60 vjetori i krijimit të Shërbimit Hidrografik Shqiptar (SHHSH)

2452
Shefqet Kërcelli
Shërbimi ynë Hidrografik është një komponent i rëndësishëm i Forcës sonë Detare dhe shtetit shqiptar, sepse luan rol parësor në sigurimin e kushteve hidrolundrimore dhe sinjalistikës detare për lundrim të parrezikshëm të mjeteve detare në hapësirën ujore të Republikës së Shqipërisë. Për shtetet e zhvilluara apo vendet në zhvillim, një hidrografi dhe sinjalistikë efikase janë domosdoshmëri në zhvillimin e transportit detar dhe turizmit të vendit duke ndikuar direkt në integrimin e shpejtë të tij në strukturat ndërkombëtare të detit dhe në BE. Në fakt ne si popull detar dhe për nevojat e transportit detar na është dashur të përdorim mjete sinjalizimi të thjeshta që në kohët e vjetra, por vetëm në shekullin e XIX-të u ndërtuan disa fenerë me shërbim të kufizuar për shkak të teknologjisë dhe personelit. Feneri më i vjetër në vendin tonë është ndërtuar në VP të Sazanit më 1871, pastaj më 1884, në Shëngjin. Mbas çlirimit pati një fazë të re të ngritjes së fenerëve. Gjithashtu gjurmë të këtij shërbimi gjejmë dhe në vitet 1878-1890, kur specialistë të Perandorisë Austro-Hungareze përpunuan hartat e para të vendit, të cilat u përmirësuan nga specialistë italianë në vitet 1933-1941. Mbas çlirimit të vendit u bë riparimi i disa fenerëve kryesorë përgjatë bregdetit dhe në bashkëpunim me palën sovjetike u botuan harta të reja për gjithë bregdetin dhe zonën detare të vendit. Më 25 shtator 1957, u krijua Shërbimi Hidrografik si strukturë e veçantë për sigurimin hidrolundrimor. Zoti Arqile Papadhimitri u caktua shefi i këtij shërbimi, Koço Lati, zv.kom. për punë politike, Mersin Shqypi, Shef i seksionit të hidrografisë, Teofik Digli, shef i fenerëve, Dhimitër Postoli, për hartografinë dhe Seit Berisha, shef i sinoptikës.. Në vitet 1958-1960, u ndërtuan kulla fenerësh prej betoni dhe guri me lartësi nga 8-14 m, në kepin e Palermos, në jug të ishullit të Sazanit, në Shënvasil, Pashaliman, Treport, në Kepin e Selitës, në malin e Durrësit, Kepin e Palit etj. Në v.’84-‘’86, u ndërtuan me arkitekturën e kohës dy kulla të reja fenerësh, një në derdhjen e lumit Vjosa, 20 m të lartë dhe në Kepin e Palit, 14 m. Mbas ’85 u bë pajisja e disa fenerëve me aparaturë elektronike automatike. Në vitin 1985, në bregdetin shqiptar numëroheshin mbi 40 fenerë detarë, që mbulonin me rrezet e tyre ujërat tona bregdetare me një brez nga 6 deri në 13 milje detare, dhe në disa kepe deri 25 milje detare. Në vijimësi shteti shqiptar dhe Komanda e Forcës Detare ka treguar kujdes për zhvillimin dhe modernizimin e këtij Shërbimi të rëndësishëm me interes kombëtar. Për zbatimin e detyrave të institucioneve përkatëse ndaj sektorit të fenerëve, ka një VKM, nr.1, datë 9.02.1985 dhe një tjetër më 13.06.1999, për taksën e farofenerëve, ku specifikohet se 20% e të ardhurave që përfitohet duhet ti kalojë Ministrisë së Mbrojtjes, konkretisht sektorit të SHHSH. Mbas vitit 1990, u shtuan përpjekjet për modernizimin e Shërbimit tonë, për t’ju përshtatur kushteve e kërkesave të reja pasi hidrografimi i hapësirës detare dhe bregdetare konsiderohet si element esencial për zhvillimin e infrastrukturës së një vendi dhe përfshin jo vetëm portet dhe transportin detar, por dhe shfrytëzimin e mbrojtjen e pasurisë detare, ekologjisë dhe turizmit, si prioritete të vendit tonë. Veçanërisht mbas vitit 1997, me gjithë vështirësitë dhe mungesat e bazës materiale, në sajë të ndihmës e bashkëpunimit me partnerët tanë u sigurua profilaktike, riparimi dhe mirëmbajtja e fenerëve ekzistues bashkë me vendosjen e disa fenerëve të rinj, me teknologji të avancuar në disa pika të nevojshme për lundrimin e mjeteve detare. Kështu specialistët tanë në bashkëpunim me vendet aleate kanë vënë në punë teknologjinë me llamba të tipit LED, vetushqyese, nëpërmjet paneleve diellore, që kanë disa avantazhe si kërkesa më të vogël në mirëmbajtje, riparime të shpejta, ekonomike, të mbrojtura nga dëmtimet dhe shikueshmëri më të madhe. Ndërkohë Shërbimi ynë hidrografik vitet e fundit ka bashkëpunuar me Zyrën Hidrografike të SHBA dhe Flotës së 6-të, me Shërbimin e Mbretërisë së Bashkuar, Shërbimin Hidrografik Italian, Grek,Turk, etj. në fushën e ndërtimit të sinjalistikës detare, matjeve hidrografike në porte dhe zona të veçanta, madje ka përgatitur harta hidrografike përfshirë dhe ato elektronike. Vlen të përmendim këtu projektin “304” me palën italiane “Për fuqizimin dhe modernizimin e sistemit të farofenerëve në Shqipëri’, i cili bëri të mundur riparimin e disa fenerëve në rajonin Vlorë-Sazan-Sarandë, por dhe vendosjen e fareve të rinj në zona delikate, ku ka dhe anije të mbytura si Sarandë, Vlorë, gjiri i Drinit, etj. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe Specialistët Hidrografë të SHHSH, bazuar nga të dhënat e matjeve batimerike të bëra me partnerët tanë ndërkombëtare, në bashkëpunim me specialistë të IGJUI, u prodhuan hartat e para “Paper charts”, për qëllime lundrimore. Për herë të parë në procesin e prodhimit të këtyre hartave u aplikuan standardet ndërkombëtarë të IHO. Hidrografia dhe hartografimi detar tashmë konsiderohen si elementë thelbësorë në zhvillimin e infrastrukturës kombëtare për detin. Kjo infrastrukturë përfshin jo vetëm portet e transportin detar por edhe shfrytëzimin e resurseve (pasurive mbi dhe nënujore) si dhe mbrojtjen e jetës njerëzore, mjedisit e ekologjisë detare. Në mënyrë të vazhdueshme janë përgatitur publikime dhe njoftime për lundërtarët. Kështu në bashkëpunim me IGJUI, janë publikuar harta detare, rrugëkalimet detare si dhe listat e faro-fenerëve, me qëllim përmbushjen e nevojave për një lundrim të sigurt. Natyrisht projekti më i rëndësishëm, është ai me Shërbimin Hidrografik Norvegjez, ALNO HIP, i cili do fokusohet në kryerjen e matjeve batimetrike, përpunimin e të dhënave dhe menaxhimin e prodhimin e hartave detare elektronike. Nga ky projekt do përfitojë jo vetëm Forca Detare por të gjithë subjektet detare private e shtetërore. Zbatimi i këtij projekti filloi në vitin 2015 dhe do zgjasë tre vjet. Projekti i perbashkët me Shërbimin Hidrografik Norvegjez është duke u zbatuar sipas një plani të mirë detajuar dhe ka në themel të tij zhvillimin e një politike kombëtare detare për Hidrografinë dhe Hartografimin. Ai kërkon që krahas njohurive esenciale të karakteristikave gjeografike, gjeologjike dhe gjeofizike të shtratit të detit dhe të bregdetit, të bëhet dhe grumbullimi i të dhënave të mjaftueshme për rrymat detare, baticë-zbaticat dhe fenomenet e tjera detare deri në përpunimin përfundimtar të këtyre të dhënave. Sigurisht që ky projekt do shtojë kapacitetet operacionale të Shërbimit tonë Hidrografik, standartizmin dhe ndërveprimin e tij meqëllim që vendi ynë të përmbushë kërkesat e organizmave dhe legjislacionit ndërkombëtar në fushën e sigurisë hidrolundrimore.Synimi final i SHHSH është arritja e standardeve dhe kapaciteteve të kërkuara nga IHO, {Organizata Ndërkombëtare Hidrografike} dhe plotësimi i kushteve për anëtarësim me të drejta të plota në këtë organizatë. Realizimi i tyre veç angazhimit maksimal kërkon edhe përshtatjen e teknologjisë ekzistuese me teknologjinë moderne bashkëkohore apo përzgjedhjen e personelit të kualifikuar për specialitetin e hidrografisë. Nga ky synim burojnë dhe prioritetet specifike për të ardhmen, të cilat janë: Përpilimi dhe publikimi i hartave të reja detare, (paper charts & elektronike) të bregdetit Shqiptar; Pajisja e bregdetit Shqiptar me mjete dhe pajisje bashkëkohore të sigurisë hidro-lundrimore si dhe instalimi i fenerëve të rinj detarë duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e atyre ekzistuese dhe së fundmi përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare të cilat Shqipëria i ka nënshkruar në kuadrin e IMO, SOLAS, UNCLOSS, rezolutës të Kombeve të Bashkuara, UN A53/32. Aktualisht Shërbimi Hidrografik Shqiptar ka status vëzhguesi në “Mediterranean and Black Seas Hydrographic Commission (MBSHC)”, por sfida e këtij shërbimi është anëtarësimi në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë-IHO, në një afat kohor sa më të afërt. Në këtë 60-vjetor, kujtojmë me respekt ish Komandantët e Shërbimit Hidrografik Shqiptar, ndër kuadrot më të arsimuar e kualifikuar të Forcës Detare, {ishFlotës-Luftarake}, që nga pionieri i këtij shërbimi zoti Arqile Papadhimitri, e më pas Mersin Shqypi, Capajev File, Bashkim Kryeziu, Nikolla Tole, Ilirjan Hoxha, Gëzim Koci, Arjan Copani, Lulzim Kryeziu, Artan Malo, etj. Kujtojmë dhe nderojmë oficerin hidrograf Kadri Ylviu.
Sigal