Ali Kalo Luzati: “Ose transmetoni telegramin e Ismail Qemalit dhe bëni të njohur Pavarësinë, ose ua shkrepa revolen në ballë!”

1623
Sigal

Në fund të vitit 1913 ai arrestohet nga shovinistët grekë, së bashku me shokët e tjerë demaskohen në prani të 600 ushtarëve e oficerëve grekë

Ç’do memorial e pllakat mermeri me emër qe është e vendosur në sheshe e kodra, rrugëve dhe lagjeve, nëpër qytetet e Shqipërisë, mbart në vetvete një histori. Një e tillë ndodhet dhe në qytetin e Tepelenës, e vendosur 28 vjet më parë, marsin e vitit 1987 me vendim të Komitetit Ekzekutiv të atëhershëm, në perëndim të rrugës së trete të kalimit horizontal dhe mban emrin e patriotit, atdhetarit dhe fisnikut Ali Kalo Luzati. Më tej, në hyrje të po kësaj rruge, nga lindja shikon edhe një pllakatë tjetër mermeri, me ngjyrë të zezë, por pak më e madhe se kjo, ku brenda së cilës shkruhet: TELEGRAM! “Konferencës së Paqes Paris. Presidentit të SHBA W. WILSON. Lajmërojmë Shkëlqesinë Tuaj se në qoftë që të drejtat tona për lirinë e plotë nuk merren në sy, po ndahet Shqipëria mes fqinjëve lakmitar, atëherë kombi shqiptar do të luftojë gjer në fund për të mbrojtur tërësinë e vendit.”Me përunjësi,  Ali Kalo Luzati. Kryetari i Partisë Politike Shqiptare Dega: Neë-BedFord-Massit SHBA. Më 12 Mars 1919.“Albania”  nr. 48, datë 20.03.1919.

Sa e lexon këtë telegram fillon e kuvendon me vetveten, duke menduar e kujtuar se kush ka qenë ky Ali Kalo Luzati dhe ç’ aktivitet e kontribut ka pasur e dhënë ai në Tepelenë në kohën që jetoi?!

Dhe tek sa interesohesh për të, del se Ali Kalo Luzati (Zenelaj) lindi më 1861 në katundin Luzat, në një “fshat rebel”siç e quanin osmanlinjtë, në një familje te varfër por me tradita patriotike mbasi gjyshi dhe babai i tij, Kalo Guçe Zeneli, kishin marrë pjesë në ç’do përpjekje me luzatarët e tërë kundër osmanlinjve. Kryen filloren në turqishte në Tepelenë dhe me përpjekjet e të atit, Kalos, dhe ndihmën e dajave nga Turani, ai vazhdoi e mbaroi të mesmen në Janinë, kthehet në vendlindje, duke zotëruar turqishten, greqishten, arabishten dhe anglishten, emërohet nëpunës monopoli në Tepelenë, detyrë të cilën Aliu e mbajti plot 25 vjet.

 Aktiv dhe veprimtar nga 1900 -1926 ai nuk reshti luftën dhe kontributin për një Shqipëri të lirë e të pavarur, e sidomos në vitet kur qëndroi e punoi në Amerike. Me punën që bënte ai fitoi simpatinë në të gjitha rrethet nacionaliste të vendit tonë, si pjese e grupeve kryesore që luftonin për çlirimin e atdheut nga pushtuesi turko-grek. Ai ishte anëtar i organizatës politike në Tepelenë e cila drejtohej nga Baba Ahmet Turani që punonte me parullën “Ja Vdekje- Ja Liri” e bashkëpunues me patriotët e tjerë Tepelenas si Selam Musai, Ismail Kasua, Arshi Dauti, Gani Shehu, Ali Rakip Salaria, Sheh Ali Bënça etj., dhe anëtar i kryesisë në Degën e Klubit Shqiptar Krahinor që përbëhej nga Gani Shehu, Avni Rustemi Libohova, Ali Rakip Salaria, Ali Rakip Salaria e Beqir Sami (Mezhgorani) ku drejtohej nga patrioti Dervish Hima te cilët mbanin korrespodencën me Klubin e Manastirit.

  Nuk ka përpjekje më fisnike për njeriun se ajo për lirinë kombëtare

  Më 1912, shkruan Gazeta “Zëri i Vlorës” më 28-11- 1985, Ali Kalo Luzati detyron telegrafistin turk me revolverin në dorë që telegramin e ardhur nga Ismail Qemali që bënte të njohur ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë ai duhej ta transmetonte dhe në rrethet Përmet, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë. Dhe telegrafisti turk, i zënë ngushtë, këtë telegram e transmetoi si rezultat i vendosjes së revolverit në gjoks nga Ali Kalo Luzati. Në fund të vitit 1913 ai arrestohet nga shovinistët greke së bashku me shokët e tjerë si Daut Shehun, Shefqet Sadullahu, Arshi Daut Shehun dhe demaskohen në prani të 600 ushtarëve e oficereve greke para sheshit në Tepelenë pse ishin kundër governës greke, shkruan revista“Përparimi”nr,5 – 1917.

Nga djegia dhe mizoritë e shumta që greket bënë edhe në fshatin Luzat, Ali Kalua largohet nga vatani së bashku me të dy djemtë e tij e luzatarët e tjerë për në Vlorë, pasi kishte varrosur me 13 familjet e fshatit të, cilat i kishte vrarë greku, dhe tre fëmijët e tij, një djalë dhe dy vajzat jetime, pasi dhe gruaja e tij kishte vdekur më parë.

I detyruar nga gjendja ekonomike e fukarallëku i madh i vitit 1914, ai së bashku me të dy djemtë, Remziun dhe Arshiun, nisen për në kurbet dhe shkojnë në Amerikë e vendosen në qytetin Neëw- Bedford- Mass, duke filluar punën si punëtor në fabrikat e tekstileve për shtatë vjet, nga 1914 deri në 1921. Shqiptarët e Amerikës, duke i njohur cilësitë e tij që në Shqipëri, e zgjedhin atë disa herë kryetar të kolonisë shqiptare për këtë qytet, e duke u shquar si patriot i flaktë për Shqipërinë kuvendi i “Partisë Politike” të shqiptarëve të Amerikës që u mblodh në Voçerster mass nga 7-12 mars 1919, Ali Kalo Luzatin e zgjodhi inspektor të kësaj partie i cili punoi pa u lodhur mes shqiptarëve për tu ngjallur atyre patriotizmin. Mbajti dhe bashkëpunoi dhe me partitë e tjera politike shqiptare në Amerikë të cilat udhëhiqeshin nga Fan. S. Noli, Sevasti Dako (Qirjazi) Hasan Prishtina, Mihal Grameno e Halil Gjirokastrën, duke gëzuar një respekt të veçantë e duke marrë pjese në kuvende si delegat bashkë me patriotët e tjerë të kohës ku në njërin nga këto kuvende ata zgjodhën dhe delegatët për në Konferencën e Paqes në Paris, të cilët ishin: Hasan Prishtina, Mihal Grameno, Halil Gjirokastra, Parashqevi Qirjazi etj. Përpiloi dhe firmosi bashkë me tetë delegatët thirrjen: VËLLEZËR SHQIPTAR, shkruan Gazeta Albania mars 1919, që bënte thirrje për çlirimin e Shqipërisë, e veçanërisht të Kosovës e Çamërisë, të grabitura padrejtësisht nga fuqie e mëdha, ku për këtë çështje shkroi dhe shtypi i kohës.

Presidenti i Amerikës, Uillson, i mbytur me telegrame dhe me apele në emër të Shqipërisë, në Kongresin e Kombeve të Shtypura, në Uashington më 4 korrik 1918, ku mbajti fjalimin e njohur mbi “Katërmbëdhjetë Pikat” në lidhje me kombësinë dhe vetëvendosjen, po atë pasdite do ti premtonte Peshkopit Fan Noli, i cili përfaqësoi Shqipërinë në atë kongres, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptareve: “Në Kongresin e Paqes do ta kem një zë dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë”. Liria 27 nëntor 1974.

Qe ky zë që dëgjoi qindra dhe mijëra zëra që dilnin dhe vinin nga thellësitë e të gjitha zemrave shqiptare, e bashkë me ta dhe zëri i fuqishëm i patriotëve të Jugut të Shqipërisë që “bindën” Presidentin Uillson në Konferencën e Versajës të “largonin” synimin lakmitar të shteteve fqinje për grabitjen dhe ndarjen e trojeve tona në tre pjesë

 I mençur është ai njeri që, veç punës, di e aktivizohet edhe me veprimtari politike në dobi të jetës shoqërore e atyre në lidhje me interesat e përbashkëta që kane të bëjnë për të mirën e popullit dhe vendit.

Me këtë mençuri patriotike veproi dhe Ali Kalo Luzati, i cili u anëtarësua në Partine Politike ku ai militoi dhe vetë si kryetar i degës Nr. 21 e të degës Nr. 7, shkruan gazeta Albania, Nr. 32 e 21.11.1918. Përshkruhet si njeri i pajisur me cilësi të veçanta e të njohura mirë nga bashkëkohësit, e më tej si burrë i zgjuar e i ndershëm e me kulturë, patriot e atdhetar. Është po kjo gazete e cila më 8.01.1920 do të shkruante: “U këndua një letër prej zotit Ali Kalo, inspektorit të Partisë i cili këshillonte delegatët të mbarojnë punesat si e do nderi i partisë” etj., etj., veprimtari si këto, të cilat janë të pasqyruara edhe në dokumentet zyrtare të asaj kohe e që ndodhen në Bibliotekën Kombëtare Tiranë. Pasi kishte kaluar pragun e të 60- dhjetave, Ali Kalo Luzati merr vendim dhe kthehet në atdhe me të dy djemtë e tij, Remzin e Arshiun, në vitin 1921 duke u vendosur përsëri në vendlindjen e tij Luzat, vazhdoi përsëri aktivitetin e tij atdhetar. Kështu më 1923 në Tepelenë Ali Kalo pret mikun e tij Fan Nolin dhe ndihmon në regjistrimin e 600 vullnetarëve tepelenas për Revolucionin Demokratiko –Borgjez. Shtëpia e Kalos gjendej në qendër të Luzatit.

Plaku i shtëpisë quhej Kalo Guçe Zenelaj,dhe i biri Ali. Aliu u soll në jetë nga gruaja e Kalos, Fatimeja. Për fatin e tij të keq, Aliu martohet dy herë. Me Xhevrien ai lindi dy djem, Remziun dhe Arshinë. Fatimeja vdes dhe të dy këta djem ngelen jetim. Aliu, i detyruar edhe nga dy djemtë e tij, martohet përsëri po në Tepelenë ku me gruan e dytë ai pati tre fëmijë, Muzaferin, Barien dhe Sadeten. Për të nderuar të atin, meqë i dha shkollë, Aliu mbajti si mbiemër nga Zenelaj në Kalo, llagap ky i pakthyeshëm. Aliut i qëlloi fati që të jetonte periudhën e trazuar kur shqiptarët të vetëdijshëm kishin filluar të zgjoheshin, dhe u ngritën në këmbë duke kërkuar nëpër kancelaritë e botës padrejtësinë e munguar kombëtare shumëshekullore për liri, mëvetësi dhe autonomi. Libri “100 familjet e mëdha shqiptare” pjesa e dytë me autor Donika e Zenel Anxhakut, e radhit familjen KALO jo pa qëllim të katërmbëdhjetën sepse jetëshkrimi i kësaj familje është tipik i një familjeje atdhetare shqiptare, që nëpër breza ka jetuar dhe punuar me sakrifica me djersë, ndershmëri e urtësi. Nga trungu i saj kanë dalë bij e bija patriote e të shquar në luftën Çlirimtare për liri, por dhe në punë e në shkencë. Njërit ndër ta, profesori Isuf Kalo, mjek i njohur në Shqipëri e në Europë, ish drejtues në Organizatën Botërore të Shëndetësisë i është akorduar edhe titulli “Qytetar Nderi i Tepelenës”.  Jo rastësisht, në librin e tij “Mjekësia, paciente dhe shoqëria” ai i referohet edhe shembullit frymëzues te gjyshit te tij Ali: “…Edi qe ne se tani ai do ishte gjalle ….”.

  Amanet që të mban e ta zbukuron shpirtin

Asnjë vlerë morale shoqërore nuk krijohet pa kontributin e familjes. Për vlerat e Ali Kalos ndofta gjithçka filloi e u ngjiz nga një akt jo i zakontë i të ëmës së tij, Fatimes: Kur po e  përcillte për në shkollë, në Janinë, në vend ta puthte e përqafonte si gjithë nenat ajo e qëlloi në faqe me pëllëmbë. Dhe teksa ai e shihte i befasuar i tha: “Shko, mëso, hap sytë. Pëllëmbën që ta hoqa biro, mbaje mend e mos e harro, ose bëhu njeri ose mos u kthe më këtu!”.

Dhe Aliu jo vetëm që mësoi por edhe u bë i dëgjuar e patriot i flaktë për vendin e tij, dhe i respektuar nga brezi në brez, ende sot, nga ne të gjithë!

Nga Xhenet Sula