Engjëll Zerdelia:112 vjet nga Kongresi i Manastirit

127

Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda e jashtë atdheut

112- vjet nga Kongresi i Manastirit (14-22 Nëntor 1908)

Kongresi i Manastirit u mbajt në Manastir (14 nëntor -22 nëntor) 1908 për të zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, si dhe për të shqyrtuar  Lëvizjen Kombëtare. Komisioni Nismëtar për thirrjen e një kongresi për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi  “Bashkimi” i Manastirit, sepse shkrimi i gjuhës shqipe me alfabete të ndryshme përbënte pengesë të madhe, jo vetëm për zhvillimin e gjuhës, por edhe për bashkimin politik të shqiptarëve.

Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda e jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu ne një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar në të cilin morën pjesë 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, Kosovës, Janinës e Shkodrës, si dhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, Sofjes, SHBA, Egjiptit, Italisë etj.

Gjatë punimeve të Kongresit të Manastirit, atdhetari i njohur Gjergj Qiriazi nga Manastiri, në mbështetje të shënimeve që mbajti në cilësinë e nënkryetarit të këtij kongresi, hartoi raportin e gjerë në gjuhën angleze, i cili gjendet në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë në Tiranë (“Raporti i Kongresit shqiptar mbajtur në Manastir më 1-14 nëntor 1908, hartuar  prej delegatit Gjergj D. Qiriazi”). Raporti ka vlera të papërsëritshme, pasi nuk dihet fati i tre procesverbaleve që u mbajtën gjatë Kongresit të Manastirit (1në gjuhën shqipe, 2 në osmanishte). Autori (Gjergj Qiriazi) ishte delegat dhe anëtar i Komisionit për njësimin e alfabetit. Raportit Gjergj Qiriazit nis me meritat “ditës së 23 korrikut 1908, kur lindi Revolucioni xhonturk, dhe u rivendos Kushtetuta e vitit 1876, e cila u garantonte disa të drejta shqiptarëve, të cilat kombësitë e tjera i kishin gëzuar shumë kohë ma parë… atë ditë ai e konsideron si një “ditë e  shënuar në historinë e Shqipërisë”, e cila, sipas tij “ I dha mundësi që shqiptarët t’i hidhnin themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës  shqipe”, sepse siç e thotë ai deri atëherë “ishin në përdorim deri 10 alfabete në shkrimin e gjuhës shqipe. Prej tyre më të rëndësishëm ishin katër:Alfabeti i Stambollit dhe tre alfabetet e Shkodrës. I pari, që kishte njohur përdorim të gjerë kudo në “Toskëri”, tre të tjerë në “Gegëri”. … sipas tij “alfabeti i jezuitëve të Shkodrës ishe në përdorim 300 e ca vite dhe më i vjetri në Shqipëri”. Raporti thekson se pas përgatitjeve intensive të Klubit “Bashkimi” të Manastirit, Kongresi

Rreshti1: Sami Pojani (delegat i Korçës), Zenel Çaço Glina (i Leskovikut), Leonidha Naçi (i  Vlorës), Simon Shuteriqi (i Elbasanit), Dhimitër Buda (i Elbasanit), Azis Starova (i Starovës), Adham Shkaba (i Sofjes), Mati Logoreci (i Shoqërisë “Agimi” Shkodër).
Rreshti II: Rrok Berisha Gjakova (i Shkupit), Bajo Topulli (i Gjirokastrës), Grigor Cilka (i Korçës), Sotir Peci (i Amerikës dhe i Bukureshtit), Shefqet Frashëri (i Korçës), Luigj Gurakuqi (i Shkodrës),  Shahin Kolonja (i Kolonjës), Ahil Eftim Korça (i Konstancës), Hil Mosi (i Shkodrës).
Rreshti III : Nyzhet Vrioni (i Beratit), Dhimitër Mole (i Filibesë-Bullgari), Gjergj Qiriazi (i Manastirit), At Gjergj Fishta (i Shoqërisë “Bashkimi”) Shkodër, Mid’hat Frashëri (i Klubit të Selenikut dhe Janinës), Dom Nikollë Kaçori (i Durrësit), Dom Ndre Mjeda (i shoqërisë “Agimi”) Shkodër, Fehim  Zavalani (i Manastirit).
Rreshti IV: Refik Toptani (i Tiranës) , Çerçiz Topulli, Mihal Grameno (i Korçës), anash dy patriotë jo delegatë.
Nga Mihal Gramenoja, në kujtimet e tij, përmenden si pjesëmarrës, por që mungojnë në këtë fotografi: Parashqevi Qiriazi (delegate e Shkollës së Çupave Korçë), Havëz Ibrahimi dhe Emin Beu (të Shkupit), Rauf   Beu (i Gjirokastrës) dhe Selahedin Beu (i Manastirit).                                                  

filloi punimet në ora 4 pas dite (16:00), të ditës së shtunë, në “dhomat e klubit”. Delegatët zgjodhën për Kryetar të Kongresit,  Mit’hat Frashërin,                         nënkryetarë Gjergj Qiriazin dhe Luigj Gurakuqin.                                                          Vihen në dukje mbledhjet e dy ditëve të para, të shtunën e të dielën (14-15 nëntor), ishin të hapura për gjithë publikun dhe në to ishin të pranishëm rreth 400 veta. Pëveç shqiptarëve, kishte midis tyre edhe “grekë, bullgarë, vllehë e të tjerë”. Kuvendin e hapi  Kryetari i Klubit të Manastirit, Fehim Zavalani, i cili foli për qëllimet e Kongresit. Ky atdhetar dhe intelektual kishte mbështetur idenë e organizmit të Kongresit, që kur kjo ide doli në artikullin e Mit’hat Frashërit, i botuar në gazetën e tij “Lirija” të Selanikut. Fehim Zavalani përshëndeti të pranishmit dhe, pasi foli për rëndësinë  e Njësimit të Alfabetit, dhe e  përfundoi fjalën e tij me një “lutje të gjithëfuqishmit (Perëndisë), duke  kërkuar ndihmë dhe mençuri për gjithë delegatët, që kishin në duar një çështje kaq të rëndësishme: “ua kishte lënë atyre në dorë kombi vetë”. Më pas lexoi emrat e delegatëve të Kongresit që ishin si më poshtë:

  1. Sotir Peci për Bukureshtin dhe SHBA, 2.Dhimitër Buda, 3.Simon Shuteriqi, 4. Kamber Sejdini dhe 5. Lef Nosi për Elbasanin, 6. Refik Toptani për Tiranën, 7. Leonidha Naçi  për Vlorën, 8. Rauf  beu, 9. Fehmi efendiu, 10.Naim Gjirokastra, 10.Çerçiz Topulli, 11.Bexhet beu për Gjirokastrën, 12.Mit’hat Frashëri për Janinën, 13.Shefket Frashëri, 14.Thoma Avrami,  15.Sami Pojani, 16.Gligor  M.Cilka, 17.Mihal Grameno, 18.Mehmet Emini dhe 19.Ali Vasifi për Korçën, 20.Selahedin beu dhe 21.Gjerasim Qiriazi për Manastirin, 22.Ibrahim Efendiu, 23.Haxhi Jashar efendiu dhe 24.Rrok Berisha për Shkupin, 25.Akil Efthimiu për Konstancën, 26.Hil Mosi, 27.Luigj Gurakuqi, 28.Mati Logoreci, 29.At Gjergj Fishta, 30.Dom Ndre Mjeda dhe 31.Sherafedin beu për Shkodrën, 32.Luigj Gurakuqi për Italinë, 33.Shahin Kolonja për Kolonjën, 34.Sulejman Starova  për Starovën, 35.Adam Shkaba për Sofjen, 36.Dhimitër Mole për Filipopolin, 37.Nyshet Vrioni  për Beratin, 38.Zenel Çaço Glina për Leskovikun, 39.Fehim beu për Egjyptin, 40.At Nikoll Kaçori për Durrësin, 41.Azis Efendiu për Bërzeshtën, 42.Fahri  Frashëri për Resnjen, 43.Zenel Beu  për Dishnicën, 44.Maliq Elmazi për Nakolec e Resnje, 45.Xhemal bej Ohri, 46.Beqir Dalipi për Ohrin, 47.Sadullah Efendiu për Matin, 48.Ramiz Daci për Dibrën, 49.Izet Zavalani për Follorinën, 50.Abdyl Ypi për Starjen, 51.Sadik efendiu për Kërçovën, 52.Fazil Pashë Toptani, 53.Riza bej Mirallaj, 54.Haxhi Vildan efendi Dibra për Stambollin, 55.Mehmet Emin Korca,

Lista e  32 pjesëmarrësve (delegatëve) me të drejtë vote:

1.Mithat Frashëri, 2.Luigj Gurakuqi, 3.Gjergj Qiriazi, 4.Hilë Mosi, 5.Nyzhet Vrioni, 6.Thoma Avrami, 7.Gjergj Fishta, 8.Bajo (Bajram) Topulli, 9.Dhimitër Buda, 10.Gligor M.Cilka, 11.Ndre Mjeda, 12.Sotir Peci, 13.Shahin Kolonja, 14. Adham Shkaba Strtobardha,15.Akil Eftimi Korca, 16.Azis Bërzeshta, 17.Dhimitër Mole, 18.Emin Kadri Shkupi, 19. Fehim Zavalani, 20.Hafëz Ibrahim Shkupi, 21.  Leonidha Naçi, 22.Mati Logoreci, 23.Mihal Grameno, 24.Nikoll Kaçorri, 25.Rauf Gjirokastra, 26.Refik Toptani, 27.Sami Pojani, 28.Salahedin Prizreni, 29.Simon Shuteriqi, 30.Sulejman Starova, 31.Shefqet Frashëri, 32.Zenel Çaço Glina,

Delegatët votuan të gjithë propozimin që Gjergj Qiriazi të udhëhiqte seancën e ditës së parë të punimeve të Kongresit, deri sa të arrinte Mit’hat Frashëri në Manastir. I pari që mori fjalën ishte Selahedin beu, (oficer e kajmekam i Manastirit, një shqiptar nga Prizreni), i cili ishte delegat i Manastirit. Ky zyrtar, falënderoi qeverinë xhonturke për mundësinë që iu dha shqiptarëve për mbajtjen e Kongresit,… e ndjente veten “të lumtur të shoh se dashuria vëllazërore ekziston midis të krishterëve dhe myslimanëve”.

 

Më pas,  Hilë Mosi, lexoi disa telegrame, të dërguara nga arbëreshët e Italisë, Prenk Bib Doda, Primo Doçi, Abat i Mirditës dhe nga jezuitët e Shkodrës. Klubi shqiptar i Stambollit, në telegramin e tij i këshillonte shqiptarët të ishin të gatshëm për mbrojtjen e atdheut  nga copëtimi i armiqve, në kohën kur Bullgaria kishte shpallur pavarësinë dhe shfaqi pretendime territoriale edhe ndaj trojeve lindore shqiptare, sikurse Greqia ndaj trojeve jugore, pasi mori Kretën me ndihmën e Fuqive të Mëdha. Kjo qe arsyeja që telegrame të shumta nga “ katër anët e botës dhe Shqipërisë”, me përmbajte të ngjashme iu dërguan ato ditë  Kongresit.

Nga fundi i punimeve të ditës së parë kishte mbërritur në Manastir Mit’hat Frashëri, i cili, siç thuhet në Raport “u përgëzua dhe u mirëprit” nga delegatët për faktin se ishte ideator i organizimit të Kongresit. Nuk ishte kjo merita e vetme që ai do të përshëndetej ngrohtësisht nga delegatët, por edhe fjalët që i tha Hilë Mosi, kur e pritën me grupin e delegatëve tek stacioni i trenit të Manastirit “U lavdërua për faktin se vinte nga krahina që pati lindur kaq burra të shënuar, të cilët i kanë bërë shërbime të mëdha shqiptarisë”. Mit’hat beu , thuhet në Raport “iu përgjigj folësit, duke numëruar gjithë shërbimet që Shkodra i pati bërë gjuhës shqipe”… Nga Raporti i Gjergj Qiriazit në punimet e ditës së dytë të Kongresit fjalën e morën: Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Leonidha Naçi, Mihal Grameno, Refik Toptani e Dhimtër Buda. Të gjithë, pasi shprehën mendimet e tyre mbi alfabetin, në fund kërkonin që të sakrifikonin interesat vetjake në interes të bashkimit kombëtar. Pasdite diskutuan për çështjen e njësimit të alfabetit, folën këta delegatë: Shefqet Frashëri, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Fehmi  efendia, Bajo Topulli, Bexhet Gjirokastra, Seladin beu, Mihal Grameno dhe Ferit  Ypi. Të gjithë, gjithnjë sipas Gjergj Qiriazit mbështetën idenë që përgjegjësia e Alfabetit “t’i ngarkohej një komiteti”…  një delegat kundërshtoi personifikimin e “Alfabetit të Jugut” me Frashërin, por ai duhet të njihej me ermin Alfabeti i Satmbollit, rrjedhimisht, siç njihet me emrin kur u krijua në Kostandinopojë”. Këtë ai e kishte mbështetur në faktin se kur u krijua ky alfabet përkrah vëllezërve Frashëri, në sajimin e tij kishin marrë pjesë edhe përfaqësues të qyteteve e vendeve të tjera të Shqipërisë, si: Vaso Pasha, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Hoxhë Tahsini, Koto Hoxhi etj.

Alfabetet e propozuara:

  1. Alfabeti i Stambollit
  2. Alfabeti i shoqërisë Agimi
  3. Alfabeti shoqërisë Bashkimi

 

… Themelimin e Komisionit për njësimin e alfabetit, i pari e mbështeti  Nikollë Kaçori, i cili deklaroi se ishte për një alfabet që do të shprehte unitetin midis shqiptarëve.  Nga diskutuesit e kësaj seance veçohet fjala e At Gjergj Fishtës,  e cilësuar si “një bisedë e shkëlqyer”, siç thuhet në Raport. Ky intelektual i shquar dhe poet i madh, në diskutimin e tij, ndër të tjera do të shprehej: “Unë nuk kam ardhur të mbroj ndonjërin nga katër alfabetet, por të bashkohem me ju”, që “Kongresi do të vendosë më të dobishmin për ngritjen e popullit”. Ai foli edhe për rrezikun e copëtimit të Shqipërisë, që kërcënohej nga dy fqinjët të përmendura, duke përfunduar fjalimin e tij me fjalët “Armiqtë që kanë rrethuar Shqipërinë janë shumë dhe secili prej tyre përpiqet të rrëmbejë nga një copë për vete. Por ne po të mos mundemi ta mbrojmë Atdheun me fuqi morale, do ta mbrojmë me armë në dorë dhe nuk do t’i lëmë armiqtë tanë të marrin qoftë edhe një pëllëmbë toke shqiptare”. Teksa ai mbaroi fjalimin dhe,  po zbriste nga platforma, në ato çaste Hafëz Ibrahim efendi Hoxha nga Shkupi “u sul drejt tij, e përqafoi me sytë e mbushur me lotë dhe e puthi”. Kjo skenë në praninë e 300 e ca njerëzve, nga të cilët tri të katërtat ishin myslimanë,  la një përshtypje të veçantë, mbase si një përcaktues për alfabetin e njësuar.

Përbërja e tij vlerësohet lartë nga autori i Raportit, i cili midis tjerash e thotë se antarët e këtij Komisioni “ ishin nga shkrimtarët më të mirënjohur në gjuhën shqipe dhe nga ata që kuptojnë se cili alfabet ishte më i mirë për kombin”. Nga raporti rezulton se në ditën e tretë,  të katërt dhe të pestë të mbledhjeve, Komisioni diskutoi, veç të tjerëve, për themelimin e Alfabetit. Është i qëndrueshëm e më interes vlerësimi i Gjergj Qiriazit për detyrën që kishtë marrë Komisioni të kryente: “Alfabeti duhet ta bashkojë kombin dhe ishte i vetmi instrument me të cilin ai do të përparojë”.

Pas tre ditë pune intensive Komisioni vendosi përfundimisht çështjen  e alfabetit të gjuhës shqipe. Në sjelljen e këtij vendimi, sipas Gjergj Qiriazit kishte ndikuar edhe “ shkaqe të jashtme politike”… dhe me pëlqimin e gjithë anëtarëve u vendos të pranohej Alfabeti i Stambollit , bashkë me një tjetër thjesht latin, që të dy të përdoren nga shqiptarët”… Në ditën e shtatë dhe në vijim në Raport flitet për procedurën e shpalljesë së  rezultateve të Komisionit. Kryetari i Kongresit, Mit’hat Frashri, deklaroi para të pranishmëve “Komisioni e mbaroi  detyrën”, që linte të nënkuptohej se ishte arritur objektivi i njësimit të alfabetit. Më pas Luigj Gurakuqi do të sillte “dërrasën e zezë, mbi të cilën qenë shkruar germat e Alfabetit”. Në ato çaste Gjergj Fishta, Kryetar i Komisionit deklaroi : “Alfabeti i Stambollit është i mjaftë për t’iu përgjigjur nevojave të kombit”. Megjithatë ai do të vinte në dukje

Manastiri, 1910

faktin se “që të mund të shtypeshin libra jashtë Shqipërisë dhe për të dërguar telegrame (jashtë) kemi nevojë të zotërojmë një alfabet krejt me shkronja latine”. Pas fjalëve të tij gjithë salla shpërtheu,  duke brohoritur “Rroftë Alfabeti”. Ishin këto caste  të një ngadhënjimi të madh në historinë e popullit shqiptar.

Ditën e tetë të punimeve, sipas Raportit të Gjergj Qiriazit “pati një audiencë më të madhe se kurdoherë”, sepse të gjitha sallat e Klubit ishin të stërmbushura nga shqiptarët e interesuar për rezultatet e çështjes së Alfabetit. Oratori i parë që mori fjalën ishte Vildan efendiu, i cili midis tjerash foli mbi “rëndësinë e Konstitucionit” … tha se shqiptarët ishin më shumë se kurrë më parë të bashkuar, sepse kishin sjellë Alfabetin, se shkrimi ishte një instrument që “lartëson kombin”, duke zgjedhur si më të përshtatshme “shkronjat latine”. Ai bëri dallimin e qartë midis fesë dhe Alfabetit të gjuhës shqipe : “feja është një gjë që i përket zemrës”, e se nuk duhej harruar, sipas tij “se jemi të gjithë bijtë e Adamit-kemi një prind dhe një Atdhe”. Ligjërata e tij, sipas Raportit la përshtypje të thellë në “mendjen e shumë myslimanëve, që janë fanatikë”,  të cilët mendonin se “nuk është mirë të shkruajnë ashtu si të krishterët”. At Gjergj Fishtës  ishte oratori i dytë i kësaj seance. Ai, duke folur për ndihmen e madhe që shqiptarët kishin dhënë për Perandorinë Osmane, midis tjerash kishte deklaruar: “Jeta e qeverisë osmanlli është Shqiptari. Shko dhe pyet dhe do të gjesh se janë ata që luftuan për këtë Perëndori: dhe është shpata shqiptare që ngadhënjeu mbi armiqtë e atdheut tonë”. Prandaj, ai me të drejtë tërhoqi vërejtjen tek zyrtarët e pranishëm në qeverinë osmane, që nga valiu i Vilajetit të Manastirit dhe të gjithë zyrtarëve të tjerë  “që na kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre të na ndihmojnë në çdo mënyrë për mbarësinë e këtyre qëllimeve të shenjta kombëtare”. Kjo, sipas tij për faktin se shqiptarët nuk do të kursenin “pikën e fundit të gjakut të mbrojnë Perandorinë Osmanlli dhe Atdheun tonë të dashur”.

Diskutuesit e tjerë të kësaj seance, si Fehim  Zavalani, Abdyl Starja, Ndre Mjeda, Nikollë Kaçori etj., sipas Raportit, kishin pikëtakimin tek fjalët:“ zemrat e dëgjonjësve u mbushën me entusiazëm të madh –muslimanë e të krishterë”.

Ditën e fundit të punimeve të Kongresit, në të cilin ishin të pranishëm vetëm delegatët, u aprovuan dy rezoluta:
1) Klubet në Shqipëri do t’i dërgonin raport një herë në muaj Klubit të Manastirit, ndërsa ky do t’u dërgonte atyre, si dhe shoqërive raportin e përgjithshëm.
2) Pas dy viteve do të mbahej Kongresi në Janinë, në të cilin do të trajtohej çështja e gjuhës dhe e literaturës. Ai nuk u mbajt në Janinë,  por prapë në Manastir.  Atë që

Delegatë në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910)                                                                    Abdulla Rushiti, Ali Zajmi, Bedri Pejani, Bejtullah Gjilani, Ferit Ypi Starja, Fehim Zavalani, Gani Bungu, Hajdar Blloshmi,Hysni Curri, Dervish Hima, Ibrahim Jegeni, Jonuz Ilmi Dibra, Petro Nini Luarasi, Qamil Bala-Shkupi, Qazim Iljaz Dibra,Rexhep Mitrovica, Refat Zavalani, Sabit Vushtina, Salih Gjuka-Dukagjini, Shefik Efendi Korça, Shyqyri Ramadan-Prishtina, Tefik Panariti, Themistokli Gërmenji, Xhafer Ypi-Kolonja, Xheladin Ohri, delegatë të fshehtë Gjergji Qiriazi dhe Telemak Gërmenji

nuk e çoi dot deri në fund Kongresi i Manastirit e zgjidhi Kongresi i Dytë i Manastirit (2-3 prill 1910) . Alfabeti i thjeshtë latin duke qenë i papërzier e më  homogjen nga karakteri i shkronjave, më i lehtë e më praktik për shtyp, u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë tashmë alfabeti i përbashkët e i vetëm për të gjithë shqiptarët, alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.

Ndihmuan   Kongresin;  Parashqevi Qiriazi (që i ka shkruar dhe korrektuar të gjitha diskutimet e Kongresit dhe Komisionit të alfabetit të gjuhës shqipe), Filomena  A.Bonati, Phines dhe Violet Kennedy.                                                                                                                          A.Tomsonit, Thomas Robinson Hodgson të Shoqërisë Biblike në Manastir. Konsulli austriak   August Kral (1869-1953), i cili tashmë është shpallur Qytetar nderi i Shkodrës.                                                                                                        Në Manastir ishte përfaqësuesi austriak, që ndihmoi Kongresin  Postlin Posfai

Kongresi i Manastirit është i një rëndësie të madhe jo vetëm për historinë e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, por edhe për historinë politike të popullit shqiptar. Vendimet e tij për njësimin e alfabetit përbëjnë  një kurorëzim përpjekjesh e sakrificash të pareshtura shekullore të popullit shqiptar. Qeveria xhonturke osmane, duke iu frikësuar rezultateve që do të shpinin në forcimin e ndjenjës së bashkimit midis shqiptarëve, pa kaluar as një vit filloi luftën kundër alfabetit kombëtar për zëvendësimin e tij më alfabetin arab. Por përpjekjet e saj nuk do të jepnin rezultate. Alfabeti i njësuar triumfoi në saj të qëndresës së shqiptarëve,  që i bënë këtij reaksioni.

Engjell Sh. Zerdelia,  New York-Amerikë