CIA nën Hetimin e Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve

891
Dr. Bledar Kurti
Ndryshe ishte puna me hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve. Krahasuar me Senatin, Dhoma e Përfaqësuesve ishte shumë e më shumë një institucion i rreptë dhe i pashtruar, me shumë anëtarë të rinj të votuar në 1974-ën në kulm të zemërimit kombëtar mbi skandalin e Watergate dhe jashtëzakonisht dyshues për fshehtësinë e CIA-s. Dukej se të gjitha të këqijat ishin grumbulluar në të njëjtën kohë. Komiteti Pike u përpoq të kompensonte nisjen vonë të funksionimit duke mbajtur një qëndrim shumë armiqësor ndaj shërbimeve sekrete dhe administratës së Fordit. Komiteti Pike duhej të respektonte rregullat elastike të vendosura ndërmjet Komitetit Church dhe Ekzekutivit. Anëtarë të papërvojë të stafit, pa njohuri mbi procedurat e sigurisë merreshin me dokumente të klasifikuara, dhe aktualisht me afro 75.000 dokumente të klasifikuar që u vunë në dispozicion nga Colby. Kryetari Otis Pike refuzoi të respektonte shumë procedura të cilat Frank Church i kishte miratuar. Ai nuk pranoi të shqyrtonte dokumente të cilat nuk mund t’i merrte në shqyrtim i gjithë komiteti, dhe kundërshtoi çdo lloj konsultimi privat me CIA-n dhe ekzekutivin. Ai u përpoq gjithashtu që ta mbante hetimin sa më të hapur që qe e mundur dhe kryesoi mbi pesëdhjetë e katër seanca dëgjimore, tre herë më shumë se numri i atyre të Komitetit Church. Presidenti Ford, Sekretari i Shtetit, Kissinger, dhe Drejtori Colby ishin të vendosur të parandalonin Komitetin Pike që të bënte një hetim të plotë dhe efektiv nëpërmjet vonesave administrative dhe refuzimit të dokumenteve. Colby dhe Kissinger, pavarësisht nga ndryshimet mes tyre, ishin të shqetësuar që nxjerrja e materialeve të ndjeshme do të vinte në rrezik interesin kombëtar. Kur Colby dëshmoi para Komitetit Pike, ai insistoi që materiale shumë të ndjeshme duhet të trajtohen në një mënyrë shumë të veçantë. Kur Sekretari Kissinger dëshmoi para komitetit, ai ofroi të pajisë komitetin me një përmbledhje të të gjitha burimeve, por pa identifikimin e autorësisë. Kryetari Pike refuzoi “përmbledhjen e plotë” dhe kërkoi të drejtën të kishte dokumentet në dispozicion. Komiteti Pike alarmoi dhe zemëroi degën e ekzekutivit dhe shërbimet sekrete sepse refuzoi të pranojë çdo lloj sistemi klasifikimi për dokumentet e komitetit, pavarësisht se sa të ndjeshme ishin materialet, sikurse nuk do të nënshkruanin asnjë lloj marrëveshjeje që i detyronte të ruanin materialet sekrete për të cilat do të viheshin në dijeni. Për shembull, komiteti kërcënoi të publikonte pesë vlerësime të ndryshme inteligjence në lidhje me rrezikun e Luftës Arabo-Izraelite në tetor 1973. Specialistë të shërbimeve sekrete argumentuan që kjo do të nxirrte në pah kapacitetin amerikan për të monitoruar dhe analizuar aktivitetin e zbulimit. Komiteti sidoqoftë e publikoi materialin në 11 shtator, 1975. Nuk kishte precedent për një akt të tillë prej një komiteti të Kongresit. Drejtori Colby e përshkroi Komitetin Pike si një “komitet me staf të papjekur, që kërkonte vëmendjen e publikut, i mbledhur për të hetuar, një tufë kalamajsh që stisnin gjërat më sensacionale që mundeshin, të cilët nuk mundeshin të ishin të interesuar për një rishikim serioz të asaj se për çfarë shërbente shërbimi sekret. Moskokëçarja e Komitetit Pike arriti kulmin në raportin përfundimtar. Më 20 janar, 1976, New York Times dhe Washington Star publikuan histori të mbështetura në draftin e raportit, i cili ishte në proces përgatitjeje nga Komiteti Pike dhe stafi i tij. Ai merrej kryesisht me krizën në Qipro në vitin 1974, veprimtarinë e fshehtë në Irak, armët e ofruara nga CIA për fraksione politike në Angolë, grumbullimin e të dhënave sekrete brenda territorit sovjetik me anë të nëndetëseve amerikane, dhe dështimi i zbulimit amerikan për të parashikuar provën nukleare të Indisë në vitin 1974. Duke pasur 31 janarin si afat të fundit, Komiteti Pike duhej të përfundonte shpejtë raportin e tij. Gjatë asaj kohe Dhoma e Përfaqësuesve po rikonsideronte çështjen e bërjes publike të materialeve të tilla sekrete nën ndikimin e vrasjes politike të Richard Welch-it, shefi i degës së CIA-s në Athinë, më 23 dhjetor, 1975. Emri i tij ishte bërë publik gjatë hetimeve për shërbimin sekret dhe rrjedhimisht u publikua në shumë lajme të medias. Më 29 janar, 1976, Dhoma e Përfaqësuesve votoi 264 pro – 124 kundër për të bllokuar bërjen publike të raportit të Komitetit Pike derisa Presidenti të sigurohej që nuk përmbante informacion që ndikonte negativisht në veprimtarinë e zbulimit amerikan. Por dokumenti tashmë kishte rrjedhje informacioni, dhe pjesë të mëdha prej tij ishin botuar tek New York Times dhe e përjavshmja The Village Voice më 16 shkurt. Vetë rrjedhja e informacionet të raportit Pike u bë subjekt hetimi dhe seancash dëgjimore gjatë një kohe të konsiderueshme në vitin 1976. Vrasja politike e Richard Welch rezultoi një dhuratë prej Zotit për administratën e Fordit dhe CIA-n. Vdekja e Welch-it dukej se demonstronte rreziqet e nxjerrjes së sekreteve sikurse kishin theksuar zyrtarët kaq shumë. Administrata e ktheu çështjen Welch në një cirk mediatik, me Fordin, Kissinger-in dhe Colby të gjithë të pranishëm në pritjen e ardhjes së trupit kur e sollën në Bazën Ajrore Andrews. Megjithëse Welch ishte përmendur në gazetën ‘Lajmi i Athinës’, një gazetë në gjuhën angleze, si Shefi i Degës një muaj para vdekjes, CIA e dinte që ai ishte përmendur gjithashtu nga revista Kundërspiunazhi si Shef i Degës në Peru para afro një viti. CIA shpërbën “lidhjen” e kundërspiunazhit dhe ia doli ta kthente Welch-in në martir, duke përdorur vdekjen e tij për të frikësuar nga kandidatët e mundshëm të reformës në Kongres dhe në shtyp. Vrasja i dha Kongresit një justifikim të tërhiqej dhe shtypit që ta humbte interesin. “Viti i shërbimeve sekrete”, kishte futur pishtarin e demokracisë në shtigje të errëta. Nëse kjo dritë ishte në të mirë apo dëmtoi Republikën, kjo ishte dhe mbetet një temë e një debati të fortë. Megjithëse hetime të ndryshme shpallnin se kishin si qëllim aspiratën për të përmirësuar aktivitetet e zbulimit, përpjekjet e tyre u kthyen në një sulm të ashpër ndaj politikës së jashtme amerikane. Informacioni i ndjeshëm i klasifikuar u bë qëllimisht publik, u nxorën emrat e oficerëve të zbulimit, mesazhe operacionale dhe memorandume të brendshme u cituan, identitetet e agjentëve të huaj u ekspozuan duke përdorur dinakëri lehtësisht të zbulueshme, si dhe metoda specifike operacionale në disa vende u bënë publike në mënyrë të detajuar. Asnjëra prej këtyre informacioneve nuk ishte thelbësore në lidhje me qëllimet e pretenduara të hetimeve apo procesin mbikëqyrës të Kongresit. Dëmi në total ndaj shërbimeve sekrete pati një efekt të gjatë në kohë. E analizuar kaq thellësisht dhe kohë pas kohe e përqeshur në kulmin e prozhektorëve të Medias, CIA humbi mistikën e kompetencës, besueshmërisë dhe vetë-besimit, gjëra kaq të rëndësishme për kryerjen e një misioni. Meqenëse këto hetime, pjesa më e madhe (ndoshta të gjitha) e operacioneve sekrete u bë publike, duke shkatërruar arsyen themelore për të qenë të fshehta. Përfundimet publike të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve peshonin me dhjetëra kilogramë. Këto qindra mijëra fjalë ishin më shumë të vlefshme për KGB-në dhe disa kundërshtarë të tjerë se sa për publikun amerikan. Ekspozimi i CIA-s ndaj publikut prej medias dhe para Kongresit pothuajse shkatërroi efektshmërinë e saj brenda dhe jashtë vendit. Do të duhej një kohë e gjatë për të rivendosur besimin e popullit amerikan tek CIA, pavarësisht se ishte një agjenci kaq thelbësore për mbijetesën e vendit në një mjedis të çrregullt dhe shpesh armiqësor. Shqetësimi i CIA-s vinte edhe nga nëpunës të dikurshëm të Agjencisë, si Philip Agee. Është fakt që Agee nxiti disa nga sulmet më shkatërruese ndaj Agjencisë. Ai kishte përvojë publike kalimi në komunizëm, dhe punoi ngushtë me agjentët e zbulimit sovjetik dhe kuban. Në vitin 1975 publikoi një libër armiqësor, Brenda Kompanisë: Ditari i CIA-s, rreth operacioneve të fshehta politike në Amerikën Latine. Ai kishte ndihmuar në organizimin e Kundërspiunazhit dhe Buletinit të Informacionit për Veprimtarinë e Fshehtë, dy botime që bëjnë publike emra dhe adresa të oficerëve të maskuar të CIA-s të vendosur jashtë shtetit. Një nga emrat e ekspozuar ishte edhe Rchard Welch, të cilin e përmendëm më parë, i vrarë në Athinë. Disa opinionistë argumentojnë se Agee-s iu dhanë 30.000 $ prej KGB-së së asaj kohe. Shtojca 1 e librit të Agees kishte një listë të një pjese të madhe të agjentëve të CIA-s dhe u konsiderua prej shumë njerëzve si “nxitje vrasjesh.” Për shkak të saj humbën shumë jetë. Agjencitë sekrete ishin ato që dolën të fituara në betejën e tyre të gjatë me hetimet. Komiteti Pike ra në kolaps prej mllefit dhe kundërpadive reciproke. Komiteti Church hartoi një raport të gjerë, të detajuar, por disa nga seksionet e tij mbi zbulimin e huaj ishin të paqarta dhe të pashtjelluara. Megjithatë, ekzekutivi propozoi reforma të reja. Ato u kryen nga presidentët pasardhës nëpërmjet Urdhrave Ekzekutivë, të cilat vendosën struktura dhe procedura të reja për CIA-n. 
Sigal