Dosier/ Pushtimi fashist, Miladin Popoviç, Nako Spiru, Kardeli, Tito dhe sabotimet jugosllave

990
Sigal

 

Gjatë kohës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare unë
nuk kam njohur shokë jugosllavë, veç Miladin Popoviçit, për të cilin kisha
vlerësimin më të madh

 

-Ditën e 7 prillit shkrova
dhe një vjershë me titull “Thirrje për luftë”, e daktilografova dhe e shpërndava

-Në Podgoricë, ndenja
15 ditë, ku malazezët, ishin të shqetësuar shumë për atë që na kishte ndodhur

– Në gusht të vitit
1946, pas një dizanterie të fortë, shoku Enver më urdhëroi të shkoj për të
pushuar në Bled të Sllovenisë

– Ambasadori ynë në Beograd
atëherë ishte Hysni Kapo

– Nako Spiro,
zhvilloi traktativa në Beograd mbi çështje ekonomike, mbas të cilave u
nënshkruan një sërë marrëveshjesh

 

  

– Në vitin 1946
filluan një sërë veprash, si tharja e kënetës së Maliqit e rregullimi i
Devollit e Dunavecit

– Jugosllavët e bënë
haptazi sabotimin e hekurudhës dhe hidrocentralit të Lanabregasit

– Drejtor i
projektimit të hekurudhave Tiranë-Durrës, Durrës-Peqin nga pala jugosllave
ishte caktuar inxhinier Hubner

Spiro Koleka
(kujtime,
1988
)

 

Gjatë kohës së Luftës
Antifashiste Nacionalçlirimtare unë nuk kam njohur shokë jugosllavë, veç
Miladin Popoviçit, për të cilin kisha vlerësimin më të madh. Atë e nderonte dhe
shoku Enver, që këshillohej me të për çështje të partisë e të luftës, sepse
Miladini na donte me gjithë shpirt e luftonte për krah nesh, si
internacionalist i vërtetë.

Këtu do të përmend një kujtim të jetës time.

Data e zezë e 7 prillit 1939 më gjeti në Shkodër.
Natyrisht, për mua ishte epilog i veprës tradhtare të Ahmet Zogollit, që i’a
kishte shitur vëndin Italisë fashiste prej kohësh. Për mua, si për shumë shokë
të tjerë, që na qante zëmra për lirinë e pavarësinë e atdheut, ajo ditë nuk qe,
veç një fund i parashikuar prej kohësh, kundër të cilit kishim luftuar me aq sa
kishim mundur. Ato ditët e para të prillit, kur populli kërkonte armë për të
luftuar u ndjemë të pafuqishëm. Armët që na jepeshin ishin pa gjilpëra në lloz.
Plasën demonstratat në të katër anët kundër fashizmit, në të cilat morra pjesë
dhe unë, si i çakërdisur nga marazi. Shkrova dhe një vjershë me titull “Thirrje
për luftë”, të cilë pasi e daktilografova dhe e shpërndava. Ditën e 7 prillit,
në kundërshtim me prefektin tradhtar të Shkodrës, Javer Hurshitin, minova Urën
e Baçahllëkut në bashkëpunim me kapitenin e ushtrisë Ajdin Bajraktarin, për të
ndaluar hyrjen e ushtrisë pushtuese italiane në qytet. Të nesërmen, më 8 prill,
duke parë që çdo gjë mori fund dhe ushtria fashiste po i afrohej Shkodrës, në
kulmin e dëshpërimit, ngaqë dhe ajo pavarësi formale, që kishim, mori fund,
mora dhe vetë rrugën e arratisë, edhe pse nuk isha i bindur që kjo ishte rruga
e drejtë e zgjidhjes. Ika në Jugosllavi, në Podgoricë, ku ndenja 10-15 ditë.
Malazezët, që në kufi e në qytet, na pritën me shumë ngrohtësi e njëkohësisht
të pikëlluar e të shqetësuar shumë për atë që na kishte ndodhur. Gjatë gjithë
asaj periudhe, në Podgoricë bëheshin demonstrata kundra Italisë fashiste e në
mbështetje të popullit tonë. Atje kishte shumë familje shqiptare, por pamvarësisht
nga kjo, shqiptarë e malazezë ato ditë ishin njësoj në zi për të keqen që e
zuri Shqipërinë. Podgoricarët mundoheshin të na e lehtësonin brengën, që na
kishte zënë. Dhe këtë dashuri, ngrohtësi, miqësi e mbështetje të tyre, i mora
me vete, kur u ktheva në atdhe, për të vazhduar luftën. Tek Miladin Popoviçi,
shihja atë dashuri, ngrohtësi, miqësi e mbështetje të luftës sonë kundër
fashizmit, që kisha ndjerë ato 10-15 ditë në Podgoricë, të prillit të zi 1939.
Tek ai shihja përfaqësuesin e Partisë Komuniste Jugosllave. Në luftën që bënin
popujt e Jugosllavisë kundër nazi-fashizmit, nën udhëheqjen e Partisë
Komuniste, shikoja një qëllim të përbashkët me atë të popullit tonë. Besoja, që
me optimizmin revolucionar që i karakterizon komunistët, do gjente zgjidhje dhe
padrejtësia e madhe, që i kishte bërë imperializmi popullit shqiptar, duke i
dhënë kralëve të Serbisë e knjazëve të Malit të Zi një pjesë shumë të madhe,
vatër të shqiptarizmit, të vendit tonë. “S’ka si fqinji i mirë”, thotë populli.
Unë gëzohesha që partitë komuniste po na bënin “fqinjë të mirë”.

Në Bled të Sllovenisë

Në gusht të vitit 1946, pas një dizanterie të
fortë, shoku Enver më urdhëroi të shkoj për të pushuar në Bled të Sllovenisë.
Ambasadori ynë në Beograd atëherë ishte Hysni Kapo. Kisha me vete bashkëshorten
dhe vajzën 7-8 muajshe *. Në Beograd, Hysniu më priti e më përcolli me
ngrohtësinë e dashurinë, që e karakterizonte. Unë isha ministër shteti dhe nuk
shkoja për punë. Për Jugosllavinë, për partinë e saj komuniste dhe për
udhëheqësin e saj, Titon, si gjithë komunistët e tjerë, kisha respekt për
rolin, që luajtën gjatë luftës së përbashkët kundra fashizmit italian dhe nazizmit
gjerman. Kur vajta në Beograd, nuk doli asnjë nga përfaqësuesit e partisë
dhe të shtetit të më përshëndesë, e njëjta gjë u përsërit dhe kur u nisa që
andej me tren për në Slloveni. Mu duk e çuditshme, por mendova, që për raste
vizitash jo zyrtare, protokolli i shkëmbimeve, nuk e parashikonte
përshëndetjen. Në Bled, më strehuan në hotelin e Toplicës e jo në një shtëpi
pritje, siç e kërkonte protokolli, po këtë e justifikova me idenë që jugosllavët,
megjithëse isha ministër, vlerësonin më tepër të qepurit në rangjet e larta
partiake dhe unë në atë kohë nuk isha as anëtar i Byrosë Politike e as i
Komitetit Qendror. Përshtypje të keqe më bëri gjatë qëndrimit tim fakti që
gjatë atij muaji në Slloveni, nuk erdhi askush nga zyrtarët e lartë jugosllavë,
qoftë dhe një anëtar i qeverisë së Sllovenisë, të më shihte e të më pyeste si
isha e si po i kaloja ato ditë. E po, i thashë vetes, pas luftës, dhe këtu, si
tek ne, janë të mbytur në punë shokët, dhe pa dashje, harrojnë dhe rregullat e
mirëpritjes e detyrimet shoqërore. Nuk duhet vënë re e mbajtur mëri.

 

Në kthim

Në kthim nga Bledi për në Shqipëri u ndala në
kryeqytetin e Sllovenisë, në Lubljanë, me qëllim që të falënderoja shokët e
udhëheqjes, të takoja studentët shqiptarë e të njihja dhe qytetin. Dija se
Kardeli ndodhej atje dhe kërkova ta takoja për ta përshëndetur e në të njëjtën
kohë për ta falënderuar për kushtet e mira, që krijuan për pushimin tim. Kur
m’u gjegjën që shoku Kardel është i zënë, pa shtuar se në vend të tij ju pret
një shok tjetër, ose hajdeni nesër në filan orë (meqë e dinin që s’shkoja për
punë, po për vizitë mirësjelljeje) atëherë ndjeva këtë ftohtësi, të përzierë
disi me nënvleftësim e përçmim, diçka jo normale midis bashkëluftëtarësh e
miqsh. Ftohtësia e zyrtarëve të lartë kundrejt meje, gjatë një muaji në Bled,
duke i shtuar dhe këtë sjelljen e dytë në Ljubjanë, lanë tek unë një përshtypje
jo të mirë, megjithatë nuk e bëra aty për aty çështje me Hysniun në Beograd, e
as kur u ktheva në Tiranë, me shokun Enver. Mendova që ishin gjëra të vogla
para miqësisë së çiltër e të madhe, që lidhte dy partitë e dy popujt tanë.

 

Nako Spiro, në Beograd

Atë vit delegacioni ynë, i kryesuar nga Nako
Spiro, zhvilloi traktativa në Beograd mbi çështje ekonomike, mbas të cilave u
nënshkruan një sërë marrëveshjesh, që pala jugosllave i trumpetoi si “ndihmë e
veçantë për Shqipërinë”, siç ishin njëjësimi i monedhës, heqja e doganës në
kufijtë tanë, formimi i shoqërive të përbashkëta etj. Në të vërtetë, unë në ato
marrëveshje shikoja diçka jo të mirë për vendin tonë dhe pa dashur mëndja më
shkonte tek marrëveshjet skllavëruese, që nënshkroi njëzet vjet më parë Amet
Zogolli me Musolinin. Sigurisht, thosha me vete, këto i janë imponuar vendit
tonë, se që të besoja që bëheshin pa qëllim dhe që mua po më shkonte kot mëndja
për keq, e kisha të vështirë. Ngjarjet që pasuan bënë që tek unë të
kristalizohej mendimi që jugosllavët na e kishin me hile. Pas nënshkrimit të
marrëveshjeve, vërshuan kamionë nga Jugosllavia, nga Mali i Zi, nga Kosova e
Maqedonia për të blerë shumë lirë plaçka në Shkodër, në Tiranë, në Durrës, në
Elbasan, në Korçë etj. Populli fliste, se mallrat që iu gjetën tregtarëve tanë,
ishin vënë duke shfrytëzuar popullin, që luftoi heroikisht, u vra e u dogj. I
takonte popullit tonë t’i gëzonte për vete, pas arritjes së fitores, jo t’i
merrnin pa të keq të tjerë, duke i nxjerrë jashtë kufijve, si pasojë e aleancës
dhe miqësisë me Jugosllavinë!!! Po ashtu me hile mu dukën dhe të ashtuquajturat
shoqëri të përbashkëta për ndërtimin e hekurudhave e të hidrocentraleve etj.,
me angazhime të vulosura në letër, por që realisht nuk viheshin në jetë. Unë
isha ministër i Punëve Botore dhe përgjigjesha për ndërtimet, komunikacionin e
komunalen. Puna më lidhte me shoqëritë e përbashkëta të hekurudhave e të hidrocentraleve.
Qeveria demokratike, që nga formimi i saj në Berat e gjatë vitit 1945, nuk u
kufizua vetëm me rindërtimin e urave, të porteve, të centraleve, të rrugëve, të
linjave telegrafike etj. të shkatërruara dhe të fshatrave e disa lagjeve të
qyteteve të djegura, po ndërmori dhe ndërtime të reja, të një rëndësie të
veçantë e që populli prej shumë vitesh i kish kërkuar.

 

Tharja e kënetës së Maliqit, rregullimi i Devollit e
Dunavecit

 

Kështu në vitin 1946 filluan një sërë veprash, si
tharja e kënetës së Maliqit e rregullimi i Devollit e Dunavecit. Për këtë u
shfrytëzua Projektidea përkatëse e hartuar në kohën e regjimit zogollian. Me
projekt të hartuar nga ne filloi aksioni i rinisë për ndërtimin e rrugës
Kukës-Peshkopi.
Pushtuesit fashistë kishin filluar të ndërtonin hekurudhën Durrës- Elbasan, për
qëllimet e tyre grabitqare, që të shkonin të shfrytëzonin pasuritë tona të
mineralit hekur-nikel në rrethet Librazhd e Pogradec. Disa punime i bënë në
këto gjurmë hekurudhe të projektuar, por të tatëpjetat e luftës ia prishën
planet dhe çka nisën e lanë pezull. Megjithatë, disa vepra, sidomos ura të
mëdha dhe aty këtu dhe pjesë rruge, kishin mbetur. Qeveria demokratike vendosi
ta ndërtojë këtë hekurudhë. Projektimin e morri përsipër pala jugosllave, e
cila iu përmbajt gjurmës italiane, me pak përjashtime. Më 1947 filloi edhe këtu
aksioni i rinisë për ndërtimin e hekurudhës Durrës- Peqin, si fazë e parë. Në
kohën e regjimit zogollian ishte bërë projekti i hekurudhës Tiranë- Durrës dhe
aty- këtu ishin bërë ca punime të vogla dhe pastaj ishte braktisur. Edhe për
ribërjen e projektit të kësaj hekurudhe u mor pala jugosllave. Gjendja e
Tiranës, pas çlirimit, ishte shumë e rëndë për ujin e pijshëm dhe elektrikun.
Pushtuesit fashistë, për t’i hedhur pluhur syve popullit të kryeqytetit,
ndërtuan një ujësjellës të vogël me ujë të pijshëm për Tiranën. Në urën e
Brarit bënë një pritë të thjeshtë betoni përmes të cilës kthenin një pjesë të
lumit të Tiranës dhe e kalonin në disa fusha – legenë ku e kullonin. Pas një
trajtimi të thjeshtë kimik, e fusnin në një gyp dhe e sillnin në Tiranë. Kur do
bëhej përurimi i bujshëm, natyrisht faktin që ujësjellësi i tyre furnizonte
vetëm një pjesë të vogël të qytetit me ujë, e lanë në heshtje. Përkundrazi, për
të shtuar pikët, ndërtuan dhe një shatërvan në sheshin “Skënderbej”, si shenjë
bollëku në ujë për Tiranën kur në fakt problemi i ujit nuk ishte zgjidhur
aspak. Centrali elektrik i Tiranës pas çlirimit përbëhej nga një sërë motorësh rrangallë,
një pjesë të gjetura në vend dhe një pjesë të sjella nga vise të tjerë. Ne
shfrytëzuam sa mundëm ujësjellësin me ujë nga lumi i Tiranës edhe centralin
elektrik, falë përpjekjeve të jashtëzakonshme të punëtorëve tanë të mirëmbajtjes
dhe përdorimit, por gjendja mbetej gjithnjë shumë e rëndë. Problemi i ujit të pijshëm
të Tiranës ka qenë ngritur, që kur ajo u caktua si kryeqytet. Për zgjidhjen e
këtij problemi, për sigurimin e ujit të kryeqytetit në kohën e regjimit
zogollian, ishin hartuar dy projektide për sjelljen e ujit të Selitës. Këto
projekte, si dhe atë të Maliqit, Ministria e Punëve Botore, që në qershor të
vitit 1945 i mori në shqyrtim të veçantë dhe njoftoi Qeverinë, se mendonte të
merreshin si pikënisje për ndërtimin e veprave. Për ujësjellësin e Tiranës u
zgjodh ai variant, që hipte në malin e Dajtit dhe jepte mundësinë dhe për një hidrocentral
me aftësi të vendosur 5 000 kë. Pas miratimit nga Qeveria të projekteve u
fillua nga puna për hartimin nga ana jonë të projektit teknik, ose siç quhet
sot, të zbatimit. Shoqëria e përbashkët shqiptaro- jugosllave për ndërtimin e hidrocentralit
të Lanabregasit, i cili do të zgjidhte edhe problemin e ujit për Tiranën, do të
ndihmonte me mjete, kuadro (teknikë e specialistë). Problemi i projektit quhej
i zgjidhur. Fillimi i ndërtimeve, u planifikua për vitin 1947 e vitet e tjerë
deri në vitin 1950. Punimet e ndërtimit i filluam në gjashtëmujorin e parë të
vitit të vitit 1947 me punëtorë të thjeshtë e specialistë, teknikë e inxhinierë
shqiptarë, kështu dhe me vegla pune e ndonjë pajisje të thjeshtë, po tonat.
Pala jugosllave, nuk u duk, as atë vit dhe as vitin tjetër dhe kuptohet, nuk
dhanë asgjë për kryerjen e punimeve. “Fjalë të mira dhe gurë në trastë” thotë
populli. Premtime, premtime e fjalë boshe. Kjo gjë u bë shqetësuese për
Qeverinë e për mua,që përgjigjesha drejtpërdrejt për ndërtimet në përgjithësi e
në veçanti për këto vepra, që kishin dhe karakter politik, jo vetëm sepse
lidheshin me sigurimin e ujit të pijshëm e të elektrikut, por dhe pse ishin
ndërtime që kishin lidhje me një marrëveshje ndërmjet Shqipërisë e
Jugosllavisë.

 

Ndërtimi i hekurudhës Durrës-Peqin

 

Çështja e mospjesëmarrjes me asnjë ndihmë për
ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin nga ana jugosllavëve, ishte në të njëjtën
kohë dhe shumë shqetësuese, se këtu kishte rrezik të thyhej entuziazmi e fryma
revolucionare e Rinisë dhe e gjithë popullit, që kishte vërshuar nga çdo anë e
Shqipërisë për ndërtimin e hekurudhës sonë të parë. Qeveria Demokratike, e
kryesuar nga shoku Enver Hoxha, bëri të pamundurën dhe këtyre veprave të mëdha
u siguroi me përparësi vegla pune, materiale, teknikë, ushqime, strehime e çdo
gjë tjetër të domosdoshme, duke i mbajtur gjithmonë lart entuziazmin e vrullin
e klasës punëtore, të rinisë dhe të gjithë popullit. Jugosllavët e bënë haptazi
sabotimin e hekurudhës dhe hidrocentralit të Lanabregasit. Përherë, nën maskën
e vështirësive e me premtime të paturpshme, se do jepnin këtë apo atë, diçka
dhanë më në fund. Dhanë shinat, lokomotiva e vagonë të shekullit të kaluar, të
sjella, kush e di se nga ku, që ishin jashtë përdorimit! Unë si ministër i
Punëve Botore, hasja në kundërshtime të mëdha dhe në lëmin e projektimit të
hekurudhës Tiranë-Durrës nga ana e jugosllavëve, edhe në propozimet, që bëja në
zbatimin e punimeve të hekurudhës Durrës-Peqin, ku zyrtarisht ishte projektuese
pala jugosllave. Drejtor i projektimit të hekurudhave nga pala jugosllave ishte
caktuar një fare inxhinier Hubner, një njeri kapadai e mendjemadh, më shumë se
ç’janë jugosllavët në përgjithësi. Ishte shumë e vështirë të merreshe vesh me
të edhe si kolegë, inxhinier me inxhinier. U ndesha keq me të për gjurmën e
hekurudhës Tiranë-Durrës. Jo vetëm që s’pranonte zgjidhje teknike të mundshme,
jashtë atyre që kishte parashikuar, por nuk donte t’ia dinte as për kërkesa që
kishin karakter politik, siç ishte kërkesa ime për kalimin e gjurmës së
hekurudhës përmes Shijakut, atëherë nënprefekturë. Kjo ishte një zgjidhje
teknikisht e mundshme, veçse kërkonte një tunel jo të gjatë, për t’i dalë nga
mbrapa qytetit. Unë si ministër dhe njëkohësisht si inxhinier, kisha
parashikuar kriteret e hapjes së gjurmëve të hekurudhave e të rrugëve
automobilistike në përgjithësi, që të kalonin në sa më shumë qendra të banuara
me rëndësi, siç ishte në këtë rast Shijaku, pa përkeqësuar parametrat e rrugës
e pa shtuar shumë koston. Zoti inxhinier Hubner ngulte këmbë, që mos kalonte
nga Shijaku, po nga ferma e Sukthit (NB “8 Nëntori”). Këtu të bëhej stacioni.
Çështjen e ngrita me shkrim në KQ të Partisë. Pas nja 10 ditësh më thirri ish
sekretari i KQ të Partisë për çështjet organizative dhe zv/kryetar i këshillit
të Ministrave, Koçi Xoxe. “E kam marrë ankesën tënde. Shkojmë ta shohim në
vend, Spiro?”
Mendova se do të pranohej propozimi im. Kur shkuam në vend e ia shtjellova,
filloi të rreshtojë një pro e shumë kundra: “kërkesa jote është e drejtë, se i
hap perspektivë Shijakut, por tuneli do të vonojë ndërtimin e hekurudhës, se
kemi dhe një tunel tjetër, atë të Rrashbullit e dy tunele në një hekurudhë
fushore, pak kilometra njëri nga tjetri, sikur nuk shkojnë, edhe kosto shtohet,
dhe koha e mbarimit zgjatet. Prandaj, të pranojmë zgjidhjen e projektuesve
jugosllavë. Stacioni i fermës nuk është veç 3-4 km larg Shijakut”. Unë të
gjitha këto i dija shumë mirë, po kisha arritur në përfundimin se zgjidhja më e
mirë ishte të kalonte hekurudha përmes Shijakut e këtu të bëhej stacioni. Në
atë rast, meqenëse varianti i Sukthit mbrohej nga një sekretar i KQ të Partisë
e zv/kryetar i Këshillit të Ministrave, mendova se kjo çështje ishte parë dhe
nga shoku Enver, kështu nuk ngula këmbë në kërkesën time. Më vonë, kur doli se
kush ishte Koçi Xoxe, tërheqjen time e quajta gabim.
Hasja në kundërshtime me inxhinierë e arkitektë jugosllavë të ndërmarrjes që
kishin ardhur për të na ndihmuar gjoja. Hasja në mospërfillje dhe për kërkesat
më të thjeshta që bëja. Do të ndërtonim në bazë të marrëveshjes një fabrikë
sheqeri në Korçë me pajisje, që do vinin nga Jugosllavia. Ndërmjet ndërtimeve
të tjera, atje duhej ngritur dhe një oxhak nja 30 e ca metra i lartë. I kisha
kërkuar disa herë një mjeshtër oxhakësh përfaqësuesve jugosllavë, që nuk
mungonin në Ministri e deri në Komisionin e Planit. Kisha dhe një të
ashtuquajtur këshilltare në ministri, bashkëshorte e agjentit të famshëm të
Titos, Zlatiç, një inxhiniere e paaftë dhe në dukje “qulle dhe e sjellshme”. I
kisha kërkuar dhe asaj që të vinte një mjeshtër oxhakësh. Premtime, premtime,
dhe muaj e javë që kalonin pa gjë. Arrita t’u propozoj të më dërgonin një
specialist për ndërtim oxhakësh nga Ohri. Premtime dhe në këtë rast, pa asnjë
përfundim! Parimi i mbështetjes në forcat e veta na shpëtoi si në kohën e
luftës dhe në ndërtimet që ndërmorëm. Vrava mendjen si ta zgjidhja problemin pa
ndihmën e jugosllavëve dhe e gjeta. “Më gjeni një mjeshtër, që ka ndërtuar
minare xhamie”, porosita shokët e ministrisë “dhe silleni se dua të flas me
të”. Pas nja 5-6 ditësh më erdhi nga Elbasani një mjeshtër rreth të
pesëdhjetave në ministri. “Kemi për të ndërtuar diçka të ngjashme me një
minare, një oxhak fabrike. Ti ke ndërtuar minaret, më thanë shokët. Ja projekti
i oxhakut”, i thashë dhe ia shpalosa përpara. “Ç’thua, a do ta ndërtojmë?”.
Mjeshtri (emrin s’ia mbaj mënd, pas 40 vjetësh), pasi shikoi mirë e mirë
projektin, m’u përgjigj me çiltërsi e siguri: “Si urdhëron shoku Ministër. Do
ta ndërtojmë pa tjetër dhe sa më mirë e sa më shpejt”. E falënderova dhe e
përgëzova mjeshtrin për gatishmërinë dhe sigurinë e tij dhe oxhaku pas tre
muajve ishte afërsisht në mbarim.