Bashkim Koçi: Kapo Lena, komandanti i Batalionit “Vënccë – Sulovë”

1720
Sigal

Në Revolucionin e Qershorit ai u shfaq si një fanolist i devotshëm dhe besnik

Për Kapo Lenën, komandantin e batalonit “Vërçë-Sulovë”

Nga Bashkim Koçi

Njerëzit janë si librat dhe jo rrallë, njërin apo tjetrin, e gjykojmë nga kopertina, pa lexuar historinë e vërtetë të jetës së tyre. Këtë konstatim, i cili për shkaqe të ndryshme njerëzore të sjell paksa lëndim e trishtim shpirtëror, e gjejmë tek një pjesëmarrës aktiv në Luftën e Dytë Botërore, tek luftëtari nga fshati Rashtan i rrethit të Gramshit, Kapo Lena. Jo se ai dhe familja e tij janë të ndjerë “të harruar” për atë çka ai dha në luftë e mbas saj, por për shkak të disa keqdashësve, të disa kalemxhinjve të pështirë, të cilët po bëjnë përpjekje të sforcuara për të baltosur historinë e florinjtë të Luftës tonë Nacionalçlirimtare dhe të individëve të veçantë që e bënë këtë Luftë. Ata, pra kalemxhinjtë e xhindosur nga dhimbja që ndjejnë pse gjatë luftës kundër pushtuesve baballarët e tyre u rreshtuan në krahun e gabuar të historisë, kanë ngritur krye dhe janë trimëruar shumë, i kanë ngritur veshët duke mprehur lapsin për të falsifikuar ngjarjet që kanë ndodhur këtu e tre çerek shekulli më parë. Kjo po ndodh ndoshta edhe nga “liria e fjalës” që u ofron njerëzve pluralizmi. Pra, i lë të lirë për t’u shprehur, për të thënë edhe të pavërteta, madje nga ato që i bëjnë të ndjehen të diskredituar përpara historisë e njerëzisë.

Këtyre teveqelëve, nëse do të ishte gjallë Shefqet Musaraj, do t’u citonte strofën e parë të poemës “Epopeja e Ballit Kombëtar”.

“U mbyt gjemia/Me federalë.

– Vraponi burra,/Kush mund të dalë”

Pra, ata po “vrapojnë” për të kthyer mbrapsht historinë e luftës, fitimtarët t’i klasifikojnë si humbës e humbësit si fitimtarë. Ja, ky kallëp “historianësh” guxuan për të listuar edhe Kapo Lenën si “kriminel lufte”! Dhe Kapo Lena, në atë listë për faqe të zezë për shqiptarët e ndershëm, mban numrin 102 dhe renditet menjëherë pas luftëtarit e mendjendriturit skraparas, Kahreman Yllit. Në atë klasifikim, siç e dimë të gjithë, gjenden edhe emra dëshmorësh, të cilët e dhanë jetën në luftë me pushtuesit, edhe emra të “Heronjve të Popullit” e të dhjetëra kuadrove e drejtuesve kryesorë të formacioneve partizane të cilët ,më 29 Nëntor të vitit 1944 i sollën Shqipërisë çlirimin nga bisha nazifashiste.

 

Historia e këtij njeriu të thjeshtë

Por le të qëndrojmë tek luftëtari Kapo Lena, tek historia e këtij njeriu të thjeshtë gramshiot, i cili sa qe gjallë mbeti i admirueshëm për të gjithë, njeri që meritoi të ishte arkitekt i fatit të tij. Ai lindi, në vitin 1893, në fshatin Rashtan në një familje ku rrënjët e patriotizmit dhe atdhedashurisë ishin të thella dhe të ushqyera e mbajtur gjallë me shumë dashuri nga breza njerëzish. Gjyshi, stërgjyshi e të tjerë më tutje të këtij fisi nuk bënë kurrë sehir në ngjarjet madhore të vendit, por u gjendën aty për të ndihmuar e kontribuar ashtu si ua thoshte zemra. Për shpalljen e pavarësisë në vitin 1912, në luftën e Vlorës në vitin 1920 e në të tjerat më pas, ndjenjat patriotike nuk humbën e nuk u shuan, por të tjera erdhën e u shtuan duke lartësuar emrin e fisin Lena. Kapo Lenës iu dëgjua emri si patriot e revolucionar qysh në qershor të vitit 1924. Në Revolucionin e Qershorit ai u shfaq si një fanolist i devotshëm dhe besnik, i vendosur për të qenë përkrahës i lëvizjeve progresiste. Më pas aktiviteti i tij, si shqiptar me ndjenja të pastra, i cili përjetonte me shpirt e zemër çka i kanosej vendit, do të ndjehej i vdekur nëse nuk do të reagonte fuqishëm kur mësoi lajmin e pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Dhe rrezikun e sulmit fashist Kapo Lena e mësoi fiks më 7 prill të vitit 1939. Sigurisht ai tashmë ishte moshë e pjekur dhe ishte fuqiplotë për të “ngritur trarin” nga ku do të niste lëvizja për të vepruar me urgjencën që kërkonte situate e krijuar. Dhe bashkë me bashkëfshatarët e tij të Rashtanit u bënë të niseshin drejt Nënprefekturës për të kërkuar armë e municion, e pastaj të përballeshin me forcat pushtuese. Sesi u pritën nga nëpunësit e shtetit, nga zyrtarët që tashmë ishin të tradhtuar edhe nga ai palo mbret, siç ish Ahmet Zogu, dihet sepse është shkruar e zeza mbi të bardhë. Sidoqoftë nuk bëjmë keq nëse e sjellim në këto rreshta kushtuar luftëtarit Kapo Lena. “Të ruajnë qetësinë dhe patriotizmin”, u thanë “patriotët” zyrtarë, të cilët ndjeheshin të kapur e të helmuar nga porositë që u kish përcjellë Naltmadhnia ditën kur kish marrë arratinë.

Në një moment të rrugëtimit çdo familje, por edhe individë brenda saj, kuptojmë se janë rritur, kuptojnë se diçka gjatë rrugës i ka bërë të vetishëm për misione të reja që i sjell koha. Ashtu siç ndodhi me Kapo Lenën, i cili guxoi të ish ndër të parët pjesëmarrës në formacionet partizane që vepronin në Gramsh e zonat e tjera përreth, të përfshira në luftë kundër okupatorit pushtues. Kapo Lena nuk u gjend rastësisht pjesë e grupimeve që u organizuan për të luftuar, por sepse ai e ndjente shpirtërisht, i bënte thirrje ndërgjegjja se atdheu i pushtuar nga Italia fashiste duhej çliruar. Pra ishte detyrë e tij, ishte mision i çdo shqiptari të ndershëm për t’i dalë zot fateve të vendit. Në këto kushte, pra të një Shqipërie të okupuar dhe të kërcënuar nga pushtuesi, edhe një njeri që i ka duart e lidhura me zinxhirë mund të bëjë diçka për të treguar se ai i përket vendit të tij. Kapo Lena, duke e konsideruar atdheun vendin ku u lind, ku preheshin prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit, e kishte bindje të brendshme, si një thirrje e gjakut të të parëve, se nuk do të lodhej kurrë për të bërë gjënë e duhur për të, ca më shumë kur ai rrezikohej të bëhej pronë e të huajit, e Italisë fashiste. Ka qenë periudha 31 janar-2 shkurt e vitit 1942, kur ai, bashkë me luftëtarë të zonës së Vërçës, të çetave partizane të Mokrës, Gorë-Oparit e Skraparit, të godisnin postën e Snosmit ku u zhvilluan luftime shumë të ashpra dhe pas 8 orësh luftimesh pa ndërprerje, në Snosëm e Kodovjat, forcat fashiste u shpartalluan përfundimisht.

Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i pa orientuar dhe i mbytur nga gjërat e vogla që i dalin përpara. Kapo Lena u përkiste atyre njerëzve që shikonte lart dhe larg, përtej horizontit që i kapte syri. Ishte mençuria dhe vendosmëria e tij që sapo u informua për formimin e batalionit partizan Vërçë-Sulovë, të inkuadrohej në këtë formacion luftarak. Në radhët e këtij batalioni famëmadh Kapo Lena mori pjesë në të gjitha luftimet si partizan i thjeshtë e ku u dallua për vendosmëri të pashoqe, luftëtar që nuk i druhej rrezikut të plumbit të armikut. Por ky pozicion nuk zgjati shumë. Pas Operacionit të Qershorit të vitit 1944, me organizimin e Batalionit Vërçë-Sulovë më 29 qershor të atij viti, ai u emërua komandant i këtij batalioni, detyrë që e kreu me kompetencë deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Deti i qetë kurrë nuk përgatit një marinar të aftë. Kapo Lena gjatë periudhës së luftës ishte gjendur shpesh në kushte të vështira, por kurrë nuk u dorëzua përpara të keqes. Ai ishte nga ta burra që rrëzohej shtatë herë, por ngrihej tetë. Ishte kjo njohje, ky vlerësim që ai në fillim të prillit të vitit 1944 të caktohej Komandant i Komandës së Vendit në komunën e Kukurit, me qendër në Kishtë. Në këtë pozicion paksa të vështirë, nëse kemi parasysh problemet delikate të periudhës së pasluftës, Kapo Lena u formua dhe e ngriti lart autoritetin e tij në popull, duke e kryer detyrën sipas një filozofie të tij të përvetësuar gjatë viteve të luftës se edhe në jetën e përditshme nuk ka probleme të mëdha, por ka vetëm shumë probleme të vogla të cilat gjejnë zgjidhje me përkushtim e seriozitet të madh.

Kapo Lena ishte njeri optimist. Në çdo vështirësi që i kanosej për ta rrëzuar ai shihte mundësi për ta kapërcyer dhe për të hedhur hapa të tjera për më tutje. Ishin vitet kur ish Komandanti i Batalionit “Vërçë-Sulovë” të linte përgjithmonë gradat dhe ofiqet, të braktiste karrigen e drejtuesit të rëndësishëm e pagat e majme dhe të shkonte në fshat, aty në Rashtan, për të punuar si gjithë të tjerët, arave ku mbillej e korrej. Në këtë pozicion paksa të vështirë për opinionin që e rrethonte ai pa punën e tij dhe nuk u ligështua apo të bënte servilin për të kapur ndonjë vend pune nëpunësi, gjë që për kontributin që kish dhënë në luftë edhe i takonte. Jo, ai nuk e bëri këtë kurrë. Kapo Lenën e shikoje të zbriste nga Rashtani në Gramsh vetëm një herë në vit, në çdo 18 Gusht, ditën që festohej çlirimi i Gramshit. Madje ngjitej në tribunë me thjeshtësinë që e karakterizonte, ashtu si ai njeri i cili ka marrë në jetë atë çfarë ka dëshiruar.

Ishte rastësi që Kapo Lena shpëtoi e nuk u vra gjatë luftës, siç u vranë vartësit e tij si Shefqet Guzi apo Afëz Berbiu dhe shumë partizane të tjerë të batalionit. Nëse ai do të kishte rënë në luftë sot mund da ta kishte varrin aty ku prehen dëshmorët e tjerë të Atdheut. Fatmirësisht ai jetoi gjatë dhe u nda nga jeta në vitin 1995, në moshën 102 vjeçare.

Shpirtrat e të drejtëve, sipas Sokratit të lashtësisë, janë edhe të pavdekshëm, edhe hyjnorë. Besoj se te ky grup njerëzish është edhe Kapo Lena, ish-luftëtari dhe Komandanti i Batalionit “Vërçë-Sulovë”. Si një burrë i zgjuar, trim e bujar, cilësi këto që e bënin të ishte njëri ndër nga më të respektuarit e zonës, Këshilli bashkiak e Bashkisë Gramsh, për meritat e tij në luftë dhe në punë, me një vendim të posaçëm, e ka shpallur Kapo Lenën “Qytetar Nderi”, por edhe e ka përjetësuar, duke i ngritur një bust në një nga mjediset ku ndodhet lulishtja më e populluar e qytetit Kapo Lena është dekoruar edhe me shumë urdhra e medalje si ajo e “Çlirimit”, e “Kujtimit”, e “Trimërisë” dhe vlerësime të tjera për kontribute të çmuara si veteran e Luftës Nacionalçlirimtare.