Amerikanët-Ramizit: “Mos ki frikë, s’të vret njeri në Nju Jork”

1234
Sigal

Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)

INTERVISTA IV/ Flet Bashkim Pitarka, ish-ambasadori shqiptar në Organizatën e Kombet e të Bashkuara

Që prej nëntorit të vitit 1960, kur u kthye nga zhvillimi i mbledhjes së 81 partive Komuniste në Moskë, Enver Hoxha nuk preferoi më të dilte jashtë shtetit. Ai u ngujua në Tiranë i ruajtur nga “pretorianët” e Gardës Kombëtare dhe vetëm priste vizita në zyrën e tij të madhe në katin e dytë të ndërtesës hijerëndë të Komitetit Qendror ose në dhomën e pritjes në katin e parë të Vilës 31 që ishte ndërtuar enkas për të me një vendim të veçantë të Byrosë Politike. Ndërsa Ramiz Alia, kishte pasur fatin ta shihte perëndimin në lulëzimin e tij për pas Luftës së Dytë. I kish kaluar ca ditë në Francë në vitin 1979 kur shoqëronte për kurim Hysni Kapon…

…Por viti 1990 do të ishte krejt ndryshe. Ramiz Alia do t’i hipte sërish avionit. Por këtë herë për të kaluar Atlantikun e për të mbërritur në Amerikë. 30 vjet pasi kishte braktisur Kremlinin, Alia, udhëheqësi i fundit komunist në Evropën Lindore, po tentonte të futej në Shtëpinë e Bardhë. Ai e kishte lënë pas Moskën, për të kapur Uashingtonin, por në Nju Jork, ngjarjet nuk do të ishin aq premtuese. Gjatë rrëfimit të tij për gazetën “Telegraf”, ish-ambasadori shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuar, Bashkim Pitarka thotë:

Si do të motivohej ftesa e bërë Ramiz Alisë për të vizituar OKB-në?

Më kujtohet që në një bisedë të rastit me Presidentin Alia, De Kuelari i kujtoi atij, se atë vit në vjeshtë Asambleja e Përgjithshëm e Kombeve të Bashkuara do të zhvillonte Samitin tepër të rëndësishëm për të drejtën e fëmijëve, ku do të vinin shumë Presidentë Kryetarë Shtetesh, e kryeministra të vendeve anëtare. De Kuelar shprehu dëshirën se do të dëshironte ta shihte edhe zotin Ramiz Alia midis tyre. Dhe në fakt ashtu ndodhi.

Si do të përgatitej vizita?

Ramiz Alia ngarkoi misionin shqiptar dhe mua personalisht pranë Kombeve të Bashkuara, të merreshim seriozisht gjatë gjithë verës me përgatitjen e pjesëmarrjes së tij, në këtë samit, të takimeve të tij me sa më shumë presidentë e kryetarë shtetesh dhe në mënyrë të veçantë të kërkoja një takim qoftë edhe të shkurtër me presidentin e atëhershëm, zotin Xhorxh Bush plakun. Më kujtohet që përgatitja e kësaj vizite që sigurisht ishte bashkë me negociatat me Departamentin e Shtetit një nga detyrat e mia më të rëndësishme të aktivitetit tim diplomatik. Kjo do të ishte e para herë që një president shqiptar të merrte pjesë në një sesion të jashtëzakonshëm apo qoftë dhe të zakonshëm të Kombeve të Bashkuara. Unë kolegu im Genc Mlloja dhe anëtarët e tjerë të misionit i hymë një veprimtarie e pune të palodhshme për suksesin e kësaj vizite në OKB dhe gjithashtu pranë komuniteteve patriotike shqiptare në rajonin e Nju Jork-Nju Xhersi dhe Konektikat, si dhe në mënyrë të veçantë pranë komunitetit të flaktë patriot të Bostonit. Imagjinoni se sa punë duhej të organizonim takimet e tij me sa më shumë kryetarë shtetesh. Dhe sa takime m’u deshën të marr me përfaqësues të përhershëm të shteteve anëtare në një liste të gjatë, presidentët dhe kryeministrat e të cilëve zoti Alia donte t’i takonte. Por natyrisht më e madhja e të mëdhave dhe më e vështira do të ishte ajo, takimi me Xhorxh Bush.

Nga do të fillonte plani i organizimit të vizitave?

Sigurisht këtë program pune do ta nisja më të parën e të parave, takimin Bush-Alia në Nju Jork. Çështjen ia ngrita ambasadorit amerikan pranë OKB-së, z. Pikerig, si dhe ambasadorit Krammer ndihmësin të zv/Sekretarit të Shtetit, i cili zhvillonte negociatat me mua. Ndër ta, përveç organizimit të takimit, me porosi të qendrës kërkova që për vizitën e presidentit Alia, Qeveria Amerikane të na ofronte një limuzinë dhe roje sigurimi gjatë gjithë vizitës së dhe qëndrimit të zotit Alia në Nju Jork dhe Boston. Pra i bëra të njohur programin e vizitave, ku përfshihej një pritje për përfaqësuesit e komuniteteve shqiptare në SHBA, në restorantin e mirënjohur “Antony’s Pier 4 Restaurant”, pronari, i të cilit ishte patrioti i shquar, pasues i veprës patriotike shqiptare të të madhit Noli, i ndjerit Antoni Athanas.

Çfarë siguroi pala amerikane?

Pala amerikane më siguroi se do të ofronte eskortën e sigurimit dhe limuzinën për përdorim nga zoti Ramiz Alia. Por dy ditë para vizitës, para mbërritjes së Presidentit Alia në Nju Jork, misioni amerikan pranë Kombeve të Bashkuar na njoftoi se pala amerikane nuk mund t’i ofrojë limuzinë dhe eskortë të veçantë sigurimi zotit Ramiz Alia, jetës së të cilit, sipas tyre, nuk i kanosej ndonjë rrezik, por dhe se midis dy vendeve nuk kishte marrëdhënie diplomatike sa t’i kushtëzonte ata për të marrë të tilla masa.

A ju shqetësoi ky fakt i ri?

Ç’është e vërteta një gjë e tillë më ra si gur në kokë dhe mund ta kuptoni se çfarë reagim solli kjo në Tiranë. Qendra me insistim më kërkoi të ndërhyja përsëri pranë ambasadorit amerikan por edhe po të ishte nevoja edhe homologut tim të negociatave në Departamentin e Shtetit, pra ambasadorit Krammer, për të rishikuar këtë vendim. Unë veprova sipas udhëzimit të qendrës dhe i paraqita këto kërkesa tek të lartpërmendurit.

Pati qëndrim tjetër pas këtyre ndërhyrjeve?

Dhe në fakt të nesërmen ambasadori Pikering më kërkoi takim dhe më njoftoi se pala amerikane nuk është në gjendje të na ofrojë limuzinë për transportin e zotit Alia në Nju Jork, por do të caktojë pranë tij një eskortë shumë të mirë sigurimi prej dy oficerësh që ishin pjesë e sigurimit të personave të rëndësishëm, i cili vepronte pranë Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuar. “Njëri prej tyre, – më tha ambasadori, – është kushëriri i tij”. Unë e falënderova në emër të qeverisë tonë dhe duke më përcjellë ambasadori qeshi dhe më tha: “Ambasador Pitarka, shpëtove këtë radhë, nuk do të pushojnë nga puna”.

Po për takimin Bush-Alia si reagoi Shtëpia e Bardhë?

Është e rëndësishme të theksoj se amerikanët nuk dhanë takim për dy presidentët duke nënvizuar se presidenti i tyre është tepër i angazhuar se; kemi kohë, dhe se në të ardhmen do të gjendet mundësia. Nënvizoj se në atë kohë pala jonë kish bërë gabimin e madh, kishte shtyrë nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Unë jam dëshmitar i gjallë që topi kishte mbetur në fushën tonë, edhe arbitri i palës tonë i kish rënë bilbilit për pezullimin e ndeshjes. Në atë kohë lobingjet e ndryshme apo (pëllumbat dhe skifterët në KQ të PPSH-së vazhdonin avazin e vjetër të ekuidistancës në marrëdhëniet me dy superfuqitë. Më vonë mësova se kërkohej që rivendosja e marrëdhënieve diplomatike si me SHBA-në ashtu dhe BS-në të vendoseshin në të njëjtën kohë.

Si motivohej një gjë e tillë nga Komiteti Qendror?

M’u kujtua direktiva e famshme e Kongresit të 8-të të PPSH, kur në raportin e tij Enver Hoxha nënvizonte se: “Dy superfuqitë janë në të njëjtën masë dhe në të njëjtën shkallë armiq të betuar të paqes dhe të lirisë së popujve”. Pra çështja ishte se ngrihej nevoja që vendosja e marrëdhënieve me dy superfuqitë të bëhej në të njëjtën kohë e të mos thuhej se Shqipëria po kalonte me krahun e Amerikës. Dhe në të vërtetë negociatat me Departamentin e Shtetit për çështjen e nënshkrimit të marrëveshjes për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike u lanë në heshtje me gjithë insistimin të palës sonë për ta përfunduar atë marrëveshje. Unë si ish-diplomat dhe patriot nuk mund të mos shpreh mendimin se shtyrja e marrëdhënieve nga ana jonë ishte një hap tepër i gabuar, sepse zhvillimeve demokratike në vendin tonë dhe hapjes së Shqipërisë i shkaktoi një dëm të madh, i shtyu këto zhvillime dhe mungesa e rolit të SHBA-së në ato kohë me prani aktive të një ambasade amerikane në Tiranë solli pasoja negative.

Ndërkohë ju ishin kryenegociator për vendosjen e marrëdhënieve me Amerikën. Ku kishin mbetur ato?

Ju kujtoj se para ardhjes time në maj për vizitën e De Kuelarit, me të dy palët kishim sigluar projektmarrëveshjen e mirëkuptimit, e cila do të nënshkruhej, siç kishim rënë dakord pas kthimit tim nga Tirana. Por mua më kthyen në Nju Jork vetëm në muajin qershor 1990, pra shumë më vonë pas datës së caktuar.

DËSHMIA/ Kërkesa e dubluar në mbledhjen e jashtëzakonshme të OKB-së

Pse Xhorxh Bush refuzoi të Takonte Ramiz Alinë në Shtëpinë e Bardhë

Kishte dashur të bisedonte më gjatë me të, për paktën 10 apo 15 minuta. Ramiz Alia i ka shtrënguar dorën presidentit Bush duke i thënë ca fjalë urimi, dhe ky i fundit i është përgjigjur me të njëjtin ton. Por gjithsesi takimi i tyre i vetëm ka zgjatur jo më shumë se 15 sekonda, gjatë të cilave është lënë të kuptohej se midis dy vendeve, Amerikës dhe Shqipërisë po frynte një erë e re. Pjesëmarrës direkt në këtë takim, ish-përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Bashkim Pitarka, kujton:

“Shënoj se gjatë pjesëmarrjes së z. Ramiz Alia në Samitin e Jashtëzakonshëm të Asamblesë së Përgjithshme për të Drejtat e Fëmijëve dhe përfundimin e Kartës së të Drejtave të Fëmijëve, ditën e fjalës së mbajtur nga Presidenti Xhorxh Bush, sipas procedurave protokollare të Sekretariatit të OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm e shoqëroi Presidentin Bush jashtë sallës së Asamblesë dhe sipas praktikës delegacionet u rreshtuan në lobin pranë sallës së Asamblesë së Përgjithshme për të bërë përshëndetjet e rastit presidentit Bush dhe delegacionit amerikan. Nga pala jonë, shkuam Presidenti Alia, Ministri i Jashtëm z. Reiz Malile dhe unë si përfaqësues i përhershëm i OKB-së. Presidenti Alia më udhëzoi me insistim që të shfrytëzohej rasti që kur unë do t’i shtrëngoja dorën presidenti Bush t’i ngrija kërkesën e presidentit Alia për një takim qoftë dhe tepër të shkurtër midis tyre. Unë u gjenda në siklet të madh. Sigurisht nuk ishte rasti dhe sëra ime për të bërë një kërkesë të tillë gjatë një ceremonie të shkurtër protokollare të shtrëngimit të duarve dhe urimeve të rastit. Kur Ramiz Alai i shtrëngoi dorën presidentit Bush dhe i bëri urimet e tij të rastit për fjalimin që mbajti, presidenti Bush tha vetëm këto fjalë: “Po jetojmë kohëra interesante midis dy vendeve”; pas tij i erdhi radha t’i shtrëngonte dorën ministri Reiz Malile. Presidenti Bush i kujtoi atij kohën kur të dy ishin kundërshtarë lidhur me çështje e pranimit të Kinës në Kombet e Bashkuara dhe ai ishte përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së pranë OKB-së dhe me këtë rast i tha: “Mban mend si ndesheshim bashkë për Kinën? Unë përfundova në Penkin si ambasador dhe përgatita bisedimet e Kisingerit, juve vazhduat me marrëdhëniet e ngushta me Kinën. Kur më erdhi radha mua drejtori i protokollit të Shtëpisë së Bardhë, ambasadori Xhozef Uorner Riid, ish zv/përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së pranë OKB-së më prezantoi mua jo vetëm si përfaqësues i përhershëm por dhe kryenegociatori shqiptar në departamentin e Shtetit, dhe si mik i tij. Zoti Xhejms Bejker, sekretari i shtetit në atë kohë, më uroi për punën e mirë dhe tha që “Do të të presim me kënaqësi në Uashington”. Kur i shtrëngova dorën presidenti Bush i transmetova edhe një herë kërkesën për një takim qoftë fare të shkurtër me presidentin tonë Alia dhe theksova, se për hir të së vërtetës qëllimi kryesor i ardhjes së tij në Nju Jork ishte të takonte presidentin Bush dhe së bashku të përfundoni rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Presidenti Bush më tha: “Me kënaqësi do të doja ta takoja por që këtu me urgjencë do të nisem për në Uashington. Pra koha nuk më premton, por shpresoj që do ta jepet mundësia në të ardhmen”. Sigurisht këtë reagim ia transmetova menjëherë presidentit Ramiz Alia aty në sallonin ku jepej një koktej i rastit. Dhe në fakt ata nuk u arrit të takoheshin. Të nesërmen zoti Ramiz Alia i shoqëruar nga këshilltari i tij Sofokli Lazëri dhe unë si përfaqësues i përhershëm shkuam në Boston për pritjen e madhe që organizohej për komunitetin shqiptar. Pas kësaj pritjeje, Presidenti Alia i përcjellë nga Antoni Athanas u largua nga aeroporti i Bostonit”.

(vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

Çlirohet familja Popa, si u realizua zhbllokimi i marrëdhënieve me Italinë

Ndërhyrja, OKB, një misionar për të zhbllokuar ambasadat të Shqipëri

Retrospektiva: Sherret për të drejtat e njeriut në OKB dhe roli i Shqipërisë

Roli amerikan në zhvillimet në Shqipëri, pse u ngadalësuan bisedimet dypalëshe

 

Përgatitur për botim, më 2008