Zyrtari i OBSH jep parashikimet e zymta për Covid-19 / “Ky është ende fillimi, përballja do të duket si pas luftës”

244
Sigal

Walter Riçiardi, zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka bërë parashikime të zymta në lidhje me efektet që do të ketë pandemia në botë, ndërsa thekson se do na duhet ende kohë për ta vënë atë plotësisht nën kontroll, raporton Telegraf.al.

Në një intervistë për greken “Zougla“, Riçiardi shprehet se njerëzimit do t’i duhet ende kohë për ta mposhtur plotësisht pandeminë. Por, edhe kur kjo të ndodhë sipas tij, botës do t’i duhet ende kohë që të rekuperojë dëmet e pësuara.

Do të na duhet edhe një vit e gjysmë për të marrë plotësisht nën kontroll pandeminë. Por, në fund të saj, njerëzimi do të jetë i dërrmuar, sikur të ketë kaluar një luftë. Do të jetë një situatë dramatike në shumë aspekte, përfshi atë social dhe ekonomik“, shprehet ai duke shtuar se jemi ende në fillim të gjithçkaje sa i përket pandemisë.

Megjithatë, njerëzimi do t’ia dalë, siç ia ka dalë përherë.  Jemi ende në fillim të përballjes me pandeminë, por besoj se ashtu siç ka ndodhur edhe me HIV-in, në të ardhmen do të mësojmë edhe më tepër sa i përket koronavirusit“, u shpreh ai.

Shkencetari italian, i cili është këshilltar special i qeverisë së Romës për çështjet e shëndetësisë rrëfen se do të duhet ende kohë për të mësuar më tepër në lidhje me sjelljen e virusit në raport me gjeografinë dhe kushtet atmosferike.