Arkivi Sekret Britanik për LANÇ/ Ja intervista e parë e Enverit si kryeministër në 1944-n me gazetarin amerikan: Do forcojmë marrëdhëniet me SHBA-të. Kriminelët e luftës, para gjykatave dhe do u konfikskojmë tokat

973
Sigal

gjykatave të popullit. Tokat e tyre dhe të tradhtarëve do të konfiskohen”

 

Enver Hoxha: Shqipëria, shtet demokratik. Marrëdhëniet me SHBA do t’i forcojmë

Dokumentet sekrete për LANÇ në Arkivin Britanik

Enver Hoxha, Kryeministri i qeverisë provizore pas luftës në vitin 1944, kishte vetëm pak ditë në zyrë, kur i trokiti një gazetar amerikan, Maurice Rosenberg. Ai zhvilloi një intervistë më të, ndoshta të parën që dha, fill 5 ditë pasi kishte marrë zyrën në Tiranë në Hotel “Dajti”. Kjo intervistë, ku Hoxha flet për regjimin demokratik, marrëdhëniet me jashtë dhe zhvillimin ekonomik, u realizua në mënyrë të fshehtë nga oficerët britanikë në Tiranë, të cilën menjëherë e nisin drejt Londrës për në Ministrinë e Jashtme. Si kryeministër, Hoxha flet se angazhohet për një shtet demokratik, madje edhe se do të çimentojë miqësinë mes shqiptarëve e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, Hoxha tregon për mënyrën se si do të konfiskohen pronat e ish-kuislingëve dhe se si do të ngrihen gjykatat e popullit. Në këtë intervistë të parë, ai flet gjithashtu për marrëdhëniet me jashtë, duke theksuar se kërkon të ketë zero probleme me fqinjët, sepse sipas tij shqiptaria duhet të jetë miqësore me të gjithë. Enver Hoxha shprehet më tej se në atë moment, dhjetor 1944, ishte ende herët për të folur nëse Shqipëria do të ishte në Federatën Ballkanike, por gjithsesi ai angazhohet për marrëdhënie shumë të ngushta me jugosllavët dhe Titon në veçanti. Njëkohësisht lideri komunist heq dorë nga çdo pretendim shqiptar për kufijtë, duke deklaruar se ata do të jenë siç kanë qenë. “Në lidhje me politikën e jashtme, Hoxha nënvizoi se për momentin aktual, nuk e shikon vendin në një Federatë Ballkanike, por ai personalisht do të bënte çdo përpjekje për të ndërtuar një vëllazëri të fortë përkrah kombeve ballkanike. Shqipëria kërkon të jetë miqësore me të gjithë. Kufijtë e Shqipërisë do të mbeten siç janë”, shprehet Enver Hoxha, në këtë intervistë me gazetarin amerikan, Rosenberg  Ky dokument wshtw  i kohës së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Ato i përkasin Ministrisë së Jashtme Britanike, Zyrës së Luftës, zyrës së Kryeministrit Çurçill. Raportet janë të hartuara nga oficerët britanikë të ndërlidhjes (SOE), që punuan në Shqipëri gjatë luftës…

Dokumenti i plotë
4 dhjetor 1944
Më poshtë është një intervistë që Komandanti i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, Enver Hoxha, dha për korrespondentin amerikan, gazetarin Maurice Rosenberg.
“Të gjitha përpjekjet për rindërtimin e Shqipërisë dhe themelimin e një qeverisjeje demokratike, janë dy qëllimet e përbashkëta që ka udhëheqja aktuale shqiptare”, u shpreh Enver Hoxha.
“Planet tona tashmë janë të fokusuara në formimin sa më shpejt të Asamblesë Kushtetuese për të përfshirë të gjithë vendin e çliruar dhe në vendosjen e rendit. Në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare, burra dhe gra mbi 18 vjeç do të zgjedhin të zgjedhurit e tyre në këtë Asamble, e cila do të vendosë për formën e qeverisjes së Shqipërisë. Djemtë dhe vajzat nën 18 vjeç që morën pjesë në përpjekjen për çlirimin e vendit nga pushtuesi, do të lejohen të votojnë gjithashtu. Gratë të cilat fitojnë të drejtën e votës për herë të parë, e përmbushën këtë të drejtë për shkak të rolit të tyre në luftë për çlirimin e vendit. Ndërkohë, shqiptarët janë duke u mobilizuar për të rindërtuar vendin e tyre në një program kombëtar për rindërtimin e vendit, i cili u godit fizikisht fort dhe nga pikëpamja ekonomike është shkatërruar”, tha Hoxha.

Presidenti amerikan Franklin Rusvelt

Enver Hoxha tha më tej se nuk do të ketë më asnjë mobilizim ushtarak, tani që vendi u çlirua dhe që fokusi kryesor është përballja me njerëzit për të rindërtuar vendin në kohë paqeje. Rindërtimi i vendit do të bazohet në përdorimin e plotë të të gjitha materialeve të rralla që ka Shqipëria. Vendi është kryesisht një ekonomi bujqësore dhe kërkesa kryesore e regjimit të Hoxhës për rikuperim është kultivimi i tokës që kohët e fundit nuk është përdorur, rritja e prodhimit në fermat ekzistuese dhe zhvillimi i sektorit minerar që ka vendi. Hoxha shkoi më tej, duke thënë se çdo njeri do të ketë të garantuar të drejtën për të pasur tokë dhe kjo e drejtë do t’u jepet fillimisht atyre njerëzve që morën pjesë në luftën për çlirimin e vendit dhe atyre që përjetuan dëmet më të mëdha nga lufta. Të gjitha tokat që u përkasin kriminelëve të luftës dhe tradhtarëve do të konfiskohen. Hoxha anonçoi se do të ngrihet në të gjithë vendin një komision i përgjithshëm dhe nënkomisione të cilat do të merren me investigimin e krimeve të luftës. Këto komisione do të veprojnë si agjenci të gjetjes së fakteve dhe ata që do të akuzohen për krime lufte, do të gjykohen përpara gjykatave të popullit, të cilat do të ngrihen në çdo prefekturë dhe nënprefekturë të Shqipërisë. Hoxha u shpreh se do të ketë mëshirë për ata që kanë gabuar, por aspak për kriminelët. Në lidhje me politikën e jashtme, Hoxha nënvizoi se për momentin aktual nuk e shikon vendin në një Federatë Ballkanike, por ai personalisht do të bënte çdo përpjekje për të ndërtuar një vëllazëri të fortë përkrah kombeve ballkanike. Shqipëria, tha Hoxha, kërkon të jetë miqësore me të gjithë. Ai deklaroi se kufijtë e Shqipërisë do të mbeten siç janë. Ekziston një minoritet grek në jug të vendit, por ata kanë pasur dhe do të kenë të gjitha të drejtat e garantuara nga regjimi demokratik, të njëjta me ato të qytetarëve të tjerë shqiptarë. Nëse ata duan të kenë shkolla në gjuhën greke, do t’i kenë, tha Hoxha. Ai përmendi se disa nga luftëtarët më të mirë në ushtrinë partizane ishin grekë dhe se shqiptarët kishin luftuar së bashku me grekët dhe formuan një vëllazëri të madhe, ELAS. “Brigadat partizane shqiptare po luftojnë krah përkrah me ato të mareshallit Tito”, tha Hoxha, i cili shtoi se shqiptarët dhe jugosllavët janë të lidhur nga derdhja e gjakut në luftë kundër armikut të përbashkët.
“Qëllimi ynë i parë ishte lufta ndaj fashizmit derisa ai të shkatërrohet plotësisht dhe këtë po e realizojmë. Shqiptarët duhet të përballen tani me rindërtimin e vendit pas luftës”, tha Hoxha, i cili shtoi se asnjë agjenci e ndihmave aleate nuk është afruar akoma për të sjellë ndihmë në Shqipëri. Hoxha foli me respekt dhe admirim të madh, që sipas tij shqiptarët kanë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai kujtoi fundin e luftës së madhe të kaluar, kur presidenti amerikan Uillson deklaroi se Shqipëria nuk do të ndahet, si dhe vitin 1920 kur një numër i madh shqiptarësh erdhën nga Amerika për të luftuar italianët. Hoxha mburri presidentin amerikan Rusvelt, si një njeri të shqetësuar për fatet e kombeve të vegjël dhe si një lider i një vendi të madh që beson në parime për të cilat populli shqiptar luftoi në luftë. “Rizgjedhja e presidentit Rusvelt ishte një lajm i madh jo vetëm për Amerikën, por edhe për Shqipërinë e për paqen në botë”, u shpreh Hoxha. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që erdhi nga ajri dhe nga deti për luftën në Shqipëri. Regjimi aktual në Shqipëri do të bëjë gjithçka që të çimentojë marrëdhëniet miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të ngulisë te presidenti Rusvelt dhe populli amerikan se do ta bëjë Shqipërinë ekonomikisht dhe politikisht një vend demokratik.

Faksimile e intervistës së parë të Enver Hoxhës si kryeministër

Profili i britanikëve për Enver Hoxhën në prill 1945: “Hoxha i pasigurt, tekanjoz dhe kokëfortë”
Pas përfundimit të luftës, misioni britanik në Tiranë dërgonte informacione të shpeshta në Ministrinë e Jashtme në lidhje me ngjarjet në Shqipëri. Por në një dokument të prillit të vitit 1945, kur Enver Hoxha ishte prej 5 muajsh në pushtet, britanikët përshkruajnë personalitetin e Hoxhës. Vihet re fakti se ka disa informacione jo të sakta, si fakti që thuhet se Hoxha punoi disa vite në legatën shqiptare në Bruksel, kur në fakt ai punoi më pak se një vit. Po ashtu thuhet se Hoxha ndërpreu studimet në Francë sepse nuk kishte para, por nuk thuhet se ai ishte me bursë nga shteti shqiptar dhe se në universitet nuk dha asnjë provim. Këto të dhëna britanikët i mblodhën nga çka pyesnin njerëzit që njihnin sadopak Hoxhën, por sigurisht nuk i verifikuan më tepër ato në lidhje me të kaluarën e tij. Një informacion i gabuar ishte edhe fakti që ishte lideri i grupit komunist të Korçës. Gjithsesi, shumë prej oficerëve britanikë që bënë këtë raport, e njohën nga afër Enver Hoxhën dhe mbetet mjaft interesant përshkrimi i personalitetit dhe mënyrës se si Hoxha udhëhiqte vendin pa dalë nga zyra.
DOKUMENTI I PLOTË PROFIL I ENVER HOXHËS, PRILL 1945.
Lindur në Gjirokastër më 1908. I arsimuar në Liceun francez të Korçës, i vijoi studimet e veta në Francë, por nuk u diplomua për shkak të mungesës së parave. Për disa vite ishte sekretar i Legatës shqiptare në Bruksel, ku ai shkroi disa artikuj antifashistë dhe antizogistë me pseudonimin Lulo Malësori. Kthehet në Shqipëri në vitin 1936 dhe nis të japë mësim në Liceun francez në Korçë.
Në vitin 1939 kontaktoi lëvizjen antizogiste dhe ishte kreu i grupit të vogël komunist të Korçës. Ai më vonë hapi një dyqan me emrin “Vlora”, e cila u bë një qendër kundër pushtuesve fashistë.
Në tetor 1941 doli hapur si lideri i rezistencës. Në shtator të 1942-shit ishte një nga organizatorët e konferencës së Pezës nga ku u krijua Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ishte anëtar i Këshillit të LANÇ gjatë viteve 1943 dhe 1944, si dhe komisari politik. Në maj 1944 u caktua president i LANÇ dhe komandant i përgjithshëm i LANÇ me gradën Gjeneral-kolonel. Në tetor 1944, në Kongresin e Beratit konfirmohet në pozicionin e tij, por edhe si kreu i qeverisë provizore dhe ministër i luftës. Përshkruhet si një personalitet dominues, por i pasigurt, tekanjoz dhe i palogjikshëm, bashkëpunues, por në fund – kokëfortë. Ai shpenzon të gjithë kohën në zyrën e vet në Tiranë dhe njëherë publikisht dr. Nishani e këshilloi që të lëvizë në Shqipëri për të parë se çfarë ndodh më konkretisht

. Erald Kapri