Dossier/ Prof. Dr. Spiro V. Mëhilli: Si u çlirua Leningradi pas 900 ditë rrethimi. Kundërmësymja e ushtrisë së Kuqe, refuzimi i Hitlerit për t’u tërhequr dhe bilanci tragjik që mori mbi 1 milion jetë njerëzish

1227
Sigal

Kundërmësymja e ushtrisë sovjetike dhe pasojat shkatërruese nga i ftohti i dimrit

Si u bë çlirimi i qytetit nga Fronti i Leningradit dhe refuzimi i Hitlerit për t’u tërhequr. Ja bilanci tragjik i rrethimit që mori 1 milion jetë njerëzish

 

Çlirimi i Leningradit pas 900 ditë rrethimi

 

Prof. Ass. Dr. Spiro Vasil Mëhilli

 

Vijon nga numri i kaluar

 

Kundërmësymja e ushtrisë sovjetike dhe fataliteti i dimrit të 1942-shit

Më 7 janar të vitit 1942 ushtria sovjetike kundërsulmoi në veriun e Novgorodit duke kaluar mbi kënetën e ngrirë. Mijëra ushtarë gjermanë nuk mund të luftonin nga të ftohtit dhe ngricat. Amputimet e gjymtyrëve ishin të zakonshme. Nga mungesa e batanijeve, shumë të plagosur vdisnin në spitale fushore nga të ftohtit, në një temperaturë mbi 40 gradë nën zero. Pas 5 ditë luftimesh fon Lebi kërkoi të tërhiqeshin nga xhepi i rrezikshëm i Damjanskut, por Hitleri refuzoi dhe 100.000 ushtarë gjermanë mbetën të rrethuar. Më 31 janar në Leningrad u bë e ditur që deri në atë kohë kishin vdekur 200.000 veta nga të ftohtit e 6 muajve të rrethimit. Kufomat mbushnin rrugët pranë morgeve dhe varrezave. Ata vdisnin në rrugë ose në shtëpi. Të gjallët nuk kishin forca t’i merrnin e t’i varrosnin. Në qytet mbetën të bllokuar 2,5 milionë banorë, ku 400.000 ishin fëmijë që nuk arritën të shpërnguleshin. Në muajin shkurt vdiqën edhe 100.000 banorë nga uria. Në qytetin e rrethuar nuk kishte mbetur asgjë, pothuaj asnjë qenie e gjallë. Harabelët ishin gjë e rrallë në qytet. Vetëm minjtë i qëndruan besnik qytetit deri në çlirim. Ata u lëshuan si të tërbuar rrugëve, iu vërsulën kopshteve, rrëmonin tokën, dhe si të marrë hanin patatet që kishin lidhur kokërr. Njerëzit të sfilitur nga uria, kontrollonin xhepat e të vdekurve për të gjetur ndonjë patate, që nuk i duhej më të zotit. Në muajin mars filloi pastrimi i qytetit nga vet banorët. Vetëm më 15 mars u varrosën 143.000 veta. Shërbimi funeral varrosi 89.963 veta (Deri në atë kohë të vdekurit varroseshin në varrezat e qytetit. Duke filluar nga 15 shkurti i vitit 1942 të vdekurit u futën në varrezën e përbashkët ngritur në fshatin Piskariovka. Aty u futën 500.000 të vdekur nga uria e të ftohtit nga vitet 1941-1943. Në atë vend u ngrit një memorial, në qendër të të cilit u vendos një monument madhështor, statuja “Nëna e Atdheut” ku në duar të hapura ajo mban një kurorë prej gjethe lisi dhe nga ajo kohë do të dëshmojë simbolet e forcës dhe lavdisë mbi varrezë të heronjve të shumtë pa emër). Në dimrin e viteve 1941-1942 kishte shumë vështirësi sepse kishin ngrirë tubacionet. Nuk kishte lëndë djegëse dhe makinat nuk lëviznin. Dimrin e viteve 1941-1942 nëpër trasenë prej akulli u çuan në Leningrad 361.109 tonë ngarkesa të ndryshme dhe u evakuan mbi 554.186 veta ku nga Leningradi 448.000 veta. Nga 22 nëntori i vitit 1941 deri më 24 prill 1942, për 152 ditë në liqen u mbytën nga bombat e aviacionit gjerman 1042 makina, shumica e tyre me njerëz. Më 12 prill, që shënonte ditën e 248 të urisë, për herë të parë lëvizën tramvajet. Atë muaj vdiqën 102.497 veta, shifra më e lartë për një muaj. Forcat ruse filluan operacionin “SHKËNDIA” duke hapur një korridor 16 km në jug të liqenit Ladoga dhe furnizimet mund të vinin në rrugë tokësore në Leningrad. Brenda një jave arritën në qytet armatime, ushqime, trupa, municione. Më 24 prill me ngritjen e temperaturave dhe shkrirjes së akullit u ndërpre transporti nëpër liqen. Në fund të majit marinarët e flotiljes ushtarake të Ladogës dhe linjës detare veriperëndimore hapën një rrugë të re, trasenë Osinovec-Kobana dhe Osinovec-Novaja Ladoga. Në të dy drejtimet u transportuan 1.995.000 tonë ngarkesë, ku për qytetin e rrethuar mbi 790.000 tonë, duke futur 353.000 tonë ushqime. U sollën në këtë rrugë 290.000 oficerë e ushtarë. Në fund të liqenit u shtrinë tubacione për furnizimin e qytetit me lëndë djegëse dhe elektrokabllo dhe në Leningrad filloi energjia elektrike. Mëngjesin e 21 nëntorit me sana arritën në Osinovec 63 tonë miell. Me 22 nëntor në Kobana shkoi kolona prej 60 makinash “GAZ AA”. Nga 20 nëntori deri 25 dhjetori 1942, për 35 ditë banorët e qytetit morën nga 125 gr bukë. Çdo reis nëpër Ladogë ishte heroizëm. Rrezik për lëvizjet bënte aviacioni gjerman që patrullonte mbi liqen dhe godiste portet ose anijet e transportit. Më 25 dhjetor norma e bukës për punonjësit inxhinierë e teknikë zbriti në 100 g. kurse për punonjësit dhe fëmijët, 75 g. Në Nevë, u fundosën 400 barka transporti me 40-50 veta secila, duke marrë me vete 20.000 veta. Në Institutin Vavillov, qendër hulumtuese botanike dhe bujqësore, 31 shkencëtarë që dikur i udhëhiqte biologu legjendar, gjenetiku dhe hulumtuesi i bimëve akademiku Nikollaj Ivanoviç Vavillov (Vavillovi ish – themeluesi i “Akademisë Lenin” të Shkencave Bujqësore, u arrestua në vitin 1938 dhe u internua në vitin 1940 me urdhër të Stalinit. U çua për të vuajtur në Seratov dhe vdiq në vitin 1943 nga mosushqyerja) shkencëtarët që mbetën ruanin koleksionin unikal të bimëve dhe farërave. Edhe gjatë bombardimit ata mbollën varietete të reja me qëllim ripërtëritjen e kompletit të tyre gjenetik. 14 shkencëtarë që ruanin me fanatizëm farërat e orizit apo të patates vdiqën nga uria. Dr. Dmitri S. Ivanov, specialist i institutit për orizin u gjend i vdekur në tavolinën e tij i rrethuar nga qese me oriz. Ai para vdekjes shkroi: “Në kohën kur e tërë bota është në flakën e luftës, ne do t’i ruajmë këto koleksione, për të ardhmen e gjithë njerëzimit”.

Në janar të vitit 1943 për të çarë bllokadën e qytetit filloi Operacioni “ISKRA” dhe vendi i goditjes u zgjodh Kepi Mginsk-Shliselburg. Në rajonin Shliselburg-Sinjavino mori pjesë Armata 67 e përforcuar e Leningradit me komandant M. P. Duhanovin dhe Armata 2 Sulmuese e përforcuar e Frontit të Vollhovit me gjeneral-leitenant V. Z. Romanovskin.

Faza e parë e sulmit Goditja e parë staliniane

Më 10 janar trupat e Frontit të Leningradit nga bregu i djathtë i Nevës dhe ato të Frontit të Vollhovit nga lindja u përgatitën për të sulmuar. Më 12 janar në orën 930 filloi operacioni për çarjen e bllokadës. Më 930 të 18 janarit, pas 6 ditë betejash, trupat e Frontit të Leningradit dhe ato të Vollhovit me mbështetjen e Flotës së Baltikut jo vetëm që çanë bllokadën dhe morën qytetin e Shliselburgut por rivendosën komunikacionin rrugor që e lidhte Leningradin me atdheun. Më 21 janar, me shpejtësi filloi ndërtimi i vijës hekurudhore Shliselburg-Poljanan përgjatë bregut jugor të Liqenit Ladogës, ku u shtruan 33 km trase brenda 16 ditësh. Njëkohësisht, mbi lumin Neva, në lokalitetin Morozovk, për 9 ditë u ngrit ura e drunjtë hekurudhore 1300 metra e gjatë. Më 7 shkurt u bë i mundur që në stacionin hekurudhor “Finlanskij” të mbërrinin 800 tonë ngarkesë, dhuratë nga Çeliabinsku.

Leningradi në fund të vitit 1943 mbeti me 620.000 banorë. Paksimi i popullatës u bë nga bllokada në vitet e luftës. Shumë banorë u evakuan dhe shumë të tjerë vdiqën në front ose nga uria. Zona e pushtimit të Armatës 18 Gjermane me 22-25 divizione, në janar të vitit 1944 shtrihej në një territor prej 170 km gjatësi dhe 2 km thellësi. Rreth 10-15 km pas saj, ngriheshin zona të tjera mbrojtëse, ku zona e pestë ishte në drejtimin Novgorod-Luki me 3 zona mbrojtëse: kryesorja me gjatësi 100 km, e dyta, 15-20 km në perëndim të së parës dhe e treta përgjatë bregut perëndimor të lumit Luge.

Trupat sovjetike të Frontit të Leningradit të dislokuara në mbrojtje morën vendim të asgjësonin trupat gjermane të vendosura në Petërgof, në Gatçina, në Pushkino, në Krasnoe Sjello etj. për të marr Leningradin; ndërsa trupat e Frontit të Vollhovit të shkatërronin dhe të asgjesonin grupin gjerman në Novgorod. Mandej trupat e të dy fronteve duhej të marshonin në perëndim dhe në jugperëndim në drejtim të Pskovit, të liqenit Çudsk dhe të Narvës. Nga 14 janari deri më 29 shkurt të vitit 1944 në Frontin e Leningradit dhe në Frontin e Vollhovit, Ushtria e Kuqe filloi Goditjen e Parë Staliniane duke i dhënë fund rrethimit të Leningradit dhe bllokadës prej 900 ditësh. Trupat e Frontit të Leningradit me komandant L.A.Govorovin të ndara në dy grupe arritën të bashkoheshin dhe të shkatërronin dy divizione këmbësore gjermane dhe të dëmtonin rëndë pesë divizione të tjera duke asgjësuar 25.000 ushtarë dhe shkatërruar 265 topa, 85 prej tyre ishin topa të rëndë. Pasi u shkatërrua falanga e majtë e grupimit të 18 gjerman, filloi sulmin mbi Gatçina, u mor stacioni Vollosovos dhe u pre rruga Krasnogvardjeisk- Narva. Më 24 janar u mor Pushkino dhe Sllucku (Pavllovsk) dhe më 26 janar Gatçina. Trupat e Frontit të Vollhovit me gjeneralin K.A.Mereçkov më 14 janar goditën rajonin Ljubec, Kotovic dhe më 20 janar morën qytetin e Novgorodit pasi shpartalluan dy divizione këmbësore, një regjiment, katër batalione të veçanta dhe disa ndërtime ushtarake. U asgjësuan 18.000 ushtarë gjermanë dhe mbi 3000 ushtarë u kapën robër. Falanga e djathtë e Frontit të Vollhovit më 26 janar mori qytetin Tosno, më 28 janar Ljuban dhe më 29 janar Çudovon. Trupat e Falangut të Majtë të Frontit të Vollhovit dolën tek “Hekurudha e Tetorit” në rajonin Lubanja, duke goditur gjermanët në veri dhe në jug. Po atë ditë, në drejtim të Oraniembaumit, të Gostilicës dhe më 15 janar të Pavllovskut në drejtim të Krasnoe Sjellos dhe Ropshes filloi njëkohësisht goditja vendimtare. Trupat e Frontit II të Priballtikut me gjeneralin M. M. Popov sulmuan në veri të Novosokolnikovit Armatën 16 Gjermane duke mos e lejuar atë të hidhte trupa mbi Leningrad dhe Novgorod.

Faza e dytë – Çlirimi i Leningradit nga bllokada

Më 28 janar filloi faza e dytë, ku trupat e Frontit të Leningradit dolën në vijën hekurudhore Kingiser-Tosno, ndryshuan drejtimin 900 në perëndim dhe jugperëndim dhe filluan ndjekjen drejt Kingiserit e më pas dolën në afërsi të Narvës dhe në të majtë të lumit Luge dhe Pulsa në rajonin e qytetit Luga. Në fund trupat e Frontit të Leningradit dhe Frontit të Vollhovit çliruan qytetin e Leningradit nga bllokada. Trupat e Vollhovit u drejtuan në Shimsk dhe më 30 janar dolën në brigjet e lumenjve Luga, Mshag dhe Shellon.

Faza e tretë e sulmit – 16-29 shkurt 1944 çlirimi i qytetit të Leningradit pas 900 ditësh rrethimi

Më 15 shkurt filloi faza e tretë e sulmit. Trupat gjermane u asgjësuan në Leningrad dhe në Novgorod. U shkatërruan plotësisht 3 divizione këmbësorie, mbeturinat e 12 divizioneve të Armatës 18 dhe 5 divizione të Armatës 16 Gjermane dhe në 1,5 muaj luftime ata humbën 90.000 ushtarë e oficerë dhe lanë 7200 robër. I gjithë rajoni i Leningradit u çlirua nga 16-29 shkurt 1944 (Për të përkujtuar rezistencën e qytetarëve dhe të ushtrisë sovjetike në qytet janë dy monumente. I pari është një tank që ndodhet akoma në hyrje të qytetit kur shkon me rrugë automobilistike nga Petrodvorieci për në Shën Petërburg dhe i dyti i vendosur në Sheshin e Fitores, aty ku rruga të çon në Aeroportin e Pullkovos si dhe vijnë rrugët nga Moskës dhe nga Kievi për t’u futur në Shën Petërburg. Ajo është konceptuar si një rreth i çarë ku në qendër të saj është ngritur monumenti që i kushtohet heronjve të mbrojtjes së Leningradit. Në piedestalin prej graniti ngrihen figurat e ushtarëve, marinarëve dhe vullnetarëve dhe në qendër të saj obelisku 48 metra i lartë i përbë nga 236 copë graniti të kuq të sjellë nga Karelia. Në këmbë të obeliskut është vendosur grupi skulpturor“Fitimtarët” 7 metra i lartë që simbolizon ushtarët dhe punëtorët).

Më 10 qershor, trupat sovjetike nën komandën e gjeneralit Govorov sulmuan Istmin e Karelisë. Më 20 qershor pushtuan qytetin dhe kështjellën e Viipurit. Në verilindje sulmuan trupat e Frontit të Karelisë dhe arritën të çlironin Petrozavodskun, kryeqytetin e republikës Karelo-Finlandeze. Finlanda u detyrua të kërkonte ndërprerjen e luftimeve.

Në janar-qershor të vitit 1944 trupat e Frontit të Leningradit, Frontit të Karelisë dhe Frontit të Vollhovit të mbështetur nga Flota e Baltikut çanë përfundimisht bllokadën që vazhdoi 900 ditë. Më 19 shtator u nënshkrua marrëveshja dhe Finlanda i shpalli luftë Gjermanisë.

Gjatë gjithë kohës së luftës në territorin e Leningradit ranë më shumë se 150.000 predha, u dhanë 649 alarme ajrore, u rrëzuan 1561 avionë, prej tyre 1044 në luftë ajrore. U shkatërruan 3 milionë metra katrorë shtëpi të banuara, 500 shkolla dhe 170 qendra mjekësore. Nga gushti i vitit 1941 deri në shkurt të vitit 1944 u shkatërruan mbi 90% e ndërmarrjeve industriale dhe mbi 2000 qyteza. U shkatërruan mbi 1,5 milionë m2 sipërfaqe tokë dhe u bënë të papërdorshme 1 milion m2 sipërfaqe toke. Që me fillimin e sulmit sovjetikët arritën të largonin nga Leningradi në drejtim të Moskës e më tej veprat e çmuara që ndodheshin në “Ermitazh” dhe groposën ose maskuan shumë nga kryeveprat monumentale. Gjermanët në largim hodhën në erë kryeveprën e gjithë Rusisë, Pallatin e Pjetrit Parë në Petërgof dhe Pallatin madhështor të Ekaterinës në Pushkino. Tentuan të hidhnin në erë Pallatin në Gatçina por për mungesë kohe predhat i hodhën të paplasura në Liqenin e Zi që ndodhej pranë ndërtesës.

Leningradit me vendim të Sovjetit Suprem iu dha titulli “Qytet Hero”. Kushdo që shkon në Shën Petërburg, sapo del nga stacioni hekurudhor “Moska”, përballë në një nga ndërtesat me të mëdha do të lexojë “Leningradi-Qytet Hero”

Trupat e falangut të djathtë të Frontit të Karelisë së bashku me një pjesë të Flotës së Veriut filluan goditjen e 10 Staliniane që të çanin mbrojtjen gjermane në qytetin Petsamo (Peçenga) së bashku me portin Linaham, me goditje kryesore liqenin Çapr drejt Petsamos. Flota e Veriut mori detyrë të bllokonte nga deti portin Linaham dhe më pas të çante mbrojtjen gjermane në gadishullin Srednij. Më 9 tetor pas përgatitjes me artileri, trupat e Frontit të Karelisë sulmuan në drejtim të lumit Titovk e më pas drejt Loustarit dhe dolën në veriperëndim dhe në jugperëndim të Petsamos dhe më 12 tetor morën Loustarin. Falanga e djathtë e ushtrisë sovjetike doli në rrugën Titovk-Reka-Petsamo. Më 10 tetor Flota e Veriut u fut në Vollogdën e madhe, më 13 tetor mori Porovkën dhe më 13 tetor Portin Linohama. Më 15 tetor 1944 u mor qyteti Petsamo dhe më 23 tetor trupat e Ushtrisë Kuqe dolën në kufirin Norvegjez dhe morën qendrat Salmijarv dhe Ahmalaht. Më 25 tetor u çlirua tërësisht rajoni Peçensk, si dhe u mor porti dhe qyteti norvegjez Kirkenes.