ARRATISJA E MOTOVEDETËS “MUJO ULQINAKU”, DREJT ITALISË

1207
“Arratisja” e motovedetës “Mujo Ulqinaku”, nga porti i Durrësit
Ngjarja e së dielës të 1 qershorit bëri bujë në Durrësin e sapo dalë nga Lufta. Në orët e para të ditës së hënë 2 qershor, në qytet flitej për një marinar që kishte vrarë tre marinarë të tjerë. Përleshja kishte ndodhur në një motovedetë, larg, në mes të detit. Bisedat dhe hamendësimet rreth ngjarjes ishin të shumta, ndërkohë që ushtari-marinar ishte shoqëruar për në polici sapo kishte ankoruar në portin e Durrësit. Në orët në vazhdim u mësua dhe e vërteta rreth ngjarjes, e cila e kishte habitur dhe tronditur jo pak qytetin bregdetar. Tre të vrarët kishin tentuar të iknin për në Itali me ndihmën e motovedetës, por ushtari marinar nuk kishte qenë dakord dhe i kishte vrarë, në pamundësi për t’i bindur që të ktheheshin mbrapa. Shtypi i kohës i bëri një jehonë të madhe ngjarjes dhe aktit të marinarit, i cili kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në motovedetë, si roje i saj. Vrasja e tre personave u cilësua një akt i lartë i trimërie, ndërsa të vrarët u etiketuan tradhtarë.
Ja si tregohet ngjarja në gazetën “Bashkimi” të datës 4 qershor 1947:
Më datën 1 Qershor 1947, ushtari i Armës së Marinës Spiro Kosta, duke kryer një akt të rrallë heroizmi dhe atdhedashurie, vrau kapter Vlash Bushi dhe rekrutët Enver Kruçi e Xhemal Kërniqi, të cilët tentuan të arratiseshin me motovedetën “Mujo Ulqinaku”.
Kapteri i marinës Vlash Bushi, që ishte si motorist i motovedetës kishte shërbyer në armën e marinës edhe gjatë rrëgjimit të Zogut dhe okupacionit. Dy të tjerët, Xhemal Kërnaqi dhe Enver Kruçi ishin bij familjesh të prekura nga masat dhe reformat e pushtetit të sapovendosur komunist.
Ngjarja u zhvillua, në këto rrethana:
Më 1 qershor në ora 4 pas dreke, ushtari Spiro Kota, ish-punëtor i varfër, lindur dhe banues në Durrës, dhe që kryente shërbimin ushtarak në marinë, bënte roje në motovedetën “Mujo Ulqinaku”, në portin e Durrësit. Në këtë kohë paraqitet kapter Vlash Bushi bashkë me dy marinarët Enver Kruçi e Xhemal Kërniqi. Ata i thonë se duhet të nisen shpejt me motovedetën, sepse i priste komisari që kishte dalë larg në det me një rimorkiator. Pas pak minutash motovedeta mori udhën e detit. Spiro Kosta u nis bashkë me kapterin Vlash Bushi dhe dy marinarët e tjerë. Kaluan rreth dy orë. Motovedeta e pilotuar nga njëri prej dy marinarëve ishte larguar rreth 30 milje. Bregdeti nuk shihej më. Por nuk shihej gjëkundi as rimorkiatori me komisarin. Ushtari Spiro Kosta u shqetësua dhe filloi të dyshojë. I drejtohet menjëherë kapterit: 

-Nuk po shihet as rimorkiatori, as komisari. Ku po vemi? 
Kapteri Vlash Bushi, i thotë: 
-Duhet ta ndiesh veten të lumtur…. Nuk e kupton? Po vemi në Itali dhe së e andejmi mund të vemi ku të duam gjer në Amerikë. Do të takohemi me Mit’hat Frashërin, Abas Kupin e shumë të tjerë. Do të fitojmë sterlina e dollarë sa të duash dhe do të bëjmë qejf, do të rrojmë me çokollata. Sa për familjen mos u shqetëso, se për së shpejti do të kthehemi kur të zbarkojnë anglo-amerikanët. Dhe do të na bëjnë nëpunës të lartë për kontributin tonë… Po të mos duash të vish me ne, të japim tapat që të mund të dalësh në bregdet, por e mira është të vish… -Po, po do të vij – u përgjigj ushtari Spiro Kota.
Ndërkohë dy marinarët vazhduan ligjërimin e kapterit, motovedeta vazhdonte rrugën me shpejtësi, drejt Italisë. 
Ja si e tregon Spiro Kota vazhdimin e ngjarjes:
“Pas fjalëve të kapterit, unë e mblodha veten menjëherë. Fillova të mendoja me gjakftohtësi. 
E para: Mendova që kjo ishte një tradhti e lartë karshi popullit dhe atdheut, mendova si unë do të quhesha tradhtar, do të urrehesha e do të përbuzesha nga të gjithë e po kështu do të urrehej dhe përbuzej edhe familja ime, si familje e një tradhtari.
E dyta: Mendova se po shkonim në Itali, në një vend që na ka punuar një mijë e një të zeza, që na ka vrarë, na ka plaçkitur e na ka djegur. 
E treta: Mendova për motovedetën që s’kishte veçse pak ditë që ishte riparuar. Ajo ishte motovedeta e popullit shqiptar, i kishte kushtuar shumë shtetit tonë, ajo ishte punuar me djersë e mundime nga punëtorë, shokët e mi, ajo ishte gëzimi i punëtorëve dhe i gjithë marinarëve. Unë isha roje e motovedetës, mua ma kishte besuar populli. Unë nuk duhet ta lija të humbiste..
Mund të pranoja vdekjen, por jo kurrë një tradhti të tillë. M’u ndez në zemër një urrejtje e madhe për ata tradhtarë, për kapterin Vlash Bushin dhe dy shokët e tij. Vendosa t’i vras. Thashë me vete; Unë jam një, ata janë tre. Mund edhe të më vrasin.”
Si ndodhi vrasja
I vendosur, gjakftohtë, ushtari Spiro Kosta, futet poshtë në kabinën e motovedetës, merr një automatik, i rregullon karikatorin dhe një karikator tjetër e fut në xhep. Ndërkaq, kapteri dërgon në kabinën njërin nga ushtarët për të marrë një libër senjalacionesh. Ai donte të përgatitej për të hyrë në portin e Brindisit. Spiro Kosta i drejton atëherë automatikun ushtarit të dërguar nga kapteri. Para se t’ia drejtonte atij e shkrepi një herë jashtë për ta provuar. Automatiku nuk ndezi. Por, me daljen e një fisheku, karikatori vajti në vend. Me një të goditur e shtrin përdhe marinarin që po kërkonte librin e senjalacioneve. Kapteri sulet menjëherë me revolver në dorë. Por Spirua ruan gjakftohtësinë. Me një të manovruar e vret dhe kapterin. Mbetej tashti ushtari që drejtonte timonin. Spirua nuk donte ta vriste, sepse ndryshe do të mbetej në mes të detit, pasi ai vetë nuk dinte ta manovronte motovedetën. Por marinari i timonit e goditi një herë me revolver, pa rezultat. Atëherë Spirua e vret edhe atë… Kjo u zhvillua në pak çaste. Ai i kishte vrarë të tre.
Kthimi në Shqipëri
Ndërkaq motovedeta, pa timonier filloi të vinte vërdallë. Spirua mbeti vetëm, në mes të dallgëve, larg në mes të Adriatikut. Po errej. Ai nuk dinte të pilotonte. Kjo qe një situatë shumë e vështirë. Por ai nuk e humbi guximin. Vendosmëria dhe dëshira e tij e madhe për t’u kthyer në atdhe i dhanë fuqi të reja. Ai rroku timonin, provoi marshet, dhe bëri si bëri, e ktheu motovedetën. Duke lundruar në mes të detit të egër, në orët e vona të natës, ushtari Spiro Kota me motovedetën “Mujo Ulqinaku” u kthye i lumtur në portin e Durrësit. Detyrën e tij e kishte kryer me nder. Pushteti komunist vendosi ta përdorë ngjarjen për qëllimet e veta propagandistike. Në atë kohë, arratisjet ishin të shpeshta dhe kufiri ishte ende i kalueshëm, kryesisht ai tokësor. Ata që nuk ishin dakord me vendosjen e pushtetit komunist dhe që shpresonin të riktheheshin bashkë me zbarkimin anglo-amerikan, arratiseshin jashtë vendit. Në të tilla rrethana, duke e trajtuar si një veprim patriotik në shërbim të atdheut vrasja e tre personave që tentuan të kalonin kufirin, pushteti komunist jepte indirekt mesazhet, se kushdo që do të vritej duke u arratisur, do të quhej tradhtar e kushdo që vriste, do të konsiderohej patriot, hero e nuk do të ndëshkohej për vrasje.
Të vrarët do të dëshmonin në Gjyqin e Hagës!
Që në momentet e para kur u mësua për ngjarjen e tre të vrarëve, bashkë me legjendat e ndryshme për mënyrën se si një marinar i vetëm kishte vrarë tre veta, u fol dhe për pretendimin se motovedeta u rrëmbye me qëllimin për t’u arratisur e për të dëshmuar në Gjyqin e Hagës në lidhje me incidentin e Kanalit të Korfuzit, për të cilën Britania akuzonte Shqipërinë dhe e bënte fajtore për vdekjen e marinarëve britanikë dhe mbytjen e dy anijeve luftarake që ranë në kontakt me minat. Edhe pse u fol gjatë për një pretendim të tillë asnjëherë nuk u provua zyrtarisht se tre të vrarët u arratisën me qëllimin për të qenë dëshmitarë kundër Shqipërisë në Gjyqin e Hagës ku britanikët kishin paditur Shqipërinë. 
Dekorata “Hero kombëtar”
Në mbledhjen e datës 6 qershor të vitit 1947, 5 ditë pas ngjarjes së bujshme, Presidiumi i Kuvendit Popullor, në bazë të Artikullit 54 të Statutit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit, Komandant Suprem i forcave të Armatosura, gjeneral Kolonel Enver hoxha, vendosi dekorimin e marinarit Spiro Kota me Urdhrin e Heroit Kombëtar, me këtë motivacion:
“I pajisur me ndjenjat më të larta të dashurisë ndaj Atdheut dhe popullit, me heroizëm dhe besnikërinë e tij të pafund, u bë shembull i luftëtarit besnik të Ushtrisë Kombëtare”
Ceremonia e dhënies së dekoratës
Dy ditë pas vendimit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, më datën 8 qershor, në portin e Durrësit u zhvillua ceremonia e dhënies së dekoratës për marinarin Spiro kota. Pasdite, sheshi ku u zhvillua ceremonia brenda molit të Durrësit, u zbukurua me flamuj e me dy portrete të mëdha të Enver Hoxhës e të Titos. Përballë tribunës ishte vendosur reparti i marinës. Në reshtin e parë ishte vendosur edhe ushtari i këtij reparti që do të merrte dekoratën. Anash ishin vendosur reparte të tjerë të Ushtrisë Kombëtare, një grup i madh oficerësh që kishin ardhur nga Tirana, vullnetarë nga të hekurudhës, qindra qytetarë durrsakë. Afër tribunës ishin edhe prindërit e Spiros. Në ora 7, doli në tribunë gjeneral-major Mehmet Shehu, kryetari i shtatmadhorisë së Ushtrisë Kombëtare, Ministri i punëve botore Spiro Kleka, Gjeneral-major Spiro Moisiu, zëvendësministri i punëve të jashtme Hysni Kapo, zëvendëskryetar i komisionit të planit të shtetit Kiço Ngjela dhe autoritete të tjera të larta ushtarake. Mbas paraqitjes së forcës, Mehmet Shehu i dorëzoi medaljen ushtarit-marinar Spiro Kota. Ndër të tjera në fjalën e tij Mehmet Shehu tha: “Komanda e Përgjithshme duke marrë parasysh cilësitë e marinarit Spiro Kota, aftësitë e tij si marinar, aftësi të cilat ai i tregoi në konditat shumë të vështira në pilotimin e motovedetës “Mujo Ulqinaku”, duke u kthyer për në portin e Durrësit, e gradon atë me gradën Kapter II. Sikurse dekorimi me urdhrin e “Heroit kombëtar”nga ana e Kuvendit Popullor, ashtu edhe gradimi nga ana e Komandës së Përgjithshme me gradën Kapter, është i merituar për marinarin Spiro Kota. Këtu fillon tradita e kësaj arme të re të Ushtrisë sonë, e Marinës sonë Kombëtare…”

Kush ishte Spiro Kota
Deri ditën që kreu aktin, ai ishte një ushtar si të gjithë të tjerët që kryenin shërbimin ushtarak në ushtrinë shqiptare. Ditët në ushtri kishin qenë po aq të vështira sa jeta e tij para ushtrisë. Ushqeheshin e flinte në kushte të vështira, ashtu si ishte gjendja në të gjithë Shqipërinë e në shumicën e familjeve shqiptare të kohës. Ai kishte lindur në qytetin e Korçës në vitin 1926, nga prindër punëtorë, të varfër. Babai punonte furrxhi dhe nëna punëtore shtëpie. Në vitin 1915, prindërit të ndjekur nga shovinistët grekë për ndjenjat e tyre patriotike shtrëngohen të ikin në emigrim në Rumani e më vonë në Bullgari. Pasi mbaron Lufta e Parë Botërore prindërit kthehen përsëri në atdhe, pa asnjë burim jetese përveç krahëve të punës të Stojanit, babait të Spiros. Spiroja ishte foshnjë, kur familja për shkak të krizës ekonomike që preku Korçën, u shpërngul në Durrës. Nuk i kishte mbushur 14 vjeç kur italianët pushtuan Shqipërinë, por shërbeu në shumë aksione për të dëmtuar sa më shumë armikun. Do të kapej e do të burgosej për aktivitetin e tij kundër italianëve. Pas Luftës, e gjithë familja kthehet nga Tirana ku kishte shkuar për t’i shpëtuar ndëshkimeve, në Durrës. Dhe porsa fillon puna hyn në portin detar si punëtor karpentier. Këtu qëndroi deri sa u thirr nën armë. Sapo shkoi ushtar, kërkoi vazhdimisht që të thirrej nën armën e marinës, pasi kishte dashuri për detin, marinarët, ishte rritur buzë detit e me marinarët që kur ishte i vogël. Dëshira iu plotësua. Në fillim caktohet në kantier, pastaj në rimorkiatorët dhe së fundi në motovedetën “Mujo Ulqinaku”, aty ku ndodhi dhe ngjarja. 
Një film për Spiro Kotën
20 vjet pas ngjarjes me motovedetën “Mujo Ulqinaku”, ku mbetën të vrarë tre persona dhe ushtari-marinar që i vrau do të dekorohej me urdhrin e lartë “Hero Kombëtar”, skenaristi Nasho Jorgaqi dhe regjisori Dhimitër Anagnosti, do t’i ktheheshin asaj, duke i kushtuar një film të titulluar “Duel i heshtur”. Ishte viti 1967, që përkonte me 20-vjetorin e ngjarjes. Ngjarja në film ndryshon shumë nga historia e vërtet e asaj që ndodhi të dielën e 1 qershorit 1947. Në film luajnë katër aktorë, të cilët në vitet në vazhdim do të bëhen nga aktorët më të mirë të vendit. Ata janë: Rikard Ljarja, në rolin e Skënder Gurit (Spiro Kota), Ndrek Luca në rolin e kapter Ramiut (Vlash Bushi) dhe Reshat Arbana e Bujar Kapexhiu në rolet e dy marinarëve të tjerë (Enver Kruçi e Xhemal Kërniqi). Ky film, ose kjo poemë e vërtetë për heroizmin e trajtuar në një platformë psikologjike, shënoi një sukses për artin kinematografik shqiptar. Regjisori Dhimitër Anagnosti bashkë me grupin e xhirimit punoi duke vënë theksin tek çdo kuadër, te mendimi i qartë se marinari do të fitojë, se ai për asnjë çast s’dyshon në vendosmërinë e tij. Gjithçka që shikohet në film, përfshi edhe muzikën e bukur të Nikolla Zoraqit, është e ngjeshur me ide, me vërtetësi. 
Xhirimet e filmit në detin me dallgë
Xhirimet për filmin “Duel i heshtur” nisën në portin e Durrësit në një nga ditët e muajit shkurt 1967. Në një cep të portit është ankoruar një anije e vogël që tërheq vëmendjen. E drejton ekuipazhi ushtarak, por në të shihen edhe aktorë, kineastë që lëvizin nëpër kuvertë duke siguruar vendosjen e aparateve, prozhektorët dhe mjeteve të tjera të punës. Shumë shpejt në port e në qytetin e Durrësit u përhap lajmi se kishin filluar xhirimet e filmit “Duel i heshtur”. Moti është i keq, me erë që vjen nga veriu edhe re të dendura që paralajmërojnë shiun. Anija e vogël del në det të hapur për të kryer xhirimet dhe lëkundjet kanë filluar të bëhen edhe më të mëdha. Xhirimet fillojnë në timoneri. Personazhi me emrin Skënder ka kuptuar qëllimin e vërtetë të atyre që duan të arratisen. Regjisori Dhimitër Anagnosti jep shenjën e fillimit. Mbas pesë dublash xhirohet “plani” i parë. Ndonjë prej aktorëve apo pjesëtarëve të grupit të xhirimit e zë deti, por xhirimet duhet të vazhdojnë pa ndërprerje. Edhe “plani” i dytë përfundoi me sukses. Kështu xhirohen 46 metra film të dobishëm. Ishte filmi i parë që xhirohej për vitin 1967 që do të pasohej me xhirimin e filmave të tjerë si “Ngadhënjim mbi vdekjen” e “Horizonte të hapura”. Kinematografia shqiptare kishte nisur të prodhonte filmat e saj të parë dhe tashmë nga viti në vit, nga prodhimi në prodhim po fitonte përvojën e nevojshme. Në rolin e Skënder Gurit, aktori Rikard Ljarja vinte pas suksesit që kishte arritur në interpretimin e Dritanit në filmin “Komisari i dritës” që ishte mirëpritur nga artdashësi shqiptar dhe kritika.
17 tetor 1960 / Si rrezikoi të mbytej motobarka prej druri “Ali Kelmendi”
Gjatë udhëtimit nga Trieste për në Durrës ekuipazhi i anijes në fjalë dhe motobarka u ndodhën në rrezik të sigurt mbytjeje për shkak të qëndrimit të autoriteteve jugosllave në portin e Gruzit. Më 17 tetor, në ora 13.30. e detyruar nga një furtunë e madhe motobarka u detyrua të futet në portin jugosllav të Gruzit. Veprimi i kryer nga ekuipazhi i motobarkës “Ali Kelmendi” në kushtet e jashtëzakonshme të motit të keq dhe dallgëve të mëdha, deri në 14 ballë, ishte i lejueshëm nga rregullat ndërkombëtare të lundrimit. 
Artikulli për revizionistët tensionon situatën.
Por, ekuipazhit nuk do t’u shkonte në mendje se do të ndesheshin me një qëndrim shumë armiqësor deri çnjerëzor të autoriteteve të portit, vetëm për shkak të një …shkrimit gazete të vendosur në kabinën e motobarkës. Pasi kreu të gjitha formalitetet e futjes në një port të huaj, motobarka u ankorua në portin e Gruzit në ora 17.00. Në këtë kohë shkuan për kontroll në motobarkë një grup që përbëhej nga një përfaqësues i doganës, një përfaqësues i kapitenerisë së portit dhe një përfaqësues iI policisë së qytetit. Gjatë kontrollit ata u ndalën para gazetës së murit së motobarkës, ku ishin afishuar vendime të kongresit VI të Partisë, mbi muajin e miqësisë shqiptaro-sovjetike dhe mbi disiplinën. Në njërën nga artikujt përveç të tjera flitej dhe se fitoret e popullit tonë nuk u pëlqejnë armiqve të betuar të socializmit, imperialistëve amerikanë dhe veglave të tyre revizionistëve jugosllavë e të tjerë. Kaq ka mjaftuar që autoritetet e portit të kërkonin heqjen e këtij artikulli nga gazeta e murit të motobarkës. Kërkesa ishte në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të mospërfshirjes së autoriteteve portuale në punët e brendshme të anijeve që ankoroheshin në porte të huaja. 
Reagimi i ekuipazhit.
Me gjithë kërcënimet e shumta për t’i nxjerrë në det të hapur në rast se nuk e hiqnin artikullin, marinarët e motobarkës nuk pranuan ta hiqnin artikullin, madje deklaruan se nuk do të hiqnin asnjë germë prej tij. Në orën 20, në anije u futën 4 njerëz të shërbimit sekret jugosllav, të cilët kërkuan nëpërmjet presionit dhe detyrimit me dhunë që të hiqej artikulli. Ata i kërkuan kapitenit të motobarkës Franc Ivanaj që të paktën të fshiheshin nga artikulli fjalët ku flitej për revizionistët jugosllavë. Në kushtet e një situate të tensionuar, kapiteni mbledh ekuipazhin dhe diskuton se çfarë duhet të bëjnë. Të heqin artikullin e të vazhdojnë strehimin në port derisa të përfundojë furtuna apo të mos e hiqnin artikullin e të dilnin në detin e trazuar duke rrezikuar seriozisht mbytjen. Motobarka ishte e vjetër, e punuar me dru, 580 tonësh dhe nuk mund t’i rezistonte detit të egër. Por, ekuipazhi vendosi që artikulli të mos hiqej dhe ata le të dilnin në det të hapur. Motoristi Ramis Banushi, Ismail Çurraj,vëllai i heroinës së popullit Zonja Çurre, motorist i dytë Ramazan Domi dhe kapiteni Franc Ivanaj, u dhanë zemër shokëve për ta përballuar me guxim një situatë të tillë. Ata nuk e pranuan ultimatumin e jugosllavëve dhe e nxorën motobarkën nga porti, e cila nisi të lëkundej gati për mbytje në mes të detit, nën vështrimin e qetë të autoriteteve jugosllave, të cilët prisnin nga moment në moment mbytjen e anijes së vogël. Më 18 tetor, motobarka u kthye në portin e Durrësit, ndërkohë që ministria e jashtme e Shqipërisë i dërgoi një notë proteste qeverisë jugosllave ku e informonte për ngjarjen dhe denonconte qëndrimin e autoriteteve të portit të Gruzit.
Sigal