Bashkim Koçi: “Heroi i Popullit” Kozma Naska, guerilasi më i guximshëm, atentatori që u kalli frikën armiqve

224
Sigal

 

 

“Si u rrit një komisar”

“Ardhja e partisë Socialiste në pushtet me programin e saj, ku merrej përsipër mbrojtja e Luftës NÇ dhe ideali i dëshmorëve të atdheut, na mbushi me shpresë e optimizëm se do të pastrohej balta e madhe që i ishte hedhur hisorisë së saj. Prisnim të vazhdonte aktiviteti, dinamika dhe fryma luftarake që kishte treguar kur ishte në opozitë. Me kalimin e kohës po kalohej në inferioritet, pasivitet, për të mos thënë se çfaqej frikë për korigjimin dhe ndryshimin e veprimeve të padrejta e antiligjore. Madje vazhdoi praktika e heqjes së emrave të dëshmorëve në shkolla apo rrugë, duke i zevëndësuar me emra fashistësh e njerëz pa kontribute. Shkurt, shumë u fol e pak u bë e po bëhet.”

“Ditën që ai ra si hero, batalioni i parë i Brigadës së II-të Sulmuese mori emrin “Kozma Naska”. Pas çlirimit u nderua me të gjithë urdhrat e medaljet dhe me rastin e 30 vjetorit të rënies iu dha titulli i lartë “Hero i Popullit”. Për Kozma Naskën është realizuar një film me skenar të Dhimitër Xhuvanit e regjisor Spiro Duni, është shkruar romani “Si u rrrit një komisar” nga Akademiku Bedri Dedja, pa përmendur poezi, këngë e piktura nga autorë të ndryshëm.”

***

Ai u bë guerilasi më i tmerrshëm, atentatori që u kalli datën të gjithë atyre elëmentve të cilët “inteligjencën” e kishin vënë në dispozicion të krimit

Jo vetëm për një “Hero të Popullit”, jo vetëm për Kozma Naskën

 Bashkim Koçi

Si pjesë e kësaj shoqërie, e këtij sistemi që ende nuk e dimë ç’është e ç’emër t’i vëmë, edhe pse kanë kaluar si pa u ndjerë tri dekada, pra 30 vjet, si shumë e shumë të tjerë edhe unë ndjehem i zhgënjyer dhe, për fat të keq, më është mbushur mendja se jetojmë në një botë shqiptare të ligë që, siç thuhet në kësi rastesh, ka marë rrugën e dreqit. Ashtu si unë, pra në këtë përfundim, kanë dalë edhe të tjerë, nga të gjitha kategoritë e njerëzve kur e gjejnë veten jashtë çdo realiteti njerëzor të pranueshëm. Sepse janë të shumtë faktet dhe fenomenet që dëshmojnë për të dalë në këtë përfundim, në të gjitha sferat e jetës. Por një ndodhi e kohëve të fundit, e cila lidhet me trajtimin ligjor e moral të një dëshmori të Atdheut, të “Heroit të Popullit” Kozma Naska, shëmtia mori përmasa të frikëshme, që bëjnë pis të gjithë shoqërinë dhe ngrehinën e shtetit. Gjithkush që u njoh me atë marrëzi, nga ato që ne i konsiderojmë “të zakonëshmet”, ngjarje rutinë, sepse ndodhin gati çdo ditë, i trazoi shpirtin e i ngjalli neveri, në mos na përforcoi bindjen për të konkluduar sesa thellë i ka hedhur rrënjët shteti i rrumpallës.

Po çka ndodhur me “Heroin e Popullit” Kozma Naska tani pas shumë vitesh kur ai prehet atje bashkë me të tjerët në altarin e lirisë? Përpara se të tregojmë ngjarjen, mendojmë se është domosdosmërisht e nevojshme për të marë informacionin e duhur, të njihemi paksa me jetën nga më të pazakonshmet, nga më heroiket të Heroit, të dëshmorin të atdheut Kozma Naska. Pra të bëjmë atë që t’i hiqet sadopak pluhuri i harresës për ata që nuk e njohin dhe të rikujtojmë atë çka ai i ka dhënë vendit, Shqipërisë e që për të gjitha ato vuajtje e sakrifica tej njerëzores është nderuar me titullin më të lartë “Hero i Popullit”. Ca më shumë është i nevojshëm ky informacion kur Kozma Naska u vra në luftë për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit nazifashishtë më 24 Janar, në atë janarin e largët të vitit 1944, pra këtu e 77 vjet më parë. Nuk janë pak, janë shumë vite. Qoftë vetëm për këtë të dhënë lexuesi, opinioni publik apo kushdoqoftë, i duhet të dijë dhe të njihet në detaj me heroizmin e tij, me të gjithë veprimtarinë patriotike e revolucionare që do ta çonin një ditë ballë për ballë në grykën e pushkës së pushtuesit, të ndeshej me të, duke guxuar të harronte jetën, të harronte moshën e tij fare të re, vetëm 23 vjeç, në këmbim për të arritur gjënë më të çmuar, siç ishte në ata vite lufte çlirimi i vendit nga pushtuesit.

Familja Naska ka një histori dhimbjesh, por falë qëndresës për të ruajtur emrin e mirë nuk u dorëzua që nuk u dorëzua, deri sa erdhi një ditë që ky emër fisi i zgjedhur si me dorë të lartësohej dhe të shquhej ndër të tjerë për cilësi të çmuara patriotike e njerëzore. Rrënjët e saj janë të lashta, por në këtë rast nuk kemi hapsirë për të numëruar një e nga një ngjarjet, shpesh të rënda,të mundimëshme e rrenqethëse, por arsyetojmë për të qëndruar tek njëri nga ata, tek i pari në radhë në lëvizjen patriotike të kohës, tek Todi Naska e pastaj tek heroi ynë, tek i biri, Kozmai.

Todi Naska, për aq kohë sa punoi e jetoi në qytetin e Beratit, njihej si “Todi Marangozi”. E kish përfituar këtë emërtim të bukur nga profesioni që kishte, nga punët që kryente për të punuar drurin brenda një dyqani të vogël, të sajuar sa për të ngjizur diçka me duart e tij të arta. Todi Marangozin profesioni e kishte bërë goxha të njohur në qytetin e një mijë e një dritareve dhe, falë karakterit të tij të drejtë e rrebelues, mbahej e trajtohej si ujët e pakët nga elementët përkrahës të lëvizjeve të mëdha, kryengritës, por sidomos nga degët e shoqërive patriotike që kryenin veprimtari të organizuara në Berat siç ishte, fjala vjen, shoqëria “Bashkimi” e themeluar nga patrioti i madh Avni Rustemi. Zdrukthtaria e Todi Naskës njihej në të gjithë kazanë si qendra ku mblidheshin veprimtarë të shquar beratas, emrat më në zë të qytetit, duke përfshirë edhe personalitete që më pas do të ishin zemra e lëvizjes dhe përhapësit e librave e të mësimit shqip. Todi Marangozi mbante dhe kryente punët më delikate, të cilat shpesh i rrezikonin jetën. Emri i tij ishte shumë i njohur, aqsa edhe mësuesi mendjendritur, Babë Dudë Karbunara, e njihete personalish Todi Marangozin. I kishte mësuar të shkruante e të lexonte shqip e madje, për veprimtarinë e tij të vyer si atdhetar, kthimin dhe përshtatjen e dyqanit në mjedis takimesh e shpërndarjesh të materialeve që përbënin “rrezik” për qeverinë, Babë Duda e kishte pagëzuar marangozin si Todi Patrioti.

Në këtë mjedis krejt të palumtur për familjen, erdhi në jetë fëmija i parë i Todi Naskës, Kozmai i cili, më i madhi ndër tetë fëmijët, bëri emër të madh. Ai u lind më 23 Nëntor të vitit 1921, në një banesë nga më të zakonshmet, poshtë malit shkëmbor të Kalasë së Beratit. Ndoshta vendi ku u lind Kozmai, rrethanat dhe vështirësitë ekonomike, apo edhe hija e të atit, Todit, i cili ishte vazhdimisht në lëvizje për punët e vështira që kryente, duhet t’i kenë afruar Kozma Naskës qyshsa ishte ende i parritur, mundësitë për të zbuluar aftësi të thella brenda vetes, të cilat zakonisht vijnë kur jeta të angazhon së tepërmi, tej mundësive për t’u bërë ballë. Dhe angazhimin “së tepërmi” Kozmai fare i njomë, i cili nuk kuptonte se çdodhte e çbëhej rreth e rrolull, e shikonte tek babai, tek miqtë dhe shokët e tij që bujtnin në “selinë-zdrukthtari” ku takoheshin gati përditë e ku kryefjala e bisedave ishte regjimi antipopullor, fukarallëku dhe injoranca, të identifikuara të gjitha këto tek jeta që kish gjynjëzuar shtresat e varfëra, shtresën ku bëntë pjesë edhe i ati, Todi Naska. Por ndryshe nga të tjerët Todi nuk u përmbajt dhe nga dhimbja e padrejtësive që i bëheshin, një ditë guxoi të dilte hapur kundër Vrionasve, familjes ku shërbente, atyre që e kishin punësuar, të cilët një ditë, pa e paralajmëruar , ia mbyllën dyqanin, duke e lënë në mes të katër rrugëve. Veçse Todi Naska kishte një gjë që e mbante gjallë, optimizmin. Këtë ia kishte bërë me dije edhe të birit, Kozmait. Eshtë parësor optimizmi për t’ia dalë, biri im,i kishte thënë në çastin kur e gjeti dyqanin të mbyllur. Gjithashtu është bazë për të qenë i guximshëm dhe për të mbritur tek ai që ju rinia e quani progresi i së vërtetës.

Jeta, si për këdo, edhe për Todi Naskën solli të papritura. Duke iu rikthyer të kaluarës, origjinës së largët të prindërve, të cilët dikur, vite e vite të shkuara kishin zbritur në Berat nga Shpati i Elbasanit, vendosi të rikthehej familjarisht në Elbasan, duke menduar se me profesionin që kish e që e donte shumë, atë të punës me drurin, do të bënte prokopi, do të mundëte të ushqente familjen, tashmë goxha të madhe, me tetë fëmijë. Por nëse ndjekim rrjedhën e jetës të Kozma Naskës, duhet të themi që kjo lëvizje e familjes drejt Elbasanit vërtet ishte e papritur, por brenda saj qëndronte një mrekulli, prej së cilës nuk mund të fshiheshe, madje do të ishte nxitje nga mund të udhëhiqeshe për ca punë të mëdha. Sepse “ca punë të mëdha” për Kozma Naskën ishin jo vetëm mbarimi i shkollës qytetëse dhe rregjistrimi për të vijuar shkollën Normale, por edhe ca “ide të mëdha”, të cilat e befasuan, sepse ishin të panjohura më parë. Ai fare natyrshëm u bë pjesë e lëvizjes nacionalçlirimtare, duke marë përsipër detyra të cilat në thelb ishin pjesë e trashëgimisë prindërore për çështje që kishin të bënin me qëndresa, e që në radhë të parë kërkonin sakrifica e mundim të madh.

Kozma Naska, nëse jeta e tij e shkurtër studjohet e “copëzuar”, duke e parë të pashkëputur nga objektivi i tij final, siç ishte lëvizja për ndryshim shoqëror e më pas pjesmarrja në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë, përbën një fenomen të çuditshëm, i cili formaton e kompleton shpirtin e madh të një njeriu që udhëhiqej nga rezistenca për ndryshim. Heroi ynë, Kozma Naska, gjakosjen e parë e provoi më 30 tetor të vitit 1939, në moshën 20 vjeçare, në demostratën mbarëpopullore në të cilën u zbras fuqishëm dëshpërimi i qytetarëve elbadsanas ndaj regjimit. Më pas, ditë pas ditë e muaji pas muaji, ky djalosh, shumë i aftë e besimplotë për të përballuar vuajtje në emër të dashurisë për të drejtën, u rrit e u burrërua, duke arritur të bëhej me emër dhe të tregohej me gisht nga të rinj e të rritur se “ky është ai që s’të fal për padrejtësi, ky është ai që ka guximin të qërojë hesapet me batakçinjtë, me të shiturit që mbushin xhepat në kurriz të njerëzve të pambrojtur”. Gjatë kësaj kohe të turbullt, e cila dominohej nga element keqbërës, Kozma Naska u bë guerilasi më i tmerrshëm, atentatori që u kalli datën të gjithë atyre elëmentve të cilët “inteligjencën” e kishin vënë në dispozicion të krimit. Eshtë koha kur Kozma Naska ishte caktuar komisar i njësive guerile të qytetit të Elbasanit. Njësiti gueril kreu disa aksione të cilët, për nga pesha dhe rëndësia ngritën në alarm Ministrinë e Brendëshme, vet ministrin Musa Juka, i cili një nga aksionet, atë të sulmit ndaj kuesturës, dëmet materiale dhe demoralizimi që iu shkaktua trupës sëmilicicisë, e përcolli se veprim “të 50 banditve që duheshin eleminuar si të rrezikshëm për qeverinë”. Por Kozma Naska tërë mllefin e kishte për të qëruar elementë që i shërbenin qorrazi qeverisë kujslinge apo pushtuesit për një grusht para. Mbahen mend dy atentate të kryera personalisht nga Kozma Naska. I pari ishte ai i një avokati elbasanas, i cili orientoi forcat fashiste për një operacion hakmarrës, pas disfatës që pësuan nga partizanët e Çetës së Bab Myslimit në Pezë, dhe tjetri, një spiun që i shërbente agjenturës greke. Në të gjthë këtë veprimtari të rrezikshme për jetën e tij, Kozma Naska orientohej nga vendimet që mereshin kolegjalisht nga strukturat e rinisë, ku një peshë të veçantë e zinte miku dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, sekretari politik i Qarkorit të Rinisë, Alqi Kondi. Kozma Naska, studenti i Normales, të cilën për shkak të luftës e ndërpreu, e la në mes, ishte bartës i ideve të mëdha nga të cilat shpesh befasohej vetëm për faktin se si nuk i kishte patur e njohur më parë. Ishte ky formim dhe opinion, tashmë i njohur nga shokët e aksioneve dhe bashkëluftëtarët, që më 28 nëntor të vitit 1943, ditën që në Shëngjergj të Tiranës u formua Brigada e II-të Sulmuese, Kozma Naska të caktohej komisar i Batalionit të Parë të brigadës. Vetëm pas pak ditësh, më 11 Dhjetor të vitit 1943, batalioni që drejtohej nga Kozma Naska mori detyrën për të lëvizur në drejtim të Gurit të Muzhaqit, Neshtë, Prevali e Lunik për të rrethuar dhe asgjësuar forcat armike. Një ditë më pas, më 12 Dhjetor, batalionit, në fshatin Prevallë të Çermenikës, iu krijua një situatë krejt e papritur nga banorët vendas, të cilët bashkëpunonin dhe ishin vënë në shërbim të pushtuesit. Sigurisht është krejt e pamundur të përmblidhet në pak rradhë aftësitë dhe shpirti prej luftëtari i Kozma Naskës, por çarmatosja dhe kapja e 22 robërve në Çermenikë, aksioni tjetër i 17 Janariti vitit 1944 pranë “Shkollës së Kuqe”, ku u asgjësuan e u vranë 25 xhandarë të regjimentit “Kosova” të udhëhequr nga Xhafer Deva, beteja e Brarit, ku edhe do të pushonte njëherë e përgjithmonë “së kënduari” automatiku i komisarit, për përiudhën aq të shkurtër, vetëm dy muaj pjesmarrës në luftë të organizuar, janë fakte që tregojnë dhe zbulojnë shpirtin e madh, bindjet dhe vendosmërinë e djaloshit Kozma Naska për të çelur një rrugë që nuk ekzistonte e që në këtë rrugë të mbeteshin edhe gjurmët e tij. Për fatin e tij të keq ai nuk arriti dot të shikonte dhe t’i gëzohej çlirimit të vendit nga pushtuesit, ashtu si luftëtarët e tjerë, ashtu si i ati, Todi, partizan e batalionit “Dumreja” apo Simoni, luftëtar aty ku bënte pjesë i vëllai, Kozma Naska. Por mirënjohja për atë çka ai bëri ndaj atdheut nuk mungoi. Ditën qëai ra si hero, batalioni i parë i Brigdës së II-të Sulmuese mori emrin “Kozma Naska”. Pas çlirimit u nderua me të gjithë urdhrat e medaljet dhe me rastin e 30 vjetorit të rënies iu dha titulli i lartë “Hero i Popullit”. Për Kozma Naskën është realizuar një film me skenar të Dhimitër Xhuvanit e regjisor Spiro Duni, është shkruar romani “Si u rrrit një komisar” nga Akademiku Bedri Dedja, pa përmendur poezi, këngë e piktura nga autorë të ndryshëm. Eshtë vendi të sjellim kontributin e jashtëzakonshëm të familjes Naska, djemtë dhe vajzat e së cilës morën pjesë në luftë, por ndërkohë kontribuan si askush tjetër në sektorë të ndryshëm ku u caktuan të punonin për dekada të tëra.

Po ku qëndron problemi, përse akuzon sot e gjithë ditën familja Naska, më i vogli i fëmijëve, Viktori, i cili është dëshmitar i gjallë i ngjarjeve të luftës nacionalçlirimtare, i viteve të pasçlirimit dhe i tri dekadave demokraci? Ai kontributin e familjes Naska, në luftë e në punë, e ka hedhur në një libër modest të shkruar me shumë dashuri për familjen e tij, duke perifrazuar Aristotelin se “E kam mik Platonin, por më mik kam të vërtetën”. Pra me gjakftohtësi e me zemër në dorë ka thënë ca të vërteta, të cilat janë të dhimbëshme, por që nxjerrin e hedhin dritë për dyfytyrësinë e pushtetarëve, për atë që ai i quan demagogë e vrastarë, njerëz që qëndrojnë në pushtet falë mjeshtërisë që dinë të mashtrojnë njerëzit e thjeshtë e të ndershëm. Këtë çka po themi le ta konkretizojmë me fakte, me qëndrimin dhe me trajtimin që i është bërë “Heroit të Popullit” Kozma Naska. Lapidari i ngritur në vendin ku ra heroi, në fshatin Brar të Tiranës e ku shkruhej : “Këtu, më 23 Janar 1944, ranë heroikisht në fushën e betejës Komisari i Batalionit të parë të Brigadës së dytë Sulmuese Kozma Naska dhe partizanët trima Besim Imami, Andrea Nami, Qazim Meta dhe Ymer Demiri”, nuk ekziston më, edhe pse e Majta, e cila ka 8 vjet që është në pushtet, bëri be e rrufe se çdo gjë do të rehabilitohej, madje do të bëhej më i mirë e më i bukur se kishte qënë. Në qytetin e Elbasanit, shkollës Industriale iu hoq emri që mbante, emrin e Kozma Naskës. Muzeu i Heroit dhe familjes Naska u prish dhe u shkatërrua plotësisht, pa u ndëshkuar kush, edhe pse ata që u hakmorën ndaj fitimtarëve të luftës Nacionalçlirimtare janë gjallë dhe shëtisin nëpër Elbasan. Pllaka e vendosur në qëndër të qytetit u thye, u bë copë e thërrime, si të hakmerreshin jo me familjen, por me “Heroin e Popullit” Kozma Naska. Hakmarrja ndaj kësaj familje arriti kulmin kur një nga pjestarët e saj, Mihal Naska, kryetar i organizatës së Veteranëve të Elbasanit, u nxor zvarrë nga zyra, e shoqëruan në polici, duke ja marrë e hedhur në rrugë dosjet ku ishin rregjistruar emrat të veteranëve të luftës e të familjeve të dëshmorve, të cilat më pas do të “gjenin strehë” në familjen e naskëllarëve. Po nga kjo familje, një tjetër pjestar me vlera të veçanta, Viktori, ai që edhe pse ishte vetëm 4 vjeç bëri burg bashkë me nënën Aspasi, i shkolluar në Akademinë Bujqësore ” Timirjazev” në Moskë, u flak në rrugë, e lanë pa punë. Madje e bënë “njeri me shenjë”, sepse mbante pozicionin e kryetarit të Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut.Tashmë ai ndjehet i zhgënnjyer, i pashpresë se një ditë do të vendoset autoriteti, drejtësia, nderi dhe respekti për ata që bënë luftën çlirimtare për të larguar pushtuesin. Për të qenë i vërtetëpër çka mendon vëllai i “Heroit të Popullit” Kozma Naska po citoj mendimet dhe opinionin e tij: “Ardhja e partisë Socialiste në pushtet me programin e saj, ku merrej përsipër mbrojtja e Luftës NÇ dhe ideali i dëshmorëve të atdheut, na mbushi me shpresëe optimizëm se do të pastrohej balta e madhe qëi ishte hedhur hisorisë së saj. Prisnim të vazhdonyte aktiviteti, dinamika dhe fryma luftarake që kishte treguar kur ishte në opozitë. Me kalimin e kohës po kalohej në inferioritet, pasivitet, për të mos thënë se çfaqej frikë për korigjimin dhe ndryshimin e veprimeve të padrejta e antiligjore. Madje vazhdoi praktika e heqjes së emrave të dëshmorëve në shkolla apo rrugë, duke i zevëndësuar me emra fashistës e njerëz pa kontribute. Shkurt, shumë u fol e pak u bë e po bëhet.”

Familja Naska, trashëgimtarët e saj me një numër të madh nipërish e mbesash, e kanë zemrën e madhe, janë idealistë me rrënjë ndaj edhe e kanë të vështirë të besojnë tek mosmirënjohja që tregohet ndaj njeriut të tyre, “Heroi të popullit” Kozma Naska. Dhe mosmirënjohja është, përveç të tjerash, shenjë mediokriteti, mosmirësjellje dhe “pasuri”, me pushtet apo pa pushtet, e njerëzve zemërzbrazët. Një nga “hakmarrjet” më të fundit ndaj “Heroi të Popullit” Kozma Naska është heqja me “marifet” e emrit të rrugës që mbahet me vite të tëra edhe për shkakun se ai aty ka kryer veprimtarinë më të spikatur, ku ka bërë disa nga aksionet si pjestar i njësitit guerril të qytetit të Elbasanit.Që të jemi të saktë e të vërtetë emri i rrugës “Kozma Naska” është dubluar me një emër tjetër, ndoshta njeri me konrtibute, por që nuk i afrohet, është shumë larg asaj të “Heroit të Popullit” Kozma Naska. Pse dhe si është marë një vendim kaq i padrejtë, për të bërë ndonjë qokë, apo për të venitur e lënë në hije emrin e një Heroit, mbetet që të gjykohet nga vendimarrësi, Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Elbasanit. Familjarët nga kjo që ka ndodhur së fundmi, ndjehen të fyer. I kanë shkruar vendimmarrësit, i janë ankuar edhe deputetit të Qarkut të Elbasanit, zotit Taulant Balla, por …

Ndryshimi i sistemit shoqëror nuk do të thotë të mohohet gjithçka dhe sidomos ajo për të cilën ne krenohemi para botës së qytetëruar, siç është lufta Nacionalçlirimtare. Të rezistosh për të mbrojtur vlerat, kjo është besnikëria, edhe pse në ndonjë rast është e dhimbëshme.