Aleksandër ÇALA/ Piloti Dhimitër Robo, përjetë në qiell edhe në zemrat tona!

1256
Sigal

 Vritet në krye të detyrës më 12 qershor 1974. Është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa sot i jepet “Qytetar Nderi i Kolonjës”

Udhëtojmë sot më 12 qershor drejt qytetit të Ersekës. Së bashku me veteranë të Aviacionit, anëtar të shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit” dhe pilotë të Forcës Ajrore jemi nisur herët sot, si në një ditë të zakonshme fluturimi, jo për të fluturuar si dikur, por për të nderuar birin e Kolonjës, Dëshmorin e Atdheut, pilotin Dhimitraq Robo. Me propozim të shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit” Këshilli Bashkiak i Ersekës nderon sot pilotin dëshmor me titullin e lart “Qytetar Nderi” dhe ne duhet të jemi në Ersekë. Vlerësohet një pilotë, vlerësohet shoku dhe vëllai ynë, vlerësohet  Aviacioni Luftarak Shqiptar. Historia e Aviacionit Luftarak Shqiptar është histori e guximtarëve, e njerëzve me ambicie për ecjen përpara. Aviacionit tonë nuk i kanë munguar guximtarët dhe heronjtë. Në piedestalin e nderit të aviacionit shqiptar kanë shkruar emrin e tyre shumë “Dëshmorë të Atdheut”, mosha mesatare e të cilëve është 31 vjeç, por Dhimitraqi qe shumë më i ri, vetëm 25 vjeç. Aviatorët veteran Klement Aliko e Petrit Bebeçi të Skuadriljes Mig 21 kujtojnë punën dhe sakrificat e shumta që kanë bërë në vite, shokët e armës, ata që janë midis nesh, por edhe ata që mbetën përjetësisht qiellit të kaltër të Shqipërisë mëmë, krenarinë dhe nderin e aviacionit, dy dëshmorët që fluturuan me avionët Mig-21 Dhimitraq Robon dhe Luto Sadikun. Respekti për të rënët, këta djem e burra trima, është respekti për historinë e kombit, histori të cilën shumë pilotë e kanë shkruar me gjakun e tyre në lule të rinisë. Gjeografia e vendlindjes së dëshmorëve, por edhe e reparteve ku ata shërbyen me devotshmëri përfshin gjithë Shqipërinë.

Dhimitraq Robo i përket atij grupi pilotësh të talentuar shqiptar që u përzgjodh për specializim të mëtejshëm në Republikën Popullore të Kinës në fillim të viteve 70 për të fluturuar me avionët Mig-17 dhe Mig-19C. Ata u përgatitën me përkushtim dhe ishin shqiponjat shqiptare të ajrit.

Pjesë nga ditari i Dhimitraq Robos

Pekin 29.11.1971: Dita e çlirimit të Shqipërisë, hera e parë që e festoj jashtë atdheut me mijëra kilometra larg tij. Por, megjithatë dhe këtu ndjehet atmosfera festive. Festa jonë është festa e popullit vëlla kinez. Televizioni jep programe mbi Shqipërinë. Ambasadori shtroi banket. Merrnin pjesë shumë shqiptarë që studiojnë këtu. Në fund kënduan shokët kinez, kënduam edhe ne.

Pekin 01.12. 1971: Në hotel “Pekini” vazhdojmë një jetë të qetë dhe shumë të rehatshëm. Ushqimin e kemi shumë të bollshëm. Bëjmë analizat mjekësore në spitalin e aviacionit kinez. Një pritje shumë e ngrohtë nga ana e personelit mjekësor. Dola shumë mirë.”

Grupi i pilotëve shqiptar u përgatit në Kinë për afërsisht 2 vjet. Pas përfundimit të specializimit ata fluturonin në të gjitha kushtet dhe konditat meteorologjike, ditën dhe natën me avionët Mig-17 dhe Mig-19. Ky qe grupi i parafundit që u përgatit në R.P të Kinës për pilotim pasi më vonë çdo gjë do të kryhej në repartet e aviacionit shqiptar.

Dhimitraqi së bashku me Luto Sadikun, Klement Alikon, Dante Dusha, Musa Kame dhe Kujtim Kryekurtin përbëjnë grupin e parë të pilotëve që u përgatitën në Shqipëri për të fluturuar me avionët Mig-21. Të shërbeje në skuadriljen e avionëve Mig-21 nuk ishte diçka e lehtë. Në këtë skuadrilje fluturonte ajka e pilotëve shqiptar, sepse për të kaluar në përgatitje për të fluturuar me atë avion duhej të ishe një pilotë i dalluar e i suksesshëm në avionin Mig-19. Pilotët e rinj më të mirët e Mig-19 për zgjidhen në të gjithë regjimentet e aviacionit dhe fillonin përgatitjet për kalim në Mig-21. Pilotët duhej të ishin me veçori të spikatura e midis këtij numri të kufizuar pilotësh do të përzgjidhej dhe kolonjari Dhimitraq Robo sepse ai ishte më të vërtet i shkëlqyer. Në një kohë të shpejt u krye kalimi në avionin Mig-21 dhe vazhdonte normalisht programi i stërvitjes ajrore. Viti 1974 do të shënohet si viti i mbrapshtë në historinë e lavdishme të aviacionit luftarak. Në këtë vit humbin jetën tre pilot nga më të mirët e aviacionit, Bego Hoxha në 7 mars, Dhimitraq Robo në 12 qershor dhe Veiz Kovaçi në datë 5 gusht.

TRAGJEDIA

Në një ditë, si ajo e 12 qershorit 1974, pista e aerodromit luftarak të Rinasit gumëzhinte nga gjallëria e njerëzve me uniform dhe zhurma e avionëve reaktiv. Ditë e zakonshme fluturimesh, kur do të realizoheshin fluturime në kushte të thjeshta meteorologjike, por mobilizimi dhe përgjegjësia për zbatimin me rigorozitet e përpikmëri të çdo elementi në ecurinë pa ngjarje të tyre është si gjithmonë i lartë. Avionët reaktiv njëri pas tjetrit fluturonin drejt qiellit blu… e pasi kanë realizuar detyrat luftarake kthehen përsëri në bazë për fluturimin e radhës. Avioni Mig-21 me Nr 0203 realizon me sukses fluturimin e parë dhe kthehet në Bazë për fluturimin e radhës. Piloti Dhimitraq Robo, pasi kontrollon gjendjen e avionit, hipën në avion, ndez motorin dhe kërkon leje për tu ngritur në ajër për të realizuar detyrën “Luftim Ajror”. Kur arrin në lartësinë rreth 1000 metra dhe ndodhej në rajonin midis Kombinatit dhe Pezës në radio dëgjohet zëri i qetë e Dhimitraq Robos, i cili raporton “Kam rënie të presionit hidraulik të komandimit të avionit”. Si me magji ndërpriten të gjithë komunikimet e pilotëve të tjerë në radio dhe dëgjohet vetëm zëri i Udhëheqësit të fluturimit që urdhëron: “Kthehu nga e djathta dhe përgatitu për ulje”. Piloti kryen veprimet e parashikuara për rastin e veçantë në të cilin ndodhet dhe komunikon në radio me Udhëheqësin e Fluturimit: “Nuk komandohet avioni”. Pas këtij raportimi, Udhëheqësi i Fluturimit e udhëzon me radio si të vepronte për ta nxjerr avionin nga kjo gjendje duke e urdhëruar që të takonte sistemin “avari”. Piloti kryen veprimin duke takuar çelësin, por dhe sistemi rezervë  nuk funksionon. Në radio nuk dëgjohet gjë, sekondat në raste të tilla duken orë dhe të gjithë presin të dëgjojmë se si do të reagoj sistemi avari, por në radio dëgjohet e pabesueshmja “Presioni hidraulik ndihmues ra në zero. Ka dal jashtë funksionit”. Në kushtet kur avioni është bërë i pa komandueshëm e rëndësishme është të shpëtohet jeta e pilotit, gjë, e cila mund të realizohet me anë të katapultimit duke e braktisur avionin. Udhëheqësi i fluturimit e urdhëron pilotin të hidhet me katapultë. Mjetet radiolokative shoqërojnë avionin në ajër për të përcaktuar vendndodhjen dhe mbi Ballsh shenja ajrorë humbet nga ekranet. Avioni u përplasë në tokë në afërsi të fshatit Aranitas në Mallakastër dhe jo shumë larg tij ra dhe piloti me gjithë ndenjësen katapultuese dhe fanarin pran saj. Në këtë aksident të rëndë ajror humbi jetën piloti Dhimitraq Robo dhe u shkatërrua plotësisht avioni. Ngjarje tepër e rëndë, dhe katastrofa e parë ku u dëmtua një avion Mig-21. Zemrat e pilotëve trima të Regjimentit të Rinasit u tronditën thellë, pikëllimi për humbjen e shokut të tyre më të mirë ishte shumë i madh. Shumë komisione, hipoteza e variante janë ngritur për zbardhjen e kësaj katastrofe por asnjë nuk mund të quhet e vërtet. Por cila është e vërteta e kësaj ngjarje të rëndë. Ajo nuk dihet. Të vërtetat e tragjedive në aviacion, ato më realet, më të hidhurat, paradoksalet, të rastit apo të çdo varianti tjetër nuk ka komision apo grup ekspertësh që t`i zbardhi apo vërtetoj. Të vërtetat e tyre i marrin me vete ata që ikin, ashtu si mori me vete dhe Dhimitraqi të vërtetën e kësaj ngjarje të hidhur.

QYTETAR NDERI I KOLONJËS

Sot edhe pse mbushen 40 vite nga ngjarja tragjike, ku ky kolonjar trim humbi jetën, kujtimi i tij ka mbetur i gjallë në kujtesën tonë, në mënyrë të veçantë në kujtesën e familjarëve, të efektivave të aviacionit e të popullit të Kolonjës të cilët i nderojnë sot pilotin e talentuar të Forcës Ajrore me titullin e lart “Qytetar Nderi”.

Pilotët e Aviacionit Luftarak Shqiptar që kanë rënë në krye të detyrës dhe sot janë me statusin “Dëshmor të Atdheut” nuk ishin vetëm ushtarakë të zot, por edhe njerëz me shpirt të pastër e të virtytshëm, besnikë ndaj popullit dhe atdheut, nderit dhe besimit ushtarak. Këto e bëjnë kujtimin e tyre të paharruar, jo vetëm për ata që i kanë njohur por edhe për çdo qytetar të vendit tonë. Dëshmorët e Atdheut të Aviacionit, me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë në zbatimin e detyrave, me eksperiencën e madhe e të çmuar që kanë lënë pas për brezat e ardhshëm, me krenarinë që i kanë dhënë aviacionit dhe Forcave të Armatosura, janë pa diskutim një vlerë e madhe kombëtare. Ata patën një jetë të këputur në mes, por ata do të kujtohen gjithmonë nga ne dhe brezat që do të vijnë. Në përvjetor të tjerë do të kujtojmë me respekt dhe nderim të thellë shqiponjën shqiptare të ajrit, pilotin kolonjar Dhimitraq Robo.

 Biografia e pilotit Dhimitër Spiro Robo

Dhimitër Spiro Robo është lindur më 26.10.1949 në qytetin e Ersekës të krahinës së Kolonjës. Arsimin e mesëm e kryen në periudhën nga viti 1963 deri 1967 në Shkollën e Mesme “Petro Nini Luarasi” të cilën  përfundon me rezultate të larta”. Në vitin 1967 fillon studimet për t’u përgatitur si pilot në Shkollën e Aviacionit në qytetin e Vlorës. Që gjatë kryerjes së studimeve të vitit të parë ai u dallua për rezultate të shkëlqyera jo vetën në lëndët teorike, por edhe në praktikën fluturuese. Në vitin 1970, Dhimitraqi përfundon studimet duke u dalluar nga të gjithë shokët e tjerë dhe mund të krahasohej dhe me pilotë që kishin disa vite që shërbenin në aviacion. Mbas titullimit emërohet me detyrë në Regjimentin e Aviacionit në Rinas. Për rezultatet e larta në kryerjen e detyrës luftarake përzgjidhet dhe dërgohet për specializim për pilotimin e avionëve Mig-21 në Republikën Popullore të Kinës në periudhën 1971-1972. Këtë specializim e përfundon me rezultate të larta. Ka kryer detyrën e komandantit të ekuipazhit me avionin Mig-21

Në 12.06.1974 gjatë kryerjes së detyrës, ndërsa po fluturonte mbi rajonin e Ballshit, si pasoj e një  defekti të rëndë teknologjik, avioni Mig-21 me Nr.0203 që ai drejtonte pësoi katastrofë ajrore, e për pasoj piloti Dhimitër Robo humbet jetën. Dhimitër Robo është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme. Me vendimin Nr. 228, datë 22.04.1996 të Këshillit të Ministrave është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.