Bardhyl Hazizaj/ 79-vjet nga Kryengritjes, Fierit shtypja me dhunë nga Zog e heronjtë e Mallakastrës

1064
Sigal

 Trimi Jashar Cakrani, ishte atentatori i gjeneral Gilardit. Populli mbështeti masivisht luftëtarët

 Fshatarësia e Mallakastrës e urrente regjimin dhe pushtetin shtypës të Ahmet Zogut. Ajo nuk qe pajtuar me ‘të akoma pa ardhur në pushtet, edhe kur u bë Kryeministër, President dhe më vonë, kur u vetëshpall Mbret. Regjimi i Zogut e varfëroi fshatarin mallakastriot me taksat e larta e të shumta, me gjobat, ryshfetet, sjelljet e këqija e të padurueshme të nëpunëseve, kryeplakut, administratorëve në komuna, e deri tek prefekti, gjykatësi, prokurorët, avokatët, të cilët me sjelljet e tyre ishin bërë të padurueshëm në masën e fshatarëve. Më e theksuar kjo urrejtje bëhej te fshatari i varfër dhe i mesëm. Taksat bëheshin më të rënda kur kishte prodhim të pakët nga kushtet e këqija të motit, thatësira, dimri i ashpër, apo vitet me prodhim të ulët. Toka punohej me parmendë, nuk njiheshin plehra kimike, shërbimet e mbrojtjes së bimëve, shërbimi zooteknik, e shëndetësor. Djemtë e mallakastriotëve, veçanërisht ata të fukarasë shërbenin në ushtri mbi dy vjet nën kërcënimin e kamxhikut pa mbrojtje nga ligjet e shtetit, ku diskriminohej si qenie njerëzore. Ushtari përdorej si shërbëtor, ordinance e oficerit duke e kthyer në një hyzmeqar me uniformë me një trajtim të përbuzur e nënvleftësues. Në ushtri djemtë nuk mësonin asnjë zanat, nuk mësonin shkrim e këndim, dhe trajtoheshin në mënyrë çnjerëzore. Ahmet Zogut e ktheu Shqipërinë në një plaçkë tregu duke ja shitur herë Serbisë e herë Italisë fashiste….

Antizogizmi i Mallakastrës

Fshatarësia e Mallakastrës në vitin 1925 në Kuvend masiv, iu drejtua me “Peticionin” të firmosur nga përfaqësues të fshatarëve mallkastriot, si Halim Hamit Hekali dhe Durke Harrun Belishova, etj.. Për hakmarrje ndaj Mallakastrës, Zogu nuk bëri asnjë investim dhe marrëdhëniet në prodhim u lanë në stadin e mëparshëm të rendit feudal. Nuk u ngriti as shkolla, as spitale, as kopshte, as çerdhe, asnjë baxho për përpunim qumështi, as një fabrike ulliri, as rrugë, edhe rrugën nacionale Ballsh-Tepelenë e bëri me pune angari me punë të detyrueshme nga fshataret e pabindur. Edhe rrugën Koshovicë-Cakran e bëri me punë të detyruar e punë angari, pasi fondet dhe materialet për këto rrugë i vidhnin nëpunësit e administratës në mënyrë të paskrupullt. U vodhën jo vetëm mjetet financiare, por aty edhe veglat e punës, lënda e parë, punët filloheshin dhe me vite të tëra nuk përfundonin. Ai zëvendësoi gjithë nëpunësit e krahinës duke caktuar nëpunës nga krahina të tjera, shërbëtorë besnikë e agjentë të regjimit. Diskriminimi i popullit behej publikisht edhe xhandari u drejtohej fshatareve e thërriste: “E mor me’nder popull” dhe kudo që shkonte u tundte kamxhikun e shkopin para hundës njerëzve. Gushëkuqet (siç thirreshin xhandarët e Zogut) ishin bërë të padurueshëm, pasi ata shanin, ofendonin, rrihnin e torturonin njerëzit pa shkak. Regjimi zogist, duke shfrytëzuar fukarallëkun dhe mizerjen u përpoq shumë të prishte marrëdhëniet në Mallakastër, jo vetëm nëpërmjet diferencimit ekonomik, por edhe nëpërmjet grindjeve e mosmarrëveshjeve për probleme të ndryshme, por edhe me afrimin rreth vetes të disa ushtarakeve që i kish pasur shokë shkolle në Stamboll e në Vjenë siç qenë: Xhemal Aranitasi, Mustafa Aranitasi, Hysni Toska Luari, Idriz Dano Drizari, Adil Dervish Gjerbësi, Qamil Bejo Hekali e të tjerë. Nga këta jo të gjithë ju nënshtruan verbërisht, pasi pati të tillë si Mustafa Aranitasi që, kur vranë Avni Rustemin, ai urdhëroi ushtrinë të uli Flamurin ne gjysmështize dhe të mbaj tri ditë “zi kombëtare” duke e cilësuar Avni Rustemin “Hero Kombëtar”. Zogu e shkarkoi si Ministër të Mbrojtjes, Mustafa Aranitasin, dhe caktoi kushëririn e tij Xhemal Aranitasin me qëllim t’i vinte njërin kundra tjetrit. Por, disa krerë si Bektash Cakrani, Adil Dervish Gjerbësi e tjerë e kuptuan hilen e Zogut dhe u larguan prej tij. Si kundërpeshë Zogu, afroi edhe beri deputet Bektash Haxhi Corrushin dhe Kamber Belishovën. Duke shfrytëzuar marrëdhëniet e prishura të Bektash Cakranit me Hysni Toskën ai rriti në detyrë Hysni Toskën duke e bërë Kryeinspektor të ushtrisë. Dhe, për të provokuar fshehtas popullsinë mallakastriote, ai aktivizoi gjoja “komitin Isa Toska”, i cili vidhte, digjte, pasurinë e popullit dhe vriste ata që kundërshtonin. Isa Toska dogji e grabiti disa herë zonën e Mallakastrës dhe me pushtimin italo-gjerman ai u bë bashkëpunëtor me fashizmin e nazizmin)… Më 14 gusht 1935, populli u hodh në revolte dhe vrau frikën. Pjesëmarrja në revoltë e bëri ndarjen e atyre që ishin kundra regjimit, por njëkohësisht u bë edhe ndarja e atyre që bashkëpunonin në fshehtësi me Zogun, ata që punonin hapur dhe të tjerët që u vunë në shërbim të agjenturave të huaja, dikush u lidh me fashizmin italian. Qeveria e Zogut nëpërmjet agjenturës por edhe tradhtisë kishte rënë në gjurmët e kryengritjes, por nuk dinte momentin se kur do të fillonte... Më 14 Gusht 1935, në orët e para të mëngjesit vjen “rastësisht”  gjenerali kroat,  Gilardi, komandant i Gardës, besnik i Zogut, me shoqëruesin e tij dropullit me emrin Goga. Kjo rrethanë bëri që krerët e kryengritjes se Fierit të mblidhen urgjentisht pasi dyshonin se plani i kryengritjes ishte zbuluar dhe Gilardi kishte ardhur apostafat për të shtypur revoltën. Shtabi kryengritës nuk kishte njoftim për ardhjen e Gilardit dhe në këtë rrethanë ata vepruan me shpejtësi duke vendosur eliminimin fizik të Giraldit dhe këtë detyrë ja ngarkuan atentatorit Jashar Sulo Bej Cakrani (Dëshmor i Atdheut në  Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare). Jashar Cakrani kreu atentatin në Fier kundër gjeneral Gilardit, inspektor i ushtrisë mbretërore duke e qëlluar gjashtë herë me pistoletë. Ishte një ndër drejtuesit kryesor të Kryengritjes se Fierit. Jashari rridhte nga familja feudale  “Cakrani”. Familja Cakrani u bë aq e fortë sa që filloi te kundërshtoi hapur diktatin e administratës turke dhe u kthye në qendra më aktive për Pavarësi në Mallakastër. Përfaqësuesi tipik ishte Kahreman bej Cakrani, i cili hapi shkollën e parë publike shqipe në nëntor të vitit 1908 në Cakran. Në 1912 në momentin e ngritjes se Flamurit në Vlorë,  djali i Kahreman Cakranit, Hajredin Cakrani, ishte delegati i vetëm i Mallakastrës që firmosi aktin e madh të Pavarësisë.Jashar Sulo Cakrani, nipi i Kahreman Cakranit, i edukuar dhe brumosur me ndjenja patriotike u bë figura me aktive e lëvizjes popullore kundër Monarkisë e kundër pushtueseve italianë. Kryengritja e Fierit nuk u përgatit kryesisht nga shtresat e shtypura e të shfrytëzuara, pasi në krye të saj ishin shumica nga paria, inteligjenca përparimtare, fshatarësia e mesme, dhe ajo e varfër, me të njëjtin qëllim heqjen qafe të regjimit të “Monarkisë” e sjelljen në fuqi të një regjimi “Republikan” të kohës. Me eliminimin e Gilardit, Komandanti i Shtabit të Kryengritjes, Zenel Hekali, mbajti një fjalim para popullit, ku i bëri thirrje popullit të rrëmbente armët dhe urdhëroi marrjen e pushtetit në Fier. Pas marrjes së pushtetit në Fier, organizatorët e kryengritjes, dhanë urdhrin që kryengritësit të sulmojnë qytetin e Lushnjës me objektiv Tiranën. Kryengritja filloi menjëherë me rreth dy mijë vetë që ndodheshin aty dhe në ecje e sipër me ta u bashkuan edhe mijëra të tjerë, ku disa u gjenden në Fier për Pazar, të tjerët erdhën me shpejtësi… Me forcat kryengritëse u bashkuan fshatarësia e varfër, ajo e mesme dhe pjesa më e madhe e parisë së vendit. Kush me këmbë e kush me kalë  filluan sulmin në të gjithë gjatësinë e rrugës Fier-Lushnje dhe në orët e mbrëmjes u futën në qytetin e Lushnjës. Shtabi i kryengritjes për Fierin përbehej nga Zenel Hekali, Jashar Cakrani, Namik Cakrani, Bektash Cakrani, Hekuran Maneku, Mustafa Kaçaçi, Kol Cekrezi, Musa Kranja (zv.rrethkomandant i xhandarmërisë së Fierit), etj.. Pritej të vinte Riza Cerova me forcat e Skraparit, por ai nuk mundet të vinte pasi u bllokua nga forcat e Zogut te Uji i Zi mbi Berat. Në Lushnjë,  kryengritësit hasën një qëndresë të organizuar nga forcat e ushtrisë e xhandarmerisë të ardhura nga Tirana dhe zhvilluan luftime deri në orën 04:00 të mëngjesit të datës 15 gusht 1935. Në këto kushte shtabi i kryengritjes në Fier tentoi të lidhej me qytetet e tjera, veçanërisht me atë të Beratit, por kur komandanti i shtabit Zenel Hekali mori në telefon Beratin pasi mendonte se Riza Cerova e kishte marrë Beratin, në vend të Rizait në telefon i del Prefekti i Beratit. Ja ç’thotë në kujtimet e veta Zenel Hekali: “Kur mora në telefon Beratin, për të komunikuar me ndonjë nga krerët e kryengritjes, sipas parullës dëgjova zërin e prefektit Qazim Bodinaku, i cili më njohu menjëherë nga zëri dhe me tha: “Këtë radhë, jo vetëm do ta thyej edhe këmbën tjetër (Zenel Hekali çalonte në njërën këmbë), por do të presë edhe kokën njëherë e mirë. Mbytja me gjak e Kryengritjes së Fierit. Qeveria mbretërore dërgoi për shtypjen e kryengritjes tre batalione, 350-400 xhandarë veç agjenturës. Komandant i operacionit u emërua njeriu i besuar dhe besnik i Zogut (Shok shkolle) N/Kolonel Hysni Toska nga Luari. Hysni Toska,  sipas urdhrit që mori shtypi kryengritjen brenda dy javëve, duke arrestuar e çuar në burg mbi dy mije vete midis tyre edhe njerëz, që nuk kishin dijeni fare për kryengritjen. Kryengritja pati ide komuniste, por thelbi i kryengritjes ishte urrejtja e popullit kundër regjimit dhe kundërshtimi i ideve fashiste që propagandonte regjimi zogollian. Lufta kundër ideve komuniste ishte shkak, për të justifikuar krimet mizore që u kryen ndaj kryengritësve. Pas shtypjes së kryengritjes,  pa mbërritur në Tiranë, Hysni Toska gradohet Kolonel dhe i bëhen shume lavdërime, i jepen shpërblime e dekorata nga Naltmadhëria….

Gjyqet politike të Zogut

…Ali Rizai arrestoi mbi dy mijë vetë, nga këta 900 vetë ju kaluan hetuesisë mbasi iu nënshtruan për tre deri në gjashtë muaj torturash në hetuesi. Të gjitha hetimet u lidhën me “rrezikshmërinë” e ideve komuniste me qëllim që hetuesia t’i kishte duart e lira për të dhënë dënime të rënda, të pa bazuara në asnjë kapitull apo nen të Kushtetutës. Kështu të 11 xhandarët që, ndihmuan kryengritësit u pushkatuan, bashkë me ta edhe Hekuran Margëlliçi, kurse të tjerëve dënimi iu kthye me 101 vjet burgim. Gjyqet ushtarake i drejtoi Ali Riza Topalli, njeri me duar të lyera me gjakun e popullit, besnik i monarkisë. Si Ali Rizai, ashtu edhe Hysni Toska, kishin kompetenca te jashtëzakonshme për shtypjen e Kryengritjes së Fierit dhe kishin miratimin e Mbretit për çdo gjë. Vendimet e tyre nuk mundet të apeloheshin. Sa zbriti në Fier, Ali Rizai, deklaroi me pompozitet e duke kërcënuar se për çdo gjë kishte miratimin e Mbretit. Ai përdori dhunë ndaj të burgosurve, duke i torturuar, me vezë të nxehta në sqetull, heqjen e thonjve, rrahje me kondak të pushkës, dhënien e vajit të recinit me tubë në stomak, lloj-lloj torturash për të terrorizuar popullin e Mallakastrës e të Myzeqesë. Nga të dhënat arkivore vetëm nga fshati Cakran u arrestuan 71 vetë, nga Hekali 76 vetë kështu nga të gjitha fshatrat e Mallakastrës, ku të dënuar me listë janë 810 vetë dhe 90 vetë nga Myzeqeja e krahina të tjera. Propaganda zogolliane u përpoq ta cilësonte si një “Lëvizje”, por më kot, pasi shkrepja e armëve e klasifikoi si një Kryengritje të armatosur. Studiuesi Ismet Elezi në Revistën “Drejtësia Popullore 1972 në shkrimin “Lëvizja e Fierit, 14 gusht 1935” jep këto të dhëna: “Mbi 2 mijë të arrestuar. Mbi 533 vetë kaluan në Gjykatë Ushtarake, mbi 51 vetë të dënuar me vdekje… “, dhe me poshtë thekson se “Dënimet e dhëna nga gjykata janë jo më pak se një vit e deri tek dënimet me 101, me varje, me pushkatim. Me varje u dënua Hekuran Maneku nga Margëlliçi ish-oficer ne Qeverinë e Vlorës 1912, i cili kishte luftuar kundra serbëve dhe ishte plagosur, u dënua me vdekje nga bandat e Musa Qazimit e Haxhi Qamilit. Hekurani ishte një ndër patriotët e rrallë në krahinën e Mallakastrës. Me vdekje u dënuan Zenel Hekali, Jashar Cakrani, Namik Cakrani, Baktash Cakrani, Dano Malo Meçaj, Adem Nexhipi, Kovaç Caushi, Jonuz Dule, Sapedin Avdiu, Jonuz Rystemi, Doktor Konstandin Kallogjeri, Isuf Hoxha nga Rrerësi, Dino Zyka Hekali, Sulo Ismail Klosi, Jakov Naun Mile, Zeqir Tahir Agai i Rreresit, Beqir Nuredin Agai i Rreresit, Fehmi Zyberi Boçova, Ibrahim Ismaili Boçova, Tafil Kanani Boçova, Selim Maliqi Boçova, Ferid Tahiri, Muhamet Halit Xhafa, Halil Maksuti Margëllici, Taqi Bozo, Qamil Sul Gega Ndërmënas, Medin Neimi, Sotir Bitri, etj.. Dënimet me varja ose pushkatimi nuk u kryen, për shkak të presionit ndërkombëtar mbi Monarkinë dhe si pasojë e grevave të punëtoreve në Itali e vende të tjera dhe dënimi u ul nga pushkatim ne 101 vjet burg. Kështu me 101 vjet u dënuan 46 vetë dhe me 20 vjet e lart u dënuan 150 vet. Pjesa tjetër u dënua me gjobë”. Pas kësaj mynxyre, Zogu bëri çmos për t’u pajtuar me Mallakastrën, por nuk ja arriti dot….