Dr. Sezai Çomo ngriti spitalin ushtarak në frontin e luftës

1082
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Patriot i vendosur për lëvizjen kombëtare
Dr. S. Çomo lindi në Libohovë në vitin 1894. Në këtë periudhë idetë dhe përpjekjet e rilindësve e të popullit shqiptar për liri e pavarësi kombëtare po merrnin rrugën e konkretizimit. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në Libohovë, në Shkodër dhe më pas në Stamboll, vende në të cilat rrethet shoqërore e politike punonin për lëvizjen kombëtare shqiptare. Kjo ka ndikuar në formimin e karakterit të tij prej patrioti e demokrati. Në kohën e studimeve në Stamboll u njoh e u lidh me patriotë shqiptarë që punonin e luftonin për lëvizjes kombëtare. Si student, i ri, Sezaiu ishte anëtar i këshillit drejtues të shoqërisë së atjeshme “Bashkimi”. Në programin e saj shoqëria “Bashkimi” kishte shpallur, se luftonte për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria otomane dhe daljen e saj si shtet i pavarur. Në prag të pavarësisë duke shkuar në Stamboll u takua me Ismail Qemal Vlorën e Luigj Gurakuqin. U diplomua mjek, në vitin 1916. Deri në vitin 1919 punoi si mjek në Stamboll. Kthehet në vendlindje nga mesi i vitit 1919. Lufta e Parë Botërore kishte përfunduar, por ushtritë e huaja ende nuk ishin larguar nga vendi. Në Konferencën e Paqes në Paris thureshin plane për copëtimin e Shqipërisë. Prandaj populli ynë, i varfër e i dëmtuar nga lufta, ishte ngritur në një luftë çlirimtare. Në të ishin përfshirë të gjitha krahinat e vendit.

Kontributi për çështjen e Atdheut
Kjo situatë e përfshiu doktor Sezaiu për të dhënë kontributin e tij për çështjen e Atdheut. Që në ditët e para të kthimit në Libohovë, u përfshi në lëvizje për çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi i huaj. Ai u ngrit kundër Myfit bej Libohovës, i cili ishte një nga drejtuesit kryesorë të qeverisë pro-italiane të Durrësit. Kështu në Libohovë, dr. Sezaiu iu kundërvu Myfit beut dhe politikës së tij. Ai u lidh me lëvizjen demokratike të kohës dhe shpejt, nëpërmjet veprimtarisë së tij, u bë një nga anëtarët më aktivë të saj. Në Libohovë qëndroi deri në qershor të 1920-s. Gjatë kësaj kohe, dendësoi aktivitetin politik në interes të çështjes së çlirimit të atdheut, zhvilloi mjaft veprimtari shoqërore. Si mjek, profesionin e tij u përpoq ta vinte në shërbim të popullit. Vizitonte çdo javë shkollat e Libohovës, të sëmurët në lagjet e saj, pa shpërblim nga bashkia. Aktiviteti i tij me koloninë shqiptare të Stambollit në dobi të lëvizjes patriotike e kishte bërë të njohur, jo vetëm në popullin e Libohovës, por në gjithë prefekturën e Gjirokastrës. Populli duke parë tek ai, njeriun aktiv e përparimtar, e vlerësoi duke e dërguar si delegat të Libohovës në “Kongresin e Lushnjës”. Dr. Sezaiu u solidarizua me vendimet e Kongresit që shprehnin vendosmërinë e masave popullore për të ruajtur me çdo kusht të paktën fitoren politike që ishin arritur në vitet 1912-1913. Pas përfundimit të Kongresit, dr. Sezaiu u kthye në Libohovë dhe iu vu punës për zbatimin e vendimeve të tij.

Në vijën e frontit në zonën e Sherishtës
Rëndësi të veçantë në këtë periudhë merr aktiviteti patriotik e kontributi i tij, sidomos Lufta e Vlorës, e cila, ishte zbatimi praktik i vendimeve të Kongresit të Lushnjës. Kur nisën veprimet luftarake kundër Italisë në Vlorë dr. Sezaiu ndodhej në Libohovë. Ai duke vlerësuar rëndësinë që kishte Lufta e Vlorës për fatet e atdheut, nxitoi të merrte pjesë sa më parë në të. Kur shpërtheu Lufta e Vlorës më 5 qershor 1920 mblodhi popullin e Libohovës dhe të Nepravishtës, ku iu shpjegoi rëndësinë që kishte kjo luftë dhe u bëri thirrje të mobilizoheshin për të shkuar në ndihmë të saj. Thirrjes së tij iu përgjigjën mjaft banorë të fshatrave. Në mitingun popullor anti-italian në Gjirokastër, dr. Sezaiu, me fjalën e vet u bëri thirrje pjesëmarrësve të mobilizoheshin për të shkuar në frontin e luftimeve dhe të jepnin ndihma për luftën. Kështu u bë një nga organizatorët e mobilizimit të vullnetarëve për Luftën e Vlorës në krahinën e Gjirokastrës. Dhe pas kësaj dr. Sezaiu në krye të 38 vullnetarëve libohovitë e nepravishtjotë shkoi në vijën e frontit në zonën e Sherishtës.

Në detyrën e mjekut ushtarak
Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” që drejtonte Luftën e Vlorës e ngarkoi dr. Sezaiun me detyrën e mjekut ushtarak dhe të përgjegjësit të spitalit të Kotës. Me rënien e garnizonit italian të Kotës, më 5 qershor 1920, luftëtarët mundën të kapnin një sasi materialesh, veglash e barnash mjekësore etj. Dr. Sezaiu, i ndihmuar nga farmacisti Sururi Libohova, organizoi spitalin e Kotës ku mjekoheshin e operoheshin luftëtarët shqiptarë të plagosur në vijën e frontit, si dhe robër italianë të zënë në luftë. Në periudhën e Luftës së Vlorës atij i takon merita e themeluesit të spitalit ushtarak të Kotës. Kur dr. Sezaiu u caktua drejtor i spitalit, ishte vetëm 26 vjeç. Ndonëse kishte mbaruar për neurologji rrethanat e luftës i diktuan nevojën të bëhej kirurg. Në spitalin e Kotës nga dr. Sezaiut u mjekuan dhe u operuan shumë të plagosur midis të cilëve; Kanan Maze, Sali Murati, Selman Hyseni etj. Gjatë zhvillimit veprimeve luftarake ai shërbeu edhe si mjek edhe si ushtar i armatosur. Ditën, kur nuk zhvilloheshin luftime, dr. Sezaiu u shërbente të plagosurve në spital, kurse natën shpeshherë linte bluzën e bardhë të doktorit merrte pushkën e luftonte krah për krah me shokët e tij në llogore si në Babicë, Sherishtë etj. Aktiviteti i tij në favor të Luftës së Vlorës ndikoi në rritjen e simpatisë së popullit për të. Prandaj populli e përjetësoi veprën e dr. Sezaiut në këngë: Ashkosun moj Libohovë/ Kreve një djalë të sorë/ Djalë Sezai doktorë/ Lufton me revol në dorë/ Në Babicë përmbi Vlorë… Kontributi i gjithanshëm i dr. Sezaiut në shërbim të fitores së Luftës së Vlorës është tregues për vlerat patriotike të figurës së tij dhe i besimit që kishte ai tek forca e luftëtarëve shqiptarë. Në gusht 1920 në kohën e largimit të ushtrive italiane nga Vlora, qeveria e Tiranës e ngarkoi me detyrën e anëtarit të komisionit ushtarak që do të merrte në dorëzim materialet dhe do të mbikëqyrte largimin e ushtrisë italiane nga qyteti i Vlorës. Së bashku me kryetarin e komisionit ushtarakun Ismail Haki Kuçi, hynë të parët në Vlorë për të kryer detyrën si përfaqësues të qeverisë shqiptare.

Drejtor i spitalit të qytetit të Vlorës
Mbasi u mor në dorëzim Vlora u organizuan më 3 shtator 1920 manifestime të mëdha festive me rastin e fitores. Në mitingun e madh që u organizua midis oratorëve, foli edhe dr. Sezaiu. Me përfundimin e luftës u caktua drejtor i spitalit të qytetit të Vlorës. Ai mblodhi dhe i transportoi të gjithë të plagosurit që ndodheshin në spitalin e Kotës dhe i pruri në spitalin e Vlorës. Ndonëse në detyrën e drejtorit të spitalit dr. Sezaiu nuk e ndau asnjëherë aktivitetin profesional nga ai politik. Kështu krahas punës për riorganizimin e spitalit, mbi baza më të rregullta administrative e shkencore, dr. Sezaiu nuk u mënjanua nga detyrat e tjera të kohës, me karakter politik e shoqëror. Ai vazhdoi të punojë në shërbim të popullit e të çështjes së atdheut deri në momentin kur i ndjekur nga reaksioni zogist që shpërtheu pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit 1924, u largua në mërgim. Veprimtaria politike shoqërore e dr. Sezaiut e vendos atë në aktivistët kryesorë të lëvizjes patriotike e demokratike të Shqipërisë në vitet 1919-1924, duke qëndruar në pozitat e një patrioti demokrat. Kështu, ai krahas Avni Rustemit, Halim Xhelos etj., u bë një nga drejtuesit e organizatorët e aktiviteteve demokratike në krahinën e Vlorës e në tërë Shqipërinë. Njohuritë e aftësitë profesionale u mundua t’i vërë në shërbim të vendit. Në kuadrin e Luftës së Vlorës, e cila është ngjarje e madhe e historisë së popullit tonë, ne sjellim ndërmend aktivitetin e gjithanshëm të masave popullore, si dhe veprimtarinë e figurave kryesore politiko-shoqërore që u bënë udhëheqës të vendosur të masave në rrugën e luftës për liri, pavarësi e për demokratizimin e jetës së vendit. Dhe në këtë kuadër nuk mund të mos çmojmë me respekt veprën e aktivitetin patriotik e demokratik të dr. Sezai Çomos.
Sigal