Bashkim Kozeli: Si recitova para Enver Hoxhës tek Teatri Operas poezinë për Nënën duke marrë duartrokitje të parreshtura

150
Sigal

80-Vjetori i shkollës Ushtarake “SKËNDERBEJ”

 – Profesor Nonda Bulka mbetet udhërrëfyesi im në rrugën letrare që kur kam qënë pionier

– Nonda Bulka: Edhe Lermontovi ushtarak ka qenë, Shileri, artilier, Ekzyperi aviator, ashtu si Aleksandër Moisiu.

-Aleksandër Moisiu u kap rob nga francezët, por e shpëtoi një shqipo tjetër, dramaturgu i famshëm evropian Viktor Eftimiu.

-Si më detyroi poeti Lirim Deda, që në Fjalën Artistike të shkollave të recitoja një vjershë timen për nënën duke i shtuar ca vargje edhe për Nënën Parti.

Një të dielë, vëlla Begatori vjen i shoqëruar me një 14-vjeçar me uniformën e bukur të skënderbegasit. Ishte bërë traditë që, ditën e pushimit, kuadrot ushtarake merrnin në shtëpinë e tyre këta ushtarakë të vegjël. Po hanim drekë dhe mua më mbetën sytë tek ai djalë i qethur

dhe i pastër, që dukej si gjeneral me spaletat dhe vijën e kuqe në pantallona. Më shkrepi një dëshirë e beftë për të shkuar në atë shkollë. Kur skënderbegasi u largua, i thashë Begatorit :

– “Meqë shkolla “Skënderbej” ka program mësimor gjimnazi, sikur të shkoja dhe unë atje ?

– Pse ?

– Dua të bëhem gjeneral përpara teje… – i buzëqesha me pamje lutësi.

– E ke menduar mirë ?

– Po!

– Mos më turpërosh, se atje disiplina është e rreptë dhe profesorët janë kërkues.

– Jo, nuk do të të turpëroj.

* * *

Muajt e parë në shkollën “Skënderbej”, mezi u ambientova. Më qethën kokën zero, më futën në dush, duke më dhënë një palë brekë e këmishë ushtari, së bashku me një uniformë të

përditshme po si të ushtarit. Në mëngjes, kros deri në rrëzë të malit të Dajtit, zhveshur

nga mesi e lartë. Gdhiheshim e binim në gjumë me sinjalin e bories. U bëra pishman që kisha vajtur, po kujt t’i qahesha ? M‘u gjendën pranë shokët e klasës, që ishin një vit më parë në këtë

shkollë. Sidomos Kristaq Çito, e Fadil Neni, të cilët qenë komshij me mua në Tiranën e Re. Rregullimin e krevatit, larjen e fjetores, pastrimin e territorit dhe të ëc-ve, e deri tek qërimi i patateve kur kisha radhën e postës së guzhinës, nuk i kisha problem, sepse më kishte “stërvitur” Nanaja në shtëpi. Ushqimin e kishim shumë të mirë, veçanërisht drekën, ku nuk mungonte mishi dhe ëmbëlsira. Madje, para se të hynim në mencë, rreshtoheshim dhe pinim nga një lugë vaj peshku. Profesorët ishin vërtet kërkues, por në kohën e lirë bisedonin me ne si të ishin prindër.

Mësuese letërsie kisha Sadete Kasën, e cila filloi të më donte, po, me thënë të drejtën, ku e ku ajo me profesor Thanasin e Nonda Bulkën. Tremujorin e parë rashë goxha në mësime.

Kur vajta në shtëpi me uniformën e bukur të liridaljes Begatori, pa e fshehur kënaqësinë, tha :

– Ne kolonjarëve, sepse na ka hije uniforma e ushtarakut. Pastaj më pyeti:

– Po me mësime si dukesh ?

– Këtë tremujor nuk jam dhe aq mirë.

– Sa katra ke marrë ?

– Besoj dy ose tre.

– Duhet t’i bësh të gjitha pesa. Më ke dhënë fjalen se nuk do t’më turpërosh. Vërtet kisha dalë me dy tri katra, po notat e tjera i kisha jo pesa, por tresha…Rezultati i notave vajti me zarf në shtëpi. (kështu dërgohej tek kryefamiljari që të kishte në kujdestari). Dy javë me radhë nuk dola liridalje. Prisja si pulë e lagur të vinte Begatori në shkollë dhe të më “telendiste”.

Ai nuk erdhi. Me siguri kish gjykuar vështirësitë e mia të fillimit dhe më la kohë të merrja veten. Heshtja e tij më vuri më shumë në sedër për të mos e turpëruar tjetër herë. Ndërkohë në vend të vëlla Begatorit vjen të më takojë vëlla Feriti, i imët nga trupi, por gojëëmbël e tejet inteligjent . Edhe ai pat qënë si unë skënderbegas, nga kontigjenti i pionierëve partizanë. Doli i paaftë për ushtarak dhe vazhdoi studimet e larta për mjek…

Kur e pashë në postbllokun e shkollës, pandeha se kish ardhur për notat e mia të dobëta. Por, jo… Atij i ndriste fytyra.. Më dha sihariqin e madh se ishte diplomuar mjek dhe emëruar në Shkollën e Mesme Mjekësore. Më mori leje dhe dolëm së bashku ta festojmë. Atë ditë kam

provuar birrën për herë të parë.

* * *

E ndjeva se krosi i mëngjesit dhe ushtrimet gjimnastikore në shkollën “Skënderbej” më kishin bërë më të zhdërvjellët dhe më me besim në fizikun tim të imët. Por nuk i arrija dot shokët e

klasës, që më të shumtët nuk u ndaheshin veglave gjimnastikore, basketbollit, volejbollit, futbollit e boksit. Kjo shkollë ishte bërë fidanishte e Klubit “Partizani” për të gjitha llojet e sporteve. Mirëpo mua as më shkonte ndërmend të bëhesha sportist. Më së fundi, i gjeta shtigjet për të dalë në “bregun” e ëndrrave të mia. Në kohën e lirë, kur të tjerët luanin, unë “notoja” nëpër

librat e bibliotekës së pasur të Shkollës. Aty gjeja dhe “murgj” të tjerë, Dhimitër Dhimën, Mikel Jankun, Muhamet Stafën…Kur dilja në liridalje, nuk lija shfaqje pa parë në Teatrin Popullor. Aso kohe shfaqeshin me shumë sukses “Orët e Kremlinit” dhe “Intrigë e dashuri”.

Me profesor Nonda Bulkën vazhdoja lidhjet që kur kam qënë pionier.. Kur më pa ushtarak herën e parë, më vështroi nga koka në këmbë e më tha: – Hajde, hajde se edhe Lermontovi ushtarak ka qënë, Shileri po ashtu, artilier. Ekzyperi aviator. Bile edhe Aleksandër Moisiu

ynë ka qënë aviator… Ha, haa !… U kap rob nga francezët i shkreti, por e shpëtoi një shqipo tjetër, dramaturgu i famshëm evropian Viktor Eftimiu.

Pasi më lexoi disa nga poezite që i dhashë, tri prej tyre i pëlqeu, për dy të tjerat më tha :

– Gris sa më shumë nga vetja, mos të të grisin të tjerët… Dhe për të zbutur vërejtjen, me sugjeroi si me shaka :

– “E di ç’bëj unë, kur ulem të shkruaj ?… U mpreh majat dhjetë kalemëve që të mos më ndërpriten mendimet. Provoje dhe ti ! Me këto mbresa kaloja gjithë javën në shkollë.

Në klasën tonë na erdhi komandant toge togeri poet Lirim Deda, vargjet e të cilit i kisha lexuar në gazetën “Luftëtari”. Kur gjeta rastin dhe i tregova vjershat e mia, u gëzua shumë.

Më sugjeroi që vjershën për Nënën ta recitoja në konkursin e Fjalës Artistike të shkollave të mesme. E kundërshtova. I thashë që atë vjershë e kam për shpirtin tim. Veç motrës, nuk e di asnjë nga të shtëpisë. Ai këmbënguli : – Pikërisht pse ke derdhur shpirtin për nënën e dashur, ia vlen ta kujtosh me zë të lartë dhe ta dëgjojnë të gjithë. Isha 15 vjeç, u josha…

Dhe që të kisha më shumë sukses, komandanti poet më këshilloi që vjershën ta lidhja në fund me një strofë optimiste për nënën tjetër, Partinë. Më pëlqeu kjo ide dhe i shtova vjershës së Nënës një strofë për nënën Parti, që “më rriti, më madhoi”. Nuk e prisja që në konkurs të merrja çmim dhe të shpërthente “stuhia” e duartrokitjeve të dhjetra djemve e vajzave të shkollave të mesme, me sytë e përlotur. Përkulesha para tyre dhe pyesja veten: “Pse u emocionuan këta, për nënën time, apo për nënën Parti ?”.

* * *

Skënderbegasit që ishin me mua në konkurs, u bënë përhapësit e parë në shkollë të emrit dhe suksesit tim. Më përgëzonin e më vështronin me admirim, jo vetëm nxënësit,

por edhe mësuesit e oficerët. Disa ditë më vonë, kur sapo kishte hyrë nëntori, në Shkollën

tonë vjen një urdhër nga lart :  “Skënderbegas Bashkim Kozeli, të jetë në orën 18.00 në Teatrin e Operas dhe Baletit (sot Akadamia e Arteve) për të recituar vjershën “Unë kam një tjetër Nënë” në koncertin qeveritar me rastin e 7-8 Nëntorit.”. Më lajmëruan të shkoja urgjent tek kapter Nokja, i cili më dha për të veshur një uniformë të re të sapo hekurosur dhe me

qafore të qepur bukur, duke më thënë të paraqitem në zyrën e komandantit të shkollës, kolonel Luto Haxhiut. Komandanti, pasi më kontrolloi me imtësi pamjen e jashtme, më tha ku do shkoja dhe do recitoja para shokut Enver Hoxha. Më uroi të nderoja veten dhe shkollën.

Dola nga shkolla si sonanmbul, ecja dhe nuk e besoja atë që më kishte thënë komandanti. Arrita sakaq në shtëpi për të gëzuar vëlla Begatorin. Ai nuk ishte. Piva një gotë ujë për t’u qetësuar.

Në orën 17.30 u ndodha para Teatrit të Operas. Ishte errësuar dhe binte një shi i hollë. Iu afrova njërit prej policëve që kishin rrethuar Teatrin dhe i fola pse kisha ardhur. Si dukej, nuk i mbusha syrin dhe më tha mos e kam ngatërruar adresën me Pallatin e Pionierëve.

Rastësisht kalon për të hyrë një civil me disa letra në duar… Nuk e di si m’u dha dhe iu drejtova atij. Më pyeti për emrin. Ia dhashë. Ai pa një listë në ato letra dhe më mori me vete.

Filluan emocionet, prisja të më çonte drejt e në skenë. Ai më futi në një holl bodrumi mbushur me artistë. Dikush i binte pianos. Një grua bënte vokalica. Një balerin, pirueta. U hutova nga kjo pamje… Ndërkohe me afrohet një pjesëtare e korit, mësuesja ime e muzikës e shkollës “11 Janari” Adlije Tartari (mamaja e Kreshnikut), bashkë me solisten e këngëve popullore Drita

Papajani, të cilës i kishte folur për mua e motra, mësuese e rusishtes në Shkollën “Skënderbej”.

– Ja, ky është nxënësi im!- i tha mësuese Adlia.

– E di, më ka thënë motra që reciton shumë bukur.

Ato më sqaruan se lart në sallë po bëhej mbledhja solemne dhe pas mbledhjes do të jepej koncerti. Befas Drita Papajani lëshoi një “Uau!” duke më parë në fytyrë dhe tha :

– Kështu ti do dukesh si limoni nga prozhektorët. Duhet pa tjetër të bësh makiazh.

Dhe menjëherë nxori nga çanta të kuqin e buzëve dhe më leu faqet. Balli im prej ushtaraku u mbulua me bula djerse prej turpit. U dëgjua një zë: “Mbledhja mbaroi. Të gjithë në skenë!”

Në skenën e madhe me perden e mbyllur hipën në disa shkallë, pa bërë zhurmë, kori i Operas.

Mua më afrohet konferencieri që do prezantonte programin, Shuaip Kripa, një burrë i hollë me zë baritoni, dhe më flet :

– Dëgjo, skënderbegas. Koncertin do ta hapë kori i Operas me katër këngë. Pasi të mbarojë kori, do mbyllet perdja. Unë do dal anash në paraskenë të të prezantoj , ti do dalësh në mes ku

bashkohen perdet për të recituar. Qartë ? Tunda kokën që e kuptova dhe më filluan “ethet”…

Mendoja si do t’i zotëroja emocionet para Enver Hoxhës. Sapo kori mbaroi katër këngët dhe u mbyll perdja, doli prezantuesi e tha: “Dhe tani, nga skënderbegasi i vogël Bashkim

Kozeli do dëgjoni vjershën “Unë kam një tjetër Nënë”, reciton vetë autori”. Fillova të hyj mes perdeve të mëdha vishnje. Për një çast humba midis tyre. M’u shtua më keq ankthi dhe emocioni. Por kur dola pata shans prozhektorët e fuqishëm që më verbuan dhe nuk dalloja asnjë njeri. Kjo atmosferë e mjegullt më ndihmoi të mblidhja veten. Fillova recitimin qetë dhe

mallëngjyes për Nënën time dhe e mbarova me zë kushtrues për Nënën Parti..

Duatrokitjet… breshër. U ktheva në prapaskenë i përlotur, ku më pushtuan artistët

me puthje e përqafime. Duartrokitjet në sallë vazhdonin. Ndërkohë më afrohet prezantuesi Shuaip Kripa dhe më porosit të dal dhe t’i falënderoj spektatorët më kokë, pa recituar

prapë. Ashtu bëra. Duatrokitjet… përsëri breshër. Isha më i lumturi në botë, më kishte dëgjuar Enver Hoxha.

* * *

Pëveç lëndëve të gjimnazit dhe përgatitjes ushtarake në shkollën “Skënderbej”, ne kryenim dhe marshime në gjurmët e Luftës Antifashiste, të cilat na kultivuan dashurinë dhe

vetmohimin për Atdheun, si dhe frymëzim e nderim të thellë për të rënët. Aq sa, trashëguar nga skënderbegasit e luftës, na u bë shprehi betimi: “Për gjakun e shokëve!”

Po ashtu, zhvillonim aktivitete të përbashkëta me shkollat e mesme të kryeqytetit, si gara sportive, festivale, olimpiada teatrore, piknike etj. Lidhjet më të ngushta i kishim me gjimnazin “Çajupi” dhe Shkollën Pedagogjike, me të cilat organizonim dhe mbrëmje vallëzimi. Ktheheshim në shkollë duke parë në ëndërr vajzën me të cilën kishim vallëzuar…

* * *

Po afrohej 28 marsi, dita e krijimit të shkollës “Skënderbej”. U mendua që për festën të shfaqej drama “Suvorovasi” (si tek ne, “Skënderbegasi”), e një autori sovjetik, që bënte fjalë për

një fëmijë pjesëmarrës në luftë dhe vështirësitë që has pas lufte për të mësuar në shkollën e kadetëve. Aktori i Teatrit Popullor, Seit Boshnjaku, që kishte në patronazh shkollën tonë, ma besoi mua rolin e suvorovasit. Ishte hera e parë që para spektatorëve nuk isha Bashkimi.

Aty mësova si t’i përshtatesh personazhit. Recitimet e mëparshme më vlejtën shumë, sepse isha në gjëndje të theksoja batutat në çastin e vendin e duhur. Shfaqja u prit me sukses. Por jo si duartrokitjet në recitimet e vjershave. Atë ditë humba dhe një ëmbëlsirë…

Shoku i klasës, Timo Luto, që ngjanim me njëri-tjetrin, afrohet tek kuzhina. Kuzhinieri i shëndoshë e faqekuq Qiriakua, sa e pa, e pandehu për mua dhe i dha një ëmbëlsirë duke e uruar për shfaqjen. Ndërkohë unë kaloj rastësisht dhe Qirakua që më njohu tamam, i thirri Timos t’ia kthejë ëmbëlsirën se e kishte të fundit. Por Timua iku me vrap dhe, duke ngrënë, më përqeshte mua. Të tilla çapkënllëke bënin shpesh skënderbegasit. Edhe unë mësova diçka prej atij mjedisi djemsh të shkathët që nuk e shisnin shokun. Bazë “strehimi” kishim infermierinë. Kur nuk

mësonim ndonjë lëndë, hiqeshim si të sëmurë, duke fërkuar termometrin me batanien e leshtë, të cilin e çonim deri në 38 gradë.. . Nuk kam qënë ndonjë tifoz i përvëluar sporti, por një

mbasdite shoku i klasës Kristaq Çitua dhe një i vitit të tretë më mbushën mendjen për të parë ndeshjen e boksit, tek ringu afër urës te Rruga e Elbasanit. Ndeshej Todi Janku me Ahmet

Golemin. Për të dalë nga shkolla, vumë ca gurë të mëdhenj dhe kapërcyem fshehurazi murin i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve (ishin bashkë të dy shkollat). Në ndeshje thirrëm sa u ngjirëm për Ahmet Golemin e “Partizanit”, por kur po ktheheshim na u prenë gjunjët… Muri

i shkollës nga jashtë ishte i lartë dhe s’mund të ngjiteshim. U detyruam të hynim nga postblloku. Nënoficeri i rojes na kërkoi fletë lejet. Kristaqi i shkeli syrin miqësisht që të na lejonte të kalonim, por ai ishte nga të Shkollës së Bashkuar dhe telefonoi oficerin e rojes. Oficer roje atë nate paskish qënë vëllai im Skënderi, (pedagog artilerie në atë shkollë).

Nënoficeri i përmendi tre emrat tanë. Skënderi i thotë që dy të tjerët të hyjnë, ndërsa unë të shkoja tek ai. Ia dija rreptësinë dhe natyrën shpërthyese, ndaj hyra

dhe prisja ndonjë shuplakë. Por ai kish ulur kokën dhe po firmoste fletën time për në

dhomën e izolimit, plot tri ditë. Pa ngritur krye, i bëri shenjë nënoficerit të më shoqëronte për në vendin e dënimit. Ato tri ditë nuk m’u ndanë dy shokët… Më sillnin ushqime dhe kurabie nga të kuzhinier Qiriakos.

* * *

Vitet në shkollën “Skënderbej” më vlejtën sa askund tjetër për t’u kalitur fizikisht dhe për të formuar personalitetin dhe dinjitetin tim. Si ushtarak u edukova të jem i gatshëm t’i bëj ballë çdo detyre. Edhe si krijues gjatë këtyre viteve botova poezi në gazetën

“Luftëtari” e revistën “10 korriku”. Në mbrëmjen e maturës recitova këto vargje, të cilat, më

vonë i futa në poemën “Ne skënderbegasit” : Të nderuar mësues e komandantë!

Ju jeni për ne model i artë…

S’ju kishim thjesht eprorë e profesorë,

por dhe vëllezër, edukatorë.

Ia njohëm Shqipërisë gjeografinë,

lumenjtë, fushat, malet, detet…

Ia njohëm popullit historinë,

shpirtin bujar, gëzimet, dertet…

Ju na mësuat të Drejtën e Lirisë,

për çka i duhet njeriut të gëzojë.

Ju na mësuat shkallën e hierarkisë:

“Kush nuk urdhërohet, nuk di të urdhërojë.”

Mirënjohje eprorë të dashur ngado jini!

Fisnikë me thinja e shpirt të paplakur.

Ju na rrëfyet kush ishim e nga vinim,

ndaj Ju për ne do mbeteni orakuj !