mbi supin e majtë të presidentit jugosllav. Ndenjën ashtu një kohë, më pas u përqafuan duke i kryqëzuar duart në shpatullat e njeri- tjetrit.

Nesër do të lexoni

Flet në OKB presidenti amerikan Duajt Ajzenauer

  • Vritet aksidentalisht nga truprojat e Fidel Kastros një vajzë nëntë vjeçare
  • Sovjetikët rishikuan vendimin për ndihmë në drithë për Shqipërinë dhe e akorduan një sasi me klering dhe me ar