Dr. Fahri Rashidi, krenaria e kombit tonë

2065
Sigal

Nga Flamur TARTARI

Fahri Rashidi (Gorani) (1881-1944)

Ai është krenari e kombit tonë, një patriot kosovar i ndershëm që bëri gjithçka për Shqipërinë. Ai nuk duhet harruar asnjëherë, për kontributin që ka dhënë edhe për ecjen para të mjekësisë tonë në ato vite. Fahri Rashidi është krenari e kombit tonë, një patriot kosovar i ndershëm që bëri gjithçka për Shqipërinë. Ai nuk duhet harruar asnjëherë, për kontributin që ka dhënë edhe për ecjen para të mjekësisë sonë në ato vite. Dr. Fahri Rashidi ka lindur në Gjilan të Kosovës, më 1881 nga një familje patriotike shqiptare me tradita të hershme atdhedashurie. Qysh në moshën fëminore, baca i familjes e edukoi me ndjenjën e dashurisë për popullin e tij, duke i caktuar me fanatizëm si patriot që ishte si i gjithë populli i Shqipërisë dhe i Kosovës, që pas mbarimit të studimeve vendi i tij për të punuar ishte Atdheu i robëruar prej shekujsh nga turqit osmanllij. Këto porosi të bacës së tij, studenti i ri i gjeti edhe midis shokëve të tij shqiptarë studentë si prof. Rifat Frashëri, Osman Jonuzi, Ibrahim Temo, Zihni Starja, Shuaip Krypa, Bedri Përmeti, Haki Mborja, Ruzhdi Pobrati, Omer Nishani, Bastri Qallimi, Sabri Tefiku, Sezai Çomo, Ismet Gega, Ali Mihali, Hasan Çoçoli, Vehap Ismailati, e shumë e shumë të tjerë, që erdhën dhe i shërbyen me nder, devotshmëri e humanizëm popullit të varfër, por bujar dhe të papërkulur shqiptar. Pasi mbaroi fakultetin e mjekësisë në Stamboll më 1905, me ndihmën e pakursyer të patriotëve (Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri) dhe të tjerë nga Kosova, ai shkoi në Paris për t’u specializuar në kirurgji.

Më pas ai shërbeu si mjek dhe si kirurg në një klinikë të Stambollit, por nuk qëndroi më tepër se 6 muaj dhe u kthye në Prevezë ku kishte vetëm shqiptarë, e pastaj në Pejë dhe në Prizren, ku shërbeu me nder dhe humanizëm si kirurg dhe mjek i përgjithshëm me ato pak mjete kirurgjikale e vegla operacioni më tepër për mikrokirurgjinë, duke bërë disa operacione të vogla, por shumë ndihmuese për popullin. Më 1914, me thirrjen e bërë nga shokët e tij si: Z. Starja, I. Temo, R. Pobrati ai erdhi në Durrës në shërbim të qeverisë së Widit, për stabilizimin e gjendjes së shëndetësisë dhe organizimin e saj, ku qëndroi dy vjet duke dhënë një kontribut të madh për mjekimin e shumë sëmundjeve në atë kohë. Ai i dha një ndihmë shumë të madhe siç tregon më vonë dr. Musa Ohri dhe atij që kish mbaruar 3-4 vjet si student Fakultetin e Mjekësisë. Bile, vazhdon dr. M. Ohri, shpesh Durrësi dhe Kavaja më mbetën dy qytetet e mia të para që si student në vitet 1914, isha ndihmësi kryesor i dr. Fahriut për vizita dhe për bërjen e disa operacioneve të vogla. Unë nuk do ta harroj asnjëherë, vazhdon ai, si u mahnita kur ai me shpejtësi i hoqi gurin nga fshikëza e urinës një fëmije 6 vjeç nga Golemi. Mbas operacionit, edhe vetë ai ishte i kënaqur duke më thënë se gjithmonë pa u kursyer duhet ndihmuar populli ynë, se e kemi të mirë e të dëgjueshëm. E vazhdonte për një rast që e kishte parë vetë në vitet e specializimit në Paris, se si profesori i tij me të njëjtën diagnozë mezi ia kishte mbushur mendjen për operacion një pacienti. Prandaj Musa, ti duhet të mbarosh mjekësinë dhe të kthehesh, sepse populli ynë e do dhe e respekton më shumë doktorin që i jep jetë sesa pashain, që jeton mirë. Respekti i tij vjen sepse tanë jetën ai ka vuajtur dhe e duron dhimbjen e prandaj edhe operacionin e duroi. Më 1916-1922, mbas ikjes së qeverisë së Widit, ai shkoi në Shkodër që e priti shumë mirë, por edhe ai shërbeu me nder.

Për këtë punë të mirë, me ndihmën përsëri të dr. R. Frashërit dhe R. Pobratit, u emërua si drejtor dhe njëkohësisht si kirurg për jugun e Shqipërisë me qendër në Korçë. Edhe atje ai punoi me ndershmëri, pa iu shmangur asnjëherë vështirësive të mëdha që ekzistonin në atë kohë dhe shpesh i kërkonte që të përmirësoheshin kushtet, sidomos shpesh bisedonte me miqtë e tij përparimtarë të përmendur më sipër, sidomos për problemet e zhvillimit të kirurgjisë që, krahas zhvillimit të saj në Tiranë, duhet të hapen disa qendra në Shkodër, në Dibër, në Vlorë e në Gjirokastër, ku përputhej me mendimet e dr. Osman Jonuzit e të tjerë. Ishte ndër të parët që përkrahu qeverinë e Nolit duke shpresuar në ecurinë si Evropa, Shqipëria. Bile në atë kohë u caktua si Ministër i Arsimit ngaqë ishte njeri me reputacion të madh dhe me njohuri të mëdha organizative, duke menduar gjithmonë për përparimin e duke deklaruar me plot krenari se të rinjtë tanë duhet të studiojnë vetëm në perëndim, sepse aftësitë mendore të shqiptarëve janë shumë herë më të mëdha se sa shumë kombësi të tjera. Këtë e ka vërtetuar jeta dhe historia, kombi ynë është shumë i zgjuar, por historikisht ka vuajtur shumë. Ai paraqiti një program të hapur duke menduar ato pak kohë si ministër që ishte, për arsimimin duke parashtruar dy koncepte në drejtim të shkollimit të shqiptarëve. Përveç bursës ose shpenzimeve që mund të mbaheshin nga familja, ai mendonte që fëmijët që mbaronin të mesmen me rezultate shumë të mira, shteti të mundohej në bashkëpunim me njerëzit përparimtarë shqiptarë kudo që ishin, pas një konkursi ose komisioni, të vazhdonin shkollën e lartë në Itali, Francë, Austri, Gjermani etj., sidomos për mjekësi, financë, arsim, inxhinieri etj., si më urgjentet që kishte nevojë vendi ynë. Megjithëse ajo qeveri e pati jetën të shkurtër, këto mendime të tij edhe në kohën e mbretit Zog i patën mbetur aktuale dhe disa u zbatuan edhe nga dr. R. Pobrati, dr. R. Frashëri e dr. O. Jonuzi dhe më vonë nga dr. J. Pasho për mjekësinë. Siç dihet dr. Osman Jonuzi e avancoi më tepër këtë duke organizuar edhe një komision në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit me kryetar edhe prof. e gjuhësisë Dr. A. Xhuvanin, sidomos për shkollën e mesme. Gjithashtu duhet të shtoj se dr. O. Jonuzi i kërkoi mbretit që ai të nxirrte edhe një urdhëresë që këta studentë që merrnin bursë të ktheheshin për të punuar në vendin e tyre vetëm në Shqipëri, gjë që për mendimin tim është edhe sot aktuale për vendin tonë, për ta çuar përpara demokracinë e kërkuar historikisht nga shqiptarët dhe të fituar në vitet ’92 dhe rezultatet e deri tanishme vetëm këto vitet e fundit të studentëve dhe të intelektualëve që studiojnë në vende të ndryshme në Evropë dhe në SHBA janë të shkëlqyera, gjë që vërteton dëshirat dhe të dhënat e njerëzve përparimtarë dhe intelektualëve tanë, që punuan për këtë vend shumë vite më parë. Megjithëse ai ishte pjesëtar i qeverisë së Nolit, edhe kur erdhi Zogu në fuqi, duke qenë njeri i zgjuar dhe me reputacion, si edhe duke u ndihmuar nga shokët dhe miqtë e tij të vërtetë, dr. Fahri Rashidi (Gorani) transferohet në Vlorë më 1926 si drejtor dhe aty ai për herë të parë me shumë vështirësi hapi kirurgjinë. Vlora e njohu mirë mjekun kosovar gojë-ëmbël, të qetë e shumë të edukuar. Edhe sot, – tregon mjeku i vjetër kirurg i Vlorës dr. Angjeli (1977), – në ato pak kujtime e regjistra të vjetër, kam parë për një kujdesje për të sëmurët e operuar dhe mjekuar nga ai. Është ai që edhe vetë dr. Osmani njëherë u konsultua me të për gjendjen e vajzës heroinë të Kosovës, të Shote Galicës, që, siç dihet, u mjekua nga dr. Osman Jonuzi. Në Vlorë dr. Fahriun e ndihmoi edhe n/mjeku i nderuar dhe shumë popullor Xheladini, që edhe ky ishte nga Kosova. Më vonë dr. F. Rashidi u caktua drejtor i Kryqit të Kuq Shqiptar deri më 1934, ku më pas u tërhoq meqë edhe Zogu nuk e shihte më si të mirë, duke mos ia harruar edhe lidhjet e mëdha që Fahri Rashiti kishte me Hasan Prishtinën dhe Bajram Currin.

Në jetën e tij ai u thoshte miqve të shumtë sidomos dr. O. Jonuzit: Dy herë e kam ndjerë veten keq dhe shumë të mërzitur, duke menduar Osman se s’kemi bërë asgjë për Bacën (B. Currin) dhe për Hasan Prishtinën, këta dy patriotë të mëdhenj të kombit tonë. Si kryetar i Kryqit të Kuq Shqiptar ai bëri një luftë të madhe në drejtim të ndihmesave të shumta që duhej të bëhej në popull dhe u mundua shumë të punonte me nder, por edhe kushtet ishin jo të mira. Ishte ai i pari që u lidh me disa organizma të Kryqit të Kuq në disa vende perëndimore. Në fund të jetës ai punoi si konsulent me miqtë e tij në maternitetin privat të hapur nga dr. J. Basho e dr. O. Jonuzi, duke dhënë ndihmesë të madhe… derisa vdiq më 1944. Jetoi në Shqipëri, punoi me nder dhe asnjëherë për punën e tij të madhe nuk u përmend nga sistemi komunist, për ndihmesën e madhe që ai dha në drejtim të kurimit dhe të shërbimit të madh që i bëri atdheut të tij. Ndoshta kjo ndodhi për dy arsye: si intelektual i arsimuar në perëndim, por, mendoj, edhe si kosovar, sepse, siç dihet tashmë, në Shqipëri, nën regjimin totalitar ata nuk u panë asnjëherë si njerëz të një gjaku. Dr. Fahri Rashidi është krenaria e kombit tonë, një patriot kosovar i ndershëm, që bëri gjithçka për Shqipërinë. Ai nuk duhet harruar asnjëherë për ndihmën që ka dhënë, për ecjen para të mjekësisë tonë në ato vite.