Dossier/ Ish-Komisari i raketave: Ju rrëfej si u furnizua ushtria shqiptare me raketat nga Bashkimi Sovjetik që shkonin deri në 27 km lartësi. Mbrojtja kundërajrore, traktati i Varshavës dhe incidenti në Dardanele

2048
Sigal

ARKIV / Rrëfimi i Namik Shehajt, ish-komisari i Regjimentit të Raketave. Çfarë po ndodh me armatimin e cilësuar si krenaria e mbrojtjes kundërajrore

JETËSHKRIMI

Drejtuesi i Regjimentit të Raketave

Namik Brahim Shehaj u lind, më 15 mars 1938, në fshatin Çorrush të Mallakastrës. Arsimin fillor e mbaron në fshat dhe në shtëpinë e fëmijës në Shkodër. I ati, Ibrahimi e kishte lënë shpejt, pasi ai kishte rënë dëshmor me Brigadën e Parë Sulmuese. Në vitin 1950 Namik Shehaj fillon shkollën ushtarake “Skënderbej”, më pas vazhdon shkollën e Bashkuar të Oficerëve që në atë kohë quhej “Enver Hoxha”. Ndërsa në shtator të vitit 1959 titullohet oficer me gradën e nëntogerit. Fillimisht nis punë në Regjimentin 3700 të Artilerisë Kundërajrore (AKA). Më pas kalon në grupin e raketave në zonën e Pezës, në fshatin Grecë. Nga dhjetori i vitit 1960 deri në maj të vitit 1967 shkon me detyrë në grupin e raketave të Patosit. Në vitet ’71- ’73 kryen detyrën e shefit të stërvitjes. Më pas vazhdon shkollën e Partisë “V.I.Lenin” dhe pas kësaj emërohet komisar në Regjimentin e Parë të Artilerisë Kundërajrore të Tiranës. Vitet ’78- ’80 e gjejnë në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, dhe pas përfundimit të studimeve emërohet komisar i Regjimentit të Raketave. Më 15 tetor 1982 transferohet në Burrel, ku shërben për 10 vjet me radhë, për t’u rikthyer në vitin 1992 në Regjimentin e Raketave në Tiranë, ku një ndihmë të madhe i dha ish-ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Alfred Moisiu.

Ju rrëfej raketat, si u furnizua ushtria shqiptare

Gazeta “Telegraf”

Ka mbushur fiks 70 vjeç në një ditë krejt të paharruar për shqiptarët, më 15 mars 2008. E pra thotë se ishte përgatitur ta festonte më së miri atë përvjetor të rëndësishëm të jetës së tij, me miq, shokë e të afërm. Por në fakt nuk ka ngritur as edhe një dolli, qoftë dhe për t’i thënë vetes: “Edhe 100 vjet të tjera or burrë i dheut, se e meriton”. Nuk ka pasur asnjë mëdyshje për të anuluar të gjitha ftesat dhe për të sistemuar i trishtuar në frigoriferin e shtëpisë gjithçka ishte përgatitur në mëngjesin e asaj dite nga më të afërmit e familjes. Ka preferuar mos hapë asnjë shishe vere, madje të kthejë në damixhanën e madh dhe rakinë që i kishte ardhur me “mik” nga vendlindja. Për fat të keq, atë ditë përvjetori të rëndësishëm, asnjë gjë nuk i hynte më në sy.

Gjithçka ka ndodhur pas orës 12 të mesditës së 15 marsit, kur radiot dhe televizionet transmetonin me urgjencë pamjet nga një shpërthim i fuqishëm, që në mendjet e shqiptarëve tani ka mbetur si “shpërthimi i Gërdecit”. Nuk dihej mirë, në ishte thjesht një pikë karburanti, apo shpërthimi i një “bombe atomike”. Vetëm se vala goditëse ishte mjaft e madhe. Por pak më vonë gjithçka ishte qartësuar. Kishte qenë një pikë për demontimin e municioneve, ku përveç fishekëve të mitralozave të rëndë kishte dhe djegore të topave e mortajave me kalibër të madh. Në lajmet e pakonfirmuara thuhej se kishte dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur. E ndërsa ndiqte gjithë shqetësim pamjet nga ekrani i televizionit, Namik Shehaj, një ish-ushtarak karriere, drejtues i rëndësishëm i Artilerisë Kundërajrore dhe më saktë i Regjimentit të Raketave, ka vendosur që në ditën e gëzimit të tij, të heshtë, pas përlotjes në nderim të viktimave nga ajo tragjedi e pandodhur kurrë më parë në Shqipëri. Ndërsa tani, të paktën 100 ditë pas tragjedisë, i pyetur nga gazeta “Telegraf”, se a kishte mundësi që në Gërdec, përveç gjithfarë municioni për armatime të rënda, të kishte pasur dhe raketa tokë-ajër, ai i përgjigjet shkurt “Jo”.

Fillimisht janë hedhur hipoteza që për shkak të fuqisë së shpërthimit, në Gërdec mund të ketë pasur për demontim edhe raketa kundërajrore tokë-ajër. Në fakt çfarë ka ndodhur me regjimentin e raketave, që njihej si një nga njësitë shumë të rëndësishme të ushtrisë shqiptare?

Unë jam larguar nga Regjimenti që në vitin 1992. Natyrisht që nuk i di të gjitha, edhe pse lidhjet me kolegët ushtarakë i kam mbajtur të gjalla. Ushtria shqiptare ka kaluar ditë të vështira, por repartet e raketave nuk janë prekur. Di që të gjitha grupet e raketave vazhdojnë të jenë në gjendje pune dhe asnjë prej tyre nuk është demontuar, apo të ketë shkuar për skrap.

Ju doni të thoni se në këtë armë, Mbrojtja Kundërajrore vazhdon të jetë në gatishmëri?

Nuk mund të them se sa janë në gatishmëri të plotë, pasi nuk jam më pjesë e saj, por mund të them se si të gjitha llojet e armatimeve edhe raketat kanë afatet e skadimit. Këtu duhet pasur kujdes. Sepse skadon karburanti, por skadojnë dhe pjesët elektronike. Në këtë kuadër raketat e ushtrisë shqiptare duhet të jenë në kufijtë e fundit. Natyrisht gjithçka vihet në gatishmëri, nëse këto elementë ripërtërihen.

Ju jeni nga kuadrot e vjetra që njihni historinë se si filloi armatosja e ushtrisë shqiptare me raketa. Si ka hyrë ky armatim në Shqipëri?

Në shtator ’59 u titullova oficer në specialitetin e artilerisë kundërajrore. Në tetor të po këtij viti u inkuadruam në dy kuadrate për të marrë pjesë në paradën ushtarake me rastin e 15-vjetorit të çlirimit të atdheut. Bëmë gati dy muaj përgatitje për paradë. Dy kuadratet tona ishin tërësisht me oficerë të rinj të sapograduar, kurse katër kuadrate të tjera ishin me kursantë nga Shkolla e Bashkuar. Në dhjetor isha me leje. Më thirrën mua dhe disa oficerë të tjerë për të shkuar në portin e Durrësit, për të shkarkuar një vapor sovjetik, i cili sillte në Shqipëri teknikë luftarake për ushtrinë tonë. Ne nuk dinim se çfarë shkarkonim, por kishim detyrë që, me gërshërë xhenierësh, të prisnim telat, me të cilët ishin lidhur mjetet në hambarin e vaporit të transportit “Nikollai Burdenko”. Pasi mbaroi detyra e shkarkimit, e cila bëhej natën, për efekt sekreti, teknika e ngarkuar nisej me një kolonë makinash për në Pezë-Helmës, ku ishte dhe vendi i grumbullimit të saj, që ne e shihnim për herë të parë. Ishin raketa dhe pajisjet e tyre.

RAKETAT

MBROJTJA AJRORE

Ushtria shqiptare për mbrojtjen ajrore ka pasur një sistem që cilësohej “mbrojtje me kate”. Armatimi për të bërë këtë mbrojtje fillonte nga mitrolozët 2+4 grykësh 14.5 mm për lartësi të ulëta, topa kundërajror 37 mm 1+2 grykësh për të qëlluar deri në lartësinë 2500 metra, topa 57 mm të drejtuara nga Stacioni Radiolokator për lartësi deri në 5000 metra, topa 100 mm te drejtuara nga Stacioni Radiolokator për lartësi të mesme 7500-8000 metra si dhe raketat tokë-ajër. Ky sistem mbrojtje me kate siguronte mbulimin e Qendrave kryesore të banuara dhe qendrat industriale të rëndësisë së veçantë.

KUNDËR AVIONËVE

Raketat kundërajrore janë nja armatim të përcaktuar për rrëzimin e avionëve luftarak dhe atyre që mund të mbartin armatim bërthamor, me qëllim shmangien e goditjes nga ajri të qendrave të banuara, të qendrave industriale, të forcave të gjalla si dhe mjeteve luftarake të ushtrisë. Specialistët e kësaj fushe sqarojnë se duhet kuptuar një gjë: lëshimi i një rakete kundërajrore bëhet kundër një grupi avionësh, sepse vetëm kështu efektiviteti i saj është më i madh. Një raketë për asgjësimin e një avioni ka një kosto shumë të madhe kur ky i fundit mund të asgjësohet dhe me pjesën tjetër të armatimit kundërajror.

ANËT TEKNIKE

Raketat kundërajrore kanë një gjatësi prej 10,88 metrash. Për të kryer udhëtimin prej rreth 30 kilometrash, këto raketa përdorin karburant dhe oksidues. Karburanti ka një përbërje të veçantë, patentën e të cilës nuk e kanë të gjitha vendet që disponojnë një armatim të tillë. Ka vend për dy mbushje luftarake, një mbushje e zakonshme dhe një për mbushje bërthamore. Raketat që kanë qenë pjesë e armatimit të Mbrojtjes Kundër Ajrore të Ushtrisë Shqiptare nuk kanë pasur mbushje bërthamore, por kanë pasur vetëm mbushje luftarake, e cila kur shpërthente ndahej në 3600 copa.

FUQIA SHPËRTHYESE

Çdo copë që krijohet nga shpërthimi i raketës, kur arrin objektivin, në gjendje të lirë peshonte 3.6 gram. Ndërsa në gjendje shpejtësie pas shpërthimit çdo copë e vogël merr forcën goditëse prej 36 kilogramësh. Përllogaritur në mënyrë matematikore 3600 copa X 36 kg  = 129.600 kg forcë goditëse. Shpërthimi i një rakete kap diametrin e 300 metrave, reze në të cilën dëmtohet çdo mjet fluturues. Duke qenë se ka një forcë të tillë shpërthyese, ushtarakët janë të mendimit se nuk është efektive të lëshohet një e tillë për asgjësimin e një avioni të vetëm.

VEPRIMI AKTIV

Nga të dhënat taktike këto raketa kanë një veprim aktiv nga 3000 metra deri në 27.000 metra lartësi. Ndërsa në kënd të pjerrët deri në 45 gradë raketa kap lartësinë deri në 30.000 metra. Raketat kundërajrore, së bashku me artilerinë kundërajrore, e grykë-zjarri, siguronin mbulimin me kate të të gjithë territorit të Shqipërisë. Nëse artileria kundërajrore me grykë-zjarri  lufton kundër avionëve armiq dhe atyre të transportit që mbartin desantë ajrorë. Raketat janë në gjendje të asgjësojnë grupe avionësh gjuajtës-bombardues dhe të transportit dhe në distanca më të mëdha për të mos i lejuar të kryejnë detyrën e tyre.

POTENCIALI LUFTARAK

Aktualisht në përbërje të ushtrisë shqiptare janë 3-Grupe luftarake raketash një Grup tjetër që përdoret për qëllime mësimore si dhe një grup teknik. Pa detajuar vendndodhjen e saktë të tyre mund të themi se ato katër grupet e raketave janë të vendosura në Petrelë, Sukth, në Patos dhe në Krujë. Çdo Grup ka nga 6-të shtratër raketash. Pra gjithsej 24 shtretër. Është përllogaritur që çdonjëri nga shtretërit të lëshojë deri në 10 raketa. Realisht 240 raketa. Por bëhet e ditur se Shteti Shqiptar ka pasur potencialisht në armatimin e saj më shumë se 100 raketa të drejtuara të prodhimeve ruse dhe kineze.

NESËR DO TË LEXONI

-Mbresa nga një stërvitje e jashtëzakonshme në Bashkimin Sovjetik, gjatë ditëve të Mbledhjes së 81 partive.

-Si e shoqëroi luftanija amerikane, në ngushticën e Dardaneleve, anijen ruse në bordin e të cilës kishte 112 ushtarakë shqiptarë.

-Përgatitja e efektivit për qitjen e rrallë, udhëtimi i gjatë deri në Kazakistan dhe qëndrimi dashakeq i kolonelit rus ndaj ekipit shqiptar.