Dossier/ Lef Nosi, si i ruajta telegramet e Ismail Qemalit për parësinë e shqiptarëve, dhe krijimin e ushtrisë

98
Sigal

Deri më sot mendohej se me rënien e Turqisë, Shqipëria s’kishte ushtri Telegramet e Ismail bej Qemalit dhe parësia shqiptare

Me vendosjen e diktaturës të gjithë bejlerët u shpallën tradhëtarë

Vepror Hasani

Materiali që do të sjellim më poshtë u referohet telegrameve të mbledhura nga Lef Nosi dhe të botuara në fletoren “Dokumenta historike”; përmbledhës historiko-dokumentar për vitet 1912-1914. Nr.1, mars 1924 – nr. 12, shkurt 1925, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk kanë marrë vëmendjen e merituar. Për sigurimin e këtij dokumentacioni vetë Lef Nosi, shkruan: “Rastet e mira edhe kujdesi qi kam pasun, u-banë shkak me futë në dorë dal nga dalë, nji numër të math dokumentash, të cilat janë një visar i pa çmueshëm i Rilindjes tonë Kombëtare. Nga frika, se po të mos botohen me kohë munt edhe të humbasin, vendosa me i qit në dritë, me anë të kësaj fletoreje të përmuajshme. Kjo mënyrë m’u duk ma e arsyeshme, sepse besoj se kështu munt të dalin në dritë edhe dokumenta të tjerë, qi gjenden ndër duar zotnijsh, të cilëvet edhe në mos paçin qenë të interesuem si un – e ka sjellë puna me i ranë në dorë. Passi ma të shumëtit e dokumenteve janë në gjuhën turqishte e botimi i tyne, ashtu si janë, asht i pamundun nga mungimi i shkronjavet, u shtrëngova me i përkthye shqip, tyke e lanë botimin e origjinalevet për ma vonë, në nji libër të posaçëm…”. Materiali i botuar te “Dokumenta historike”, është vendosur pa një renditje kronologjike, por tepër i mundshëm për t’i vendosur ngjarjet sipas datave.
Shënim: Datat e telegrameve i përkasin kalendarit të vjetër, (allaturka) të cilin për ta sjellë me kalendarin e sotëm (allafrënga) i shtohen 13 ditë. Pika kulmore e ngjarjeve starton me mbërritjen e Ismail Qemalit në Vlorë.

Sipas telegrameve të Lef Nosit

Sipas kalendarit të vjetër, më 27 vjeshtë e dytë 1328, ose sipas kalendarit të sotëm 9 nëntor 1912, Ismail bej Qemali është duke u kthyer nga Vjena. Prej Vjenës ai kishte nisur edhe një telegram, ku shkruante: “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipnis ash sigurue. Ju porosis qi tyke iu mbështetun fatit t’atdheut të punoni së bashku e si vllezën, të merreni me rregullimin e punëvet të përgjithshme, edhe të ruani qëtësinë. I epni rrethevet lajmin e gëzueshme. Ju falem të gjithve atënisht. Ismail Qemal”. Kujt i dërgohej telegrami nuk dihet, sepse adresa ka qenë e marrësit dhe është e palexueshme. Ndoshta ardhja e Ismail Qemalit në Shqipëri do të jetë shtyrë, sepse në këtë kohë thuhej se jeta e tij ishte ishte rrezikuar. E shqetësuar nga lajmet e këqija ishte edhe familja e Ismail Qemalit. Shqetësimin që ndihej gjithandej ua hoqi të gjithëve Esad pashë Toptani, i cili nga Shkodra, më 28 të vjeshtës së dytë, (sipas kalendarit të vjetër), në orën 1 të natës, i nisi një telegram Eqerem beut, birit të Ismail Qemalit, ku thuhej: “Yt-atë hypi në vapor shëndoshë. Rrethim s’ka. Malazest i kanë shtymë nga të gjitha anët. Fjalëvet qi janë hapë mos i ipni randësië biri im. Esad Toptani”. Tashmë e në vijim materiali i mëposhtëm do të serviret sipas kalendarit të vjetër, ashtu siç është botuar nga Lef Nosi. Ky material flet për vitin 1912.

Shqiptarët në mbrojtje të trojeve                

 

Ndërkohë atdhetarët kishin dalë në mbrojtje të trojeve shqiptare. Ahmet Zogu, më 30 të vjeshtës së dytë, nga Shllazi, në orën 03.00 të natës, i nisi këtë telegram nënprefektit të Matit, Xhemal beut: “Bashkë me nji pjesë t’ushtrisë tonë, ndashti mbërrina këtu. Halim Beu sot do të niset për Krua (Krujë). Prandaj, ata qi janë shkrue atje vetëdashës edhe deri ndashti nuk janë bashkue me vëtëdashësit e tjerë të Matit, pleqësoni-e me komisionin edhe ia dërgoni sa më shpejt Leshit (Lezhës). Në pastë asish qi s’duan me ardhë, pa fjalë, ata t’i nxirni jashtë Matit. Ahmet Myftar Zogu”. (Shllazi asht nji katund në Breg të Matjes (Matit) me zyrë telegrafike). Telegramet vinin dhe shkonin nga të gjitha anët e Shqipërisë. Ngado vërehej entuziazmi. Prefekti i Beratit, Aliu (mbiemri mungon), më 31 të vjeshtës së dytë i nisi një telegram të zgjeruar me 220 fjalë z. Hajdar beu, inspektor i Administratës dhe i Këshillit Hetues në Shkodër. Nga telegrami kuptohet që forcat shqiptare po triumfojnë. Numri i vetëdashësve po shtohej (Vetëdashës u quajtën ata që merrnin pjesë vullnetarisht në luftë). Prefekt Aliu bën me dije se shtatë batalionet rezervë të Beratit u çuan me kohë nëpër trupat e caktuem të tyre. Dy batalionë mustahfëzësh u dërguan në Janinë edhe dy në Vlonë. Kurse për një batalion nuk po bëhej e mundur armatosja sepse mungonin armët dhe municionet. Prefektura e Beratit po siguronte ushqime edhe për ushtrinë e Janinës. Për të gjitha këto ndihmonte Parësia dhe Kleri i vendit.

 Vetëdashësit të gatshëm të luftojnë

 

Elbasan, 31 vjeshtë e dytë. Nëpunësi i mbledhjes së ushtarëve të divizionit të Elbasanit, Xhelalydini, (shpesh mbiemrat nuk shkruhen), u bëri të ditur nëpunësve të Depove Lushnjë, Durrës, Kavajë, Peqin, Tiranë, Berat, Krujë, Skrapar (në Berat), Devoll (në Berat), Erzen (në Tiranë), urdhërin e më poshtëm: “Komanda e Divizionit t’Elbasanit në Shkodër, në bazë të shkresës së Ministrisë së Luftës, urdhëron telegrafisht se asht nevojë e domosdoshme, rekrutët të thirren me të shpejtë e të dërgohen nëpër batalionet e caktuem të tyne”. Pra, jeni të porositun rreptësisht qi rekrutët e zanun ngojesh t’i thërritni me të shpejtë edhe t’i dërgoni në Shkodër. Duke iu drejtuem pa prajtun autoriteteve të vendit, përpiquni ta kryeni punën edhe kur t’i nisni të na bani me ditë, – theksonte nga an’ e tij, Xhelalydin.

Ushtria shqiptare përparon

 

Ushtria shqiptare vijonte të përparonte. Një telegram i nisur nga Manastiri më dt. 1 vjeshtë e tretë 1912, në orën 5 të mëngjesit, drejtuar prefekturës Elbasan, shkruante: “Pas telegramës së Komandës së Përgjithshme t’Ushtrisë së Perëndimit, ju bahet me ditë se lufta qi pat fillue në majat lindore të katundit Myselim, ndërmjet divizionit malazias të Nikshiqit,  i cili qe nis me shkue përpara, drejt lindjes së Shkodrës e të gjithë fuqiavet rezerva të Kështjellit, pasi zgjati dy ditë, murrë fund me shkatërrimin e plotë të anmikut, qi pandehet të ketë pasë nëntë batalione. U pushtuan: nji flamur batalioni, dy flamurë togjesh, me qindra armë, shumë municione, tenda e tesha ushtarake. Të tretën ditë të luftës, fuqiat tona qi vazhduan ndjekjen e anmikut, e pastruan krejt prej tija anën e majtë të Kirit. Të vramët e anmikut, pandehet të zënë mijën edhe të plagosunit janë ma të shumtë. Valiu Behxhet”. Një telegram tjetër, dërguar nga Manastiri më 1 vjeshtë e tretë 1912, ora 11.50 e mbrëmjes, prej Zija Pashë Zogollit, komandantit të Zonës së Manastirit, Miri-Liva, drejtuar nëpunësit të Depos së batalionit të 3-të të regj. 54, Mehmet Ismet Efendiut, Elbasan, i bënte të ditur se Mahmut Hajret Pasha do të shkojë nga Elbasani. “Ju bahet me ditë, se pas urdhënit të Komandës të të gjashtit trup ushtarak, kur të mbërrijë aty, t’i drejtoheni pashait në fjalë, për me ia dhanë teshat e batalionit tuaj, ushtarëve që do të shkojnë në Shkodër. Në paçi armë, armatosni ushtarët qi janë pa armë. Komandanti i Zonës së Monastirit Miri-Liva. Zija Pashë Zogolli”.

Ushtria shqiptare e aftë edhe për hetime

 

Gjithashtu ushtria shqiptare ishte e aftë të kryente hetime mbi forcat e armikut dhe gjendjen e tyre si nga ana ushtarake dhe morale. Kjo gjë mësohet nga telegrami i dt 4-5 vjeshtë e tretë, ora 9 e natës, ku komandanti i Fuqivet të Përgjithshme të Kufinit të Malit të Zi, Ferik Mahmut, Hajret Jella, Elbasan, i shkruante nënprefekturës Dibër e Poshtme si vijon: “Lutemi, pasi të bani hetime mirë, të na lajmoni ç’fuqië ka anmiku në Prizren, situatën e atjeshme, edhe a ka kalue ndonji fuqi serbe nga Prizreni nëpër vrom të Lumës për në Pukë apo jo?”  Raportime të tilla ishin të shpeshta. Në një raport tjetër, prefekti i Durrësit Mahir, përmes telegramit të datës 5, vjeshtë e tretë, drejtuar Komandës së Fuqivet të Përgjithshe të Malit të Zi, Elbasan, i shkruante:  “Pas urdhënit të shkëlqesisë Tuaj ndashti iu telegrafue edhe batalionit të Kavajës në Tiranë, përmbajtja e të cilit na u ka ngarkue neve, qi të niset shpejt për Shllaz, për me përgjue vahnat e Ujit të Matjes (Matit) edhe me ringrefun komunikacionet me Leshin (Lezhën). Batalioni mustahfëz i Durrësit asht i armatosun me mauzerë edhe zyrës së Depos iu dha urdhën të çojë nesër në Peqin 130 martina qi ndodhen këtu”.

Ismail bej Qemali i drejtohet sërish popullit shqiptar

 

Përmes një telegrami të dt. 5 vjeshtë e tretë, (gjithnjë sipas kalendarit të vjetër, ose dt. 18 sipas kalendarit të sotëm), Ismail bej Qemali iu drejtua mbarë popullit shqiptar. Më konkretisht, ai shkruante: “Kryetarëvet të Bashkivet, e të klubevet, parësiës edhe popullit të ndershëm të Janinës, Gjinokastrës, Filatit, Reshadies, Tepelenës, Delvinës, Përmetit, Margëlliçit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Dibrës, Monastirit, Resnes, Kosturit, Strugës, Ohrit, Beratit, Pogonit, Skraparit, Lushnjës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Tiranës, Krujës, Matit, Shkodrës, Peqinit dhe Fierit”. Në vijim të telegramit sqaronte: “Përpara së Premtes jam atje. E mbledhmja e përfaqësuesvet në Durrës ose në Vlonë asht krejt e nevojshme. I thirrni të gjithë. Gjer sa të mbërrij un, mbani qetësiën e bashkimin. Çashtja jonë politike u – sigurua fare. Ismail Qemal”. Prej Austrisë kishte marrë garancitë e duhura. Megjithatë ardhja e tij edhe në këtë datë nuk ndodhi. Një telegram tjetër i shkruar nga disa mëmëdhetare iu dërgua parisë së Vlorës: “Lutemi për shpëtim t’atdheut, qi përfaqësuesit në fjalë, tyke e bamë natën ditë, të gjinden në Mbledhjet të Përgjithshme Kombëtare qi do të bahet këtu në Vlonë me shkak të kablos telegrafike, edhe telegrammën e nisjes së tyne e presim me të shpejtë. Në emën të gjithëve Xhemil Bej Vlona, Elmas Kanina, Leonidha Bezhani”. Këtë telegram zyra Telegrafike e Elbasanit e mori nga ajo e Vlorës më 5, vjeshta e tretë, ora 10.40 e ditës dhe ua transmetoi zyrave të tjera: zyrës së Strugës më dt. 5, vjeshta e tretë, ora 12.15 për qytetet: Strugë, Ohër, Korçë, Dibër, Monastir, Resne, Kostur, Mat dhe Zyrës së Tiranës. Po atë ditë u dërgua edhe për qytetet: Tiranë, Kruja, Kavajë, Durrës, Shkodër dhe zyrës së Peqinit për Peqinin më 6 vjeshta e tretë, ora 9.20 e mëngjesit.

Lufta po bëhej më e ashpër

 

Me përhapjen e lajmeve se Ismail bej Qemali ishte duke mbërritur në Shqipëri, lufta në trojet shqiptare u bë edhe më e ashpër. Një telegram i dt. 5, vjeshtë e tretë, i dërguar nga Struga shpjegonte: Mbrëmë, natën, në kodrat e zaptuara në të majtë të Dhiavatit filloi pushka dhe s’pati të pushuar deri në të gdhirë. Një fuqi tjetër shqiptare që u dërgua për përforcim e nisi luftën me armikun në orën 2.30 dhe vetëm pas katër orë e gjysmë luftimesh vendet e pushtuara u liruan. Ranë dëshmorë: nji kapidan, nji toger, nji nëntoger edhe gjashtë ushtarë. Pesëmbëdhjet të tjerë janë plagosur. Janë edhe disa qi nuk dihen fare. Po bahen përgatitje për të mësye Dhiavatin përsëri. Dërgimi i telegrameve po bëhej gjithnjë e më i shpeshtë, flitej për fitore dhe humbje. Raportoheshin edhe të rënët në luftë. Në telegramin e dt. 5-6, vjeshtë e tretë, ora 7 e natës, dërguar nga Struga, njoftohej: “Sot më ora njëmbëdhjetë, filluan prapë të mësymen. Suksesin e presim nga Perëndia. Ju bajmë me ditë se anmikun po e shtrëngon nga shpina i Gjashti Trup Ushtarak”. Një telegram tjetër  solli lajmin se Mehmet Huluzi efendiu, kapidan i Kompanisë së I-rë, të batalionit të III-të, dhe Neshet efendi, toger i kompanies së IV-të, të batalionit të III-të regjimentit 62, ranë dëshmorë, kurse Xhafer efendiu nëntoger i kompanisë së III-të, ishte plagosur në këmbën e djathtë. Telegramet e mësipërme i dërgoheshin Komandës së Fuqiavet të Përgjithshme të Malit-Zi.

Luftë e rreptë edhe në Manastir

 

Lufta e ashpër bëhej edhe në qarkun e Manastirit. Një telegram i dërguar nga Elbasani për Komandën e Trupit Ushtarak të Shkodrës përshkruante këtë situatë: “Në qark të Monastirit lufta po vazhdon. Me urdhën të Komandës së Ushtrisë së Perëndimit, nji detashment i Divizionit 21, i përbamun prej katër batalionësh e me dy topa, murë pjesë në luftë n’anë të Resnës. Regjimenti 61, qi asht nën komandën e kolonel Sami Beut, vjen nesër në Elbasan me nji top vetëm, nga shkaku qi kualt (kuajt) e topave janë me plagë. Më 9 të këtij mueji do t’a nisim drejt për Selimie bashkë me dy batalionët mustahfëz t’Elbasanit, i cili nuk asht nisun gjer më sot nga shkaku i shinavet, edhe kështu më 12 të muejit do të gjinden në breg të Matjes (Matit). Kur të mbërrijnë atje, do të merremi vesh me Selimien edhe pastaj  do t’i epen instruksione komandës së regjimentit, nga e cila anë do të dependohet. Batalioni rezervë i Kavajës, sado qi qe urdhnue me u nis prej Triranë për me zanë vahnat e ujit të Matjes, pas urdhënit qi muer nga ju, ngeli atje.Edhe për batalionin mustahfëz të Peqinit, po përpiqemi qi të mblidhet sa më shpejt. Lutemi me na bamë me ditë herë pas herë për situatën e atyshme. Komandanti i Fuqiavet të Përgjithshme të Kufinit të Malit-Zi, Ferik Mahmut Hajret”.

Delegatët

 

Ismail Qemali ende nuk kishte mbërritur në Shqipëri, por përgatitjet vijonin pa ndërprerje, ditë pas dite. Nga Elbasani, më dt. 6, vjeshtë e tretë, prej Aqif pashë Biçakçiut, iu dërgua telegram Xhemil beut në Vlorë: “Përfaqësuesit u-zgjodhën. Nesër do të nisen për në Vlonë. Siguroni punën nëpër qytetet e tjera. Aqif Pashë Biçakçiu”. Biçakçiu i dërgoi telegram edhe kryesisë së Bashkisë Starovë. Ndër të tjera i shkruante: “Kongresi po mblidhet në Vlonë. Nga çdo anë po zgjidhen e po çohen përfaqësuesë. Edhe ju aty urdhënoni e zgjidhni dy përfaqësusë, njanin mysliman e tjetrin të krishtenë edhe i dërgoni në Vlonë. Aqif Pashë Biçakçiu”. Ndërkohë, më dt 6, vjeshtë e tretë, nga Vlora iu dërgua telegram edhe shkëlqesisë së tij, Azis pashës në Berat dhe shokëve të tij, ku thuhej: “E ardhmja e Shqipënis u sigurua. Shkëlqesia e Tija Ismail Qemal Beu me shokët e Tija të ndershëm, janë nis prej Budapestit drejtë për këtu, qi të gjinden në Mbledhjet të Përgjithshme Kombëtare, e cila do të bahet në Vlonë, dhe kanë lajmue telegrafisht se nesër mbërrijnë në Durrës”. Por duket se ardhja e Ismail Qemalit në Vlorë u shty përsëri.

Vijon…………………………………………