Albert Zholi: 78-vjetori i Brigadës së III Sulmuese. 3500 km rrugë, 700 ditë udhëtime dhe 5 Heronj të Popullit

437
Sigal

78 vjetori i Brigadës III Sulmuese

Brigada përshkoi 3500 km rrugë 700 ditë udhëtime, 250 aksione ka nxjerrë 5 Heronj të Popullit

Më 25 shtator 1943 Këshilli i Përgjithshëm i ANÇSH dhe Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH lëshuan urdhrin për formimin e Brigadës III Sulmuese me partizanë të Grupit të Pezës dhe batalioneve Krujë- Ishëm e “Dajti”. Formimin i brigadës u vendos të bëhej në fshatin Arbanë, që ndodhej vetëm pak kilometra larg Tiranës. Formimi i një formacioni të madh m’u në shpinë të armikut që ishte tërbuar nga Formimi i Brigadës I Sulmuese, ishte një guxim i madh. Por ky vendim i guximshëm kishte qëllimet e veta: Së pari kjo ngjarje do të kishte një ndikim të madh politik e moral mbi popullsinë e kryeqytetit dhe do të ishte një inkurajim për njësitet guerile të Tiranës që po zhvillonin një aktivitet shumë të suksesshëm në Kryeqytet, por edhe për çetat e batalionet që ishin krijuar në zonën e Tiranës, zonat e tjera rreth saj e më tej. Dhe nga ana tjetër për t’i thënë armikut se edhe nën hundët e tua ne formojmë brigada partizane.

Ishte bërë studim mbi vendndodhjen e Arbanës e zonës përreth. Arbana ishte një fshat me një mbrojtje shumë të mirë natyrore. Në krah të Arbanës vepronin forcat partizane të Pezës. Vendi i përurimit të Brigadës u caktua si Ballhaxhiasi, afër Arbanës ku do të grumbulloheshin partizanët që do të formonin brigadën. Në katundin Alltat, për këtë qëllim, ndodheshin udhëheqës të Luftës, kuadro kryesorë të Këshillit të Përgjithshëm ANÇ dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH; Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Myslim Peza, Mustafa Gjinishi, Kristo Themelko etj, të cilët përgatisnin organizimin e ceremonisë së formimit të Brigadës, hartonin plane për luftën që ajo do të vazhdonte kundër nazistëve.

Por spiunë e ballistë kishin vënë re lëvizjet dhe grumbullimin e partizanëve në këto fshatra dhe kishin informuar për ndodhjen e udhëheqësve kryesorë të luftës në këtë zonë. Komanda naziste gjermane nuk mund ta linte këtë rast pa e shfrytëzuar. Ata mendonin se u kishte ardhur zogu në duar. Përgatitën me kujdes operacionin kundër forcave partizane, ku si objektiv kryesor ishte asgjësimi i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Komanda gjermane, pasi kishte rrethuar për gjithë natën zonën e Arbanës, në orën 6.00 të mëngjesit të 9 tetorit 1943, sulmoi befasisht në tre drejtime. Qindra gryka topash, mortajash, mitralozash e pushkësh u derdhën mbi Arbanë dhe fshatrat e saj. Vendi u mbulua në tym e flakë. Kështu nisi ajo që do të quhej “Lufta e Arbanës”. Komanda gjermane synonte që, me goditje të rrufeshme nga tre drejtime, në befasi të plotë, të kapte Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH, shtab ky i formuar vetëm tre muaj më parë; të kapte shtabin e grupit Partizan të Pezës dhe e treta, të asgjësonte forcat partizane të grumbulluara enkas këtu për formimin e Brigadës III Partizane. Aty ishin gjithsej 270 partizanë që, bashkë me partizanët e Grupit të Pezës, bëheshin mbi 600 veta.

Lufta e Arbanës dhe formimi i Brigadës III S nuk mund të ndahen.

Lufta e Arbanës, nuk ishte thjesht një rastësi. Ajo do të zhvillohej në një ditë të shënuar, pikërisht ditën kur ishte planifikuar të krijohej Brigada III S, e dyta njësi e madhe luftarake në Shqipëri, mbas Brigadës I Sulmuese Partizane. Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ mori situatën në dorë. Duhej përballuar befasia. Menjëherë drejtpërdrejt nga Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH u bë organizimi i Brigadës III. U caktuan kuadro: Hulusi Spahiu – komandant, Shahin Ruka- komisar, Hamit Keçi – nënkomandant, Vasil Nathanaili – zv.komisar, Thoma Kafeli – itendent. Drejtimin e luftës e mori Shtabi i Përgjithshëm. Ishte koha e provës së madhe. Pasi studiuan situatën caktuan detyrat luftarake. U hartua plani i luftës për t’iu përgjigjur armikut. Ai urdhëroi që të ndalohej tërheqja e partizanëve jashtë zonës së luftimeve, t’i bëhej qëndresë e fortë, me çdo kusht armikut; t’i mbylleshin të gjitha shtigjet e daljes nga lugina, duke e shndërruar këtë nga qendresë – në kundërsulm dhe pastaj, me forcat e Brigadës III S që kishin mbetur jashtë rrethimit armik, të bëhej rrethimi dhe asgjësimi i armikut. Pra, plani qe i studiuar mirë, i zbatueshëm dhe i suksesshëm. Sipas urdhrave të dhëna dhe në zbatim të taktikave të përdorura në këtë luftim, forcat partizane shfrytëzuan grupe të vogla, me 10 – 12 luftëtarë, që vepruan në shumë drejtime, nga lart – poshtë, dhe e kundërsulmuan në shpinë armikun. Njohës të mirë të terrenit dhe mjeshtër të luftës partizane, trimat e ardhur nga Grupi Partizan i Pezës, nga Batalioni Partizan Krujë-Ishëm, apo nga ai “Dajti”, si dhe guerilas të shumtë të ardhur nga kryeqyteti luftuan me vendosmëri e trimëri. Nuk i lëshuan pozicionet e tyre, edhe pse armiku vuri në përdorim tërë arsenalin e armëve të kohës. Mbas pesëmbëdhjetë orë luftimesh të pandërprera e të ashpra, gjatë të cilave spikati shpirti sulmues e vetmohues i partizanëve, që iu bënë barrikadë nazistëve para se ata të mësynin brenda Arbanës. Armikut iu mor inisiativa. I ndodhur para rezistencës vërtet heroike të partizanëve, armiku nuk mundi të bënte përpara. Përkundrazi, u detyrua të sprapsej. Duke parë se po humbte shumë forca, nisi të tërhiqej për t’i shpëtuar asgjësimit të plotë. Komandanti gjerman, Herman Fran, do të shkruante në shënimet e tij: “…dielli kishte vendosur të mos perëndonte atë ditë”… dhe më poshtë: “Në këtë aksion të parë të vërtetë të gjermanëve në Ballkan dukej sikur gjithçka ishte përbetuar kundër nesh”.

Komanda gjermane në këtë operacion sulmi hodhi mbi 2000 trupa nga më të përgatitura dhe të armatosur me të gjitha llojet e armëve. Forcat gjermane u detyruan të tërhiqen të mundura duke lënë 53 të vrarë nëpër hendeqet e Arbanës dhe në Zall të Erzenit, kurse mjaft të tjerë të vrarë, mundi t’i tërheqë bashkë me një numër të madh të plagosurish. Sipas një dokumenti të vet komandës gjermane nazistët kishin lënë në fushën e luftimit në Arbanë 53 të vrarë, veç shumë të plagosurve dhe të një sasie të madhe armësh, municionesh e materialesh luftarake. Nga forcat partizane te mulliri i Arbanës, ku qe përqendruar zjarri më i dëndur gjerman u plagosën Sulejman Cenoymeri, Adnan Qatipi dhe Mustafa Gjinishi – anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Lufta e Arbanës ishte e para ndeshje e madhe me gjermanët në qarkun e Tiranës. Në këtë Luftë vërtet heroike, që tashmë është përfshirë në radhën e luftimeve të zhvilluara me art luftarak, shkëlqeu edhe qendresa këmbëngulëse e forcave të rrethuara partizane, sikurse edhe vendosmëria e fshatarësisë atdhetare të të gjithë zonës. Pas dhjetë ditësh të formimit, më 18 tetor e vitit 1943, partizanët e Brigadës III nga Kodrat e Saukut qëllojnë me top asamblenë tradhtare, që po mblidhej në oborrin e Pallatit të Brigadave. Kuvendi do të zgjidhte këshillin e Lartë të Regjencës me funksionet e kryetarit të shtetit dhe qeverisë. Gjermania hitleriane pas kapitullimit të Italisë fashiste, krijoi me nxitim një “Komitet Ekzekutiv të Përkohshëm që të drejtonte punën në Shqipëri, deri në zgjedhjen e një të ashtuquajturi “Kuvend Kombëtar” me funksionet e Asamblesë Kushtetuese, i cili duhej të ligjësonte. Në orën 9.00 të 18 tetorit, filloi mbledhja e asamblesë. Në orën 10.00 nga Kodrat e Saukut u dëgjua komanda: Zjarr! Tym e flakë. Panik e zallamahi e madhe në Asamble. Asambleistët lanë mbledhjen dhe u turrën nëpër shkallët e bodrumet. Secili donte të shpëtonte kokën e vet. Vrima e miut u bë 500 grosh… Nuk dinin ku të fusnin kokën… Në të gjithë zonën lindore e jugore të Tiranës, ajo kreu veprime luftarake të suksesshme që bëri të dështojë operacioni “505” i armikut. Brigada përballoi dy operacione të nazistëve dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, operacioni “505” në Pezë dhe atë “1828” në Çermenikë, veç atyre të pjesshme. Ajo u përlesh me forcat naziste dhe reaksionin më të tërbuar. Përballimin e mësymjes së përgjithshme të armikut në verën e vitit 1944. Brigada gjatë operacionit u ndodh përballë presionit të armikut, por kuadrot e saj, vepruan me shkathtësi, manovruan për të mos u rrethuar nga armiku dhe për t’i dalë pas shpine. Brigada gjeti kudo një mbështetje të fuqishme nga populli i zonave ku u zhvilluan veprimet luftarake. Brigade në luftimet që bëri ruajti forcën e saj, ajo fitoi një përvojë të pasur luftarake dhe doli më e kalitur nga ato. Periudha pas operacionit të Qershorit 1944 dhe kalimi në Shqipërinë e Mesme e deri në nisjen për në Kosovë ka qenë shumë e ngjeshur në veprimtari luftarake. Gjatë kësaj periudhe Brigada bëri 42 aksione kundër armikut, 28 prej tyre u kryen natën në zonat e Tiranës dhe të Elbasanit. Brenda në këto qytete u kryen 19 sulme. Brigada III S përshkoi një rrugë tepër të gjatë luftarake që llogariten në mbi 700 ditë, në më shumë se 3500 km në kushte tepër të vështira të terrenit dhe të motit. Bëri 250 aksione dhe luftime. Nga radhët e Brigadës III S ranë në luftë kundër okupatorit 254 dëshmorë. Brigada ka nxjerrë 5 Heronj të Popullit.