Dështimi dhe dëshpërimi i agjentit shqiptar në Itali

1829
Ish agjenti i kundërzbulimit Shemsi Beqir Aliaj / Përdorimi i zbuluesve, reciprociteti me fqinjët , rekrutimi i ushtarakeve madhorë italianë, udhëzimet e Drejtorisë II, Teme Sejkos, Andon Shetit dhe çështja Barbiera. Dosjet speciale, letërkëmbimet me Beqir Ballukun, arrestimi dhe largimi nga agjentura
Njeriu është në kërkim të vazhdueshëm për vetënjohjen, në veçanti ndaj obligimeve që e vënë në provë aftësinë dhe karakterin e tij. Dihet, se natyra e pasur, e ndjeshme, e gjithanshme e njeriut nuk mund të hulumtohet tërësisht nga analizat logjike, sado të plota qofshin ato kanë edhe subjektivizmin brenda. Kur dështon një agjent edhe kur ka patur detyrë të vrasë vehten apo të likuidohet nga të tjerët, përsëri leja i përket të mëdhenjve në këto misione, jo të hidhen poshtë kur ata nuk e mbrojnë dot vehten e tyre për çdo lloj motivimi që kanë specialitete të tilla. Nga studimi i një dossieri specifik, dua të argumentoj, jo thjesht rëndësinë e personit apo detyrës së dështuar nga vetë shkalla apo aftësia profesionale e munguar në atë kohë, por në faktin se çfarë përpjekje i duheshin këtij njeriu për të mos e humbur vetveten dhe për të zgjedhur rrugën e shpëtimit të tij apo të përçapjeve të veta për t’u bërë i nevojshëm përsëri në shoqëri. E paraqes këtë shembull tek lexuesit, për të tërhequr vëmendjen për një çështje madhore: Si u punua dhe si u la në mes të rrugës një masë jo e pakët zbuluesish apo kundërzbuluesish tanë nëpër botë?! Pse? I shërbenin një vendi komunist, e motivoi pasardhësi i tyre. Po, mirë, logjika e absurdit fiton në një moment, (duke i krahasuar këta specialistë njëlloj me sigurimin e shtetit brenda vendit). Por që të rrënosh një vlerë të tillë kombëtare, nuk e bën asnjë shtet i Mesjetës e, përse duhet ta bënim ne?!

Përdorimi i zbuluesve, sidomos në vendet fqinje është reciprok, ashtu si e kanë patur dhe i kanë tek ne në mënyrë të pandërprerë, edhe pse tashmë “jemi miq”.

Me arsye të errësuar e paragjykime të deformuara politike, të mbështetura vetëm nga ideja se ata janë “mëkatarë”, iu nënshtruam një alternative të gabuar kombëtare. Këta njerëz, i nxorëm në ankand dhe jeta e tyre ka qenë e mbetet misterioze deri më sot. Në vendin tonë, modeli i shpëtimit nga rreziku i huaj, është bërë aq “imagjinar sot”, aq sa na paraqitej dje “real”. Ç’është e vërteta, alternativa e dytë na qetësonte më tepër se e para, sepse nuk mund të mohosh gjithçka nga e kaluara e sigurimit kombëtar, thjesht për t’u çliruar nga paragjykimet politike.

Të humbësh këta lloj specialistësh specifikë, do të thotë të jesh rob i lirisë tënde, sepse humb substancën kryesore të trupit-atdhe, dmth “lëngjet jetësore” që e mbajnë gjallë atë. Asnjëherë kultura profesionale tradicionale, kurfarë autoritet i ndryshimit përkatës të sistemit historik apo kolektiv, nuk mund ta legjitimojë eleminimin e saj në emër të politikës partiake, duke cenuar atë kombëtare. Edhe tranzicioni na detyronte të jetonim në ankth për fatet e atdheut, por jo në një pazar me botën që na rrethon. Natyrisht, ata i quajtëm nga armiq në miq, sepse shtetet fqinj, i kemi tashmë në kushte që na ofrojnë një histori të re. Megjithatë, me këto shtete fqinj, falë përplasjeve politike shqiptare, ua kemi bërë të lehtë për të mësuar pothuajse gjithçka për vendin tonë, pra u bëmë nga më të zbuluarit në botë.

Mirëpo, kjo eksperiencë thelbësore në tërë botën, trashëgohet në shekuj edhe kur duhet të ndryshohet tërësisht struktura tradicionale ripërtëritëse, por kurrsesi zhdukja e saj. Por çështja që po gjykoj ndofta nuk më takon mua, sepse është më tepër thirrje për të mos mohuar çdo gjë nga sistemi i kaluar. Jo çdo gjë i përkiste Enverit, por i takonte edhe vetë djersës dhe punës së një populli të tërë, që e donte vendin e vet edhe në kushte të atilla. Gëte thotë: “Të jetosh sipas qejfit, do të thotë të jetosh si plebej, fisniku dëshiron rend dhe ligj”. Privilegjet e fisnikërisë nuk janë në origjinë, lëshime apo ndere, përkundrazi, janë fitore. Në parim, ruajtja e tyre do të thotë të vijosh të punosh për kombin tënd, pa prekur e cenuar ata njerëz që për të sakrifikojnë deri në vetflijim veten e tyre. E këta njerëz janë individë të veçantë, jo të zakonshëm. I zakonshmi është vetëm mediokri që i shkaktërron këto përvoja të fituara nga disa breza… Kështu, në vend të korrigjimit në krah pozitiv, na ndodhi që veprimtaria të konceptohet “koha e zbrazstësisë për këta lloj specialistësh, sepse edhe këta individë hoqën dorë nga ato shpresa e iluzione që jeta e tyre, mund t’i shërbente deri në vdekje atdheut dhe popullit. Vallë, ringjallja e tyre si vlerë kombëtare, a është në konsideratë nga shteti ynë? Ja se si u veprua edhe në kohën e Enverit, kur “digjej” agjenti dhe kur e djeg vetë shteti, atëherë për çfarë lloj përgjegjësie tjetër mund të flitet në këtë çështje?

Më mirë lexuesi le të gjykojë nga dosja e plotë e këtij lloj agjenti, që tashmë i takon 50 viteve të mëparshme, ndërsa në aktualitet do të ishte akoma shpejt për të botuar të tilla materiale.
01
Dosje speciale nr.20, seria c, datë 8.11.1955 
Praktika e punës që është në këtë dosje.
Shoku Gjeneral
Kam pritur gjithnjë të më thërrisnit ose të më jepet përgjigje siç më premtuat, me anë të axhutantit tuaj në telefon.
E di mirë që nuk është e kollajtë të gjeni kohë nga puna e shumtë, por për mua shoku gjeneral, është shumë e zorshme të jetoj i errët, në vuajtje shpirtërore.
Në letrën e parë ju kam shkruar shumë shkurt, ketë e bëra pse mendoja që ish-përgjegjësit e mi të Drejtorisë II, ju kishin vënë në dijeni me sinqeritet, duke pranuar edhe ata gabimet e tyre në masën që iu përkisnin. Unë mendoj, se kjo nuk është bërë nga ata, e prandaj detyrohem t’ju shkruaj gjatë.
Ju lutem shumë, të humbisni një copë kohë e ta këndoni. Jam anëtar partie i vjetër, e kurrë dhe në asnjë situatë nuk e kam hequr besimin nga partia dhe udhëheqja e saj.
Do të ishte plagë e rëndë për mua, në rast se vetë juve personalisht nuk do ta këndonit këtë letër që ju drejtoj. Edhe një herë, ju lutem ndërmjet netëve që kaloni pa gjumë, gjeni një orë për të kënduar edhe këtë letrën time që ju bashkangjis.
Përshëndetje Shemsi Beqir Aliaj
Rrogozhinë më 18.8.1955

02
Shoku Gjeneral leitnant 
Beqir Balluku
Tiranë
Më 20 maj 1954, në orën 20 ose 21, kisha takim në Ponte Duca D’aosta, me marshallin e marinës, të cilin kisha ditë që e njihja në një njohje rasti. Në këtë takim, erdhën pesë vetë të policisë italiane të veshur civilë dhe me forcë, duke më goditur me grushte, më arrestuan më vunë në veturën e tyre dhe më shpunë në komisariatin e Ponte Milio.
Drejtoria II ishte në dijeni të plotë të njohjes sime me marshallin në fjalë, bile në letrën operative, që do të më dërgonin për muajin qershor 1954, ishte aprovuar puna me të.
Kam gabime në këtë:
– Që nuk kam qenë shumë vigjilent dhe nuk kam vlerësuar ashtu si duhej çdo të dhënë, nga ku të kisha arritur konkluzione dyshimi ndaj marshallit.
-Që nuk kam lajmëruar drejtorinë atë ditë që në mbrëmje kisha takimin.
Pse kanë ndodhur këto:
Çdo vit që vija këtu, me qëllim instruktazhi merrja me vehte edhe planin e punës. Ai i vitit 1953 s’më kujtohet mirë, por kanë qenë 5-6 veta për t’u rekrutuar. Kjo, veç detyrave informative dhe atyre suplementare si blerje materialesh me rëndësi etj.
-Për vitin 1954, kam pasë më tepër se dhjetë detyra informative me rëndësi.
– Përshkrimin e situatës së agjenturës për tërë Italinë.
-Të rekrutoja: një njeri me ministrinë e Mbrojtjes, me aftësi të tilla, që të dinte çdo lëvizje forcash dhe sidomos karshi vendit tonë, pa dyshim që duhej të ishte njeri me mjaft rëndësi e me pozitë.
-Të rekrutoja një në Puglia, me mundësi të tilla që të lajmëronte çdo koncentrim forcash në atë rajon.
-Të përfundoja rekrutimin e majorit Giuseppe Barbiera.
-Të gjeja Guido Compagnon, në institutin e Precizionit të veglave të artilerisë.
-Veç këtyre kisha edukimin, mbajtjen dhe punën me tre veta që kishin një ide në Alesandria dhe në një Verona.
Planet çdo vit në tërësi kanë qenë kështu. Unë nuk kam marrë anën që t’i shikoja në praktikë dhe të dilja me konkluzione se ishin jo të realizueshme, pse është jo reale që të arrijsh 4 rekrutime në një vit dhe sidomos me njerëz me pozitë, si ai i Ministrisë së Mbrojtjes, por kam menduar gjithmonë se Drejtoria e dytë i ka menduar mirë, janë domosdo të realizueshëm dhe unë duhet t’i ekzekutoj me domosdo.
Si konseguencë e kësaj, unë jam hedhur në lëvizje të mëdha e në gjetjen e elementit njeri, ju betohem shoku gjeneral se kurrë në Romë nuk kam fjetur në pesë vjet jetë më tepër se pesë orë në natë. Koha kalonte dhe unë duke mos realizuar planin, i thosha vehtes se isha duke bërë krim ndaj partisë. Më vriste ndërgjegja, më peshonte një mal në zemër dhe hidhesha edhe më tepër në lëvizje.
Pa dyshim, kjo lëvizje bëhej edhe me e dukshme e më e rrezikshme për mua nga lëvizja për gjetjen e materialeve të studios, të cilat m’u kërkuan në një afat shumë të shkurtër, materiale shumë të mëdha dhe të dyshimta. Një gjë e tillë, ka rënë në sy të K.informacionit armik, kjo m’u tha natën që më arrestuan nga komisari i Ponte Milio: Mjaft ke xhiruar, mjaft ke luajtur, ke pesë vjet…”
Kështu pra, një pjesë e fajit i bie edhe Drejtorisë II, e cila duhej të kishte matur forcat e mia duke qenë një njeri i vetëm, të kishte dëgjuar propozimin tim në lidhje me Koço Kallcon, që propozoja t’i hiqej vërejtje dhe jo të transferohej fare. Të mos më kishte lënë vetëm gjithnjë, e të mos më kishte kërkuar aq sa të detyrohesh të bëja aq xhiro sa të bija në sy të armikut. Pse u takova me marshallin e marinës, para se të më vinte aprovimi?
Pse nuk munda ta mendoj të rrezikshëm, nuk gjykova drejt që të kisha arritur konkluzione mbi rrezikshmërinë e tij.
Pse shumë vetë nga sa kam njohur nga ana e Drejtorisë II më janë cilësuar si të rrezikshëm, edhe pse kam pasë kërkuar të vijoja punën me ta. Njeriu i marinës në Laboratorin fotografik sekret Giuseppe Desogus etj, kolonel Magno Leone. Gjatë kohës së qëndrimit në Itali, kam arritur më tepër se 150 njohje dhe këto njohje më janë refuzuar në tërësi. Pjesërisht, kanë qenë të papërshtatshme e më tepër veta ka pasur që duhet të kem qenë edhe të mirë, po të qenë kapur e të qenë punuar. Kjo pjesë e tretë, unë mendoj se ka ardhur nga një hezitim i tepruar i Drejtorisë së dytë dhe ky hezitim ka qenë nga mosnjohja e konditave të veçanta të favorshme, që paraqet situata e agjenturës në Itali. Këto kondita, u janë vënë në dukje me raporte të herëpashershme nga ana ime shokëve të Drejtorisë II.
Nga kjo dhe nga koha e paktë në dispozicion, për të arritur planin, unë mendova se do të përfitoja në punën me marshallin dhe veprova me iniciativë e pa pritur aprovimin e Drejtorisë II.
Kam qenë në vuajtje shpirtërore në lidhje me sa më sipër që ka pasur momente që kam menduar edhe rrugë aventurash këtë mund ta kujtojë edhe shoku Koço Kallco, që është atje e me të cilin kam pas biseduar si dipendent i imi që ishte: mendoja që të kapja ndonjë oficer madhor, me forcë me kobure e ndofta do ta kisha bërë, por më ka mbajtur, vetëm një fjalë juaja më 1952 kur kisha rekrutuar me rrugë aventure Verdin dhe Dorinë. “Neve thamë e kini pasë thënë juve-se Sheme Beqiri ka dalë me kobure në dorë nëpër Romë dhe kërkon të rekrutojë njerëz, kjo është aventurë dhe nuk lejohet…”
Këto gabime duhet t’i pranojnë shokët e Drejtorisë II e veçanërisht, shoku kolonel Teme Sejko, që është në krye të saj e që drejtonte edhe punën time.
Në fund të vitit 1953, që kam ardhë në Rinas, vazhdimisht me kolonel Teme Sejkon ashtu dhe major Andon Sheti, u kam thënë se qëndrimi kaq i gjatë në Itali, nuk ishte i mirë dhe kam thënë se në fund të 1954, do të më transferonin. Gabimi im është që një gjë të tillë, nuk e ngrita me forcë dhe nuk e kërkova me shkrim, por ata e kanë pasë sinjalizim nga ana ime dhe duhej ta kishin vlerësuar.
Me takimin e parafundit, (më duket) që kam, pasi me Giuseppe Barbiera, major i Komiliterit të Romës, më ka thënë se shefi i K.I i kishte thënë se ky kishte lidhje dhe miqësi me një të legatës shqiptare. Raportin e kësaj dhe konkluzioni i parë ka qenë, se Giusepia e bëri me qëllim që të largohej. Por më vonë, që ky pranonte të takohej përsëri me mua, erdhi në takim duke menduar të kaluarën e tij, në lidhje me punën dhe unë mendova se Giuseppe ishte i sinqertë dhe i kam nderuar opinionin tem dhe konkluzionin tem, duke njoftuar drejtorinë se thëniet e Giuseppe duhet të ishin të drejta dhe në këtë rast. KI formacioni armik është vënë në gjurmë të mija e po më ndiqte. Drejtoria nuk e vlerësoi këtë situatë, nuk më ndaloi në punën operative, bile më lejoi takimin e fundit që bëra edhe me Giuseppen, e që mbas këtij takimi pak ditë më ndodhi kurthi i krijuar nga KI informacioni armik.
Unë mendoj se me çështjet agjenturiale nuk ka asgjë absolute edhe kur kjo është e vërtetuar nga shumë drjtime ka gjithmonë masën e dyshimit, qoftë sado minimale dhe pikërisht ky dyshim të detyron të kërkosh vërtetime të reja dhe njëkohësisht të marrësh masa paraprake për evitimin e çdo gjëje. Shoku Teme Sejko me rastin e çështjes së Barbiera nuk shkoi me këtë parim edhe në rast se Barbiera bënte manevër shkëputjeje, pse të mos e kishte marrë për një moment të vërtetë thënien e tij, derisa edhe konkluzioni im i mëvonshëm ishte i tillë, pse nuk më ndaloi çdo punë operative që si konsekuencë do të kishte lejuar rënien time në kurthin e ngrehur nga k.informacioni armik?
Kur u ktheva nga Italia kam qendruar në dispozicion që nga 26 maj 1954 deri në 2 tetor 954. Unë nuk bëra asnjë fjalë pse mendoja se Drejtoria I i duhej të vërtetonte tërë të dhënat e mia mbi ngjarjen.
Unë jam zbulues dhe kam për të jetuar po me këtë zemër e po me këto koncepte pse kjo që puna e parë e imja që kapa mbas revolucionit e deri tani. Një veprim i tillë i Drejtorisë II as më zemëronte, pse parimi në zbulim është “Beso, por vërteto” pra kishte plotësisht të drejtë Drejtoria II për këtë.
mbas 4 muaj pritjeje më komunikuan të veja në Komitetin Qendror ku shoku Llazi Stratobërda më tha, se të ikja nga ushtria, sepse zanati im nuk shkonte më pse jashtë shtetit nuk mund të delja më e se kështu ushtria kishte shkuar në këto pesë vjet përpara e unë nuk do të mundja ta bëja.
Kërkova të takoja shokun Teme Sejko por nuk pranoi. Më vonë më dërgoi zv e tij major Anton Sheti, i cili më tha se motivacioni ishte që nuk kisha zbatuar urdhrat e Komandës që isha i padisiplinuar dhe që nuk kisha shkuar mirë me shefin e Legatës. Mua m’u duk absurde një gjë e tillë sepse:
-Asnjëherë nuk më është hequr vërejtje ose dhe me një dënim moral të paktën për të më sinjalizuar këto gabime.
– Se trajtimi nga ana e Drejtorisë së dytë ka qenë shumë i mirë për personin tem dhe se jam graduar nga kapiten I në major jashtë radhe me shtatë muaj para afatit.
-Se kam ardhur vjet për vjet dhe se në dhjetor të 1953 për këto gabime nuk m’u dha asnjë vërejtje dhe as një paralajmërim.
Si dalin këto çështje.
Më vonë në takim me Rita Markon më tha se vec sa më kishin thënë kontribuonte edhe qenia im jo aktive në drejtim të organizatës së partisë të Legatës ku kam qenë një vjet sekretar ortganizate. Unë nuk jam i kënaqur edhe prej këtij motivacioni.
Në rast se zanati im nuk shkon më jashtë duhet të hidhem poshtë në rast se jam i lig për armikun duhet të jem i lig edhe për ushtrinë time.
Kur do të isha i mirë shoku Gjeneral, në rast se do t’i isha bindur propozimit të armikut dhe të isha bërë agjent i imperializmit? Unë një gjë të tillë nuk e bëja edhe njëqind herë të vdisja edhe rrugëve të mbetem e të lyp. Por sipas sjelljes së Drejtorisë II me konkluzione e së cilës pa dyshim u arrit në daljen time me lirim e dashkish të isha përkulur tek armiku.”
Me falni shoku gjeneral në rast se e ekzagjeroj por është një dhimbje e thellë një plagë e rëndë kjo për mua. Akoma i kam shkarjet e dhjamit pa bërë operacion që kanë ndodhur nëpër tavolinat e zbulimit të Ministrisë kur isha duke bërë hartën e Greqisë e Xhelal Novoselën nuk i kam operuar pse nuk kisha besim që t’i operoja në Itali.
Unë u thirra në Komitetin Qendror dhe u caktova me detyrën që jam sot pa më pyetur se dëshiroja ose jo, kisha arsye kundërshtimi ose e bëja dot ose jo. Një gjë e tillë është në kundërshtim me direktivat e partisë. Unë shkova në detyrë pse deri më sot asnjëherë nuk i kam kundërshtuar Partisë në urdhrat e saj dhe as që dua ta mësoj këtë rrugë.
Unë qysh atëhere e kam kuptuar shkakun e këtij trajtimi mendova se do të qe vlerësuar nga shokët që më kanë thirrur dhe sidomos shoku Rita që më njeh personalisht, personi im siç më takon besnikëria ime ndaj Partisë dhe shtetit, mendova se do të më qe thënë drejt “të prisja pse partia është duke e hetuar çështjen time dhe në përfundim do të më thotë: Kjo nuk m’u tha. M’u dhanë motivacione të pa baza dhe një gjë e tillë më bën të vuaj shpirtërisht.
Gjatë katër muajve që qëndrova në dispozicion dhe sidomos kohën e fundit Drejtoria I në raportet e ndryshme që merrte nga unë, kujtoni ndofta se isha aq naiv saqë të mos merrja vesh asgjësendi, nuk mendonin se isha zbulues se per 10 vjet rresht po punoja si zbulues. As u zemërova dhe as u revoltova nga një gjë e tillë, pse nuk është hetuesia ajo që më tremb përkundrazi është hedhja e çështjes në heshtje është mjaftuar me konkluzione logjike të nxjerra nga shoku Teme Sejko, i cili ndofta do të kishte marrë vendime e konkluzione më të buta po të kesh vijuar edhe dy vjetet e fundit t’i dërgoja nga një valixhe me peshqirë
Shoku gjeneral,
Unë kam pritur dhe do të pres me durim që të gjendet e drejta, kjo nuk më mërzit aspak, nuk më tremb. Mërzitem në rast se çështja ime lihet në heshtje, në rast se çdo gjë merr fund vetëm me konkluzionet logjike të pa baza dhe të nxjerra nga kolonel Teme Sejko.
Për këtë ju lutem që të kërkoni llogari, të vini dorën juve në çështjen. Jam një shok që kurrë nuk kam menduar t’i kursej Partisë çdo gjë edhe jetën, prandaj mendoj se e vlen të sqarohet çështja ime. Lenia në heshtje është duke më vrarë.
Juve më lajmëruat se do të më përgjigjeshit dhe kam muaj që po pres, fjala juaj më ka pakësuar dhimbjet vuajtjet e shpirtit. Shoku Gjeneral, mendoni pozitën teme një gjë të vetëm: Besimi i pa kufi ndaj partisë. Mbetem në besim tek partia se çështja ime do të shikohet dhe do të jepet një përgjigje e shpejtë.

03
Shoku Gjeneral- Kolonel Beqir Balluku
Ju lutem të më falni për kohën shumë të shtrenjtë që do t’ju marr duke kënduar këtë letër time personale.
U mbushën 4 vjet dhe 4 muaj që jam larguar nga zbulimi ( shtator 1954) .Unë mendoj shoku gjeneral se është e mjaftueshme për një zbulues të mirë si dënimi shpirtëror që të ketë shlyer gabimin e bërë.
Në këto 4 vjet kam punuar për partinë ashtu sic i ka hije anëtarit të partisë, por mua kurrë nuk më duket se ia kam arritur qëllimit që t’i shpërblej partisë dëmin që i kam bërë dhe as që mund t’ ia shpërblej veçse duke qenë aty ku e dëmtova.
Kërkoj që të rimerrem në zbulim.
E ndiej në gjendje që t’i jap partisë më shumë se kudo në zbulim.
Bëhuni juve shoku gjeneral e drejta që t’ju kërkoj juve për garant ndaj partisë se do të punoj me tërë forcat e mia për t’i shlyer dëmin që i kam bërë. Unë ju garantoj me nderin tim se nuk do t’ju turpëroj në garancinë që do bëni për mua. Merrmëni prapë në zbulim.
Ju përshëndes shoku gjeneral

Tiranë 29.1.1959
Shemsi Beqir Aliaj
Sigal