- -Për aktin e tij heroik ka shkruar skenarin “Bora e kuqe” shkrimtari Petro Marko,
- -Një shkrimtar çek ka shkruar një roman të botuar në Pragë
- -Piktori i shquar Sabaudin Xhaferi ka bërë tabllonë “Partizani legjendar” që më rrënqeth
- -Në librin e tij “Kujtime dhe dokumenta” ish komandanti i brigadës së pestë gjeneral Shefqet Peçi shkruan “I riu që nuk u përkul”
- -Ish komisari i batalionit Hajdar Aranitasi shkroi “Ai mbeti roje e përjetëshme partizane” botuar në “Zëri i Popullit”
Abaz Hoxha
Si sot 78 vite më parë një skuadër partizanësh prej 10 vetësh duke përfshirë edhe vëllain tim, që ishte më i vogël, 16 vjeç, nën drejtimin e Heroinës së Popullit, Zonja Çurre në kushte të vështira të një dimri të egër 1943-44, në përleshje në çdo hap me pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre, të pagrënë, të zbathur me këmbët lidhur me lecka që u pikonin gjak, ishin nisur të kryenin një detyrë, dhe nuk pranuan të dorëzohen, por ngrinë në dëborë duke u shndëruar në lapidar.
Kujtim Hoxha- vëllai im dëshmor
Për këtë ngjarje ka shkruar një skenar “Bora e kuqe” shkrimtari Petro Marko, ndërsa një shkrimtar çek ka shkruar një roman të botuar në Pragë, ndërsa piktori i shquar Sabaudin Xhaferi ka bërë tabllonë që po jap më poshtë…
Batalionet partizane po grumbulloheshin njëri pas tjetrit në “Qafë të Aliajt”, në Ramicë…
Po prisja të takohesha me vëllezërit e mi, që bënin pjesë në ato formacione. Erdhi batalioni i pestë dhe u përqafova me mall me vëllain e madh, Lufterin, që ishte zv/komisar i atij batalioni. E pyeta për vëllanë e vogël, Kujtimin, dhe ai pas një hezitimi dhe duke kthyer kokën nga ana tjetër që të mos i shikoja fytyrën, m’u përgjegj se është në batalionin tjetër. Erdhi batalioni i dytë ku ishte edhe Niko Hoxha, me të cilin ishim rritur bashkë, ai ishte 4 vjet më i madh, edhe ai më tha se Kujtimi do të vijë më vonë në repartet e tjera kur unë e dija që ai bënte pjesë në atë batalion. Ai për një çast u mallëngjye dhe u largua me të shpejtë pas shokëve të tij të batalionit për të mos e vënë re unë shqetësimin e tij, e tradhëtoi veten……
Por unë e kuptova. Vëllai im, Kujtimi, kishte mbetur në luftë. Nuk e zgjata më tepër se si kishte ndodhur, por fillova të qaja me ngashërim. Ai ishte vetëm 18 muaj më i madh se unë, pra nuk i kishte mbushur ende 16 vjeç. Ishte i brishtë në trup, por i shkathët, entusiazd dhe gjithë optimizëm. Kjo ishte një goditje e rëndë për mua. Ishim rritur jetim. Nëna na kish vdekur që në vitin 1935 dhe na kishte lënë shumë të vegjël. Verën e kalonim gjithmonë aty në Ramicë tek dajua ynë, Lavdoshi, dhe motrat e saj Ifeti dhe Sefirea, që përpiqeshin të na zëvendësonin nënën dhe na trajtonin me shumë dhëmbshuri. Nuk e mora veten dy-tre ditë dhe hiqesha nëpër qoshe dhe vazhdimisht qaja. Nuk më zinte gjumi dhe fillova të ja hidhja fajin vetes që nuk i dhashë këpucët e mija ushtarake kur u ndamë për të fundit herë në Mesaplik. Ngrihesha natën shkoja në banjë dhe i bija kokës me grushte duke përsëritur me dhjetra herë me veten time se : “unë e vrava, unë jam fajtor, pse nuk e ndoqa nga mbrapa deri në Brataj. Unë e vrava si ka bërë ai rreth një muaj duke kaluar nga një vend në tjetrin, nga një mal në tjetrin në përpjekje të vazhdueshme me gjermanët dhe bashkëpuntorët e tyre, pa bukë, i zhveshur në mes të borës dhe me ato opingat e grisura, që kishte në këmbë. Po, unë jam fajtor! Pas vdekjes së nënës ai kishte qenë njeriu më i shtrënjtë për mua. E kisha jo vetëm vëlla, por edhe, shok, këshilltar dhe në mjaft raste ai më zëvëndësonte edhe babain me përkujdesjen që tregonte për mua kur studjonim në Vlorë në Shkollën Tregëtare. Kjo ishte plaga më e madhe që më ka ndjekur gjithë jetën, të cilën shumë vite më vonë do ta trajtoja në disa vargje të vendosura në faqen e parë të librit t’im “Ne u shkolluam në Pragë” botuar në vitin 2003.
Kujtimit
(vëllait tim dëshmor)
Kur ishe në Vlorë /i vogël)
nuk lije film pa parë.
Shkrimtari Petro Marko
të shkroi një skenar/1/!
Edhe Jason Urbani/2/:
Ambasadori çek n’Shqipëri,
në Pragë kur u kthye
roman bëri për ty.
U ngrite që i mitur
në luftën për liri.
Dhe shoku yt Fatosi/3/
të thuri poezi.
Luftove nëpër male
me armikun barbar.
N’Qafë t’Shëngjergjit mbete
u ktheve në lapidar!
Ps: 1-Skenari “Borë e kuqe” i ndryshuar në “Llogoret e bardha”
2-Jason Urban Ambasadori i parë çek pas luftës (1948)
3-Poeti Fatos Arapi-ish shoku i tij i klasës.
* * *
Në librin e tij “Kujtime dhe dokumenta” ish komandanti i brigadës së pestë gjeneral Shefqet Peçi shkruan:
“I riu që nuk u përkul”: …Batalioni i tretë, ku bënte pjesë edhe partizani 15 vjeçar Kujtim Hoxha, pati një shtegtim më të gjatë dhe kondita më të vështira, për shkak të borës dhe të tufanit të ashpër që bënte në atë kohë. Kujtimi, megjithëse i vogël, i duroi këto vështirësi si të gjithë partizanët e tjerë…njësiti ku bënin pjesë 10 partizanë nën drejtimin e heroinës Zonja Çurre, kish marrë urdhër të kalonte në anën e tejme të malit Tragjas dhe të merrte informata për gjëndjen e atjeshme. Udhëtimi i njësitit ishte me të vërtetë i vështirë, se përveç tufanit të fortë e të ashpër, dëborës së madhe, urisë dhe veshjes së keqe, partizanët ndeshën edhe në prita armike. Ata luftuan trimërisht, por duke qënë të paktë në numër patën edhe humbje. Në fund të udhëtimit mbetën të gjallë vetëm tre partizanë.
Kujtim Hoxha numërohet midis 7 partizanëve, që luftuan trimërisht pa u përkulur përpara atyre vështirësive natyrale dhe pritave që kishte përgatitur armiku. I lodhur fizikisht, dhe në pamundësi të vazhdonte më tutje, bashkë me dy shokë të tjerë qëndroi në një shpellë mali, plot dëborë midis fshatit Dukat e Tragjas ku në janarin e vitit 1944 dha shpirt burrërisht…..Kurrë nuk i shkonte në mendje Kujtimit të vogël t’i linte shokët e tij, t’u shpëtonte vështirësive dhe të pranonte ndihmën e babait të tij (!).. dhe më poshtë ai vazhdon:
Këta trima të shkëlqyer, nuk donin të dinin ç’ishte frika dhe nuk pyesnin fare në se kish vdekje. Ata të jepnin forca të reja e guxim, që të bëje sulme të pandërprera kundër armikut, në çdo kohë dhe të kapërxeje gjithë pengesat sado të forta e të mëdha të ishin ato kur kishe shokë si Kujtim Hoxha, Niko Hoxha, Asllan Gjika e shumë të tjerë si ata….”
Ai mbeti roje e përjetëshme partizane
Ish komisari i batalionit Hajdar Aranitasi nën titullin “Ai mbeti roje e përjetëshme partizane” botuar në “Zëri i Popullit” shkruan:
Bora kishte mbuluar gjithçka dhe suferina, që frynte nga Qafa e Shëngjergjit, çponte si shigjetë trupat gjysmë të çveshur të partizanëve.
Ecë, ecë, Kujtim, edhe pak! Se arritëm: i jepnin zemër shokët Kujtim Hoxhës, partizanit më të ri në moshë. Dhe ai shkonte përpara si gjithë shokët e tjerë. Herë herë mbahej në shpinën e Zonjës, herë tek ndonjë shok, por asnjë çast nuk e hoqi armën nga krahu. Me atë armë djaloshi 15 vjeçar ishte dashuruar qysh në fillim të vitit 1943, kur luftoi trimërisht në vendlindjen e tij, në Tragjas, kundër mercenarëve të Halil Alisë dhe Selim Kaloshit. Ajo pushkë jehoi në luftën e Gjormit, në Mesaplik e Drashovicë, kudo ku kishte vepruar Çeta Plakë e Vlorës dhe brigada e pestë sulmuese, efektiv i të cilave ka qënë edhe Kujtimi.
Edhe ato ditë të ftohta shkurti të vitit 1944, kur çante dëborën së bashku me shokët, me këmbët gjysëm të ngrira, atë e shihje po kaq optimist e të guximshëm. Dhe ecte ai duke lënë mbi dëborë vazhdën e gjakut, që i rridhte vazhdimisht. As një rënkim nuk doli nga goja e tij. Në çastin e fundit të jetës, kur gjymtyrët i qenë ngrirë krejtësisht, Kujtimi zgjati dorën nga rruga ku duhesh të kalonin shokët për të plotësuar detyrën dhe mbeti kështu roje e përjetëshme partizane në atë majë mali….
* * *
Fatos Arapi, poeti i ardhëshëm dhe shoku i tij i klasës në Shkollën Tregëtare të Vlorës, në librin e tij me poezi “ Duke dalë prej ëndrrës” i kushton këtë poezi:
Kujtim Hoxha…
U ula në bankën e shkollës,
por vendi pranë qe i zbrazët!
Nuk ishe ti!
Dy sytë e gjelbër kërkova,
me sytë e mi t’u thoshja,
t’u flisja diçka, por nuk ishe ti!
Mbi shishen
e vogël të bojës
U shfaqën dy duar fëmije.
Oh, nuk ishin të tuat!
Një dhimbje e egër më çau përbrenda,
sikur rrufeja çan lisin
janarit mbi qafë të Shëngjergjit.
Aherë ju pashë se si ecnit,
brenda vetë fjalës liri.
Ju shkonit gjithë zhurmë, thërrisnit.
Një këngë partizane përgjakej
përbrenda fjalës liri.
Thërrisnit, kërkonit shoqishoqin,
tërhiqnit shokun e vrarë,
e hidhnit mbi supe të ngrirë dhe ecnit,
dhe ecnit, dhe ecnit….vetë brenda fjalës liri.
Dikush thirri: Shokë !…U kthyet sërisht
me frymën tuaj të paktë
të ngrohnit firomën e fundit të tij?
“Lamtumirë !”
Si majë e errët e shpatës,
herë dukej herë zhdukej në qiell,
qafa e ngrirë e Shëngjergjit:
“Lamtumirë !”
“Lamtumirë !”
“Lamtumirë !”
Stuhija përplasej grykave:
s’kish shpirtin e saj, por tuajin.
Por sidoqoftë në luftë pritesh çdo gjë dhe në një farë mënyre ishim mësuar me vrasjet nga armiku të shokëve dhe të afërmve. Ngjarja që do të pasonte disa ditë më vonë do të ma mbulonte disi atë dhimbje, por do të më shkaktonte një dhimbje tjetër të madhe. Në fund të fundit ai u vra në luftë dhe kreu detyrën e tij karshi atdheut duke dhënë gjënë më të shtrënjtë, jetën. Ai do të rronte e kujtohesh gjithmonë si një dëshmor i atdheut.
Si u pushtua Shqipëria
Shqipëria nuk bëri një rezistencë të organizuar ndaj pushtimit italian (7-12 prill 1939). Megjithatë grupe të ndryshme patriotësh si Mujo Ulqinaku dhe Abaz Kupi bënë një rezistencë të shkurtër në ditën e pushtimit në Durrës. Durrësi u pushtua më 7 prill, Tirana ditën pasardhëse, Shkodra dhe Gjirokastra më 9 prill dhe pothuajse i gjithë vendi ishte pushtuar nga data 10 prill. Në kohën e pushtimit italian, grupi komunist i Shkodrës përfshinte Qemal Stafën, një student, Vasil Shanton, një artizan, Liri Gega, një intelektuale, Imer Dishnica, një doktor, Zef Mala dhe të tjerë. Udhëheqësit ishin Mala, Shanto, Stafa dhe Kristo Themelko. Veprimtaria e grupit të Shkodrës shtrihej edhe në Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore, organizata përfshinte disa emigrantë nga Gjakova dhe vende të tjera të Kosovës të cilët ishin zhvendosur në Shqipëri midis viteve 1930 dhe 1937. Në pranverën e vitit 1941 Shanto dhe Stafa u takuan me një tjetër komunist, Fadil Hoxhën, duke qenë se ai kishte pasur kontakte më herët me komunistin jugosllav Miladin Popoviç. Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha ishin të dërguarit jugosllavë që ndihmuan bashkimin e grupeve komuniste shqiptare në vitin 1941.
Pas pushtimit italian nuk kishte rezistencë të përgjithshme ndaj ushtrisë italiane, edhe pse disa drejtues vendorë si Myslim Peza, Baba Faja Martaneshi, Abaz Kupi etj. krijuan çeta të vogla të cilat herë pas here ndëmerrnin sulme të vogla ndaj forcave italiane. Ndërkohë, aktiviteti komunist në Shqipëri u rrit dhe kulminoi me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare më 8 nëntor 1941.