Benard Zotaj: Çeta “Zigur Lelo” dhe komandant Dervishaj

370

Çeta “Zigur Lelo” dhe komandant Mevlan Dervishaj

(Në kuadrin e 77-vjetorit të formimit)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Luftëtarët e çetës në ditën e inaugurimit

Në Smokthinë veprimtaria atdhetare e grupeve dhe e njësiteve guerile në vitet e LANÇ-it ishte e gjerë dhe e gjithanshme. Kjo veprimtari shpuri në formimin e njësitit gueril, të Këshillave Antifashiste Nacionalçlirimtare, ngritjen e çetave territoriale në të gjitha fshatrat e saj si në Ramicë, Verbas, Matogjin, Bashaj dhe Mesaplik. Pjesëmarrja e djemve dhe vajzave të Smokthinës në veprimtari me karakter politik e luftarak, si Lufta e Gjormit, operacioni i pranverës të vitit 1942, e të tjera kishin për përfshirë shpirtin luftarak të tyre. Gjatë viti 1943 lufta e armatosur po merrte përpjesëtime më të mëdha dhe të gjithë pothuaj se ishin rreshtura e kontribuonin për këtë luftë. Formimi dhe përurimi i çetës u bë më 5 qershor 1943, në lagjen Matorukaj, te shkolla e fshatit Matogjinit. Me pjesëmarrjen e shumë njerëzve të thjeshtë nga fshatrat e Smokthinës, i dërguari i Komitetit Qarkor, Delo Balili, përshëndeti krijimin e çetës dhe u shpjegoi situatën politike e luftarake si dhe theksoi detyrat që dilnin para masave popullore. Folën me zjarr e përkushtim për luftën: Veiz Pipa, i cili u zgjodh komisar i çetës, Mevlan Dervishaj, komandanti i çetës etj. Flamuri i çetës iu dorëzua partizanit Luto Canaj, një nga më të rinjtë e çetës. Çeta u pagëzua me emrin “Zigur Lelo”, patriotë dhe luftëtarë trim, komandant i çetës së Smokthinës, që në Luftën e Vlorës të vitit 1920, ku 5 qershor në ballë të luftëtarëve ra trimërisht, duke mbetur dëshmor në fushën e nderit. Luftëtarët e çetës në ditët e përurimit që bënë betimin ishin: Mevlan Dervishi komandant, Veiz Pipa komisar, Mujsi Elezi, Sadik Zotaj (dëshmor), Ismail Velo (dëshmor), Myftar Bocaj (dëshmor), Kamber Sullaj (dëshmor), Gani Gabaj (dëshmor), Lesko Lekaj (dëshmor), Mulo Dervishi (dëshmor), Syrja Sarçaj (dëshmor), Aliko Mehmeti, Perlat Tafilaj, Luto Canaj, Feim Zenelaj, Elmaz Hasamataj, Bato Zotaj, Sadedin Sullaj, Sefedin Sullaj, Bilbil Veshaj, Xhemil Liçaj. Pjesëtarët e çetës ishin nga anëtarët e njësitit gueril edhe nga ata që u rreshtuan në çetat e Shullërit, kryesisht të rinj ku dominonte mosha 20-22 vjeç.

Luftimet e çetës “Zigur Lelo”

Pagëzimin e parë në zjarrin e luftës çetën e bëri në pritën e organizuar në Jonufër të Vlorës. Pozicioni i pritës u zu përgjatë rrugës automobilistike nga Uji i Ftohtë (Vlorë)-Radhimë-Orikum. Në det ishte flota luftarake e ankoruar në gjirin e Vlorës, si dhe fusha e aviacionit, që kur u organizua prita të dy këto njësi luftarake morë pjesë masivisht. Partizanët e çetës vështirësitë i përballuan me guxim e trimëri. Prita u organizua dhe u realizua me sukses. Këtu u kapën dhe robër, si dhe armatim e teknikë luftarake. Me armët e zëna u kompletua edhe pjesa tjetër e çetës cila nuk kishte armatimin e nevojshëm. Armiku la në fushën e betejës tre të vrarë, dy makina dhe një motoçikletë të djegura. Tërheqja u bë në kushte të vështira nën goditjen e zjarrit të flotës luftarake dhe mitralimit e bombardimit nga ajri të aviacionit armik. Këtyre vështirësive u shtohej edhe vapa e madhe dhe mungesa e ujit të pijshëm. Djemtë e çetës mbasi përmbushën me sukses detyrën luftarake u tërhoqën pa ju shkaktuar as edhe një dëm. Më datë 12 korrik 1943, pas një manovre të kryer me sukses çeta organizoi një pritë midis Hysoverdhit dhe Mavrovës kundër një reparti ndëshkues italian. Më datë 17 korrik përsëri u ndesh me një kompani me ushtarë italian të cilët nga goditjet e papritura u tërhoqën të shpartalluar duke lënë në fushën e luftimit të vrarë, robër dhe shumë armatime. Aksion tjetër i çetës ka qenë ai i Malit të Bardhë më 14 gusht 1943 kundër forcave italiane shumë herë më të madhe, çeta u tërhoq pa humbje, e organizuar. Ky aksion ishte i organizuar në bashkëveprim me Shtabin e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër. Çeta në përpjekjet e mëvonshme, si në Luftën e Drashovicës 1943, u rreshtua në përbërjen e batalionit “Halim Xhelo” dhe mori pjesë së bashku me batalionin territorial të Shullërit. Luftimi i fundit i çetës “Zigur Lelo” në përbërje të batalionit “Halim Xhelo” ishte aksioni që kreu në Qafën e Kiçokut, nga ku luftëtarët e çetës thyen sulmin e këmbësorisë dhe të mjeteve të blinduara të ushtrisë naziste gjermane. Nga formimi dhe deri sa partizanët e saj rreth 35 veta u rreshtuan në përbërje të Brigadës V Sulmuese, në nëntorin e vitit 1943. Bijtë dhe bijat e Smokthinës luftuan me trimëri dhe korrën fitore e suksese deri sa u çlirua vendi.

Komandant Mevlan Dervishaj

Mevlan Halim Dervishaj ishte nga familja Dervishaj, Ramicë, Vlorë. Shkollën fillore e filloi në Ramicë dhe e mbaroi ne Gjorm. Në vitin 1932 shkoi ushtarë. Bëri një kurs gjashtë mujor në Tiranë dhe doli rreshter. E caktuan në Vlorë, ku përgatitnin paraushtarakët e shkollave të qytetit. Këtu u njoh dhe me Hysni Kapon, i cili ishte në vitin e fundit të shkollës Tregtare dhe e kish në kompaninë ku bëhej stërvitja dhe lidhën miqësi. Në vitin 1934 u lirua nga ushtria. Kur atdheun e shkeli çizmja fashiste, ishte ndër të parët luftëtarë që hodhi pushkën krahut dhe doli partizan. Çeta partizane që komandoi kishte emrin e luftëtarit të vitit 1920, Zigur Lelo. Gjatë Luftës Antifashiste ishte komandant dhe komisar në Qarkun e Vlorës (1943), komandant i Grupit të Tretë të Mallakastrës (1944), ku mbi bazën e tij formohet Brigadës XI Sulmuese, ku komandant emërohet Mevlan Dervishaj. Brigada zhvilloi veprime luftarake në zonën Fier-Rrogozhinë-Durrës-Tiranë, si dhe mori pjesë për çlirimin e Tiranës dhe tej në zonën Krujë-Milot-Pukë duke përfunduar detyrën e saj në Kukës, me çlirimin e vendit. Ndër detyrat që kreu pas çlirimit mund të përmenden: Në vitet 1945-1945 kryen detyrën e komandantit të Qarkut Vlorë; midis viteve 1946-1947 komandant i Ishullit të Sazanit; në vitin 1947 emërohet komandant i forcave të ndjekjes, kryesisht të bandave kriminale të ngelura në prapavijë, kryesisht në zonën e Peshkopisë dhe në ndjekje të bandës së Hamit Matjanit. Mbaroi shkollën e mesme pas çlirimit dhe e dërguan për studime në Akademinë Ushtarake për Kufirin në BS, në vitet 1949-1951. Deri në vitin 1966 kryen detyra si komandant i Kufirit Qarkut Shkodër, Komandant të bregdetin deri në grykëderdhjen e lumit Shkumbin, komandant Kufiri në Sarandë, si dhe kryetar Dege për Policinë e Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ruajtjen e personaliteteve shtetërore. Doli në pension në vitin 1966. Mevlan Dervishaj në detyrë ka marrë pesë plumba (plagosur). Plagosur dy herë në Luftën e Drashovicës me forcat gjermane në vitin 1943; për herë të tretë është plagosur në Velçë të Vlorës në luftë me nazistët e ballistët në fillim të shkurtit 1944 dhe po në fund të shkurtit 1944, në Mallkeq është plagosur për herë të katërt dhe për herë të pestë është plagosur në vitin 1946 në luftë me tradhtarët në Peshkopi. Për merita të shquara gjatë Luftës dhe punës për rindërtimin e vendit Mevlan Dervishaj meritoi shumë dekorata të ndryshme dhe të larta, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RSH-së, ku shquajnë Urdhrat “Flamurit” Klasit I dhe II, “Medaljen e Mirënjohjes” për pjesëmarrje në Luftën e Dytë Botërore nga Presidenti Rus, Boris Jelcin. Vlerësuar nga Komuna Brataj me “Qytetar Nderi i Komunës Brataj”, Këshilli i Qarkut të Vlorës me “Nderi i Qarkut Vlorë” dhe Organizata e Veteranëve të LANÇ-it me “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”. Ndërsa me Fletë Mirënjohje nga Kryesia e Veteranëve Vlorë si komandant i çetës “Zigur Lelo”. Emri i tij do të rrojë në shekuj, populli i Smokthinës, i Vlorës dhe i gjithë Shqipërisë e kanë përjetësuar emrin e tij. Tashmë në 74 vjetorin e çetës, ne bijtë e bijat e tyre, nipërit dhe mbesat kemi të drejtë të krenohen dhe t’i transmetojmë më tej këto vlera të mëdha dhe tradita luftarake që shfaqën madhërisht në atë luftë epope.