Çano Nora: Rrëfen Stefan Xhori nga SH.B.A- ja, historinë e rrallë të të atit, Polo Xhori, që la Amerikën dhe erdhi t’ju mësonte violinën nxënësve në Gjirokastër

150
Sigal

-Arrestimi i muzikantit më të famshëm në jug të vendit. gjykime plot mistere dhe si e dënuan për “agjitacion e propagandë” me 8 vite burg.

-Si e arrestuan Polo Xhorin tek hyrja e portës së aeroportit në Tiranë, ditën që u kthye nga SH.B.A- ja.

-Jeta e tij mes banorëve të lagjes “varrosh”, ngjitur me shtëpinë e Lefter Dilos.

-Arrestimi i inxhinieres ruse, Elena Çamit, në prezencë të djalit.

-Si u frymëzua shkrimtari i njohur, Odise Kote, për të bërë romanin “Amerikani” i cili u vlerësua romani më i mirë për vitin 2022.

Polo Xhori u bë mjaft i njohur në Gjirokastrën e viteve 60 – të. Ishte një violinist me famë, që la Amerikën dhe erdhi në Gjirokastër për t’u mësuar nxënësve të shkollës “Pandeli Sotiri” violinën. La Amerikën, në të cilën kishte vajtur që kur ishte 8 – vjeç,violinisti i talentuar i Filarmonisë së Bethovenit të Amerikës. E kishte ëndërr që kur ishte i vogël ,për të marrë rrugën e perëndimit , aty në kontinentin e largët, por malli për vendin ku lindi ,dashuria për të afërmit e për gjithçka që la pas, e detyroi që të kthehej në dheun që iku që i vogël.

Polua, i tërhequr nga “graviteti ” i një amaneti , ky artist i lakmuar edhe në vende të tjera , ndërmorri vendimin tragjik ,që prej atij vendi të bekuar nga Zoti, të kthehej e të përfundonte tek porta e aeroportit të vetëm të asaj kohe në Shqipëri. Polo Xhori, që u rrit si njeri e artist në shtetin më të zhvilluar në botë, u arrestua në Shqipërinë komuniste, duke shikuar e lenë pa fjalë shumë syresh në ato vite. Regjimi diktatorial i hoqi çdo meritë, që e kishte fituar në vite me punë, e talentin e tij, i hoqi lirinë dhe e burgosi gjersa një ditë e pa veten aty ku s’e kishte shkuar ndonjëherë në mëndje. Për të mësuar më shumë për historinë e rrallë të tij, ne i morëm djalit të tij aty në SH.B.A, Stefan Xhori, një intervistë për në faqet e gazetës “Telegraf”.

Z.Stefan, ç’mund të n’a thoni për fëmijërinë e babait, Polo Xhorit dhe si arriti gjer në Amerikë?

Im At lindi në Labovën e vogël të Odries së Gjirokastrës, në 1 nëntor 1921. Në letër njoftim e kishte 4.7.1919 dhe në dokumentin e ushtrisë Amerikane 4.7.1920. As ai vet nuk e dinte si kishte ndodhur kjo ngatërresë. Shkollën fillore, deri në klasë të tretë, e bëri në Labovë dhe në vitin 1929 emigroi për në SH.B.A. Aty vazhdoi shkollën fillore , atë 8 vjeçare dhe të mesme. Në vitin 1937 – 1939 u kthye në Atdhe , duke bërë një vit shkollë në Shkodër, shkollën Françeskane si dhe një vit në Athinë. Shkak u bë babai i tij, Gaqe Xhori, i cili vendosi që të kthehej përfundimisht në Shqipëri, por pas dy vitesh, ndërroi mendje. Rregulloi shtëpinë dhe së bashku me tim Et, u rikthyen përsëri në Amerikë, duke lënë në vendin e origjinës gruan dhe vajzën. Nuk e di përse ai bëri atë zgjedhje, por sipas të dhënave të tim Eti, s’kishte para për të blerë katër bileta udhëtimi. Me të vajtur në Amerikë, atë që e kish dëshiruar prej kohësh, zuri punë dhe filloi punë duke arritur që të kursente ca para për të marrë aty edhe gjyshen dhe hallën time.

Dhe kjo nuk ndodhi kurrë, se filloi lufta e Dytë Botërore dhe pas mbarimit të saj, Shqipëria u bë pjesë e kampit socialist. Ndërkohë Im At vazhdoi universitetin Temle University. Në vitin 1943 u bë pjesë e ushtrisë Amerikane dhe u lirua në vitin 1944.

Punoi në disa punë të ndryshme dhe në vitin 1952 vendosi bashkë me babain e tij , të kthehej për në Shqipëri.

Pas kthimit në Shqipëri, si vazhdoi jeta e tij më pas?

U deshën 6 vite , që qeveria shqiptare , të aprovonte kërkesën dhe në vitin 1958 ,im At u kthye vetëm. Babai i vdiq. Im At u vendos në qytetin e Gjirokastrës, aty ku jetonte mamaja dhe motra, në lagjen “VARROSH”, ngjitur me shtëpinë e Lefter Dilos. Në atë vit filloi punë si mësues muzike, në shkollën e Mesme Pedagogjike Gjirokastër. Më pas edhe në shkollën “Koto Hoxhi”. Njëkohësisht në orkestrën profesioniste të estradës së qytetit punonte si violinist. Gjer këtu i eci mirë, pastaj jeta e tij u vu në diskutim. Gjithçka po merrte tatëpjetën. E arrestuan dhe e dënuan me dy vite burg,1971 – 1973.

Si ndjehej babai kur jepte mësim dhe u mësonte violinën nxënësve të Gjirokastrës?

Në vitin 1957, kur u kthye nga SH.B.A- ja, filloi si mësues në shkollën e mesme pedagogjike”Pandeli Sotiri”. Në fillim të viteve 60- të, të gjithë e mbajnë mend dhe e kujtojnë me respekt e dashuri, mësuesin e tyre të violinës, Polo Xhorin. Në atë kohë ishte mbi 35 vjeç, ditën që la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri, me mallin për Atdheun në gji, për Lunxhërinë dhe fshatin e tij të dashur, Labovën e Odries. Atë ditë që nisi të jepte mësim në shkollë, bëri së pari prezantimin me nxënësit dhe u tha:- Jam mësuesi i violinës. Këtë instrument do t’a mësojmë bashkë”. Pastaj i takoi dhe i përqafoi të gjithë me radhë. I çoi në kabinetin e veglave muzikore , ku i njohi me violinat, prodhim i vendit dhe sovjetike , me fizarmonikat gjermane e çeke etj. Polua gjithmonë minutat e fundit i mbante për t’u futur sa më thellë dashurinë nxënësve për muzikën e botën magjike të saj, luante në violinë pjesë libretesh nga kompozitorët e shquar me famë botërore, si Verdi, Puçini, Bahu dhe Shopen. Kompozitorët e famshëm italianë , Xhuzepe Verdi, Xhakomo Puçini, Rossini e Vivaldi , ishin bërë si “të shtëpisë” , në klasat e tyre. Kur vinin operat e tyre në kinemanë e qytetit, Im At i rekomandonte të venin që t’i shihnin , dhe gjithnjë ishte prezent , në krahë të nxënësve. Teorinë e muzikës ua jepte i ndjeri Ferdinand Deda, por ai pas disa kohësh shkoi për studime në Pragë, në konservator. Im At, Polua ,e çmonte profesor Ferdinandin. Një ditë im At, luajti dhe u foli nxënësve për kompozitorin e madh hungarez, Franc List. Filloi interpretimin e një pjese. Nxënësit u mahnitën, dhe i thanë Polos:- Sot pamë një pemë molle të lulëzuar dhe mbi degët e saj një tufë zogjsh që cicërinin magjishëm. Im At, krijoi orkestrën e mandolinës së shkollës e jepnin koncerte në radio”Gjirokastra” , me këngë patriotike e në koncerte në raste festash në pallatin e kulturës së qytetit. Në vitin 1962, Polon e morën në orkestrën e pallatit të kulturës , se ishte i vetmi violinist profesionist në këtë qytet.

përse e akuzuan babain tuaj, dhe në ç’rrethana e arrestuan?

Akuza dihej:Për agjitacion e propagandë. Sapo erdhi im At në Shqipëri , fliste me shokët e miqtë e tij për ndryshimet mes Amerikës e Shqipërisë.  Për këtë i hodhën hekurat. E arrestuan befas dhe u trondit ca, por nuk e dha veten para policëve. Ishte e kot të konfliktohej me t’a në mes të publikut të shumtë. Ishte mësues dhe artist , njeri me kulturë të gjerë dhe s’donte të debatonte në rrugë dhe të bëhej objekt diskutimesh në rrethet e atyre që përgojonin të tjerët nëpër kafenetë e qytetit. I hodhën hekurat dhe e çuan në Degën e Punëve të Brendshme të Gjirokastrës. Në hetuesi e mbajtën 6 muaj. Gjatë qëndrimit aty, im At, nuk e mësoi kurrë të vërtetën e arrestimit, përse i kishin hedhur hekurat dhe e mbanin aty Brenda .Iu bë gjyqi dhe e dënuan me dy vite burg.

Pas marrjes së vendimit gjyqësor, ku e çuan për të vuajtur dënimin?

E çuan në burgun nr.17, në kalanë e Gjirokastrës. Ai burg ishte cilësuar si një prej burgjeve më të tmerrshme të regjimit komunist. Aty kishte një sallë të madhe dhe disa qeli. Im At më tregonte, se aty nga kushtet e këqija kishin vdekur edhe dy të burgosur.Të burgosurit për një kohë të gjatë dhe që nuk shihnin diell me sy , ai i kalb, siç kalbi dhe ata dy të dënuar fatkeq, që ndërruan jetë brenda hekurave dhe varrimin e tyre e kishin mbajtur sekret, në një birucë të burgut të Gjirokastrës. Isuf Delvina ishte njeri prej tyre. Atij të dënuari i ishin qelbëzuar bajamet dhe askush s’i afroi ndihmë për t’a shëruar e për t’i shpëtuar jetën. Vdiq Isufi i ndjerë, vdiq për pak kujdes nga drejtoria e burgut. Aty, aty, edhe im At,vuajti disa muaj se pjesën më të madhe të dënimit e bëri në kampin e Ballshit.

Në burgun e “shtatë penxhereve” , siç i thoshnin rëndom, se ai kishte 7 penxhere njera pas tjetrës, të cilat binin në sy që nga larg, në periferi të qytetit. Edhe tani ai të duket i frikshëm si dikur, me historitë njerëzore të atyre qindra të burgosurve , ku klithmat rrënqethëse të tyre dëgjohen edhe sot e kësaj dite. Im At, më tregonte se ai burg ishte ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës dhe që u shërbeu 4 regjimeve. Në fillim nga regjimi zogist dhe më vonë nga pushtuesit italianë e gjermanë dhe pas vitit 1944, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Në fund të korridorit, aty gjenden edhe dy bustet e heroinave, Persefoni Kokëdhima e Bule Naipi, për t’u treguar atyre që vijnë dhe vizitojnë sot këtë burg të dikurshëm ,të kthyer në muze tashmë, se ato e meritonin një fund të tillë. Ndoshta këto heroina,që s’pyetën as për jetën e tyre përpara armiqve , janë të vetmet femra të dënuara në gjithë botën. Ja aty, aty në qelitë e frikshme qëndrojnë bustet e tyre, në qelitë e dikurshme të vdekjes.

Si vazhdoi më tej historia e rrallë e violinistit që mësonte dhe argëtonte dhe të tjerët?

Nuk u mbyll me kaq kalvari i vuajtjeve të tim Eti.Pas 6 muajve të dënimit në burgun e “shtatë penxhereve” , e transferuan për në kampin e Ballshit. Në kodrën mbi Panahor, u hapën gropa mes ferrave , ku u varrosën të burgosurit politik të repartit 309 dhe të zhvarrimeve mbas vitit 1993. S’ka më asnjë të dhënë si dëshmitare për lidhjen e të gjallëve  me historinë e këtyre viktimave të heshtura të periudhës komuniste. Një gjë mbahet mend, që kujtohet me dhimbje dhe që mbetet e freskët prej atyre të dënuarve, që janë ende të gjallë: Uzina e Ballshit , ku shumë të burgosur punuan gjersa dhanë dhe jetën e tyre. Kjo uzinë u ngrit në vitin 1971 , në kodrat e Panahorit, e destinuar për të ” pritur” viktimat që shtoheshin përherë e më shumë. Im At, më tregonte për inxhinieren ruse, Elena Çamin,bashkëshorten e inxhinier Minellës. Ata ishin njohur kur vazhdonin studimet për inxhinieri nafte , në universitetin e Moskës. E arrestuan atë dhe në atë moment ishte me të edhe djali, i cili filloi të qajë me ngashërim kur pa atë skenë tronditëse, që po ndodhte me mamanë e tij. E mbajtën 9 muaj në hetuesi , që ajo të pranonte se ishte spiune ruse, por nga goja e saj nuk doli asnjë përgjigje që t’a rëndonte këtë dhe të shpallte inxhinieren ruse fajtore. Por Elena nga Rusia, nuk i braktisi kurrë burrin e saj, Minellën dhe djalin e vetëm, për të shpëtuar veten. Ajo nuk pranoi që të ikte në vëndin e saj edhe kur u prishën mardhëniet e Shqipërisë me Rusinë, por ndenji pranë burrit dhe fëmijëve, duke vuajtur dënimet në burgjet e regjimit komunist. E akuzuan për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe e dënuan me 8 vite burg dhe me internim. Këto arrita të shkëpusja nga ditari, që mbante im At, gjatë vuajtjes së dënimit në kampin e Ballshit.

Po ju djemtë e profesor Polos, vazhduat studimet në degën e muzikës?

Im At erdhi nga Amerika dhe punoi mbi 30 vite me përkushtim. Krijoi familje me mamanë tonë dhe lindën mua dhe Nikon. Unë u bëra violinist si babi, ndoshta i famshëm jo sa ai, por kam marrë pjesë në disa orkestra në Amerikë dhe kam bashkëpunuar në disa koncerte në Shqipëri, së bashku me mamanë e Nikola Çabeli që mori pjesë në eurovizionin e vitit të kaluar.Vëllai im, Jorgua, u bë matematicien, që ka dhe një biznes të tij dhe që konkuron edhe me amerikanët. Jetojmë këtu në Filadelfia. Im At,Polua, në 11 janar 2021 i mbushi të 100 vitet. Atë e uruam  ne djemtë. E uruan miqtë! E uruan kolegët e shumtë që kanë mbetur gjallë. E uruan me dashuri dhe ish nxënësit dhe kolegët nga Shqipëria.

Shkrimtari i njohur gjirokastrit, Odise Kote, me romanin “Amerikani”, që i kushtohet, babait tënd Polo Xhorit, dhe që zuri vendin e parë në vitin 2022, si u ndjetë për këtë?

Po e kam lexuar këtë roman.Më ka pëlqyer, jo se i kushtohet tim Eti, porse Odisea është një poet e shkrimtar, që ka bërë emër me publikimet e tij në gjithë këto vite, dhe s’është e papritur për lexuesit. Ky autor kishte pritur 30 vite për të shkruar këtë roman, ngacmimin për të cilin e ka marrë pikërisht në Gjirokastër, nga historia e tim Eti, Polo Xhori, i cili ka përjetuar një Kalvar të gjatë persekutimi nga ai sistem. Historia e romanit për tim At, ka frymëzuar autorin  Odise  Koten, ku në të trajtohen sfidat dhe përvoja e tij , mes Shqipërisë dhe Amerikës. Dhe me sa di unë ky libër është vlerësuar si romani më i mirë i vitit për vitin 2022.

Pas kryerjes së dënimit, ku trokiti për të filluar punë, violinisti më i mirë i jugut, për të gjitha kohërat?

Kur doli nga burgu në vitin 1973,filloi punë në ndërmarrjen e Ndërtimit dhe më pas në fermën “Muzi Asqeri”. Aty doli edhe në pension në vitin 1980. Me të ardhurat që merrte s’e mbante dot familjen.Të ardhura qesharake. Iu “hodh vëndit” themi ne gjirokastritët.Merrte një pension të ulët, vetëm 1700 lekë të vjetra në muaj. Në mëngjes, pa zbardhë mirë dita, merrte në dorë një thes me vete dhe nxitonte për të mbledhur bimë medicinale, që në krahinën tonë të Odries ishin me bollëk. Me vehte nuk harronte për të marrë dhe një çantë ushtarake me bukë dhe ujë. Në vitin 1992 , pasi u hap ambasada Amerikane u paraqit aty, mori pasaportën dhe u nis për në Amerikë. Ndrroi jetë kur vajti plot 100 vjeç.

Tani i erdhi radha pyetjes së fundit: sa është vlerësuar?

Gjithë kohën që ka mësuar nxënësit dhe që ka dhënë koncerte në skena të vogla dhe të mëdha, ka marrë duartrokitje pa fund nga pjesëmarrësit në sallat e shfaqjes, si në Shqipëri dhe në Amerikë. Është ndjerë i vlerësuar edhe pse regjimi komunist e goditi rëndë. Edhe Bashkia e Gjirokastrës , i akordoi titullin”Qytetar Nderi” , pas vdekjes për kontributin e tij në muzikë.

Faleminderit për intervistën!