Abaz Hoxha: Si u nda familja jonë, babai me ballin, unë me partinë

388
Sigal

Flet veterani i luftës Abaz Hoxha: Për tradhëtinë, flasin vetë kolaboracionistët se ishin kundër luftës

Sekretari i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar kolonel Faik Quku në librin e tij dy vëllimësh “ Qëndresa Shqiptare në Luftën e Dytë Botërore” flet për qëndrimin e Ballit

  • Në pranverën e vitit 1942 M.Kruja shkon në Romë dhe mban një fjalim publik politik pro fashizmit
  • Qeveria kuislinge e Mustafa Krujës u tregua shumë e ashpër kundër lëvizjes së rezistencës, pushkatoi dhe arrestoi shumë patriotë
  • – Krerët Nacionalistë si Mustafa Kruja etj jo vetëm që pranuan postet qeverritare të pushtuesve, por ishin edhe figura të diskredituara pro fashiste
  • – Forcat zogiste të Abaz Kupit nuk u përfshinë në luftë dhe me pushtimin nazist ata u bënë bashkëpunëtorë të gjermanëve

Albert Z. ZHOLI

 Është krejtësisht e dhimbëshme dhe e pakuptueshme që disa figura me kontribute patriotike të së kaluarës u bënë bashkëpunetorë dhe shërbëtorë besnikë të pushtuesve nazi-fashistë. Anglo-amerikanët u përpoqën që Ballin dhe Legalitetin t’i hidhnin në luftë kundër pushtuesve, por ata nuk i dëgjuan dhe përfunduan në krahët e pushtuesve fillimisht italianëve dhe së fundi gjermanëve.

-Si do të cilësonit qëndrimin e Ballit Kombëtar gjatë luftës? Ka shumë hipoteza dhe qëndrime. A ishin ata pro apo kundër luftës Nacional Çlirimtare?

Balli Kombëtar qysh në fillim nuk ka qenë për luftë kundër pushtuesve nën parullën “s’ka ardhur koha”, ndonëse disa patriotë nacionalistë ishin kundër këtij qëndrimi të Komitetit drejtues të tyre. Sekretari i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar kolonel Faik Quku në librin e tij dy vëllimësh “ Qëndresa Shqiptare në Luftën e Dytë Botërore” shkruan:

 – Në janar 1943 Komiteti Qëndror më emëroi Sekretar të Përgjithëshëm. Me emërimin tim organizata jonë që deri atëhere quhej nacionaliste, mori emrin BALLI KOMBËTAR “ Qëndresa shqiptare gjate Luftës së dytë Botërore f.126-). Autori i librit që përmendëm ndonëse ishte nga krerët e Ballit Kombëtar dhe flet edhe për disa absurditetete që nuk i pranon asnjë imagjinatë thotë edhe disa të vërteta Kështu p.sh:

“….Taktika e P. Komuniste ishte sulmuese, ndërsa jona mbrojtëse, në pritje të një kohe oportune për me ba sulmin e përgjithëshëm e përfundimtar/prit gomar të mbijë bar/. Hasan Dosti ishte rreptësisht kundër formimit të çetave, si dhe kundër çdo organizimi dhe veprimi të organizatës, ai pretendonte që komiteti të mbetesh si një grup akademik, me shpresue në formimin e dy-tre divizioneve shqiptare, që M.Kruja përpiqej me realizue nëpërmjet italianëve…/f. f.121-“. Del pyetja derisa këto divizione do të krijoheshin me ndihmën e italianëve kundër kujt do hidheshin përfundimisht? Del e kjartë se synimi i tyre nuk ishte lufta për çlirim të vendit, por për të marrë pushtetin. Këto divizione pra do hidheshin kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare e cila siç pohon ai vetë”.

 “…Qysh në vitin e parë, me forcën e organizimit, të disiplinës e të veprimeve, si në radhët e saj, ashtu edhe në popull, Partia Komuniste fitoi një prestigj të madh, që erdhi vazhdimisht tue u rrit. Ajo paraqitet si një lëvizje djaloshare e luftarake kundër pushtuesit, si një shkollë dinamike e guximtare, e sakrificës dhe e disiplinës. Me parimin e saj-luftë për shpëtimin e Shqipërisë, me drejtimin e saj me zotësi, të qartë e të vendosur, me fitoret e saj të përditëshme, krijoi një atmosferë entusiazmi  brenda në parti,  gjë që do të përbëjë forcën e saj kryesore për me ba sakrifica e punë të mëdha, për me ecë kështu në drejtimin e triumfit. /Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërorë F.27/.”

Dhe më tej :

-…”Me formimin e Partisë Komuniste dhe hedhjen e saj në veprim të hapët kundër italianëve dhe qeverisë, ngjarjet vijnë e shtohen dhe efekti i tyre në popull zmadhohet aq sa më i shtërgue italianët me marrë masat e duhuna për me i ba ballë gjendjes së krijueme….”/f.60/

Dhe vazhdon:

…” Italianët, që deri atëhere  çështjen e qetësisë e kishin ekskluzivisht në dorë të tyre, ndërrojnë taktikën dhe vendosën me i futë në valle edhe shqiptarët tue formue një qeveri ma aktive. Tue e konsiderue Shefqet Vërlacin jo aq të fortë, kah fillimi i dhjetorit 1941, hyjnë në fuqi Mustafa Mërlika -Kruja, si ma energjik, ma i vendosun dhe ma autoritar. Qysh  në fillim të pushtimit italian, elementi kolaboracionist ka qenë nda në dy grupe_bejlerët të kryesuem prej Shefqet Vërlacit dhe grupi i Mustafa Krujës. Vërlaci me Krujën ishin në garë për me qenë në krye të qeverisë……/në qeverinë e Krujës ishte edhe Hasan Dosti si minstër i drejtësisë dhe anëtar i Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar. Hasan Dosti përgatiti një ligj  i firmosur prej tij si ministër që do dënohej kushdo që i gjendej armë. Këtë ligj komunistat e përdorin si argument për me luftue Ballin dhe H.Dostin-/ f.64/.”-nëpërmjet këtij ligji sigurisht që do të çarmatoseshin ata që luftonin kundër pushtuesit./

Më vonë ai vazhdon:

“……..Në pranverën e vitit 1942 M.Kruja shkon në Romë dhe para hierarkëve fashistë të shtetit italian, mban një fjalim publik politik, i cili transmetohet edhe në radio dhe dëgjohet edhe në Shqipëri. Në këtë fjalim, ai ban apologjinë e fashizmit dhe të politikës italiane. Fjalimi krijon një reaksion e një pakënaqësi të madhe në gjithë vendin tonë. P.Komuniste e shfrytëzon fjalimin për diskreditimin e tij. M.Kruja u thoshte disa eksponentëve të Ballit si Ali Këlcyrës: “sa të jenë italianët ju duhet të më ndiqni mua, dhe në rast se lufta fitohet nga aleatët, delni ju në krye të situatës…..dhe unë do vij pas jush….”Ai luftonte për zhdukjen e veprimeve ilegale, terrorit, manifestimeve, por pretendonte që jashtë veprimtarisë qeverritare të mos ekzistonte asnjë organizatë dhe të mos zhvillohej asnjë veprimtari politike…..”

Në zbatim të këtyre ideve Qeveria kuislinge e Mustafa Krujës u tregua shumë e ashpër kundër lëvizjes së rezistencës, ndërmori masa represive, pushkatoi dhe arrestoi shumë patriotë dhe u diskreditua në sytë e popullit dhe bashkë me të edhe përkrahësit e tij, që ishin krerë të Ballit Kombëtar si Ali Këlcyra, Hasan Dosti e Mithat Frashëri. Ata u diskredituan më tej me shpalljen e Luftës në 17 dhjetor 1942 kundër koalicionit Antifashist, pra me qëndrimin e tyre të hapur pro italian e gjerman./F.Quku:f.65= Në 17 dhjetor 1942, shteti shqiptar deklaron luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës!!!!!!!/-/Kjo hedh poshtë edhe mendimin e ndonjërit që në funksionin e ekspertit dhe analistit thotë se ishin pro aleatëve-ata bëheshin edhe me djallin mjafton që të ndihmoheshin për të marrë pushtetin e pasluftës!!!!!

 

Krerët nacionalistë si Mustafa Kruja etj jo vetëm që pranuan postet qeveritare të pushtuesve, por ishin edhe figura të diskredituara pro fashiste. Gjithë bota antifashiste i dënoi bashkëpunëtorët me armikun dhe të gjithë ata që u vunë në krye të administratës shtetërore në kohën e luftës u quajtën me emërin e përveçëm Quisling-Kuisling- që kish lidhje me kryeministrin norvegjez i cili u hapi portat dhe bashkëpunoi me gjermanët. Pas Luftës të gjithë ata që bashkëpunuan me pushtuesit u dënuan rreptësisht: ndonëse ndonjëri prej tyre kishte edhe merita të veçanta  siç ishte për shëmbëll Marëshalli Peten –Heroi kombëtar francez në Luftën e Parë Botërore- i cili pas luftës u dënua me vdekje-ndonëse nuk u arrit të ekzekutohej se vdiq në burg. Po kështu kryeministri francez në kohën e luftës u dënua me vdekje dhe u pushkatua nga qeveria e gjeneralit De Gol.

Edhe para se të pushtonin gjermanët Shqipërinë ata morën vendimin që jo vetëm të mos sulmoheshin trupat gjermane, por edhe në zonat ku kishin veprimtarinë e tyre njësitet e ballit të mos lejohesh as nacionalçlirimtarja të sulmonte gjermanët dhe për këtë pati edhe përplasje. Kështu trupat balliste, që komandoheshin nga Rasin Babameto sulmuan partizanët, që ishin duke kryer një aksion në Libohovë kundër pushtuesve italianë. Në veçanti anti- shqiptar dhe kundër koalicionit antifashist ishte edhe shpallja e Luftës Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga ana e qeverisë kuislinge shqiptare/F.Quku f.65.

Po kështu edhe me dorëzimin e trupave italiane në Grehot të Gjirokastrës forcave të nacionalçlirimtares dhe të udhëhequra prej tyre u nisën drejt Sarandës për t’u ankoruar në anijet për në Itali, ato jo vetëm u provokuan, por edhe u sulmuan nga forcat e Ballit Kombëtar gjatë rrugës-që ishte në fakt edhe kundër forcave partizane që ata i shoqëronin…… /Faik Quku f.208-209-210-211

Pra Komiteti Qendror i Ballit Kombetar jo vetëm që nuk ishte për luftë, por me udhëzimet e tij u bë shkak dhe nisjator edhe për vëllavrasje më parë se trupat gjermane të sulmonin Shqipërinë.

Duhet theksuar fakti se disa nga udheheqësit kryesorë të Ballit Kombëtar të Qarkut të Vlorës, ndonëse fillimisht iu bindën qendrës për të mos ndërmarrë veprime të armatosura në pritje të një situate opportune, por kërkuan që të hidheshin në aksione. Përveç kësaj këta drejtues të Komitetit Qarkor të Vlorës si Skënder Muço etj shkuan deri në Komitetin Qëndror bile kërkuan që të ndryshonte edhe udhëheqja e Ballit Kombëtar për të marrë aksione kundër fashizmit. Këta udhëheqës nuk u përfshinë në asnjë post qeveritar gjatë kohës së okupimit fashist e nazist derisa arritën që pikëpamjet e tyre të kërkonin të viheshin në jetë. Po kështu duhet thënë që asnjëri prej këtyre nuk ndërmorën aksione kundër popullit të tyre siç bënë disa krerë të tjerë të Ballit në Vlorë e Gjirokastër, që u vunë në pararojë të operacioneve gjermane kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare në operacionin e dimrit 1943-44 ku dhe bënë krime të shëmtuara kundër popullit të tyre duke vrarë pleq, gra e fëmijë…..

Kështu-simbas Petrit Velaj-ish udhëheqës i rinisë të Ballit Kombëtar shkruan:

..”Me 7 korrik të vitit 1943, u bë mbledhja e Përgjithshme e Ballit Kombëtar të Vlorës. Takimi u bë tek Rrepet e Ismail Qemalit në Mesaplik të Lumit të Vlorës. Aty erdhën vetë Mit’hat Frashëri, Hysni Lepenica, Skënder Muço e Hasan Dosti…..

“ Fjalen kryesore në emër të Komitetit Qendror të Ballit Kombetar e mbajti avokati Skënder Muço. M’u ngulitën në mëndje fjalët e tij: “Fitorja pa rrezik është triumf pa lavdi” Ai shtroi nevojën e organizimit të forcave nacionaliste e atdhetare në mënyrë frontale në luftë kundër fashistëve italianë. Këtë ide, në diskutimin e vetë e zbërtheu edhe më mirë profesor Tahir Hoxha, burrë serioz, idealist e patriot i kohërave tona, gëzonte nder dhe respekt të madh. Kudo ku kishte qenë si mësues, në çdo shkollë, frymëzonte rininë me patriotizmin shqiptar. Pas tij e mori fjalën Hysni Lepenica, i cili zbërtheu temën: “Mbi formacionet ushtarake të forcave nacionaliste të rrethit të Vlorës”.

Kjo deklaratë e Skënder Muços ishte një reagim dhe ndërrim taktik kundër qëndrimit të krerëve të Ballit për mos organizimin e formacioneve të armatosura. Por sidoqoftë ishte një reagim tepër i vonuar pasi Italia fashiste ishte duke kapitulluar.

Me gjithë përpjekjet që bënë aleatët anglo-amerikanë për t’i hedhur në luftë Ballin Kombëtar dhe forcat zogiste të Abaz Kupit ata nuk u përfshinë në luftë dhe me pushtimin nazist ata u bënë bashkëpunëtorë të gjermanëve dhe u vunë edhe në pararojë të operacioneve naziste kundër Lëvizjes Çlimtare dhe bënë edhe krime kundër popullit të tyre.

Gjenerali Dejvis ishte treguar më objektiv dhe më i prerë për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj forcave balliste dhe zogiste. Që në 17 dhjetor 1943 ai i shkruante qendrës së tyre në Kairo:

Unë rekomandoj një ndryshim. Situata ka evoluar kaq shumë kohët e fundit sa që urgjentisht të demaskohet Këshilli i Regjencës kolektivisht dhe çdo anëtar i tij me emër sikurse edhe Balli Kombëtar… Të gjithë po bashkëpunojnë me gjermanët, të cilët me sasinë e madhe të armëve, që u kanë dhënë po i shfrytëzojnë duke i vënë të ruajnë rrugët kryesore, shërbime policore dhe të drejtojnë patrullat duke i liruar trupat gjermane….Në të gjitha veprimet e kryera  kohët e fundit nga LNCL. Janë ndeshur me trupa të përziera gjermane dhe balliste të armatosura mirë dhe të stërvitura nga gjermanët. Luftimet në zonat e Pezës dhe të Dibrës…sidomos kohët e fundit kanë provuar plotësisht bashkëpunimin e tyre të ngushtë….Ballkomi/Ballistët/ dhe Abaz Kupi, më premtuan se do t’i luftonin aktivisht gjermanët, por nuk bënë asnjë aksion, sado që kanë patur shumë raste për t’u bërë rezistencë gjermanëve… Si Ballkomi ashtu edhe zogistët tash botojnë gazeta të kushtueshme dhe pretencioze që duket hapur se janë ndihmuar nga gjermanët, por në asnjë numur të këtyre gazetave nuk gjen asnjë referim antigjerman…Mendoj se qëndrimi i aleatëve duhet të shpallet botërisht menjëherë, duke e bërë të qartë se kuislingët, tradhëtarët  dhe ata, që nuk luftojnë gjermanët, do të marrin ndëshkimin që u takon dhe në kohën e duhur nga aleatët. Prandaj : mendoj të bëhet një deklaratë e hapur në favor të Lëvizjes Çlirimtare /Reginald Hibbert”Fitorja e hidhur”fq.124-125 dhe John Holliday “Shqiptari dinak” fq.73./

Menjëherë pas kalimit të Shkumbinit dhe daljen në rajonin e Tiranës disa batalione të brigadës së pestë filluan veprimet luftarake për pastrimin e zonës nga trupat armike dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kështu batalioni i 3-të i bëri pritë në Qafën e Krrabës një autokolone armike, që lëvizte nga Elbasani për Tiranë, kurse batalioni i 4-të shkatërroi postën e xhandarmarisë në katundin Shëngjergj. Këto veprime të batalioneve tona shkaktuan një befasi dhe panik në forcat e armikut dhe demaskonin fushatën e gjërë propagandistike, që kishin bërë se me operacionin e qershorit forcat partizane të divizionit të parë ishin asgjësuar. Edhe pas kësaj, kur krismat e pushkëve partizane po dëgjoheshin edhe në afërsi të Tiranës ata publikuan gënjeshtrën për të përpunuar opinionin publik se me kalimin e lumit Shkumbin forcat partizane ishin shpartalluar. Dhe këto që po vepronin në rajonin e Tiranës nuk ishin tjetër veçse mbeturina të reparteve partizane të shpartalluara. Ky tmerr që tashmë pushtoi edhe forcat gjermane, të cilat ndërmorën masa të shpejta për të rigrupuar forcat e tyre dhe për të krijuar një front të përbashkët me forcat reaksionare që ishin në shërbim të tyre.Kjo u dëshmua edhe me një alarm që u botua në shtyp, në gazetën “Bashkimi i Kombit” të cilën na i pruri një nga zbuluesit tanë. Në këtë artikull agjenti dhe bashkëpuntori i përkushtuar i gjermanëve, komandanti i xhandërmarisë së Tiranës Xhelal Staravecka më 28 qershor 1944 shkruante:

O burra të bashkohemi!Komunizmi mbuloi Jugun. Kapërxeu Shkumbinin dhe po vjen të na hidhet në grykë! Jemi në rrezik!”

-Si veproi komanda gjermanë në këtë rast? Si u zhvillua terreni luftarak?

Komanda gjermane u vu në lëvizje të ethëshme. Grumbulloi forcat e Korpusit të 21-të me qendër në Tiranë dhe forcat e tjera gjermane e tradhëtare, që vepronin gjatë ofensivës së qershorit në Tiranë, Elbasan dhe qytete të tjera të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut dhe i vuri në gadishmëri për të vepruar, rigrupoi dhe organizoi të gjitha forcat e reaksionit të brendshëm.Ndër forcat më të organizuara ku mund të mbështeteshin gjermanët ishin ato të Abaz Kupit. Gjermanët në bashkëpunim me forcat e Abaz Kupit dhe me xhandarët e prefektit të Tiranës Qazim Mulletit, i vunë vetes detyrën e shkatërrimit të forcave të brigadës së 5-të në krahinat e Shënpalit, Krujës dhe Matit, përpara se ato të drejtonin goditjet kundër tyre në afërsi të kryeqytetit. Organizatat “Ballit Kombëtar” dhe të “Legalitetit” në bashkëpunim me disa bajraktarë, nën drejtimin e gjermanëve krijuan “Besëlidhjen e Shkodrës” me në krye Patër Anton Arapin ndërsa fashisti Kol Bib Mirakaj organizoi me bajraqet e Pukës “Lidhjen e maleve”.Edhe Gjon Marka Gjoni, Muharrem Bajraktari e mercenarë të tjerë po bënin me shpejtësi një marrëveshje për të bashkuar forcat e tyre kundër divizionit të 1-rë partizan. Ndonëse të gjitha këto forca të bashkuara të reaksionit misionet anglo-amerikane kishin bërë përpjekje për t’i hedhur në luftë kundër gjermaneve, përpjekjet e tyre ishin pa sukses. Ata bënë të kundërtën duke u bashkuar me pushtuesin vetëm për të siguruar pushtetin e tyre në të ardhshmen. Misionarët anglezë që ndodheshin pranë Abaz Kupit, Xhem Gostivarit, Muharrem Bajraktarit, Gani Kryeziut dhe bajraktarëve të tjerë të krahinës Nikaj-Mërtur, u përpoqën që të bashkonin këto forca nën drejtimin e Abaz Kupit. Ata donin të krijonin një forcë të armatosur prej rreth 4000 vetëve, e cila në pragun e çlirimit të Shqipërisë, në bashkëpunim edhe me forcat anglo-amerikane, që parashikonin të zbarkonin në Shqipëri, të shkatërronin Frontin dhe Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe të vendosnin regjimin e tyre të Ahmet Zogut. Këto synime të tyre si dhe bashkëpunimin e forcave reaksionare me gjermanët e dëshmoi më vonë edhe misionari anglez pranë Abaz Kupit, Xhuljan Emëri, që më vonë do të bëhesh ministër i aviacionit. Në librin e tij “Bijtë e shqipes” ndër të tjera ai shkruan:

Në sajë, pa dyshim, të ndërhyrjes së Mustafa Krujës, njerëzit e Abaz Kupit, mund të qarkullonin tani të sigurtë dhe autoritetet kolaboracioniste mbyllnin sytë kur këta vizitonin Tiranën. Prandaj komiteti zogist, mori me qira një numur kamionësh në kryeqytet, me të cilët Abaz Kupi dërgoi forcat e veta në Qafë-Shtamë. Ai organizoi gjithashtu një furnizim të rregullt me bukë të bardhë nga furrat e Tiranës për ushqimin e forcave zogiste”.

Shtabi anglo-amerikan i Mesdheut- me shpresë se do t’i hidhte në luftë forcat balliste dhe zogiste- ndërhyri edhe drejtpërdrejt në Shtabin tonë të Përgjithëshëm. Duke e parë se Divizioni i 1-rë do t’u prishte të gjitha planet, bëri të gjitha përpjekjet për të penguar kalimin e divizionit të 1-rë në këto zona. Bile ata bënë edhe presion të hapur dhe kërcënuan se nëqoftëse ushtria jonë do të prekte forcat e Abaz Kupit ata do të na ndërprisnin ndihmat materiale që na hidhnin herë pas here me parashuta. Siç do të dëshmohesh më vonë në dokumentet e arkivit të shtetit oficeri britanik i ndërlidhjes do t’i dërgonte Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare një notë ku thuhej se: gjenerali Uilson nuk lejonte që partizanët të hynin në punët e tij strategjike dhe se partizanët nuk do të mundnin t’u bënin ballë gjermanëve pa ndihmën e aleatëve.

Po në këtë dokument të AQP jepet edhe përgjigja e Komandantit të Përgjithshëm ku thuhet se: “Kjo ndihmë duhet të na jepet se është në interesin e vetë aleatëve…por në se do të lidhet ndihma me tradhëtarët ne do të vazhdonim luftën edhe të vetëm siç e kishim nisur…..

Por gati në fund të luftës edhe aleatët tanë të Koalicionit antifashist e kanë vlerësuar luftën tonë Nacionalçlirimtare. Në 12 nëntor 1944 komandanti i forcave aleate në Mesdhe, gjenerali Maitland Uilson i dërgonte këtë mesazh E.Hoxhës:“me admirim kam ndjekur fitoret e Ushtrisë tuaj Ncionalçlirimtare, që ka korrë në luftën kundër armikut të përbashkët dhe për qëllimet tona të përbashkëta”.