Atyre çasteve para fillimit të punimeve të Konferencës

889
Sherbet KARULI 

( Sipas tregimit të vetë Babë Myslymit )
Myslym Peza pati treguar se udhëheqësi i Luftës, Enver Hoxha, kohë më parë i kishte folur për nevojën e mbajtjes së një kuvendi a të një konference, në të cilën të merrnin pjesë njerëz shumë të njohur, por të respektuar e të nderuar nga shumica e njerëzve të ndershëm. Këta të deleguar duhej të ishin nga të gjitha krahinat e vendit, që të përfaqësonin shqiptarët e të gjithë trevave. E kuptoja se Enveri e kishte shqetësim çështjen e përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve në këtë kuvend a konferencë, që do të mund të organizohej në Pezë. Gjatë një bisedë të lirë që bëmë nën arrën e madhe të kopshtit para shtëpisë, ka pas treguar Baba, i dërguari i Enver Hoxhës më shtroi pyetjen: Enver Hoxha kërkon fjalën tënde, a mund ta sigurojmë mbajtjen e një konference në Pezë apo s’mundet? Myslym Peza ishte shprehur plotësisht i gatshëm. Ai merrte përsipër që të vinte në dispozicion të konferencës shtëpinë e vet, duke qenë i vetëdijshëm edhe për ndonjë dëmtim të mundshëm të saj nga ana e armiqve. Ne jemi gati, i ishte drejtuar Babë Myslymi të deleguarit të Enver Hoxhës, që konferenca të mbahet në shtëpinë time në çdo kohë që do të konsiderohet e nevojshme. Arsyeja kryesore që e kish shtyrë Babë Myslymin që konferenca të mbahej pikërisht në shtëpinë e tij ishte sakrifica që ai pranonte të bënte për çdo pasojë të mundshme. Baba e merrte me mend, se shtëpia e tij do të mund të mësohej nga armiqtë, sikur që edhe u mësua prej tyre dhe do të ishte shënjestër e tyre, por ai merrte përsipër të pranonte çdo gjë që mund të ndodhte. Gjithmonë sipas tregimit të vet Babë Myslymi, në Pezë nisën të merreshin masat për mbajtjen një mbledhjeje shumë të rëndësishme. Një gjë e tillë e dinte vetëm komandanti i Çetës Antifashiste, Babë Myslymi, si dhe Kajan Karafili e Pandi Nasho, sekretar i celulës së partisë. Tjetër njeri nuk dinte gjë se çfarë do të mund të ndodhte në Pezë. Duke pasur parasysh, se duheshin marrë masa të shumta e të sigurta për ta garantuar plotësisht mbarëvajtjen e punimeve të konferencës që do të mbahej. Dy javë para, pikërisht më 1 shator 1942 arritën në Pezë delegatët e Dibrës, të Martaneshit e të Çermenikës. Nga Dibra erdhi Haxhi Lleshi, nga Martaneshi erdhi Baba Mustafa Xhani. Siç pat treguar edhe Babë Myslymi, Baba Fajën ky e kish pas dëgjuar nga miqtë e tij të vjetër martaneshas, Salë Fajza, Jonuz Isaku, Ibrahim Gaxherri e të tjerë. Atyre ditëve të para të shtatorit, Babë Myslymit i ishte dashur të përforconte edhe rojet, duke afruar afër shtëpisë së vet, sidomos natën, njësi të ndryshme të çetës. Sigurisht, bëhej kujdes, që të ruhej një lloj fshehtësie nga meraku, se mos ndokush mund të lajmëronte armiqtë. Dhe e vërteta është se çdo veprim kryhej në fshehtësi të plotë. Mbas katër a pesë ditësh përgjegjësi i rojeve, Avdi Kasalli kish njoftuar se ishte duke ardhur një grup tjetër njerëzish. Babë Myslymi ishte veshur dhe kish zbritur shkallët me nxitim, duke dashur t’i priste përpara miqtë që vinin. Ndërsa kishte bërë vetëm disa hapa përpara, dëgjon një zë të kumbueshëm: “ A don miq, o Myslym”? Në një çast zoti i shtëpisë ia kishte kthyer tërë gëzim: “Bujrum! Bujrum! Miq si ju paçim ngaherë!” Dhe ishin hedhur në krahët e njëri-tjetrit, Enver Hoxha me Babë Myslymin. Kishin biseduar pak kohë në një nga dhomat e shtëpisë dhe Babë Myslymi ishte shkëputur për ta lënë të qetë në punën e vetë udhëheqësin e luftës të ardhur nga Tirana. Enver Hoxha u mbyll me disa nga shokët e vet për t’u dhënë dorën e fundit materialeve që ishin menduar të shtroheshin e të diskutoheshin në konferencën që pritej të hapej ato ditë. Ditë më pas erdhën të tjerë njerëz. Të parët erdhën, Ramazan Jarani e Ismail agë Petrela. Babë Myslymi i pat njohur kohë më parë dhe pikërisht për këtë shkak këta i hiqeshin si miq Babë Myslymit. Mbas këtyre erdhi edhe Halim Begeja. Ishte djalë avokati e vinte në Pezë në emër të “Rinisë Nacionaliste”. Siç ka treguar Babë Myslymi, Halimi kishte edhe mandatin e Mitat Frashërit! I zgjuar prej natyre ashtu siç ishte, kishte shfrytëzuar rastin t’i drejtohej Babë Myslymit duke i thënë: “ Ti je bir Shehu dhe si i tillë je nacionalist, kështu që nuk ke arsye të qëndrosh i lidhur me komunistët?!” Ky i fundit ishte përgjigjur, se kur Baba ka qenë i lidhë me nacionalistët, o Halim, ti i bijshe maces me lugë. Një mëngjes Babë Myslymi me njësitë e çetës së tij vazhdoi drejt lagjes Laprakë të Pezës. Gjithmonë, sipas kujtimeve të Babë Myslymit, erdhi një çast që në Pezë u bë goxha kallaballëk. Bile u bë e zakonshme, që mbrëmjeve t’ia fillonte kënga. Me gëzim u shoqëruan delegatët gjatë çasteve që ngjisnin shkallët për të hyrë në mbledhjen historike. Para shtëpisë fëmijët pezakë, të rreshtuar nga Kajo Karafili, këndonin me hare këngë atdhetare. Ajo ditë e 16 shtatorit 1942 që një e mërkurë historike, që u shënua si datë lapidare në histori. 

Natë e ditë pranë shtëpisë, ku mbahej Konferenca e lavdishme
Sipas një rrëfimi të Sali Verdhës, ish militanti hershëm dhe i shquar i Pezës, ish komandant i Brigadës XXII Sulmuese Partizane
Me të mësuar lajmin e mbajtjes së Konferencës, Nacionalçlirimtare në Pezë, Babë Myslymi organizoi një takim me tërë antifashistët e çetës. Ai u bëri të njohur një njoftim të asaj çfarë organizohej, pa u futur në shumë hollësira. Të gjithë të pranishmit e dëgjuan me vëmendje dhe i shprehën gatishmërinë e plotë. Ata e kuptuan se përse bëhej fjalë, por pa kërkuar të mësonin prej komandantit të tyre shumë hollësira. Në anën tjetër, Babë Myslymi bëri kujdes të madh që ky lajm të mos shpërndahej me tellall te tërë banorët e Pezës e të fshatrave rreth saj, se ekzistonte mundësia e ndonjë veprimi ogurzi nga ana e ndokujt. Ky lajm iu bë i njohur edhe disa prej antifashistëve më besnikë të çetës në fshatra, pjesëtarëve të familjeve të luftëtarëve të Çetës, duke u shtruar detyrën që të ishin jo vetë vigjilentë ndaj çdo lëvizje të mundshme nga ana e armiqve. Gjithashtu, u krijua një rrjet njerëzish të zgjuar që do të shërbenin sa për të vëzhguar, aq edhe për të kryer detyrën e guximshme të korrierit. Çdo ditë ata duhej të sillnin informacion te Baba për ngjarjet me rëndësi që mësonin në fshat e në tërë trevën përreth. Kuptohet, kjo i shërbente masave që merreshin thuajse çdo ditë për forcimin e garantimin e plotë të punimeve të Konferencës. Njësiti i çetës antifashiste, që drejtohej nga Kajo Karafili, qëndronte disi i larg godinës, ku zhvillonte punimet konferenca, por luftëtarët e tij sytë dhe veshët i mbanin të tërë te ato vende nga mendohej se do të vinte rreziku i mundshëm. Sakaq, kryetarë të këshillave antifashistë nacionalçlirimtarë vinin e shkonin shpesh, duke plotësuar ndonjë detyrë që kishte të bënte me ushqimin dhe fjetjen e delegatëve. Herë mbas here ata sillnin edhe ndonjë njoftim frymëzues që të bëhej objekt diskutimi midis delegatëve ne konferencë. Në një kohë, që brenda mbledhjes së konferencës diskutohej çështja e krijimit të këshillave nacionalçlirimtare në zonat e çliruara dhe ato të paçliruara, në oborrin e shtëpisë ku mbahej konferenca kryetarë të këtyre këshillave sillni njoftime për detyrat që kishin kryer dhe do të vazhdonin të kryenin. Sipas një rregulli që ishte vendosur nga drejtuesi i konferencës dhe miratuar nga delegatët në këtë kuvend pluralist, herë mbas here futej në sallën ku diskutohej Kajo Karafili, por edhe unë, natyrisht me shumë kujdes, pa prishur rregull dhe qetësi. I njohur prej Enver Hoxhës për shkak të rrëfimit që i kishte bërë Babë Myslymi, Kajoja ishte si të thuash koordinatori i të gjithë drejtuesve të njësiteve antifashiste që ishin vënë në mbrojtje të shtëpisë ku zhvillohej konferenca. Pikërisht për këtë arsye këtij i qe dhënë rasti të ishte më i pranishëm në mjediset ku zhvilloheshin bisedime mes delegatëve në çastet mes seancave të konferencës, nga jashtë derës më është dhënë rasti të dëgjoj edhe debate mes delegatëve për çështje të ndryshme, sidomos për ato që kishin të bënin me emërtimin e çetave partizane, si dhe me vendosjen e yllit të kuq në bustina. Në pushimet që bëheshin mes seancave të konferencës afroheshin te delegatët deri edhe pjesëtarë të çetës, sillni fruta të ndryshme dhe ua dhuronin pjesëmarrësve në konferencë. Në sheshin para shtëpisë ku mbahej konferenca bënin roje antifashistë nga më të zgjedhurit, të cilët si të thuash përbënin Gardën e Çetës së Babë Myslymit. Ishin këta që jepnin leje se kush kishte të drejtë të lëvizte lirshëm rreth e rrotull shtëpisë dhe se cili lejohej të afrohej për të sjellë ndonjë frutë. Ndërkohë, kishte njerëz të caktuar, autorizuar drejtpërdrejtë nga Babë Myslymi që lejoheshin të merreshin me shoqërimin e delegatëve përgjatë kohës që bëhej pushimi midis seancave të konferencës. E vërteta historike është se çdo gjë kaloi pa as ngjarjen më të vogël shqetësuese. Në disa nga pushimet e bëra sidomos mes seancave bëheshin gara luftarake, sidomos qitje me pistoletë, gjë që i jepte jo vetëm seriozitet, por edhe humor e gëzim asaj çka ndodhte aty pranë shtëpisë së Babë Myslymit. I vetmi që dukej më rrallë se të tjerët në oborrin e shtëpisë ku mbahej konferenca ishte Enver Hoxha. Me sa mbaj mend ai qëndronte diku në dhomë duke evidentuar ndonjë ide a detyrë për të ardhmen apo duke plotësuar ndonjë orientim a saktësuar ndonjë orientim të rëndësishëm. Sipas kujtimeve të treguara nga Sali Verdha ishte po Enver Hoxha që niste për në shtypshkronjë materiale të ndryshme për t’u shpërndarë delegatëve të konferencës. Shtypshkronja gjendej në shtëpinë e Sadik Hysen Barahysës. Edhe rreth e qark kësaj shtëpie ishin vendosur roje nga radhët e antifashistëve më trima të çetës. Edhe në rastet kur e shikonim të dilte jashtë, e gjenin pranë Myslym Pezës. Antifashistët e Pezës tashmë ishin luftëtarë me përvojë për të gjykuar e jetuar me situata të tilla, që kërkonin veprime të zgjuara. Ndërkaq ishin edhe luftëtarë me përvojë për të gjykuar e jetuar me situata të tilla, që kërkonin veprime të zgjuara. Ndërkohë ishin edhe luftëtarë të regjur sepse u kishte rënë rasti i luftës më 16 mars të vitit 1941. Pra ata që ishin vënë në mbrojtje të punimeve të konferencës nuk ishin thjesht ca banorë të zakonshëm të Pezës e të fshatrave përreth. Ata ishin shumë më tepër se aq. Gjatë një pushimi mes seancave, së bashku me Nexhmie Xhuglinin(Hoxhën) ishin edhe vajzat e Shyqriut, Myrvetja e Ismetja , si dhe Dija vajza e Babës. Në fund të punimeve të konferencës njësitit të Çetës Antifashiste iu ngarkua një detyrë edhe më madhe dhe më me përgjegjësi, të shoqëronte delegatët deri tej fshatit, duke i garantuar të mbeteshin jashtë syve të armiqve e të spiunëve të tyre. Sigurisht, dhe për këtë detyrë u ngarkuan njerëzit më të besueshëm dhe më të guximshëm, që do të mund t’i zgjidhnin saktë situatat e vështira që do të krijoheshin. Kuptohet, në krye të këtij operacioni ishte vet Kajan Karafili, i cili e përmbushi me nder misionin që i ishte ngarkuar. 

ZËRI PËRHERË I RI I PEZËS
(Nga Dritëro Agolli, “Nderi i Kombit”)
Nuk ka ngjarje historike më të afërta, më të prekshme dhe më të nevojshme për njeriun e sotshëm, se sa ngjarjet e Pezës. Herë mbas here në çastet më të vështira të jetës politike dhe shoqërore, të grindjeve, të përçarjeve, të konflikteve e të ndeshjeve midis nesh të sjellin vetvetiu në mendje Pezën dhe të themi: përse nuk bëhet si në Pezë? Përse të mos jemi të bashkuar të gjithë për një qëllim, siç dha kushtrimin Konferenca e Pezës më 16 shtator të vitit 1942? Sa herë kemi kujtuar Pezën në këtë dhjetëvjeçarin e fundit, kur Shqipëria nga ndezja e flakës së urrejtjes mes njëri-tjetrit dhe nga vlimi i përçarjes, u rraskapit, u shthur, u dogj dhe u vra si në një luftë të vërtetë. Sikur të mos kujtonim Pezën, do të na kishte marrë lumi edhe më keq! Do të thoni ju, se kur kemi kujtuar Pezën? Po a nuk e kujtuam e nuk na ndihmoi Peza në vitin 1997, kur në mars të atij vit të djegies së rrebeshtë të Shqipërisë, formuam Qeverinë e Pajtimit Kombëtar? A nuk kishte thirrur Peza në vitin 1942 për pajtim kombëtar kundër fashizmit pa dallim feje, krahine dhe ideje? Çfarë bëri Qeveria e Pajtimit Kombëtar përveç se atyre që kishte bërë Peza gjysmë shekulli më parë? Ja që jetuakan mësimet e Pezës dhe qenkan dobiplotë edhe në kohën moderne shqiptare. Po sivjet, në 1999-ën, a nuk e thirrëm Pezën për ndihmë në luftën e Kosovës, kur shqiptarët i përtëritën virtytet e larta morale, duke treguar unitetin, dashurinë, mikpritjen dhe besa-besën mes tyre? Në përkrahjen dhe në ndihmën e shqiptarëve në Kosovë, të gjitha forcat politike ishin të pajtuara dhe të bashkuara pa dallim feje, krahine dhe ideje. Nga thellësia e viteve erdhi zëri i Pezës. Dhe ky zë do të kumbojë gjithmonë, se Peza nuk vjetrohet kurrë dhe nuk mbyllet në bodrumet e muzeve. Pezës nuk ka çfarë t’i bëjë asnjë stuhi e kohës. Kush përpiqet ta cënojë atë, e thyen kokën në granitin e monumentit të lavdisë së saj, ikën jo vetëm me trup, por edhe me qafë të këputur. Ne e thërrasim Pezën dhe ajo na vjen në ndihmë bashkë me shpirtin e Babë Myslymit. Kësaj i them ngjarje historike unë, ngjarje që nuk është ngrirë si monument, por është ngjarje që të ndihmon të ecësh dhe të jetosh. Por, fatkeqësisht, megjithëse flitet nga qeveritarë e politikanë për vlerat e Konferencës së Pezës dhe etiketimet “Peza heroike”, “Peza martire” etj, përsëri për këtë Pezë kaq të përfolur nuk është bërë asgjë për zhvillimin dhe emancipimin e kësaj krahine. 
Sigal